Mendime
Adil Fetahu: Ideja dhe programet e Serbisë së Madhe
E enjte, 01.06.2023, 08:43 PM
IDEJA DHE PROGRAMET E SERBISË SË MADHE
Tollovitë
e bandave serbe në Veri të Kosovës janë në funksion të realizimit të ideve dhe
programeve për Serbinë e Madhe
Nga
Adil Fetahu
Ka afër dy shekuj që në
kokat e krisura të akademikëve, popave, shkrimtarëve, të elitave politike,
shtetërore, kishtare, letrare e kulturore të nacionalistëve serbë vërtitet
ideja për krijimin e Serbisë së Madhe të pastër etnikisht, në të cilën do të
jetonin të gjithë serbët, ndërsa popujt e tjerë të asaj hapësire do të
shpërnguleshin e zhdukeshi, me dhunë shtetërore, me asimilim apo në forma
tjera. Këto ide hegjemoniste, fashiste e naciste serbomëdha pretendonin
pushtimin e Kosovës, Shqipërisë,
Bosnjes, Kroacisë, pjesë të Hungarisë, Rumanisë e Bullgarisë. Për Malin
e Zi mendonin se do t’ia bashkonin Serbisë pa problem, për shkak të popullsisë
serbe agresive të atij shteti, sikur e bënë në vitin 1918.
Kjo doktrine ideologjike,
filozofike dhe teologjike, e bazuar në vetëdijen mitologjike “Amaneti i
Kosovës”, “Svetosavle”, e në mite tjera
mesjetare, në dimensionin e vet teorik dhe praktik përfshinë edhe gjenocidin,
si metodë për realizimin e shtetit të pastër etnik serb, në të cilin do të
jetonin të lirë vetëm serbët, e në të
cilin nuk do kishte popuj joserbë!. Për realizimin e kësaj ideje, janë hartuar,
miratuar e zbatuar projekte, plane e akte të ndryshme shtetërore, kishtare,
kulturore e partiake, për luftëra, pushtime, gjenocid e pastrim etnik të
territoreve, dhe është zbatuar në kontinuitet prej Krizës së Lindjes (1875-78),
në luftërat ballkanike (1912/13), në Luftën e Parë Botërore (1914-1918), në
Luftën e Dytë Botërore (1941-1945), në luftërat e dekadës së fundit të
shekullit të kaluar (1991 – 1999), dhe në forma të ndryshme vazhdon edhe sot.
Sepse, elitat e përmendura kurrë nuk kanë hequr dorë nga ajo ide, sado që në
periudha të ndryshme është fshehur “nën rogoz”, për shkak të rrethnave të
papërshtatshme për veprim. Për
realizimin e këtij qëllimi janë formuar organizata, çeta e banda kriminale, për
të kryer krime e frikësuar popullatën joserbe në territoret e pushtuara, në mënyrë
që ajo të shpërngulej.
Kjo ide e këto programe,
përveçse në mite të rrejshme,
mbështeten edhe në gënjeshtrën e
përhapur, për rrezikimin e popullit serb që jeton jashtë shtetit të Serbisë.
Prandaj, lufta e tyre, “si popull i
rrezikuar është e drejtë”, sepse është luftë për mbrojtjen dhe bashkimin e “popullit hyjnor” në një shtet homogjen,
etnikisht të pasër serb.
Janë të njohura shumë
projekte, plane, promemorje, deklarata, proklamata, urdhëresa në zbatim të
kësaj ideje. Fillojnë me projektin bazë
serbomadh “Naçertanije” të ministrit të punëve të jashtme të Principatës
së Serbisë, Ilija Garashanin (1844), program ky që është mbajtur i fshehtë deri
në vitin 1906, për shkak se Serbia ishte nën pushtimin e Perandorisë Osmane.
Programi i Garashaninit përcaktonte detyrat për çlirimin e serbëve dhe të
sllavëve tjerë nga pushtimi Osman, dhe bashkimin në shtetin e Serbisë të
territoreve të Bosnje-Hercegovinës, Malit të Zi, Kosovës, Shqipërisë Veriore,
Maqedonisë, me “të drejtën historike” për restaurimin e Perandorisë së
Dushanit, të shekullit XIV. Parashihej gjithashtu edhe pushtimi i Sremit,
Banatës dhe Baçkës, të cilat ishin territore të Austrohungarisë. Kishte
pretendime edhe ndaj një pjese Rumanisë e të Bullgarisë.
