Faleminderit
Fran Gjoka: Një jetë e shkrirë në arsim e krijimtari letraro-artistike
E merkure, 20.04.2022, 07:20 PM
PROFIL SHKRIMTARI
Një jetë e shkrirë në
arsim e krijimtari letraro-artistike
(Hazir
Mehmeti, emër që shndritë në vepër, në 70-vjetorin e lindjes së tij )
Nga
Fran Gjoka
Hazir Mehmeti, tashmë ka bërë emër në letrat shqipe. Një
jetë të tërë në shërbim të çështjes kombëtare. Disa vite mësimdhënës shembullor
e veprimtar i dalluar në Kosovë; mësues e pedagog i zellshëm në Vjenë, hartues
tekstesh e abetaresh për nxënësit shqiptarë në mërgatë; publicist, tregimtar,
poet, përcjellës besnik i të gjitha ngjarjeve kulturore të mërgimtarëve,
pasqyrues i shumë të arriturave arsimore e shkencore në Austri e gjetkë si dhe
gjurmues e hulumtues i historisë sonë në qendrat botërore.
Dhe, krahas të gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e
tij entuziast, përherë qëndruan këmbëkryq ngjarjet më të rënda të historisë
tonë, ato të përjetuara drejtpërdrejt, që lanë gjurmë të pashlyera në kujtesën
tonë historike, helmimet e fëmijëve tanë.
Për ata që nuk ka
dëgjuar për autorin e dhjetëra veprave u përpoqëm të nxjerrim diçka nga puna e
tij. Jeta e tij karakterizohet me dinamikë ngjarjesh në rrethana të rënduara në
Kosovën e robëruar ku ai punoi mbi njëzet vjet dhe jeta dhe veprimtaria e tij
në mërgim. Qysh i ri mbaron studimet me sukses të lartë në Prishtinë dhe fillon
punë si mësimdhënës në gjimnaz. Nuk
ishte e lehtë të punosh në rrethana kur duhej ndërtuar shkollën shqiptare duke
e shkëputur nga varësia serbe e diktuar nga pushteti i asaj kohe. Puna me
prindër dhe aktivitetet e secilit pas ndryshmeve kushtetuese të vitit 1974,
ndikuan në shtimin e shpejtë të nxënësve shqiptarë deri në masivizimin e
shkollimit të shqiptarëve. Në këto rrethana punoi dhe Prof. Hazir Mehmeti në
gjimnazet e Kosovës. Bashkë me disa
kolegë të tij, ishte përpiluesi dhe
nënshkruesi i dokumenteve protestuese në
mbrojtje të shkollës shqipe. Nga pushteti pushtues u cilësua si
pjesëmarrës në organizimin e protestave në Qendrën Shkollore, ku punonte,
prandaj, sigurimi serb e arreston disa herë, duke e cilësuar si te pa përshtatshëm. Pasi pushteti serb mbyll
shkollat shqipe dhe ndërpret financimin
e tyre, për shtatë vjet punon në mësimin e organizuar në shtëpi private. Ai
vazhdimisht ishte aktiv në rrjedhat e shkollës dhe aktiviteteve në organizimin
e shkollës. Sikur shumë kolegë të tij, ai përjetoi presionin e dhunës nga
pushtuesi serb. Njëra nga këto represione kriminale, e cila nuk harrohet, ishte
helmimi i nxënëseve shqiptarë në vitet nëntëdhjetë. Në ditarin e tij para 30
vjetëve përshkuan në detaje ngjarjet në shkollën e mesme ku ai punoi. Ky ditar
i plotësuar me dokumente, shkrime nga shtypi, biseda me të helmuar, u botua
libri me titull: “Pranverë e helmuar” i cili është një dokument kohe. Së
shpejti do përkthehet edhe në anglisht dhe gjuhët tjera. Duke qenë edhe
gazetar, bashkëpunëtor i disa gazetave të asaj kohe, sot kemi shënime me
rëndësi për rrjedhat në ato rrethana.
