Faleminderit
Fran Gjoka: Sejdo Harka, një jetë plot vrull, që pulson tek shkolla, gazetaria dhe arti e letërsia
E enjte, 10.11.2022, 07:55 PM
Sejdo Harka, një jetë plot vrull, që pulson tek shkolla, gazetaria dhe arti e letërsia
Nga
Fran Gjoka
Të
thuash gjithnjë të vërtetën është tregues i një njeriu me intigritet, me
virtyte të larta morale intelektuale, është deshmi e një karakteri të lartë
njerëzor. I tillë është protreti i Sejdo Harkës.
Me mësuesin,
publicistin dhe studjuesin e përkushtuar Sejdo Harka, kemi një jetë të tërë që
njihemi. Ishte mosha rinore, profesioni i bukur i mësuesisë dhe veçanrisht
gazeta ‘’Mësuesi’’ që na lidhi aq ngusht, sa të mos ndahemi kurrë. Na lidhën
seminaret dhe konferencat kombëtare të arsimit, festivalet e shumllojta,
koferencat shkencore, simpoziumet, veprimtaritë e gjera të shtypit dhe ekipet e
ndihmës dhe të kontrollit në shkolla të ndryshme të rrethit e vendit. Rendnim
në çdo cep të Shqipërisë, plot vrull, dhe na dukej sikur i patëm shaluar kalit
të hekurt, që gulçonte nga pesha e halleve, të cilat mundoheshim t’i vrisnim me
ëndrrat tona të bukura, dhe pasionin e madh për shkollën, mësuesinë dhe
gazetarinë. Ai vinte nga Përmeti i largët, vërtet një djep i vogël, por që
përkudi tre burra të mëdhenj si Nimi, Samiu e Abdyl Frashëri, ndërsa unë nga
Lezha e Kuvendit dhe e Fishtës së madh. Kurrë nuk pretenduam të bënim atë që
bënë ata burra të mëdhenj të kombit tonë, por me vullnetin dhe
pasionin tonë luftuam për të vëmë, qoftë dhe një guriçkë të vogël në
fushën e arsimit, kulturës dhe gazetarisë.
Të
shkruash për jetën dhe veprimtarinë e publicistit dhe të
studiuesit të letërsisë dhe të artit Sejdo Harka, ndoshta duhen faqe të tëra.
Por, në këto shënime të shkurtëra do të ndalemi në disa momente
kryesore të jetës dhe veprimtarisë së tij shumëplanëshe. Sejdua njhet, jo vetëm
si mësues dhe drejtues shkolle i talentuar, por dhe si një njeri i sjellshëm,
bashkëpunues e tepër modest, që më shumë punon e dëgjon, se sa flet e kërkon.
Ai, ka një jetë të tërë që, krahas punës së mësuesit zhvillon dhe një
veprimtari të dendur publicistike, hulumtuese dhe studimore në
fushën e pedagogjisë, psikologjisë, folkloristikës, gjuhësisë dhe veçanrisht në
fushën e studimit të letërsisë dhe të artit. Por, para se të ndalemi
tek disa fakte që shprehin kontributin modest që ai ka
dhënë dhe vazhdon të japë në këto fusha, me pak fjalë, po i tregojmë lexuesit,
se kush është Sejdo Harka: Ai u lind më 31 janar të vitit 1949, në Zhepovë të
Përmetit, në një familje të thjeshtë atdhetare. Vitet e para të shkollimit i
kreu në vendlindje, ndërsa arsimin e mesëm e kreu në gjimnazin e Këlcyrës, i
cili sot mban emrin e madh të Sejfulla Malëshovës. Studimet e larta i mbaroi në
Universitetin Shtetëror të Tiranës për gjuhë e letërsi, të cilat i përfundoi me
rezultate të larta në vitin 1973. Pas përfundimit të tyre ai punoi, herë si
mësues e herë si drejtor shkolle në disa shkolla të mesme të Përmetit dhe të
Tiranës. Për disa vite ai ka punuar edhe si metodist, herë në qendrën kulturore
të fëmijëve e herë në drejtorinë arsimore të Përmetit. Për aftësimin
e tij të mëtejshëm profesional, ai ka kryer kursin pasiniversitar një-vjeçar
për kritikë letrare. Në vitin 2004 ai u emërua kryeredakrtor i gazetës
‘’Mësuesi’’, organ i Ministrisë së Arsimit dhe Kulturës. Për punë të shquar në
fushën e arsimit dhe kulturës Sejdo Harka është dekoruar nga Presidenca me
‘’Medaljen Naim Frashëri’’…
Pasionni
dhe dashuria e tij e parë ishte dhe mbeti shkolla, mësimdhënia, përgatitja dhe
edukimi i brezit të ri. Motoja e punës së tij të përditshme ka qënë : ‘’Si të
