Faleminderit
Dorian Koçi: Selam Musa Salaria në rrjedhat e lëvizjeve patriotike
E marte, 20.06.2023, 07:58 PM
Selam Musa Salaria në rrjedhat e lëvizjeve patriotike*
Nga
Dorian Koçi
100
vjet më parë sovraniteti dhe liria kombëtare e shtetit të pavarur shqiptar u
siguruan me anë të triumfit të Luftës së Vlorës, epopesë moderne të bashkimit
të forcave shqiptare të diplomacisë, artit ushtarak dhe heroizmit të tribunëve
popullorë. Lufta e Vlorës ishte një luftë me një karakter kombëtar ku u
përfshinë strukturat e shtetit shqiptar nëpërmjet Prefekturës së Beratit që
mbulonte administrativisht edhe hiterlandin e Vlorës që mbahej ende e pushtuar
nga italianët , organizimit të forcave vullnetare dhe mbështetjes diplomatike.
Si një luftë e tillë u perceptua dhe në opinionin publik shqiptar të kohës dhe
jehonën që pati në shtyp. At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej në gazetën
“Mbrojtja Kombëtare” për këtë ngjarje se : “Në luftë të Vlonës luftoj besa e
trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të
ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të
gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të
armiqve.. Hytë ngathnjyes në Vlonë në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka
pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar” . Por mes
nganjëdhyesve që hyjnë në Vlorë mungonin heronjtë e martirët e lirisë, e mbi të
gjithë Selam Musai , bir i shquar i Labërisë. Selam Musai është shembulli i
virtytit dhe heroizmit në epokën e re të shqiptarizmit, i sakrificës dhe i
lirisë që nëpërmjet jetës së vet u dha forcë e mbështetje themelimit të shtetit
tonë kombëtar. Patriotizmi dhe atdhedashuria, rënia e tij heroike 100 vjet më
parë u kthyen në këngë e simbol duke u bërë njësh me ndërgjegjen e kombit.
Një jetë në shërbim të
kombit
Selam
Musa Salaria lindi në lagjen Mesas të fshatit Salari, Tepelenë më 1860. Familja
e tij u merrej me mbarështimin e bagëtive dhe ne periudhën e vjeshtës e
shpërngulnin stanin dhe kalonin në zonat e ngrohta, në kullotat dimërore në
anën e Delvinës dhe Vlorës. Jeta tradicionale e fshatit shqiptar të krahinës së
Labërisë në mesin e shekullit të XIX rrotullohej mes mbarështimit të ekonomisë
blegtorale dhe miqësive tradicionale të formuara në shtegtimet e bagëtive. Ky
aspekt i rëndësishëm i jetës së përditshme së fshatarëve të mesëm në jug të
Shqipërisë krijonte premisat e lindjes së një patriotizmi lokal që shumë shpejt
nën zhvillimet e vrullshme të Hyrietit, fillimit të aktivitetit të çetave
patriotike dhe kryengritjeve antiosmane të viteve 1911-1912 u kthye në një
nacionalizëm të mirrëfilltë. Tradita e zonës kish nxjerrë në pah karaktere e
figura të rëndësishme si Zenel Gjoleka, Hodo Nivica, Rrapo Hekali, Tafil Buzi
etj që 80 vite më parë kishin ruajtur traditën qeverisëse të vendit dhe
mospagimin e taksave të njohura si kryengritjet e Tanzimatit, por këto
kryengritje si është pranuar gjerësisht nuk përfshinin brenda tyre një program
të qartë nacionalist për themelimin e shtetit kombëtar shqiptar. Edhe pse
ekzistonte një farë patriotizmi lokal që shpesh herë gjente shprehje ashtu siç
na dëshmon Hobhouse-i në veprën e vet A Journey through Albania and other
provinces of Turkey in Europe and Asia, to Costantinople during the years 1809
and 1810 në deklarimet e banorëve, që kur i pyesnin s’e ç’ishin, banori
shqiptar nuk thoshte përkatësinë fetare, por përgjigjej “Jam shqiptar” ,
prapëseprapë ky patriotizëm lokal nuk shtrihej në përmasa përgjithësuese që mund
të përbënte një nga bërthamat e themelimit të identitetit shqiptar dhe pastaj
më vonë atë kombëtar. Ndryshe paraqitej situata në fillimet e shekullit të XX
përsa i përket zhvillimit të idesë kombëtare mes shqiptarëve. Selam Musai ra në
kontakt me idetë kombëtare kur ishte ushtar në Jemen nga patriotët shqiptarë të
Misirit. Kur filloi zgjimi kombëtar i shqiptarëve 1840-1912, kolonia shqiptare
e Egjiptit u shndërrua në një nga kolonitë më aktive për sa i përket Rilindjes
Kombëtare. Por ai hyri në gjirin e lëvizjes patriotike në fillim të shekullit
të XX. Që nga viti 1905 në Tepelenë vepronte një komitet i fshehtë, i cili
punonte aktivisht për çeljen e shkollave shqipe. Selam Musai mbajti lidhje të
ngushta me çetat patriotike e sidomos me atë të Çerçiz Topullit. Ai kishte
kontakt edhe me krerët e çetave të para të Kurveleshit dhe Tepelenës si Demo
Eminin, Ismail Kason, Shaqo Buzon, Abas Nivicën, Kanan Malon, Hito Lekdushin,
Tahir Liçajn, Asllan Velikon, Sulo Beqirin, Zeman Mashkullorën etj.
