Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Lucë Gjon Mati Gjonaj nuk është dëshmor, por një burrë shumë i nderuar me të cilin krenohet Malësia
E shtune, 24.06.2023, 09:12 PM
Lucë
Gjon Mati Gjonaj nuk është dëshmor, por një burrë shumë i nderuar me të cilin
krenohet Malësia
Nga
Gjekë Gjonaj
Para disa ditësh
në rrjete sociale lexova se
Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë ka shpallur kushëririn tim, Lucë Gjon Matin “ Dëshmor i atdheut”. Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (
1980) botuar nga Akademia e Shkencave e
Shqipërisë, Instituti i Gjuhësisë dhe i
Letërsisë për fjalën “dëshmor” ka këtë
përkufizim: “Ai që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore,
ai që fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut” Mirëpo, për fat të keq realiteti shqiptar ka prodhuar një tjetër
kuptim të fjalës “dëshmor”. Ajo është kthyer në një fjalë që jepet me qira për
të mbuluar histori që nuk kanë shpesh lidhje me kuptimin e kësaj fjale. Dëshmi
për këtë është edhe kjo certifikatë dhënë personazhit të këtij shkrimi. Pse? Sepse
kushëriri ynë Lucë Gjon Mati , për të cilin jemi shumë krenar, nuk është dëshmor, mbase nuk flijoi jetën për lirinë e atdheut siç kam lexuar në disa libra të miqve të mi
se ai ka vdekur në luftën e Koplikut.
Trieshjanët pohojnë se Lucë Gjon Mati ka marrë pjesë në këtë
luftë, sikurse edhe në luftën e Lemajës
( 1907), për ç’gjë ne nuk posedojmë ndonjë dokument zyrtar. Edhe nëse ka luftuar me pushkë në dorë në të dy këto beteja kundër ushtrisë
osmane në Luginën e Cemit në
Triesh dhe kundër ndërhyrjes
ushtarake jugosllave në krahinën e
Shkodrës, shtrohet pyetja a thua duhet shpallur
dëshmor i atdheut. Sipas kësaj logjike, apo këtij kriteri do të ishte e
drejtë që të gjithë trieshjanët e tjerë
bashkëluftëtarë të shumtë të tij që kanë marrë pjesë në këto e beteja të tjera të shpallen dëshmorë të atdheut.
Për
ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për Lucë Gjon Matin po japim disa të
dhëna që i konsiderojmë të rëndësishme.
U lind në vitin 1862 në fshatin Rudinë (
Nikmarash) në malin e Trieshit dhe vdiq
në moshën 95-vjeçare në vitin 1957. Nuk la trashëgimtar. Hyri në historinë dhe kujtesën shqiptare që në kohën e hershme të rinisë, kur së bashku
me bashkëfshatarin dhe shokun e tij trim e fisnik, Mal Vuksanin
Gjurashaj paguan çobaneshën trieshjane,
Tole Smajlen Cacaj të cilën e kishin
grabitur një çetë cubash
nga qyteti i Pejës ( Kosovë) ,
udhëhequr nga Bajram Begu.
Lucë
Gjon Mati Gjonaj në popull gëzon një
autoritet të madh. Atëherë dhe sot. Nga
bashkëkohësit e tij dhe të tjerët që e kanë njohur për së afërmi, ai vlerësohet ndër burrat më të ndershëm, më
fisnik, më mikpritës dhe më trima e guximtarë
të Trieshit dhe të Malësisë të shekullit të kaluar. Ai gëzoi respekt dhe
besim të madh edhe tek kapedani i
Trieshit , Marash Marku i cili në kohën e Kral
Nikollës në shtëpinë e tij kishte edhe burgun. Për këtë arsye princi i
Trieshit e angazhoi Lucë Gjon Matin si roje të armatosur të tij për afro 20 vite, për çka edhe ai mori
pensionin, vlera e të cilit asokohe, siç
pohojnë pasardhësit e kapedanit të
Trieshit, ishte përafërsisht sa shuma e 30 deleve. Me veprën e , Lucë Gjonaj nderoi
në radhë të parë familjen, pastaj farefisin, malin
e Trieshit dhe Malësinë.