jetë shkolla sot, ashtu do të jetë vendi ynë nesër’’. Prandaj, tërë jetën, edhe
si mësues e drejtues shkolle, ka luftuar që dijet e nxënësve, jo vetëm të jenë
të qëndrueshme, po dhe të bëhen arma kryesore për ndërtimin e jetës së tyre dhe
të shoqërisë. Kaloi nëpër duart e tij mijëra nxënës, firmosi qindara e qindara
dëftesa lirimi e pjekurie dhe sot ndjen kënaqësinë e veçantë të shumfishimit të
vetvetes dhe veçanrisht gëzimin që ndjen kur mëson, se disa nga nxënësit e tij,
janë bërë më të zotë se mësuesi i tyre, duke shkëlqyer në shumë fusha të jetës,
brenda dhe jashtë vendit. Përveç punës së tij si mësues pasionant
dhe drejtues kompetent, ai ka bërë një punë të madhe
për kualifikimin e mësuesëve dhe të drejtuesëve të rinj të
shkollave, jo vetëm me tema e kumtesa profesionale, por edhe me shkrimet e tij
problematike, për metodat e mësimdhënjes , të drejtimit dhe të edukimit të
brezit të ri. Pasionin dhe metodën për përgatitjen e temave dhe kumtimin e tyre
në auditore e konferenca, tregon S.Harka e mora nga
pedagogët dhe bashkëpunëtorët e mijë të
mrekullueshëm, profesorët e nderuar Androkli Kostollari, Zihni Sako,
Qemal Haxhihasani, Miço Samara, etj. Ishin ata që më frymëzuan që të përgatisja
kumtesën e parë për gjuhën e bukur poetike të Naimit, të cilën e
mbajta para delegatëve dhe të ftuarëve të Kongresit të Drejtshkrimit, në një
seksion të veçantë, kur isha student në bakat e Universitetit të Tiranës. Kjo
kumtesë e thjeshtë, ishte shkëndia e parë që do të më ndizte pasionin që unë
të lidhesha ngushtë me istitucionet shkencore të folkloristikës,
gjuhësisë, letërsisë dhe të pedagogjisë. Ajo më nxiti të marrja pjesë në shumë
ekspedita folklorike e gjuhësore, të eksploroja për këngët popullore, fjalët e
urta dhe për fjalët e rralla të trevave të jugut, t’i përzgjidhja e t’i
analizoja në shumë tema studimore e shkencore si ‘’Polivalenca
kuptimore e gjuhës shqipe’’, ‘’Figuracioni në këngët e popullit’’,
‘’Lidhja e gjuhës me letërsinë’’…, pjesë të të cilave u botuan në revistat më
prestigjoze të kohës si ‘’Nëntori’’, ‘’Studime Filologjike’’e
’’Kultura Popullore’’, ‘’Gjuha Jonë’’, ‘’Revista Pedagogjike’’, të cilat më
vonë do të botoheshin në libra të veçantë.
Një
fushë tjetër, ku Sejdo Harka ka dhënë kontributin e tij modest është
gazetaria. Ka nisur të shkruajë që nga fundi i viteve 60, dhe vazhdon të
shkruajë pa mbarim edhe sot e kësaj dite. E ka nisur me ‘’Pionierin’’ dhe ka
vazhduar me gazetën ‘’Studenti’’, ’’Mësuesi’’, ’’Zëri i Rinisë’’,
‘’Drita’’, ’’Bashkimi’’, ’’Zëri i Popullit’’. Më vonë
ka nisur të shkruajë në shtypin e ri të kohës si në gazetat :
‘’Shqip’’. ‘’Panorama’’ ‘’Tirana Observër’’, ‘’Dita’’,’’Telegraf’’,
‘’Nacional’’, ‘’Ndryshe’’,’’Ballkan’’,’’Republika’’, ‘’Koha Jonë’’, ‘’Ex
Libër’’ si dhe në disa portale si ‘’Fjala e Lirë’’, që publikohen brenda dhe
jashtë vendit. Problematika e publicistikës së tij ka qënë e gjithëanshme dhe
ka lëvruar gati të gjitha llojet dhe nënllojet e publicistikës si: shkrimet
problemore e sociale, pedagogjike, kulturore dhe historike. Ka lëvruar portretin
dhe shënimet udhëtimit, skicën dhe reportazhin, pamfletin dhe fejtonin me
shkrime të tilla si “Rrugët e kryetarëve’’, ‘’Shefi që na ngopë me lugë të
zbrazur’’, ‘’Mashtruesit’’,etj që kanë zënë vend të dukshëm në revistat
humoristike të kohës si ‘’Hosteni’’. Vend të dukshëm në publicistikën e tij
kanë zënë figura të shquara të kulturës artit dhe letërsisë, të historisë, të
luftës dhe diplomacisë shqiptare si Naimi, Samiu, Abdyli, Sejfulla Malëshova ,
Ali -pashë Tepelena, etj.