Gjatë
viteve 1907-1908 ai mbante lidhje edhe me një komandant tjetër çete Nazif
Hadërin nga Palavlia. Pas shpalljes së Hyrjetit nga xhonturqit qarqet
patriotike besonin se do përfitonin shumë, por në realitet nuk pati ndonjë
ndryshim, pasi ata nuk i mbajtën premtimet. Në vitin 1911 filloi Kryengritja e
Jugut dhe malet u mbushën prapë me çeta. Selam Musai në këto vite u vu në krye
të çetës të fshatit Salari. Në vitin 1911 në Alipostivan të Përmetit u vra edhe
miku i tij Nazif Hadëri, gjatë luftimeve kundër forcave osmane. Kryengritja e
vitit 1911 pati rëndësi të madhe sepse sepse ndezi ndjenjën kombëtare të
kombit, ku i shtoi besimin popullit edhe tregoi dobësitë e Perandorisë Osmane ,
e cila hyri në bisedime me ta duke u bërë atyre lëshime. Në të njëjtën kohë ajo
rrëzoi propagandën e fqinjëve jugorë të Shqipërisë që pretendonin se
kryengritje antiosmane për një shtet të pavarur shqiptar kishte vetëm në Kosovë
e veri të Shqipërisë. Përmes kuvendit në Manastirin e e Cepos ajo njësoi
lëvizjen kombëtare shqiptare dhe kërkesat e saj politike si në veri ashtu dhe
në jug të Shqipërisë. Mbledhja e Cepos ishte mbledhje e çetave patriotike të
Shqipërisë së Jugut e mbajtur në Manastirin e Cepos (rrethi i Gjirokastrës) më
21 korrik 1911 në mbështetje të kërkesës për autonominë e Shqipërisë të
parashtruar nga kryengritësit e Malësisë së Mbishkodrës në Memorandumin e
Greçës. Pjesëmarrësit e mbledhjes iu kundërvunë orvatjeve të qeverisë xhonturke
për të trajtuar kryengritjen e veriut si një lëvizje lokale, duke u njohur
vetëm malësorëve disa të drejta. Mbledhja kërkoi që njohja e këtyre të drejtave
të shtrihej në gjithë Shqipërinë, që vendi të kishte një sistem të vetëm
administrimi dhe qeveria të themelonte një lloj regjimi në veri e në jug të
Shqipërisë, për të siguruar që shqiptarët të jetonin si element kombëtar. Në
dhjetor 1912, Selam Musai iu përgjigj thirrjes së Ismail Qemalit dhe qeverisë
së Vlorës për ta mbështetur në vendosjen e autoritetit shtetëror në Shqipërinë
e Jugut duke u kthyer në një faktor të rëndësishëm të krahut të armatosur të
lëvizjes kombëtare shqiptare në Jug të Shqipërisë.
Në mbrojte të tërësisë
territoriale të Shqipërisë
Në
tetor të vitit 1912 shpërtheu lufta Ballkanike kundër Perandorisë Osmane.