Në
një rast feste para Kishës së Trieshit, burra të njohur trieshjanë kishin biseduar njëri me tjetrin se cili
trieshjanë është më miri i asaj kohë.
Shumica e tyre ishin pajtuar se ky epitet me
meritë i takon pikërisht Lucë Gjon Matit. Si i tillë ka gëzuar respekt
nga të gjitha grupmoshat. Nga ai , thonë trieshjanët, ke pasur çka të mësosh
nga tradita jonë e lavdishme. Ka ditë shumë për
traditën, doket dhe zakonet
mijëvjeçare shqiptare. Jo vetëm se ka ditë për vlerat shpirtërore të popullit të
vet, siç janë: besa, nderi, mikpritja,
fisnikëria, bujaria, mirësia, bamirësia etj., por ka qenë ithtar dhe zbatues i tyre i denjë. Në
kujtesën kolektive të popullit të vet janë memorizuar shumë vepra të mira
njerëzore të këtij njeriu zemërmirë dhe
gojëmbël, të cilat mund t’u
shërbejnë si shembull brezave të ardhshëm shqiptarë në këtë kohë
tranzicioni e globalizmi shoqëror, ku në të shumtën e rasteve mbizotërojnë kundërvlerat, e jo vlerat.
Ky
burrë i posaçëm e i rradhë për vlera të mira njerëzore është dalluar, ndër të tjera, edhe për mikpritje.
A ishte gjithmonë gati për të pritur mikun. Ishte e pamundur të hyje në
shtëpinë e tij e të mos gjeje
shumëçka për ta pritur mysafirin,
sepse sipas ligjit tradicional, njerëzor
e të krishterë: “ Gjithkush e gjithherë, si ditën, ashtu edhe natën, duhej
të kishte gati për mikun bukën, kripën e zemrën e mirë, zjarrin në vatër,
trungun për të mbështetur kokën e kashtën për shtroje”. Ndjehej i lumtur , kur priste një mik në
shtëpi e mund të ndante me të bukën.
Me
gjithë respektin që kemi ndaj institucioneve
të Republikës së Shqipërisë dhe
firmëtares së kësaj certifikate
mendojmë se ky nuk është vlerësim
i qëlluar, sepse me këtë stil
dëshmorizimi ndoshta përdhosen dëshmorët e vërtetë, ata që kanë dhënë jetën
për lirinë dhe për mbrojtjen e jetës dhe
të pasurisë së përbashkët.
Më
këtë sqarim qëllim mirë nuk duam të
absolutizojmë, që në kohë moderne dekoratat e mirënjohjet nuk kanë sens për të gjallët, pasi ka çaste
heroike dhe sot që meritojnë të çmohen, por jo që të ketë një shpërthim lëvdatash mbarëpopullore. Jemi të mendimit që autoritetet më të larta të Republikës së
Shqipërisë mos të jenë kaq bujare si deri më tani, veçmas pas viteve 90’ kur
është fjala për dhënien e dekoratave e mirënjohjeve të
ndryshme, por të ashpërsojnë
kriteret dhe procedurat e përzgjedhjes.
Nga
ky inflacion ( lum) dekoratash
e mirënjohjesh nga shteti
shqiptar gjatë 30 viteve të fundit, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë ka
ndikuar që edhe disa shqiptarë në Mal të Zi, kryesisht
malësorë të etur për lavdi vetjake dhe fisi të ngritën në këmbë për të kërkuar sa më shumë tituj nderi në disa raste edhe pa
merita me lobime, pazare e forma të
tjera. Nëse vazhdohet kështu ec e thuaj pastaj se çdo familje malësore (shqiptare) nuk meriton të ketë nga një hero si Dedë Gjo’ Lulin, ngjashëm me
atë vargun e famshëm “ Të gjithë shqiptarët janë Mic Sokola”.