Nga represioni i vazhdueshëm Haziri detyrohet të emigrojë në Austri, ku
i njihet statuti i të përndjekurit politik. Organet shkollore në Vjenë e
inkuadrojnë procesin mësimor në gjuhën shqipe për nxënësit shqiptarë.
Aktiviteti i tij, si krijues në hartimin e materialeve mësimore, u prezantua në
dhjetëra seminare në Austri. Këto materiale dhe aktiviteti i tij i pa ndalur e
mundësuan hapjen e faqes së internetit pranë Ministrisë së Arsimit të Austrisë
ku përgjegjës i faqes emërohet Hazir Mehmeti. Ishte hera e parë hapja e një
faqeje në shqip krahas gjuhës kroate dhe turke, një arritje afirmative e
mësimit shqip në Austri. Duke vërejtura aktivitet e tij ftohet të jetë pjesë e
projektit për hartimin e abetares në gjuhën shqipe me titull A-B-C Fibel
(Abetare). E para abetare në Austri në katalogun e teksteve mësimor me të cilën
mësojnë fëmijët shqiptarë. Kjo abetare përdoret edhe në disa vende tjera nga
mësuesit shqiptarë. Duke qenë e njohur si abetare e standardeve të larta u
prezantua nga autori në disa seminare në shumë vende duke veçuar këtu
prezantimin e saj në Universitetin e Hamburgut, seminar i organizuar nga
Ministria e Arsimit e Gjermanisë, ku libri merr vlerësime të larta nga ekspert
gjuhësh nga disa specialist gjuhësh e metodistë seminaristë nga disa
universitete gjermane.
Hartimi i teksteve mësimore ishte
prioritet i punës së Hazirit, pasi e dinte fare mirë se i mungonin tekstet
mësimore në diasporë. Njëri nga këto projekte ishte i drejtuar nga Prof. Dr. Basil
Schader (Zürich), i cili përfundoi në vitin 2016 me botimin e 19 teksteve
(Fletore tematike) mësimore mbështetur nga Ministria e Arsimit e Kosovës, ku
njëri nga 5 autorët nga disapora ishte Hazir Mehmeti mësues nga Austria. Ky projekt në vitin 2015 merr çmimin e
“Projekt i Shkëlqyeshëm” në konkurrencë me 66 projekte gjuhësh nga gjithë
kontinenti. Para seminaristëve në Graci, e njohur edhe për kulturën e gjuhën
shqiptare, u nda çmimi prej autoriteteve të larta nga Ministria e Arsimit dhe
qyteti i Gracit ku u shënua Dita e Gjuhëve Evropiane (26 shtatori). Mes tjerash, në këtë ditë
shënimi, u shfaqen filmime të përgatitura nga ekspert gjuhesh nga Shkolla e
Lartë Pedagogjike e Cyrihut (Zürich), të filmuara nga mbajtja e orës mësimore
në klasat me strukturë nxënësish moshash të ndryshme nga ora mësimore e mësuesit Hazir Mehmeti në
shkollat e Vjenës. Kjo zgjoi interesim tek seminaristët e shumtë nga radhët e
pedagogëve, mësueseve e mësuesve nga 35
gjuhë të pranishëm. Çmimin e lartë e pranuan Dr. Basil Schader, drejtues i
projekti, Nuhi Gashi nga Ministria e Arsimit e Kosovës dhe Hazir Mehmeti autor
nga Austria.