Në frymën e atij programi
hegjemonist, fashist e nacist, në kohën e Krizës së Lindjes (1875-78), Serbia e
ndihmuar nga Rusia pushtoi tokat shqiptare të Sanxhakut të Nishit e
Jabllanicës, masakroi, kreu gjenocid dhe shpërnguli popullsinë shqiptare,
ndërsa Kongresi i Brlinit (1878) e njohu pavarësinë e shtetit të Serbisë me
tërë territorin e pushtuar.
Është pak e ditur në opinion
ekzistimi i njëfar “Kushtetute” apo “Rregulloreje” e një organizate terroriste
serbe, e quajtur “Crna ruka” (“dora e zezë), e formuar në vitin 1903, nga një
grup oficerësh serbë, e cila tubonte komitë, çetnikë e fallanga tjera
kriminale, për të kryer krime në popujt përreth: në Kosovë, Bosnje, Maqedoni,
me moton: “Bashkim ose vdekje”. Pjesëtarët e asaj organizate kanë krye krime
monstruoze gjatë luftërave ballkanike,
ndërsa dega e saj e quajtur “Mllada Bosna” kreu atenatin e trashëgimtarit e fronit mbretëror
të Austorhungarisë në Bosnje, Franc Ferdinandit ( 28.06.1914), që ishte
detonacion për shpërthimin e Luftës së Parë Botërore.
“ORJUNA” (Organizacija
jugoslovenskih nacionalista; shq. Organizata e nacionlistëve jugosllavë), më
vonë e quajtur “Obznana”, ishte organizatë ekstremiste, shoviniste e terrosite
serbe, dorë e zgjatur e pushetit të Serbisë për të kryer krime kundër
popujve joserbë në Jugosllavinë e pare (1918-1941).
“Promemorja për shpërnguljen
e Shqiptarëve”, të cilën e kishte paraqitur e lexuar Vasa Çubrilloviqi në
Klubin Kulturor Serb (1937), është dokument puro gjenocidal i ideologjisë
ekstreme naciste serbomadhe, për
shpërnguljen e shqiptarëve nga trojet e tyre. Ai kishte propozuar masat më brutale të cilat duhet t’i ndërmerrte
shteti: vrasje, përndjekje prej shtëpive, djegëjen e të lashtave, uzurpimin e
pasurive, rritjen e tatimit, frikësimin, presionin përmes gjykatave dhe
organeve tjera, dënimet, gjobitjet. Krahas këtyre masave, kishte propozuar që
në Kosovë e Dukagjin të vendosen kolonistë çetnikë, të shumtën malazezë, për ta
prishur qetësinë dhe homogjenitetin e popullates shqiptare. Parashihte
kufizimin e lindjeve te Shqiptarët. Në
arsyetimin dhe konkluzat e Promemorjes së tij, Çubrilloviqi shkruan:
“Arnautët është e pamundur të mposhten vetëm me procesin e kolonizimit. Ata
janë i vetmi popull i cili ka arritur që
njëmijë vjetët e fundit jo vetëm të qëndrojë në zemrën e shtetit tonë,
të Rashkës e Zetës, veçse edhe të shtyjë kuftijtë etnik në dëmin tone, kah Veriu dhe kah Lindja. Derisa kufijtë tanë
etnik kanë lëvizur kah veriu deri në Suboticë, e në veriperëndim deri në Krupë,
Arnautët na kanë shtyrë nga Lugina e Shkodrës, kryeqytetit të dikurshëm të
Bodinit, dhe nga Dukagjini e nga Kosova. E vetmja mënyrë dhe të vetmet mjete
(për t’i shpërngulur ata, v.j.) është dhuna brutale dhe e organizuar e
pushtetit shtetëror, forcë kjo që ne gjithnjë e kemi pasur më tepër se ata.”