Një
pasion i veçantë për të ka qënë dhe mbetet puna hulumtuese e studimore në
fushën e mësimdhënies dhe pedagogjisë, folkloristikës dhe gjuhësisë, në fushën
e kritikës lrtrare dhe të artit e letërsisë të cilat i ka pasqyruar jo vetëm në
shtypin e ditës dhe në revistat tradicionale, të cilat janë përmendur më lart,
por edhe në revista të reja, si ‘’ Ills’’, ‘’Perrla’’,’’Universi’’… etj.
Libri dhe
bota e tij e madhe, ka qënë dhe vazhdon të mbetet
pasioni i tij i veçantë. Atë e konsideron shokun, mikun,
udhërrëfyesin dhe këshilluesin e tij më të mirë të jetës. Tërë jetën, ka lexuar
qindra libra të llojeve të ndryshme dhe për shumë prej tyre ka bërë reçenca e
analiza të thelluara, të cilat i ka pasqyruar në shtypin e ditës. Sejdo Harka
nuk është vetëm një lexues dhe studiues i librit , por dhe një krijues i tij.
Deri tani ai ka shkruar dhe botur pesë libra të llojeve të ndryshme të tipit
studimor folkloristik, metodiko-pedagogjik, letrar, analitik dhe publicistik.
Dy librat e para të tij i kushtohen krijimtarisë gojore, figuracionit në këngët
e popullit dhe metodave të mësimdhënies e të dretimit të shkollës, në ndihmë të
mësuesëve dhe të drejtuesëve të rinj të arsimit. Në vitin
2015 ai rishfaqet para lexuesëve me librin ’’Modernët e kohës’’, në
të cilin zë ved të dukshëm një problematikë e gjërë publicistike, letrare dhe
analitike për shkrimtarë të mëdhenj të huaj si poeti i madh pers.
Xhelaludin Rumi, që i këndoi shpirtit të dashurisë njerëzore,
Esenini, gjeniu i lirikësë ruse, shkrimtari dhe publicisti Roberto
Savjano, që i zbuloi rrënjët mafjes italiane dhe
për shkrimtarë të njohur të vendit, të cilët edhe pse jetojë në kohë
e vende të ndryshme i bashkon elementi modern, i përmbajtjes, dhe i stilit të
tyre. Më poshtë, vend të dukshëm zënë vlerësimet dhe analizat për krijimtarinë
e shkrimtarëve dhe poetëve të mëdhenj të vendit tonë, si Naim
Frashëri, Fan Noli, Ali Asllani, Lazgush Poradeci, Petro Marko, Sejfulla
Malëshova; për Ismail Kadarenë, ‘’Monarku i letrave shqipe’’; për Dritëro
Agollin, ’’ Të përndjekurin e dashurisë’’, që fshikulloi
ashpër marrëzitë e kohës, për Bedri Deden, Ben Blushin, dramaturgun
Enver Petrovski, për Visar Zhitin, Kasëm Trebeshinën,
Bardhyl Xhamën, Koçi Petritin, Viron Konën, Murat Gecajn,
Sokrat Habilajn, Vasil Premçin, Thanas Dinon, Andon Andonin… Një vend të
dukshëm në këtë libër zënë figurat e arsimit shqiptar si ish-ministrat e
arsimit, në periudhën e monizmit, Naxhie Dume dhe Thoma Deljana, të cilët
vuajtën dhembët e diktaturës. Brendia e këtij libri zbukurohet me
essetë filozofike’’A është çliruar prometeu’’, ‘’Laokontët rrinë me yjet’’ ,
‘’Tej kufijëve të legjendës’’…
Në
vitin 2020 Sejdo Harka ideoi dhe përgatiti librin ‘’Të rendësh për të tejkaluar
kohën’’. Ndërsa në vitin 2022, në bashkëpunim me shkrimtarin Viron Kona,
përgatitën dhe botuan librin’’Miku ynë i shtrenjtë prof.Murat Gecaj ‘’,
kushtuar figurës së tij të nderuar.