Shqiptarët kishin vite që luftonin kundër Perandorisë Osmane për të përfituar
pavarësinë, por këtë herë do ishte ndryshe, pasi Shqipëria rrezikonte nga
vendet fqinje, tërësinë territoriale dhe egzistencën e saj. Ajo nuk po i kapte
armët për forcimin e Perandorisë Osmane, por për ti dalë zot tërësisë tokësore
e lirisë së Shqipërisë. Në nëntor të vitit 1912 në Tepelenë u dha alarmi se
forcat greke kërkonin të pushtonin tokat shqiptare. Selam Musai duke qënë në
krye të burrave të Salarisë ishte një nga të parët që shkoi në Tepelenë e më
pas në Janinë për t'u prerë vrullin forcave greke që të mos futeshin në tokat
shqiptare. Selam Musai u caktua si një nga drejtuesit e këtyre forcave.
Luftimet në Bezhan qenë nga më të rreptat, ku u plagos edhe Selam Musai.
Luftimet përreth Janinës ishin nga më të ashprat, ku vetëm nga fshati Salari u
vranë 7 veta, midis të cilëve Aqif Llaka dhe Braho Liçi e Vehip Liçi, këta të
dy kushurinj të parë të Selamit.
Pas
shpartallimit të ushtrisë osmane, trupat greke në muajin mars të vitit 1913 u
gjendën në portat e Tepelenës dhe më 18 mars e pushtuan atë. Në të njëjtën kohë
por me një kahje tjetër për sa i përket identitetit kombëtar shpërthen dhe
rebelimi i ashtë quajtur “epirot” në jug të Shqipërisë i organizuar nga një
renegat shqiptar, Kristaq Zografo-ish ministër i jashtëm i Greqisë nga fshati
Qestorat i Lunxhërisë dhe një nga “shpirtrat e humbur” të shqiptarëve në
betejën e tyre me Helenizmin dhe Kishën greke. “Rebelimi” u nxit dhe u mbështet
nga ushtritë pushtuese greke, të cilat kishin hyrë në territorin shqiptar,
përkatësisht në Gjirokastër e Sarandë. “Bandat epirote” të Zografos mundën të
marrin pjesë si palë në bisedimet që Komisioni Ndërkombëtar ndërmori me
autoritetet greke, bisedime nga të cilët u formulua dhe “Protokolli i
Korfuzit”, që iu dërgua fuqive të mëdha për ta miratuar, miratim i cili erdhi
në datën 2 Korrik. Bandat vorio-epiriote dhe ushtria greke kreu krime të mëdha
në zonën e Tepelenës. Kulmi i kësaj dhune të pashembullt do të manifestohej më
29 prill të vitit 1914, ku andartët greke mbasi morën peng 219 burra kryesisht
nga fshati Hormovë i çuan në kishën e fshatit Kodër .Nga aty, ata filluan ti
merrnin dy e nga dy, duke i masakruar me thika e bajoneta. Këtë veprim ata e
maskonin se gjoja po i merrnin në pyetje . Në këtë ditë çeta luftarake e e
salarjotëve e drejtuar prej heroit të popullit Selam Musai, së bashku më çetat
e Dukajt, Turanit dhe Veliqotit, ishte e zënë me luftime për dëbimin e këtyre
forcave renegate nga krahina e Tepelenës . Me të marrë vesh për këtë ngjarje
makabre, luftëtarët e këtyre çetave, kërkuan menjëherë që të hidheshin në një
sulm përfundimtar për të asgjesuar këto forca të cilat më së shumti ishin djem
të rinj , paramilitarë, të burgosur ordinerë dhe krimielë të llojeve të
ndryshme të rekretuar nëpër burgjet greke. Të nesërmen e kësaj ngjarje tragjike
çeta e Salarisë zuri vijën Tërbuq-Labovë e Vogël, kurse forcat greke zunë vijën
Hundëkuq –Labovë e Vogël . Luftimet kundra ushtrisë paramilitare dhe andartëve
grekë qenë të rrepta. Lufta e Labovës e organizuar si një luftë popullore ku
spikati roli dhe kontributi i Selam Musait do të kthehej në një përvojë të
çmuar gjashtë vjet më vonë në luftimet në Vlorë kundër italianëve. Në këtë
luftë forcat paramilitare e andarte greke humbën pjesën më të mirë të ushtrisë
të tyre, kurse Selam Musai humbi njeriun e tij të besuar nga fshati Salari, Ali
Rakip Llakën. Luftimet do të vazhdonin edhe jashte territorit të krahinës së
Tepelenës duke u kthyer në këtë lloj mënyre çetat patritotike vullnetare në një
bërthamë të ushtrisë së ardhshme kombëtare shqiptare.
