Faleminderit
Ndue Dedaj: Gjon Krasniqi dhe 'Stema e Artë' e Bamirësisë
E merkure, 16.11.2022, 07:57 PM
GJON KRASNIQI DHE “STEMA E ARTË” E BAMIRËSISË
-
Me 12 Nëntor përmes një ceremonie në Rrëshen iu dha "Stema e Artë" e
Bashkisë Mirditë -
NGA
NDUE DEDAJ
Zakonisht
shkruajmë për të huajtë, që japin ndihmesë humanitare prej vitesh në Shqipëri.
Por nuk janë vetëm ata që ndërmarrin misione të tilla. Nënë Tereza e ka futur
frymën e saj edhe ndër shqiptarët e vet, ani se e njohëm vonë motrën tonë të
madhe sa bota.
Nuk
kisha menduar të shkruaja ndonjëherë për Gjon Krasniqin, jo se nuk e meritonte,
porse nuk është në stilin tonë të shkruajmë për miqtë. Kodi i miqësisë dhe ai
dokësor i odave e kuvendeve të maleve tona na e “ndalon” këtë. Po pse atëherë
po bëjmë një përjashtim nga rregulli? Sepse pati ndodhur ndarja e madhe,
kundrahistorike i shqiptarëve në trojet e tyre, duke na përjashtuar nga
njëri-tjetri. Jemi ende në kërkim të vëllezërve tanë kosovarë dhe ata në
kërkimin tonë. “Ardhësh i bardhë, vëlla!” Kështu i patëm thënë në vitin 1991
Anton Çetës kur erdhi për vizitë në Mirditën e rrënjëve. Apo Ali Podrimjes, në
vitin 2004, krijuesit e Mirditës, Lezhës e Kurbinit, kur ai erdhi dhe qëndroi
disa ditë mes nesh. “Kemi njëqind vjet që e presim këtë ditë!” Me u pa në sy.
Me fol vllaznisht. Me shkrue shqip. Me dëshmue travlimet e jetës. Me
bashkëpunue për të mirën e kombit tonë. Dhe kosovarët, tetovarët, strugasit,
ulqinasit, preshevasit vinin këtu duke puthur dheun, siç pati bërë dhe Gjoni
kur hyri për herë të parë në Shqipëri nga Pogradeci në vitin1993. Polici
kufitar i tha se kishte një parregullsi në lejen e kalimit e do të gjobitej,
por Gjoni e kishte pranuar me “dashuri” atë gjobë, mjaft që të përkulej në
tokën amë duke e prekur me buzë dhe shqiptuar fjalët e pathëna të motmoteve të
mbetura peng brenda vetes.
Gjon
Krasniqi, lindur më 22 maj 1961, me pasionin e pikturës që në vogëli, nis
studimet për inxhinieri mekanike në Ferizaj, i ndërpret ato dhe emigron në
moshë të re në Zvicër, si shumë të tjerë, në gjurmë të ungjit të tij, Tunës,
ndër emigrantët e parë kosovarë në Europë. Pasardhës i burrave të njohur të
kullës së Avdi, Sadri e Zef Smajlit - Krasniqi. Ajo kullë, dikur me 60 vetë, -
siç shkruan publicisti Lekë Mrija, - ishte një vatër idealesh e ndjesish kombëtare
për të gjithë shqiptarët pa dallim, në të cilën shumë burra u mblodhën për
pajtime dhe ndërmjetësime, duke lënë gjurmë të pashlyeshme jo vetëm në fshatin
Nepole në Lugun e Baranit, por dhe në zonën e Dushkajës, Lug të Drinit,
Dukagjin etj.
Gjon
Krasniqi, veprimtar i çeshtjes kombëtare në Kosovë dhe në diasporë, nuk ka
pritur lavde dhe dekorata kur iu bashkua UÇK-së më 1998 për çlirimin e Kosovës,
as më vonë kur sillte në Lezhë maunet nga Zvicra me pajisje spitalore e ndihma
të tjera humanitare, për çka më 2015 do t’i akordohej titulli “Nderi i Qarkut
të Lezhës”. Bash për shpirtin e tij human dhe të gjendurit pranë njerëzve në
nevojë, ndokush e ka quajtur “lulja e fisit” të Krasniqes. Ai është mishërim i
fisnikërisë së dy prindërve të tij, Markut dhe Vitores, por dhe i gjyshit Zef
Smajli, ushtar i Bajram Currit dhe i Zefit të Vogël, mbeshtetës i Kishës së
“Shën Antonit” të Gllogjanit dhe i gjyshes Manë Delia nga Tropoja, që pyetej
nga burrat e krenët e fiseve, pa dallim feje, për çeshtje të ndërlikuara kanunore.
Gjoni mbart një traditë të rrallë familjare bamirësie. Sadri Smajli mbante në
shtëpinë e tij të madhe si në një “azil” (apo më saktë odë bamirësie) të sëmurë
mendorë, të braktisur, skamnorë etj. Kur vdiste ndonjëri prej tyre i çonte
fjalë familjes nëse do ta merrnin ata për ta varrosur, apo do ta varroste ai.
Kjo është e padëgjuar, por ka ndodhur.