Përveç
veprimtarisë mësimore, Haziri merret
edhe me publicistikë. Artikujt e tij gazetaresk e hulumtues janë botuar në
dhjetëra gazeta e revista shqiptare në Kosovë, Shqipëri e Maqedoni. Ishte
bashkëpunëtor i disa gazetave të njohura shqiptare: “Zëri i Ditës”, “Fakti Ditor”, “Dielli”, “Nacional”, “Albinfo.at, “Prointegra.ch,
“Zemra Shqiptare”, “Dielli Demokristian”, revistave për arsimin dhe fëmijë si:
“Mësuesi”, “Doruntina”, “Ura” etj. Është anëtar i Asociacionit Ndërkombëtar të
Gazetarëve të Pavarur me seli në
Florida. Është bashkëpunëtor i disa gazetave dhe revistave si dhe i Radios më
të dëgjuar në Kosovë, Radio
Dukagjinit.Duke e parë aktivitetin e tij krijues të frytshëm pranohet ndër të
parët nga diaspora anëtar i Akademisë së Shkencave të Edukimit-Tiranë. Aty ku
renditen Mësues të Popullit dhe mësues të tjerë të shquar nga tërë hapësirat
shqiptare. Lidhur me veprimtarinë e shkëlqyer të Hazirit, Akademia e Shkencave
të Edukimit botoi veprën Monografi Social-Pedagogjike me titull “Mësues e krijues
në diasporë, Hazir Mehmeti”, autor Prof. Dr. Musa Kraja dhe Emirjona Kraja. Por
krijimtaria e Hazirit është edhe përtej kësaj monografie të pasur e me vlerë e
shkruar para tetë vitesh.
Dhe, krahas të
gjitha këtyre aktiviteteve, në shpirtin e tij entuziast, përherë gjeti vend
edhe muza e krijimtarisë artistike, duke e ngacmuar botën e tij të brendshme,
që me penë të skalis monumente përjetësie, derisa e nxori në dritë librin me
tregime “Kohëthyerja” e cila u botua edhe në gjermanisht nga P.E.N Klubi austriak
dhe në gjuhën rumune. “Kohëthyerja”, pa hezitim e them së është një realizim i
bukur artistik. Shkrimtari Bedri Tahiri mes tjerash shkruan: “ Bota tregimtare e
Hazir Mehmetit është e larmishme dhe përplot ngjyra ylberore. Gjuha e pastër
dhe e pasur me fjalë të bukura shqipe dhe, shpesh, edhe fjalë të
reja-kompozita, narracioni i lehtë dhe i rrjedhshëm, i plotësuar edhe me
digresione e përshkallëzime, monologët dhe dialogët e natyrshëm, përshkrimet e
gjalla e të figurshme, evidentimi dhe rikujtimi e shumë dramave etnografike dhe
toponimia e pasur origjinale. Tregimet, vjershat, artikujt gazetaresk
hulumtues, analiza e reportazhe mbushin shtypin shqiptar vazhdimisht. Aktualisht ai drejton Lidhjen e Shkrimtarëve
dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri “Aleksandër Moisiu” me seli në Vjenë. Ishte
bashkëthemelues i saj para njëmbëdhjetë vjetëve, periudhë e shumë e suksesshme
e Lidhjes e cila është përmbledhur në librin monografik me titull “Aktivitete
letrare e artistike në Austri” e shkruar po nga Hazir Mehmeti. Brumi i kësaj
monografie janë nëntëdhjetë e gjashtë reportazhe që nga themelimi i saj.
Një vepër tjetër
me shumë vlera e Hazir Mehmetit është Libri ” ”STUDIUES AUSTRIAKË E SHQIPTARË
NË AUSTRI- në gjuhë, art dhe kulturë”, shikuar hollë e hollë, paraqet një lloj
enciklopedie shumë të vlefshme, me të dhëna të nevojshme e me fotografi, që
pasqyrojnë bindshëm jetën dhe veprimtarinë e personaliteteve më të shquara që
folën shqip në Austri, siç reflekton edhe vetë titulli, “Nuk ka në Evropë
racë më të lashtë se e shqiptarëve”, Albert Dymant.