Më
26 prill 1915 u nënshkrua në kryeqytetin britanik një marrëveshje, e cila ka
hyrë në histori si Traktati i Fshehtë i Londrës. Ajo u nënshkrua nga
përfaqësuesit e Britanisë së Madhe, të Francës dhe të Rusisë në njërën anë dhe
të Italisë në anën tjetër. Përfundimi i kësaj marrëveshje ishte të kënaqte
lakmitë italiane dhe ta reshtonte atë përkrah Antantës. Traktati i Londrës i
vitit 1915 ka hyrë në histori si një ndër aktet kryesore të diplomacisë së
fshehtë. Ai është në të njëjtën kohë një ndër aktet nderkombtare më tipike të periudhës
së imperializmit në përgjithësi. Nga arsenali i diplomacisë zor se ka dalë një
akt tjetër si ky, që ta karakterizojë më mirë thelbin e politikës së fuqive të
mëdha ashtu dhe metodat e saj. Duhet theksuar se në gjithë këtë traktat asgjë
tjetër nuk e nxjerr aq qartë natyrën e vërtetë të imperializmit, të politikës
së tij sidomos ndaj vendeve të vogla, sesa ajo pjesë që bën fjalë për
shqipërinë e fatin e saj.
Nenet
që i referohen direkt Shqipërisë janë nenet 6 dhe 7. Neni 6 i kushtohet
kërkesës kryesore të Italisë, së cilës i përgjigjet duke parashikuar
“sovranitetin e plotë italian mbi Vlorën, mbi ishullin e Sazanit dhe mbi një
territor të gjerë sa të siguronte mbrojtjen e atyre pikave”. Nëni 6 reflektonte
synimin e hershëm diplomatik të Italisë për të pasur një kryeurë politike,
ekonomike e kulturore të vet në Ballkan. Në nenin 7 bëhej një ndarje e
territoreve sipas konceptit imperialist të Traktatit të Londrës , pasi krahas
rregullimeve të tjera territoriale në favor të Italisë, përfshihej edhe coptimi
i ri i Shqipërisë. Italisë me këtë formulim i jepej e drejta për të përfaqësuar
një shtet shqiptar në marëdhëniet me jashtë. Forcat italiane ishin në Vlorë që
në dhjetor 1914 dhe gradualisht gjatë Luftës së Parë Botërore u zgjeruan
gjithandej në jug të Shqipërisë. Zona e pushtimit italian, gjatë Luftës së Parë
Botërore përfshinte krahinat përreth Vlorës, Gjirokastrës, Sarandës, Përmetit,
Kolonjës e Tepelenës, të cilat përbënin një zonë me rëndësi strategjike për
pushtuesit. Pavarësisht lehtësirave të shumta që ofruan italianët si në
arsimimin shqip, urbanizimin dhe rritjen e mirëqenies mes popullsisë,
shqiptarët nuk u pajtuan as me pushtuesit e rinj. Format e hershme të
organizmit të rezistencës antiitaliane fillojnë që në fund të vitit 1918.
Ndërkohë në Shqipëri ishte krijuar në dhjetor 1918 fill një muaj pas
përfundimit të Luftës së Parë Botërore, Qeveria e Durrësit me Kryeministër
Turhan Pashë Përmetin. Qeveria u formua prej 14 anëtarësh. Kjo qeveri do të
kishte në përbërjen e saj këta emra: 1. Turhan Pasha (kryetar), 2. Preng Bib
Doda (nënkryetar), dhe anëtarë: 3. Sami bej Vrioni, 4. Dr. Mihal Turtulli, 5.
Myfit bej Libohova, 6. Imzot Luigj Bumçi, 7. Midhat bej Frashëri, 8. Luigj
Gurakuqi, 9. Mehmet bej Konica, 10. Lef Nosi, 11. Mehdi Bej Frashëri, 12. Fejzi
bej Alizoti, 13. Mustafa Kruja, 14. Pjetër Poga. Qeveria e Durrësit ishte nën
ndikimin italian. Pro politikës së saj ishin Myfid Libohova, Fejzi Alizoti,
Mehdi Frashëri, Sami Vrioni, Mustafa Kruja. Një traktat i fshehtë mes qeverisë
së përkohshme të Durrësit dhe qeverisë së Italisë u nënshkrua nga ministrat
Myfid bej Libohova, Fejzi bej Alizoti dhe këshilltarit të Legatës italiane në
Shqipëri markezit Karl Durrazzo. Sipas tij, një komisar i lartë i Italisë
kontrollonte dhe vendoste mbi punët e qeverisë shqiptare si dhe për vendimet me
rëndësi si buxheti, ndërtimet, koncensionet, emërime, pushime në administratë.