Personalisht
Gjonin e kam njohur nga një tjetër dimension i tij, ai i marrëdhënies me
librin. Kishte lexuar librin tim “Kanuni mes kuptimit dhe keqkuptimit” që, siç
thoshte ai, i kishte lënë mbresa të veçanta, ndaj dëshironte të njiheshim. Jemi
takuar në Rrëshen e tash shihemi herë pas here në një shoqëri miqsh të
përbashkët, nga Zvicra, Klina, Milano, Mirdita, Lezha dhe Tirana. Bota sot,
falë teknologjisë së komunikimit dhe qarkullimit të shpejtë, është tepër e
“vogël” për të qenë madhe. Gjoni kishte mbështetur botimin e disa librave, gjë
qe bën në vijimësi. Bujaria e tij ishte shtrirë dhe tek bursat e nxënësve e
studentëve në Gjakovë, Rubik etj., por me kushtin që, kur ata të mbarojnë
studimet, të shërbejnë të paktën dy vite në atdhe. Edhe ditëlindjen e tij në dy
raste ai i ka kremtuar me mirditorët, por anonim, duke iu dërguar njerëzve në
nevojë dhurata përmes Karitasit Dioqezan të Rrëshenit. Emri i tij u shqiptua
fort nga motër Adelina në koncertin e bamirësisë, organizuar kohët e fundit në
Pallatin e Kulturës Rrëshen nga Unioni Mirdita, për kontributin që kishte dhënë
krahas humanitarit tjetër kosovar në Zvicër Pren Kçira, biznesmenëve Nikolin
Jaka, Violeta Gjoka, Andrea Zaja etj.
Para
dy vitesh Gjon Krasniqi solli në Mirditë për të gjithë nxënësit e shkollave një
komplet lapsash të dizenjuar nga i biri Zefi me stemën dhe flamurin e
Pavarësisë së Kosovës. Ti e merr në dorë atë laps dhe nis e shkruan apo vizaton
me të dhe të ngjan se ai është lapsi me të cilin Ibrahim Rugova ka nënshkruar
jo vetëm studimet e tij letrare, monografinë e çmuar për Pjetër Bogdanin, por
dhe shtetin e ardhshëm të Kosovës. Është ai laps me të cilin udhëheqësit e rinj
të Kosovës më pas nënshkruan Deklaratën e Pavarësisë në vitin 2008. Por ai laps
simbolik është shumë më i “vjetër” se kaq, pasi aty është dhe dora e Ismail
Qemalit e Isa Boletinit. Janë këto argumentet që sot Gjoni nderohet me “Stemën
e Artë të Bashkisë Mirditë”. Për më tepër ai ka miqësi dhe bashkëpunim për
nismat humanitare me mirditasit emigrantë në Milano, Mark Nikolli e Preng Gjoka
nga Fani, Gjergj Margjini nga Oroshi etj.
Punët
e mira të Gjonit nuk bëjnë “zhurmë” mediatike. Para pak kohësh ai mundësoi
vënien në skenë nga fëmijët e Rubikut të pjesës teatrale me kukulla për fëmijë
“Pika e ujit” të Naum Priftit, që ndikon drejpërdrejt në edukimin e tyre
estetik. Nga Rubiku i vogël ky është një sinjal dhe për qytetet e mëdha që i
kanë teatrot e kukullave. Dëshira për të kontribuar për fëmijët rikthen
projekte edukative të vlefshme. Nëse nuk zhvillojmë veprimtari të tilla,
atëherë më kot qahemi se fëmijët tanë nuk e lëshojnë telefonin nga dora etj. E
Gjoni nuk është ndonjë pasanik, që ka në Zvicër ndonjë koorparatë që “prodhon”
para për të. Jo, shpirti i tij është i pasur, ashtu si i gjithë humanistëve,
bamirësve, filantropëve të kësaj bote. Dhantia e tij është institucionale, ajo
nuk shkon dorë më dorë para kamerave, por përmes njerëzve të Karitasit troket
në dyer të varfëra, për çka është falenderuar dhe nga ipeshkvi i Rrëshenit
imzot Gjergj Meta. Nevojëtarët që marrin një pako me ndihma nuk e dinë emrin e
atij që ka e dhënë dhe kjo është fisnikëria e kësaj gjëje. Gjoni më shumë se
paradhënës për nevojëtarët dhe arsimin, kulturën është një shembull për të
tjerët se si me dashuri të madhe bëhen gjëra të mira. Fryma nënëtereziane e tij
është njëherësh e gjithë familjes, bashkëshortes Zojë, tre fëmijëve Magdalena,
Arta dhe Zefi, vëllait Dr. Pal Krasniqit, që shërben si mjek anestezist në
klinikë zvicerane dhe njëherësh menaxher. Për vepra bamirëse në shërbim të
njerëzve dhe të kishës çifti Krasniqi, Gjoni dhe Zoja, kohë më parë morën
bekimin e papnor: “Shenjtëria e tij Papa Françesku i jep me zemër Bekimin
Apostolik Gjon Krasniqit e Zojë Marnikut, me rastin e përvjetorit të 35-të të
martesës dhe thërret për familjen e tyre një derdhje të re hiresh qiellore për
rritje të vazhdueshme në besim dhe dashuri”.