Faleminderit
Ndue Dedaj: Mësuesi nga Kosova i Gjimnazit të Rrëshenit
E hene, 11.07.2022, 06:59 PM
YMER LLUGALIU, MËSUESI NGA KOSOVA I GJIMNAZIT TË RRËSHENIT
Agim Gjakova: “Një ndër figurat kosovare më të dinjitetshme në Shqipëri”
Nga
Ndue Dedaj
Këto
pak radhë kanë synimin e një homazhi vetjak për një njeri me jetë dramatike,
Ymer Llugaliun, që u shua në Podujevë të Kosovës më 13 qershor të këtij viti.
Shkrimtari i njohur Agim Gjakova e përcolli me këto fjalë ndarjen e tij nga
jeta: “Ymer Llugaliu ka qenë një ndër figurat më të pastra dhe të dinjitetshme
në Shqipëri, në liri apo në burg, që e mbajti lart qenien e tij kosovar”. Zor
se mund të ketë një vlerësim më dinjitoz se ky për profesor Llugaliun, që mund
të ishte dhe fraza e parë e një monografie kushtuar tij.
Njeriu
ka disa “pengje” që e shoqërojnë për një kohë të gjatë në jetë, lidhur me
njerëzit që ka njohur dhe që kanë lënë gjurmë në kohë, çka personalisht e kam
zakon t’i shlyej pasi ata nuk rrojnë më. Kështu dhe me profesorin e Letërsisë
të gjimnazit të Rrëshenit, Ymer Llugaliun, diplomuar në Universitetin e
Tiranës, më vonë dhe ne pasardhës të tij, në të njëjtën katedër, por pa atë në
krah a në krye, ku e kishte vendin.
Ishte
viti 1967. Mësuesi kosovar, me një mbiemër të padëgjuar, atë vit do të fillonte
punë në shkollën e mesme të Rrëshenit, e vetmja e tillë asokohe në Mirditë. Po
atë vit autori i këtyre radhëve, 10 vjeç e gjysmë, do të niste klasën e pestë
si konviktor në të njëjtën shkollë, ngaqë ajo ishte e mesme e bashkuar.
Mësues
Ymeri, një burrë me shtatin si lis, me një ecje të ngadaltë, që dallohej për
buzëqeshjen e lehtë dhe humorin e këndshëm, çka e vura re dhe kur më ktheu me
shënime anash një tufë poezish, që kisha marrë guximin t’ia tregoja, edhe pse
ai nuk më jepte mësim.
Nxënësit
e gjimnazit që ai mësonte thoshin se mësues Ymeri iu fliste më pasion për dy
gjëra, Migjenin dhe letërsinë kosovare, ku me gjasë dikush nga drejtoria apo
inspektimi i kishte bërë vërejtje se nuk duhej ta tepronte më këtë të fundit
dhe profesori i ishte kthyer se kështu duhej dhënë letërsia në shkollë, pa u
cunguar ajo e Kosovës. Ashtu kishte vazhduar dhe më pas ta shpjegonte
letërsinë, pa u tutur nga tutela zyrtare. Kjo soj “kokëfortësie” mbase qe dhe
shenja e parë e vënies së tij në shënjestër. Ai qe atdhetar i kulluar,
profesionist i zoti, i papërkulur para burokracisë dhe si i tillë bënte
diferencën me të tjerët dhe me vetë kohën e “përkulur” para Partisë shtet.
E
hoqën nga gjimnazi dhe e dërguan mësues në Kurbnesh. Aty dhe e arrestuan më
1976, duke e dënuar për agjitacion e propagandë. Kështu mësuesit dhe
intelektualit trim partia dhe ideologjia bolshevike i mori Atdheun, 7 Marsin,
profesionin e mësimdhënësit të pasionuar, lirinë për të cilën kishte qenë
arratisur nga Kosova në rininë e tij në vitet ‘50.
Pasi
kreu dënimin, punonte punëtor krahu në Rrëshen, në mos gaboj te “fusha e
sportit” dhe kur qëllonte që shiheshim në të rrallë, ai përshëndeste me një
lëvizje të lehtë të kokës e atë buzëqeshjen e tij të pandërruar, që nuk ia
kishte fshirë vuajtja.
Duke
mos e pasur mësues, kujtimt e mia për të janë tejet të pakta, e vërteta është
se ai mbeti në kujtesën time si shëmbëllimi i një meteori.
Biografia
e tij është shkruar gjerësisht pas 90-s, nxënës të tij mirditorë nga Rrësheni
dhe Kurbneshi kanë shkuar në Podujevë dhe e kenë takuar, duke i dhuruar lule,
bërë fotografi apo intervistuar, kështu që nuk do të zgjatëm në këtë anë. Një
gjë dëshiroj të theksoj, është e habitshme sesi regjimi komunist asnjëherë nuk
i kuptoi kosovarët që kaluan kufirin për të gjetur lirinë dhe dashurinë e tokës
amë, por herët a vonë i shpalli njërin pas tjetrit armiq, të dërguar të
regjimit titist etj. Ata që nuk i dënoi, i mbajti nën survejim deri në fund.
Një pjesë e mirë e tyre vinin nga letërsia, si poetët Agim Gjakova e Asdem
Istrefi, apo Ymer Llugaliu etj.
Ymer
Llugaliu nuk u tut për të qenë as në varrimin e Musine Kokalarit, në mesgusht
të vitit 1983, çka tregon dhe këtë herë dinjitetin e tij, duke u gjendur aty në
vendin dhe në kohën e duhur, ndërkohë që ajo varrosej vetëm nga një dorë
njerëzish, nga komshinjtë dhe komunalja.
E
tillë ishte ora e tij, ajo punonte veç sipas zemrekut të gjuhës shqipe,
letërsisë dhe kulturës shqiptare.