Këtë qeveri Italia e konsideroi si një delegacion pranë qeverisë italiane, i
cili pa lejen e Adetto Gobit nuk bënte asnjë shpenzim. Në kushtet e një
protektorati italian Qeveria e Durrësit e kishte të vështirë për të ndërmarrë
hapa që kishin të bënin me çështjen e Vlorës, hiterlandit të saj. Qeveria e
Durrësit u përpoq t’u dilte përpara këtyre përpjekjeve , duke thirrur mbledhjen
e Senatit më 15 tetor 1919, por dështoi dhe ai nuk u mblodh , as në këtë datë e
as më vonë. I vetmi sukses i saj ishte marrja nën kontroll e prefekturës së
Gjirokstrës. Gjirokastra pas presionit të qarqeve patriotike shqiptare i
dorëzua Qeverisë së Durrësit në 21 dhjetor 1919 dhe trupat italiane u tërhoqën
por vazhdonin të mbanin ë pushtuar hiterlandin e Vlorës duke përfshirë dhe
qytetin e Tepelenës. Krahas organizimit në nivele të larta të patriotëve
shqiptarë kishte filluar një punë e rëndësihme e organizimit në terren.
Ndërkohë politika italiane kishte marrë tipare të rrezikshme. Më 29 korrik 1919
ishte nënshkruar marrëveshja Titoni-Venizelos, sipas së cilës Italia angazhohej
të mbështeste në Konferencën e Paqes kërkesat greke për aneksimin e Korçës dhe
Gjirokastrës , ndërsa Greqia do të mbështeste mandatin italian mbi Shqipërinë e
cunguar nga ana territoriale , si dhe aneksimin e Vlorës prej Italisë.
Në
këto kushte ,patriotët shqiptarë, duke parë se nuk mund të shpresonin në
mbështetjen e ndonjë fuqie të huaj, rritën përpjekjet për organizimin e
qëndresës kundër pushtuesve italianë. Në fund të 1918-ës, Halim Xhelua, mblodhi
në Brataj arsimtarët e krahinës dhe formuan organizatën “Shtiza e Qytetërimit”,
e cila në të vërtet ishte bërthama e “Mbrojtjes Kombëtare”. Qëllimi i kësaj
organizate ishte të përhapte idenë e kryengritjes së armatosur në të gjithë
krahinën Vlorë-Tepelenë-Himarë, si e vetmja mënyrë shpëtimi. Në këtë mbledhje u
vendos, që të lajmërohej e gjithë krahina e Tepelenës, Kurveleshit dhe
Gjirokastrës, për këtë Halim Xhelua dhe Abdurrahman Çiraku shkuan në Kurvelesh,
Tepelenë e Gjirokastër. Në Kurvelesh ata u takuan me Shuko Dalipin dhe Riza
Runën, të cilëve u thanë se Vlora ishte gati për luftë kundër italianëve.
“Kurveleshi i Sipërm pranoi mendimin tone, thotë A. Çiraku, si në Nivicë,
Tepelenë dhe në Gjirokastër u muarën vendime të shkruara e të firmuar, nga të
gjithë njerëzit që muarën pjesë në atë mbledhje” . Në Tepelenën e pushtuar nga
italianët, më 1919, u krijua një komitet, që u quajt “Komitet i Fshehtë” i cili
do të merrej me organizimin e qëndresës së armatosur. Ky Komitet ishte i pëbërë
nga Qazim Koculi. Baba Ahmet Turani (Luzi), Haxhi Shehu, Arshi Shehu dhe nga
Kurveleshi, Riza Runa, Sulo Lekdushi e Myslim Hajno. “Komiteti i Fshehtë” bëri
një takim me 26 mars 1919, ku ishin të pranishëm edhe nënprefekti i Tepelenës
Qazim Koculi, si dhe Halim Xhelo nga Vlora dhe Veli Hashorva nga Gjirokastra”.
