Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Lucë Gjon Mati Gjonaj nuk është dëshmor, por një burrë shumë i nderuar me të cilin krenohet Malësia
E shtune, 24.06.2023, 08:12 PM

Lucë
Gjon Mati Gjonaj nuk është dëshmor, por një burrë shumë i nderuar me të cilin
krenohet Malësia
Nga
Gjekë Gjonaj
Para  disa ditësh 
në rrjete sociale lexova  se
Ministria e Mbrojtjes së Republikës së Shqipërisë ka shpallur   kushëririn tim, Lucë Gjon Matin   “ Dëshmor i atdheut”.  Në “Fjalorin e gjuhës së sotme shqipe” (
1980)  botuar nga Akademia e Shkencave e
Shqipërisë,  Instituti i Gjuhësisë dhe i
Letërsisë   për fjalën “dëshmor” ka  këtë 
përkufizim: “Ai që vritet në luftën për liri e për drejtësi shoqërore,
ai që fal jetën për të mirën e popullit e të atdheut” Mirëpo,  për fat të keq  realiteti shqiptar ka prodhuar një tjetër
kuptim të fjalës “dëshmor”. Ajo është kthyer në një fjalë që jepet me qira për
të mbuluar histori që nuk kanë shpesh lidhje me kuptimin e kësaj fjale. Dëshmi
për këtë    është edhe kjo  certifikatë dhënë  personazhit të këtij shkrimi.  Pse? Sepse 
kushëriri ynë Lucë Gjon Mati , për të cilin jemi shumë krenar, nuk  është dëshmor, mbase   nuk flijoi jetën për lirinë e atdheut siç  kam lexuar në disa libra të miqve të mi
se  ai ka vdekur në luftën e Koplikut.
Trieshjanët  pohojnë  se Lucë Gjon Mati ka marrë pjesë në këtë
luftë, sikurse   edhe në luftën e Lemajës
( 1907), për ç’gjë ne nuk posedojmë ndonjë dokument zyrtar.  Edhe nëse ka luftuar me pushkë në dorë  në të dy këto beteja kundër   ushtrisë 
osmane  në Luginën e Cemit në
Triesh  dhe kundër ndërhyrjes
ushtarake  jugosllave në krahinën e
Shkodrës, shtrohet pyetja a thua duhet shpallur 
dëshmor i atdheut. Sipas kësaj logjike, apo këtij kriteri do të ishte e
drejtë që të gjithë trieshjanët  e tjerë
bashkëluftëtarë  të shumtë të tij  që kanë marrë pjesë në këto  e beteja të tjera të  shpallen dëshmorë të atdheut.
Për
ata që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për Lucë Gjon Matin po japim disa të
dhëna  që i konsiderojmë të rëndësishme.
U lind në vitin 1862 në  fshatin Rudinë (
Nikmarash) në malin e Trieshit  dhe vdiq
në moshën 95-vjeçare në vitin 1957. Nuk la trashëgimtar.  Hyri në historinë dhe kujtesën shqiptare  që në kohën e hershme të rinisë, kur   së bashku 
me bashkëfshatarin dhe shokun e tij trim e fisnik, Mal Vuksanin
Gjurashaj paguan çobaneshën  trieshjane,
Tole Smajlen Cacaj  të cilën e kishin
grabitur  një çetë  cubash 
nga qyteti i Pejës ( Kosovë) , 
udhëhequr nga Bajram Begu.
Lucë
Gjon Mati  Gjonaj në popull gëzon një
autoritet të madh. Atëherë dhe sot.   Nga
bashkëkohësit e tij dhe të tjerët që e kanë njohur për së afërmi, ai  vlerësohet ndër burrat më të ndershëm, më
fisnik, më mikpritës  dhe më trima  e guximtarë  
të Trieshit dhe të Malësisë të shekullit të kaluar. Ai gëzoi respekt dhe
besim të madh  edhe tek kapedani i
Trieshit , Marash Marku  i cili në  kohën e Kral 
Nikollës në shtëpinë e tij kishte edhe burgun. Për këtë arsye princi i
Trieshit e angazhoi  Lucë Gjon Matin  si roje të armatosur të tij  për afro 20 vite, për çka edhe ai mori
pensionin, vlera e të cilit  asokohe, siç
pohojnë pasardhësit  e kapedanit të
Trieshit,  ishte  përafërsisht sa shuma e 30 deleve.   Me veprën e , Lucë Gjonaj  nderoi 
në radhë të parë familjen, pastaj farefisin,  malin 
e Trieshit dhe Malësinë.
