Faleminderit
Gjekë Gjonaj: Marash Ulaj - atdhetar dhe aktivist i njohur malësor në komunitetin shqiptaro-amerikan
E enjte, 15.06.2023, 07:26 PM
Marash Ulaj - atdhetar dhe aktivist i njohur malësor në komunitetin shqiptaro-amerikan
Nga
Gjekë Gjonaj
Më
30 maj 2023 në moshën 75 vjeçare  pushoi
së rrahuri zemra bujare  e Marash (
Masho) Ulaj në Miçigan të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ky malësor i mirë  nga fshati Kojë i Malësisë, u largua nga
vendlindja  e tij  një gjysmë shekulli më parë dhe u vendos në
Miçigan-Detroit.    U lind më 6 qershor
1948 në një familje me traditë të gjatë 
atdhetare  të  njohur 
edhe për besë, burrëri, urti e trimëri 
të Pretash Zekës Ulaj , flamurtar i Kojës,   familje 
e cila u përfshi  në lufta të
përgjakshme, herë kundër shkjaut ( serbo-malazezëve) e herë kundër turqve në
mbrojtje të  vatrave të tyre shekullore.
Kur  mbërriti në SHBA, shqiptarët në
Ballkan ishin  shumë të dobët. Shqipëria
vuante në komunizëm. Jugosllavia ishte  e
paprekshme, Kosova ishte krahinë  autonome,
etj.
Ai
ishte një njeri i respektuar dhe i dalluar në komunitetin shqiptar në Detroit
dhe më gjerë.  I brumosur me atdhedashuri
dhe me virtyte e vlera të larta morale  e
njerëzore  si dhe me traditat fisnike të
Malësisë së Madhe u burrërua  në shkollën
e vatrës familjare  dhe në kuvendet e
burrave  zëmëdhenj të Kojës  së “ vogël”, por trime e heroike. Edhe pse me
trup ishte në Shtete të Bashkuara të Amerikës, me shpirt dhe zemër ishte
gjithmonë në Malësi, Shqipëri e  Kosovë.
Në bisedat e tij me miq e shok   shprehej
me emocione të mëdha    se  Malësia, Shqipëria dhe Kosova janë dashuria
dhe krenaria  e tij e përjetshme.  Këtë thënie 
apo fjalë zemre të tij e arsyetoi 
me vepra konkrete. Veprimtaria  e
këtij atdhetari dhe aktivisti   të
shquar  në diasporë   për çështjen shqiptare është e pasur dhe e
larmishme.
Kudo
u paraqit nevoja  për çështjen kombëtare,
Marash Ulaj  ishte në mesin e
mërgimtarëve të parë malësorë (shqiptarë)  
për të ndihmuar  materialisht dhe
moralisht vendlindjen e tij Malësinë, përpjekjet   për  
lirinë dhe pavarësinë e Kosovës 
si dhe të gjitha trojet etnike shqiptare.  Qëkur i shkeli këmba në  vendin e mundësive të mëdha, respektivisht në
tokën e premtuar dhe të bekuar , siç e quajnë Amerikën , për të cilën  Fan.S. Noli 
i madh do thoshte “ Mbahu nënë mos ke frikë , i ke djemtë në
Amerikë,   e kishte të qartë  si dritën e diellit se  pa rolin dhe kontributin e diasporës  shqiptare 
nuk  është i mundur çlirimi i
Kosovës , më 12 qershor të vitit 1999 dhe pavarësimi i  saj   
më 17 shkurt 2008 ,   nga regjimi
i egër  barbar i Sllobodan Millosheviqit
“kasapit të Ballkanit”   dhe se nuk do të
kishim liri, pluralizëm dhe demokratizim të Shqipërisë  në vitet ’90. Dëshmia më e freskët dhe
kuptimplote është pjesëmarrja e mërgimtarëve tanë nga SHBA, me Batalonin “
Atlantiku” në Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës dhe përpjekjet e armatosura të
fundit që ndodhën në trojet tona etnike. Ndihma e tij ishte e madhe  edhe në krijimin dhe suksesin e  Fondit për 
ndihmë Kosovës.
Marash
Ulaj ishte organizator, mbështetës, 
përkrahës dhe pjesëmarrës i proceseve politike  pothuaj në të gjitha  protestat dhe demonstratat nga viti 1981  e deri në çlirimin e Kosovës.  Ky malësor atdhetar u jepte zemër  bashkatdhetarëve të vetë të atjeshëm se liria  dhe pavarësia e Kosovës  është e afërt dhe   se 
Shtetet e Bashkuara të Amerikës 
janë në anën e  drejtësisë dhe
popullit shqiptar.   Ky burrë fisnik u
rreshtua  në grupin e atyre  mërgimtarëve shqiptarë për t’u dalë zot
bashkëvendësve të vet  në Malësi, duke i
ndihmuar  me donacione të ndryshme
vullnetare  në ndërtimin e objekteve të
ndryshme infrastrukturore e  të
tjera  me qëllim  të 
përmirësimit të kushteve të tyre ekonomike  e jetësore. Kontributi i tij kuptimplotë  ka qenë edhe 
angazhimi dhe zëri i tij i fuqishëm për bashkimin e subjekteve dhe
partive  politike shqiptare  në prag të fushatës së zgjedhjeve të
para  vendore për Komunën e Tuzit, që u
zhvilluan më 3 mars 2019.   Ai  vlerësonte se bashkimi i partive
kryesore  përbën një hap të mençur dhe
atdhetar drejt maksimalizimit të votave të shqiptarëve  në Komunën e Tuzit. Sipas tij vetëm
shqiptarët bashkë mund të luftojnë, siç thoshte ai, armikun dhe të ndalojnë
ushtrimin e pushtetit tridhjetëvjeçar të Partisë Demokratike të
Socialistëve  të Millo Gjukanoviqit,
dhe  Malësia gjithsesi   të administrohet nga malësorët. Marash Ulaj
kontribuoi edhe për ardhjen  e
kongresistëve  amerikanë në Malësi
dhe   ka qenë nënkryetar i Shoqatës “
Malësia e Madhe “ në Miçigan. Me ndihmën e tij dhe të diasporës sonë në Shtete
të Bashkuara të Amerikës janë bërë shumë gjëra të rëndësishme  që kanë vlera të mëdha për komunitetin tonë
dhe për Komunën e Tuzit.
Me
vdekjen e Marash Ulajt,  Malësia dhe
shqiptarët humbën një veprimtar të dalluar 
e të çmuar në komunitetin shqiptaro-amerikan për të cilin të gjithë ata
që e kanë njohur në mërgatën tonë , e cila është shtylla e  kombit, familjeve tona dhe mirëqenies
mbarëkombëtare, flasin fjalë miradije. 
Komuniteti shqiptaro-amerikan  me
largimin  e tij nga kjo jetë  humbi një nga bijtë e vet më të mirë, që do
të kujtohet  gjatë si shembull  për t’u ndjekur, si patriot, që do të
frymëzojë brezat  e rinj të shqiptarëve  që jetojnë fizikisht larg atdheut, por
shpirtërisht nuk ndahen kurrë  nga
trualli arbëror dhe synojnë  zhvillimin  dhe përparimin e tij.