Në
janar 1920 u mbajt Kongresi i Lushnjes i cili hodhi bazat e strategjisë
kombëtare për ruajtjen e tërësisë territoriale të kufijve të Shqipërisë
londineze të vitit 1913. Për ti bërë ballë copëtimit , Kongresi i Lushnjës
kishte diskutuar krijimin e komiteteve “Mbrojtja Kombëtare”, të cilat do ti
kundërviheshin një agresioni të mundshëm grek në Shqipërinë e Jugut dhe,
veçanrisht , do të organizonin qendresën e armatosur kundër italianëve.
“Komitetet e Fshehta”, me orjentim të Kongresit të Lushnjes, të ktheheshin në
Komitete të “Mbrojtjes Kombëtare” në të gjithë Shqipërinë. Në fillim të marsit
1920 Komiteti i fshehtë u mblodh në Teqen e Turanit, ku vendos që kryetar i
Komiteti të “Mbrojtes Kombëtare” të ishte Baba Ahmet Turani dhe anëtar ishin
Arshi Shehu, Sheh Ali Bënça, Sulejman Luzati, Riza Runa, Haxhi Shehu, Selam
Musai, Ismail Malo, Feim Mezhgorani, Rakip Duka, Sadulla Xhaferi, Sulo
Lekdushi, Medi Shehu etj. Komiteti thirri në një takim në teqen e Malit në
afërsi të Luzatit, 45 krerë të fshatrave të krahinës. Në këtë takim ishte
lajmëruar edhe Shaqo Llapi dhe 80 të arratisur që ishin fshehur nëpër male si
kundërshtar të pushtuesëve italianë. Këtyre ju bë thirrje që t’i kthenin çetat
e tyre, në çeta patriotike. Ata pranuan, që të viheshin nën drejtimin e
Komitetit, për të luftuar pushtuesit. Në këtë takim u caktuan detyratë reja,
përveç marrjes së masave për fillimin e kryengritjes, dhe u ndanë detyrat për
tu lidhur me krahinat e tjera. Një mbledhje e rëndësishme ishte ajo e Turanit
në maj të vitit 1920 ku u krijua dhe "Komiteti i Tepelenës". Komiteti
mori në dorë pregatitjen dhe drejtimin e kryengritjes, ku organizoi mbledhje
nëpër fshatrat e Tepelenës dhe formoi çetat e luftëtarëve. Fshatrat e Lopësit
bashkuan çetat e tyre në një, me komandant Dule Dalanin nga Dhëmblani, kurse
çetat e fshatrave Salari, Dukaj, e Turan formuan çetën e përbashkët ku
komandant i kësaj çete ishte si fillim Selam Musai e më pas Islam Malua dhe
zëvendëskombandant Memë Sherifi. Kjo ndodhi pasi Selam Musai u caktua nga
komiteti si komandant i dy çetave të Tepelenës.
Të
gjitha këto takime u organizuan nën frymën e strategjisë të patriotëve shqiptarë
të miratuar në Kongresin e Lushnjës. Qeveria shqiptare e Sulejman Delvinës
ndoqi një sttrategji të zgjuar dhe efikase. Ajo nxiti dhe mbështeti organizmin
e një kryengritje popullore e cila nuk do të merrte karakterin e një lufte mes
shtetit shqiptar dhe atij italian. Kështu qeveria e Tiranës synonte ti shmangej
përgjegjësisë për shpërthimin e kësaj lufte dhe në të njëjtën kohë e la rrugën
të hapur për të vijuar bisedimet diploamtike me italinët të cilat ishin
ndërprerë më 25 maj 1920, duke e vënë veten në rolin e ndërmjetësit midis
kryengritësve dhe ushtarakëve italianë.
Më
30 maj komiteti i Vlorës i bën thirrje komitetit të Tepelenës për mbledhjen që
do bëhej në Beun më 2 qershor. Më 3 qershor, Komiteti “Mbrojtja Kombëtare” i
Vlorës i drejtoi komandantit të forcave italiane , gjeneral Piancentin-it, një
ultimatium në të cilin theksohej se populli shqiptar konsideronte si shkaktare
të copëtimit të Shqipërisë vetëm Italinë e cila, me politikën saj imperialiste
, këmbëngulte në aneksimine Vlorës. Ultimatiumi kërkonteqë deri në mbrëmjen e 4
qershorit , komandanti italian të pranonte që Vlora me rrethinat e saj, t’i
dorëzohej qeverisë shqiptare , në rast të kundërt , fjalën do ta kishin armët.