Në
një rast feste para Kishës së Trieshit, burra të njohur trieshjanë  kishin biseduar njëri me tjetrin se cili
trieshjanë është më  miri i asaj kohë.
Shumica e tyre ishin pajtuar se ky epitet me 
meritë i takon pikërisht Lucë Gjon Matit. Si i tillë ka gëzuar respekt
nga të gjitha grupmoshat. Nga ai , thonë trieshjanët, ke pasur çka të mësosh
nga tradita jonë e lavdishme. Ka ditë shumë për 
traditën, doket dhe zakonet 
mijëvjeçare shqiptare. Jo vetëm se ka ditë  për vlerat shpirtërore të popullit të
vet,  siç janë: besa, nderi, mikpritja,
fisnikëria, bujaria, mirësia, bamirësia etj., por  ka qenë ithtar dhe zbatues i tyre i denjë. Në
kujtesën kolektive të popullit të vet janë memorizuar shumë vepra të mira
njerëzore të këtij njeriu zemërmirë  dhe
gojëmbël, të cilat  mund t’u
shërbejnë  si shembull   brezave të ardhshëm shqiptarë në këtë kohë
tranzicioni e  globalizmi  shoqëror, ku në  të shumtën e rasteve  mbizotërojnë kundërvlerat, e jo vlerat.
Ky
burrë i posaçëm e i rradhë   për  vlera të mira njerëzore  është dalluar, ndër të tjera, edhe për  mikpritje. 
A ishte gjithmonë gati për të pritur mikun. Ishte e pamundur të hyje në
shtëpinë e tij e të mos  gjeje
shumëçka  për ta pritur mysafirin,
sepse  sipas ligjit tradicional, njerëzor
e të krishterë: “ Gjithkush e gjithherë, si ditën, ashtu edhe natën, duhej
të  kishte gati  për mikun bukën,  kripën e zemrën e mirë, zjarrin në vatër,
trungun për të mbështetur kokën e kashtën për shtroje”.  Ndjehej i lumtur , kur priste një mik në
shtëpi e mund të ndante me të bukën.
Me
gjithë respektin që kemi  ndaj institucioneve
të Republikës së Shqipërisë dhe 
firmëtares së kësaj certifikate 
mendojmë se ky  nuk është vlerësim
i qëlluar, sepse  me këtë stil
dëshmorizimi   ndoshta përdhosen  dëshmorët e vërtetë, ata që kanë dhënë jetën
për lirinë dhe  për mbrojtjen e jetës dhe
të pasurisë së përbashkët.
Më
këtë  sqarim qëllim mirë  nuk duam të 
absolutizojmë, që në kohë moderne dekoratat e mirënjohjet   nuk kanë sens për të gjallët, pasi ka çaste
heroike dhe sot që meritojnë të çmohen, por jo që të ketë një shpërthim lëvdatash  mbarëpopullore.   Jemi të mendimit që  autoritetet më të larta të Republikës së
Shqipërisë  mos të jenë kaq bujare   si deri më tani, veçmas pas viteve 90’ kur
është   fjala për  dhënien e dekoratave e mirënjohjeve të
ndryshme, por    të ashpërsojnë
kriteret  dhe procedurat e përzgjedhjes.
Nga
ky  inflacion ( lum)   dekoratash 
e mirënjohjesh  nga shteti
shqiptar gjatë  30 viteve të  fundit, deshëm apo s’deshëm ta pranojmë ka
ndikuar që   edhe  disa shqiptarë në Mal të Zi, kryesisht
malësorë  të  etur për lavdi vetjake dhe fisi  të ngritën në këmbë për të kërkuar sa më  shumë tituj nderi në disa raste edhe pa
merita  me lobime, pazare e forma të
tjera.  Nëse vazhdohet kështu  ec e thuaj pastaj se çdo familje  malësore (shqiptare)  nuk meriton të ketë  nga një hero si Dedë Gjo’ Lulin, ngjashëm me
atë vargun e famshëm  “ Të gjithë  shqiptarët janë Mic Sokola”.