Kohët
e fundit , studiuesi i S.Harka po meret kryesisht me nobelistët për
letërsinë. Jo vetëm po qëmton e studjon momentet kryesore të jetës
dhe veprimtarisë së tyre shoqërore e letrare, por dhe bën analiza të thella të
veprave të tyre më të mira, të cilat sot flasin edhe në gjuhën shqipe. Me
shkrimet e tij studimore analitike për rreth 35 nobelistë
dhe autorë të tjerë të mëdhenj të letërsisë botërore, lexuesi është njohur
nëprmjet shtypit të ditës dhe revistave letrare të kohës. Në këto shkrime
sintezë esseike lexuesi gjen thelbin e filozofisë krijuese të secilit nobelist,
arsyen kryesore përse e ka marrë këtë çmim të madh, çfarë kanë thënë të
tjerët për nobelistin, çfarë ka thënë ata ditën e marrjes së çmimit Nobel, etj.
Në këto shënime theksohen të veçantat që i ka sjellë letërsisë
botërore çdo nobelist. Theksohet se thelbi i filozofisë që i bashkon
të gjithë nobelistët është univesaliteti dhe humanizmi, të cilat
gjallojnë në brendinë e krijimtarisë së tyre. Shënimet analitike për nobelistët
e letërsisë, S. Harka i ka përmbledhur në një libër të veçantë me
titullin ’’Shkrimtarë nobelistë’’, i cili është në proces botimi. Merita e
autorit është sepse është i pari që sjell në Shqipëri një libër analitik të
tillë për Nobelistët. Në krye të librit qëndron shkencëtari dhe krijuesi i
këtij çmimi të madh, Alfred Nobeli, cili për të shumfishuar veten, dhuroi të
gjitha kursimet e tij të jetës. Më poshtë zënë vend nobelistët: Selma
Langerlëf, e cila me krijimtarinë e saj artistike nxiti humanizmin
tej njerëzor dhe kërshërinë fluturake të fëmijëve; Tomas Eliot, që i
këndoi luftës për shpëtimin e njeriut nga e keqja tokësore; Ernest Heminguei,
që na tregon për qëndresën dhe guximin e njeriut, të cilin mund ta asgjësosh,
por jo ta mposhtësh; Boris Pasternak-u ,që na sjell të gjallë heronj realë;
Jorgos Seferis, që u bën thirrje njerëzve ‘’të mbledhin hirin e së shkuarës,
për të mbjellë të ardhmen’’; Zhan Pol Sartri, që i këndon çlirimit të njeriut
nga absurditeti dhe skllavëria; Pablo Neruda, i cil deklaron poetikisht se
‘’është aty ku është këmbana’’; Markezi, i cili me penën e tij synon të
shpëtojë njeriun nga ankthi, tmerri dhe vdekja; Uliam Golding, i cili zbulon
dhe kërkon të shërojë errësirën e zemrës së njeriut; Orhan Pamuk, që i këndoi
pavdekësisë së dashurisë; Le Clezo, që na tregon për kohën që s’’kthehet kurrë
mbrapa, as në ëndërr; Herta Myler, që të rrënqeth duke treguar për urinë, e
cila cfiliti shpirtin e të interrnuarëve në kampet staliniste; Mario Llosa, që
tregon për fundin grotesk të diktaturave në botë; Tomas Trastomer, që zbuloi
plagët e psikologjisë njerëzore; Nobelisti kinez Mo Yan, që na tregon për
klithmat rrënqethëse të fëmijëve të vrarë në barkun e nënave; Bob Dilan, i cili
i këndoi jetës, që hedh shtat në shpirtin që s’shuhet kurrë; Kazuo
Ishiguro, që na tregon se njeriu i ditur duhet ta harmonizojë mirë detyrën për
të kujtuar me nevojën e domosdoshme për të falur e harruar; Olga Tokarczuk, që
i këndon humanizmit tej njerëzor, në këtë botë, të cilën ajo e
konsideron një ‘’burg të mbushur plot me vuajtje’’; Doris Lessing dhe fuqia e
saj për të na bindur dhe robëruar; Jose Saramango, që i këndoi identitetit të
papërsëritshëm të njeriut, etj. Kkrahas përballimit të jetës ditore, Sejdo
Harka nuk pushon së shkruari. Me sa duket është
ngacmuar nga thënia e Sami Frashërit: " Njeriu nuk është i
përjetshëm, le të përpiqet të jetë e pavdekshme ajo që do të thotë dhe ajo që
do të bëjë". Të kesh një shok dhe mik sikur është Sejdo Harka, është një
privilegj fati. Jam i bindur se vepra e tij prej mësuesi, drejtuesi dhe
studiuesi i mirëfilltë shkencor, do të jetë inspirim brezave në punën e tyre.
Pena e tij e artë do të shëndritë moteve në pavdeksinë e mësuesisë shqiptare
bashkë me emrin e respektuar e të nderuar Sejdo Harka. Sot i urojmë pleqëri të
mbarë dhe i nderuar e krenar për vlerat e tij që kanë qënë dhe janë e do të
jenë udhërrëfyese për brezat e ardhshëm.