Komandanta italiane nuk e përfilli ultimatiumin dhe e nënvlerësoi forcën e
kryngritësve shqiptarë. S.Piancentini pohonte se kryengritësit ishin një masë
amorfe pa udhëheqje dhe pa disiplinë ndaj ishin të parrezikshëm. Ky nënvlerësim
dhe mos marrje në konsideratë të forcave kryengritësve shqiptare që kishin në
mes të tyre oficerë me përvojë që kishin shërbyer në Perandorinë Osmane apo dhe
prijës popullorë si Selam Musai, Zigur Lelo, Sali Murati etj do tu kushtonte
shtrenjtë në pëprlasjen e armatosur që filloi në mbremjen e 5 qershorit. Sulmi
qe i menjëhershëm kundër të gjitha garnizoneve italiane por më të fuqishme
ishin në Kotë , kundër regjimentit të gjeneral Gotit , që mbrohej me
fortifikata të betonuara dhe nga zjarri i artilierisë. Lufta e Kotës do ishte
një nga luftrat më kryesore kundër italianëve, ku vetë Goti i kërkonte
Piaçentinit përforcime. Italianët kishin bërë edhe përforcime me tela në bazat
e tyre, të cilat i pengonin trupat shqiptare. Në këto momente u shfaq taktika
popullore e prijësve të çetave kombëtare, Selam Musait e Zigur Lelos që
vendosën gunat përmbi tela dhe kështu mundën të kalojnë mbi fortifikimet . Afër
mëngjesit kryengritësit hynë brenda kazermave dhe i detyruan forcat italiane të
dorëzoheshin. Brenda 5 qershorit ranë dhe garnizonet e Drashovicës, të Gjormit
e të Matohasanajt. Pas dy ditësh u dorëzuan dhe ushtarët e rrethuar në Llogara
dhe u godit garnizoni i Tepelenës, i cili qendroi i rrethuar në kështjellën e
qytetit edhe për disa ditë. Në këtë mënyrë përfundoi me sukses faza e parë e
luftimeve , gjatë së cilës u zunë robër më shumë se 1000 ushtarë dhe oficerë
italianë.
Më
9 qershor forcat kryengritësve rrethuan garnizonin e Vlorës i cili kishte zënë
pozicione strategjike jo vetëm brenda qytetit por edhe në rrethinat e tij.
Suksesi i fazës së parë të luftimeve i dha mundësi qeverisë shqiptare që të
ndërhynte dhe të luante një rol përcaktues në bisedimet e mundshme të paqes. Po
në 9 qershor , qeveria shqiptare e njoftoi F.Castoldi-n se ishte e gatshme të
ndërhynte në Vlorë për ndërprerjen e luftimeve , nëse brenda 36 orëve do ti
dorëzohej asaj administrimi i krahinës, në rast të kundërt, ajo nuk do të
mbante asnjë përgjegjësi për vazhdimin e gjakdredhjes në Vlorë dhe për
shkallëzimin e mundshëm të luftimeve kundër ushtrisë italiane në pjesë të tjera
të vendit. Italianët nuk e pranuan sërish këtë ofertë të qeverisë shqiptare dhe
duke besuar në fortifikimet e linjave ushtarake në Vlorë shpresuan se do të
mund të rikthenin sërish gjendjen e mëparshme në terren.