Autori, sikur e ka
ndjerë këtë si një obligim, ngase: ”Vjena ishte qendër ku lanë gjurmë shumë
figura arti e shkence që ishin me origjinë shqiptare apo të tjerë që u morën me
historinë, kulturën e gjuhësinë shqiptare. "Deri më tani pak i është
kushtuar rëndësi këtyre, ndaj ne dimë pak për ta dhe veprat e tyre. Në përgjithësi na mungon tradita e shkrimeve.
Kjo bëri që të dihet pak mbi aktivitet rreth mësimit dhe atyre kulturore në rrethet e gjëra të vendorëve dhe
vetë shqiptarëve. Akoma kemi pak shkrime rreth mësimit të gjuhës shqipe,
aktiviteteve kulturore dhe historisë shqiptare në Austri. Forma më e mirë, që
nesër të dihet diçka nga e sotmja është shkrimi. Edhe këtë libër e kuptoj si të
tillë, një gjurmë e sotme për nesër, për gjeneratat që do vijnë”,- shprehet
vetë autori.
Njera nga veprat
me vlerë dokumentuese të pa kontestueshme e Hazir Mehmetit pa dyshim është
“Pranverë e helmuar”. “Në përmbajtjen e librit “Pranverë e helmuar” shihet
qartë një periudhë e rëndë që përjetoi kombi shqiptar në Kosovë. Fëmija është e
ardhmja e një kombi, armiku dëshironte helmimin e së ardhmes së kombit
shqiptar. Që në hyrje të librit me argumente përkujtohen krimet serbe ndaj
shqiptarëve në trojet e tyre etnike të organizuara dhe dirigjuara nga pushteti
shfarosës serb i programuar nga akademikët dhe kisha ortodokse serbe. Faktet e
mbledhura në arkivat dhe bibliotekat e vendeve të ndryshme, i dhanë librit
dimensione shkencore të pakundërshtueshme. Kronologjia e renditjes së fakteve
përshkohen me saktësi që nga “Golgota Shqiptare” (Albanische Golgota) e Leo Freundlich
deri tek ditari personal i autorit”, thuhet në një pjesë të kumtesës”, - Dr. Eqrem
Zenelaj. “Përdorimi i gazrave toksike për të shuar jetën e nxënësve nëpër
shkollat shqipe ishte një gjenocid i hapur dhe antinjerëzor me sunimin për të
frikësuar shqiptarët. Në përkujtim të këtij akti barbar tashmë kemi përballë
Hazir Mehmetin, një dëshmitar okular i cili ka parë dhe ka jetuar, madje ka
mbajtur edhe një ditar për pranverën e helmuar shqiptare”,- VioletaAllmuça,
shkrimtare.
Hazir Mehmeti ka
të botuara 12 vepra letrare e publicistike dhe është autor e bashkautor i 19
teksteve mësimore. Në planin e hulumtimeve mbi shqiptarët në kampet naziste në
Austri, Mauthausen dhe kampe tjera, ai është bashkautor i librit për
Mauthusenin (2015) krahas 46 autorëve nga kombe të ndryshme. Hulumtimet e tij
thellohen dhe së shpejti do kemi veprën e radhës lidhur me shqiptarët në kampet
e përqendrimit në Austri. Shënimet e tij, bazuar në dokumente kohe i kanë
përmirësuar njohuritë mbi shqiptarët e internuar. Ai është anëtar i Komitetit
të Mathusenit tani e dymbëdhjetë vite. Emri i tij është i njohur në ndriçimin e
rrethanave brenda kampit nazist.
Puna e thektë shumëdimensionale
e Hazir Mehmetit, është thesar i veçantë për kulturën, gjuhën, letërsinë dhe
artin shqiptar. Ai nuk vrapoi mbas
gradave shkencore, por gradat pas tij. “Nuk më duhen gradat, kur 30 të tjerë
doktorojnë nga veprat e mia”, e tha Rifat Kukaj. Moto e cila e ndoqi në jetë
edhe Hazir Mehmetin i cili tani mbushë 70 pranvera me gjithë stuhitë dhe lulet
e tyre. Edhe shumë e shumë vite të tjera!