Më
datë 11 qershor në orën 22:00 forcat kryengritësve mes tyre dhe çeta e Salarisë
me Selam Musain në krye nisën sulmin mbi Vlorë. Luftimet vazhduan gjatë gjithë
natës dhe në mëngjes herët kryengritësit hynë në lagjet e qytetit. Luftimeve iu
bashkangjitën edhe qytetarët e Vlorës që rrëmbyen armët dhe goditën ushtarët
italianë ndërsa ata tërhiqeshin. Gjatë këtyre luftimeve pati shumë të vrarë nga
të dy palët. Luftëtarët e çetave patriotike shqiptare luftuan me vetëmohim e
heroizëm. Në kodrën afër spitalit, në Qafën e Koçiut gjatë luftimeve me
italianët mbeti i vrarë Selam Musai dhe shoku i tij Shefqet Shehu. Në raportin
që i dërgonte Ministrisë së Punëve të Brendshme më 17 qershor, prefekti i
Beratit shkruante “...i quajtur Selam Musa, që me një trimëri të madhe hyri
brenda në Vlorë dhe zuri Kus-Babanë, me dymbëdhjetë shokë më s’mundën të dalin
dot dhe pandehet se kanë rënë dëshmorë”. Gazeta “Koha” e Mihal Gramenos
shkruante më 10 korrik: “në këtë luftë humbën edhe patriotin e dëgjuar Selam
Musai me disa salariotë...”. Lufta me italianët vazhdoi dhe pas vdekjes së
Selam Musait, pasi qeveria shqiptare dhe forcat kryengritëse dëshironin ti
jepnin fund çfarëdolloj sovraniteti italian mbi Shqipërinë. Në këto kushte pas
disa tentativave të dështuara të diplomacisë italiane për të ruajtur një
sovranitet mbi disa pjesë ë territorit të Vlorës, komandanda ushtarake kërkoi
armëpushim. Më 2 gusht 1920 qeveria shqiptare dhe ajo italiane nënshkruan
protokollin shqiptaro-italian, sipas të cilit Italia do të tërhiqej nga
Shqipëria, duke njohur pavarësinë dhe sovranitetin e plotë të shtetit shqiptar.
Italia ruajti vetëm kontrollin e ishullit të Sazanit, si një garanci të
kontrollit ushtarak italian mbi kanalin e Otrantos.
Tërheqja
e trupave franceze nga Korça në 15 maj 1920 dhe përfshirja e kësaj krahine në
shtetin shqiptar, lufta e Vlorës dhe hyrja e forcave qeveritare shqiptare në 3
shtator 1920 si dhe lufta kundër forcave pushtuese të Mbretërisë
Serbo-Kroate-Sllovene në verë-vjeshtë 1920 i siguruan Shqipërisë tërësinë
territoriale dhe një nga kushtet kryesore për të zhvilluar lirinë e vet
politike. Lufta e Vlorës , si lufta ku spikatën organizimi tradicional i
luftëtarëve shqiptarë nën organizmin administrativ të qeverisë së Tiranës
krijoi premisat që organizimi tradiconal i shoqërisë shqiptare mund të
modernizohej drejt formimit të një shteti të centralizuar kombëtar. Shembulli
heroik i Selam Musait, i kthyer në një mit kombëtar për shqiptarët e ardhshëm
dëshmoi se në themelet e pjekurisë politike të shqiptarëve , bota tradicionale
shqiptare mund të kontribuonte për ti dhënë jetë lirisë politike si parakushti
më i rëndësishëm në zhvillimin modern të një kombi.
Bibliografi:
1 - Akademia e Studimeve
Albanologjike, Instituti i Historisë Historia e shqiptarëve gjatë shekullit të
XX. Lufta e Vlorës, Tiranë: Botimet albanalogjike, 2019.
2- AQSH, fondi “Lufta e
Vlorës”, dosja 1.
3- Arben Puto, Çështja
Shqiptare në aktet Ndërkombëtare të periudhës së Imperializmit, vëll.II,8
Nëntori, 1987.
4- Abdurrahaman Çiraku,
“Kujtime” AIH, Dosja A-VII-105, f. 2-4.
5- Arkivi i Muzeut
Historik Tepelenë.
6- Lufta e Popullit
shqiptar për çlirimin kombëtar 1918-1920, vëll.II, Akademia e Shkencave e RPSH,
Instituti i Historise?, 1975-1976.
7- M.Montanari., Le
truppe italiane in Albania (anni 1914-20 e 1939) , Tipografia regionale, 1978.
8- N. Shehu,
Enciklopedia e Tepelenës Toena 2007
9- Paskal Milo, Politika
e Jashtme e Shqipërisë , vëll.I(1912-1939), Tiranë:Toena, 2013
10- Shpëtim
Mema,.Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e udhëtarëve anglezë.Tiranë:, 8
Nëntori, 1988.
11- Xhafer Matuka. Selam
Musa Salaria., Tirane? : 8 Ne?ntori, 1975.
12- At Shtjefën Gjeçovi.
Gazeta Mbrojtja Kombëtare. 1921.
13- Gazeta Koha. 10
korrik 1920.
*Kumtesa e mbajtur me rastin e festimeve të 100 vjetorit të
Luftës së Vlorës.