Vasa Çubrilloviqi edhe më 3
nëntor 1944, i kishte paraqitur pushtetit të ri komunist elaboratin e tij të quajtur “Manjinski
problem u novoj Jugoslaviji” (Problemi i pakicave në Jugosllavinë e re). Ndër
të tjera, në Elaboratin e tij thotë: “Paqen dhe përparimin e Jugosllavisë
Demokratike Fedrative mund ta sigurojë vetëm pastrimi etnik (…). Gjermanët,
Hungarezët, Arnautët, Italjanët, Rumunët meritojnë humbjen e të drejtave
qytetare. Kosovën e Metohinë duhet t’i pastrojmë etnikisht ashtu që të
ndryshohet me themel përbërja etnike (…). Ndoshta kurrë më nuk do ta kemi rastin
e volitshëm që ta bëjmë shtetin tonë etnikisht të pastër. Nëse referati im i
kontribuon sadopak këtij qëllimi, konsideroj se e ka kryer detyrën”, përfundon
elaboratin e tij ai racist e nacist, i cili për këso punësh e meritash u
avancua në akademik të AShAS!
Lideri çetnik Stevan
Moleviq, në programin e tij të quajtur “Homogena Srbija” (Serbia homogjene), 30
qershor 1941, kishte përpunuar në hollësi planin e krijimit të “Serbisë së
Madhe”, në territorin e Mbretërisë së Jugosllavisë. Sipas tij, Serbia duhej të
përfshinte të gjitha pjesë e asaj Jugosllavie, në të cilat jetonin serbët, të
përzejë të gjithë ata që nuk
janë serbë dhe të krijohet shteti etnikisht i pastër serb. Në ambicjet e tij
shkonte edhe më larg: Serbia duhet të pushtojë edhe ato vende ku nuk ka serbë,
apo në të cilat nuk e ka “të drejtën historike”, por që i konsideron me interes strategjik.
Për realizimin e interesave serbe, gjithçka është e lejueshme dhe këtu nuk
vlejnë kurrëfarë rregullash. Ai pretendonte që Serbia e Madhe, etnikisht e
pastër, të siguronte daljen në det.
Drazha Mihajlloviq,
udhëheqësi i aradhave çetnike, të quajtura “Jugoslovenska vojska u Otadzbini”
(Ushtria Jugosllave në Atdhe), dhe popi famëkeq Momçillo Gjujiq, në një
dokument të quajtur “Instrukcije
komandanta…” (20.XII.1941), iu kishin shpërndarë aradhave të tyre çetnike
instruksione se si të vepronin në terren. Në ato instruksione kishin përcaktuar
qëllimet: 1) Lufta për çlirimin e tërë popullit serb, që duhet të vëhet nën
pushtetin e Krajl Petri II; 2) të formohet Jugosllavia e Madhe, e brenda saj
Serbia e Madhe, etnikisht e pastër, duke përfshirë Serbinë, Malin e Zi,
Bosnje-Hercegovinën, Sremin, Banatën dhe Baçken; 3) Çlirimin (lexo: pushtimin)
e Trieshtës, Goricës, Istrës e Korushkës, Bullgarisë dhe Shiqpërisë Veriore me
Shkodrën; 4) Pastrimi etnik i territorit të Serbisë së tillë nga të gjitha
pakicat kombëtare; 5) Të pastrohet Sanxhaku nga popullsia Muslimane dhe
Bosnje-Hercegovina nga popullsia Muslimane dhe Kroate!
Në realizimin e atyre
instruksioneve, aradhat çetnike kanë kryer krimet më monstruoze ndaj popullsisë
Boshnjake në BH, por edhe ndaj Shqiptarëve në Kosovë.
Nacional-shovinizmi e
klerofashizmi serb kurrë nuk ka heqë dorë nga ato programe ogurzeza, vetëmse ua
ka përshtatur kohës, kushteve e rrethanave, por qëllimet kanë mbetur të njëjta
në tërë kontinuitetin e tyre, madje të mbështjellura me autoritetin
institucional të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Serbisë, të Kishës
Ortodokse Serbe, të Shoqatës së Shkrimtarëve të Serbisë, të Qeverisë dhe të Kuvendit
të Serbisë e Jugosllavisë.
Nuk ka popull në botë që di
të gënjejë e të ankohet gjoja se po rrezikohet nga të tjerët, sikur populli
serb dhe elitat e tij. Në këtë frymë, Akademia e Shkencave e Serbisë e përhapi
Memorandumin e saj, me moton se populli serb është i rrezikuar fizikisht,
ekonomikisht, kulturalisht. Memorandumi u publikua, gjoja rastësisht, në
gazetën “Vecernje Novosti” (24.09.1986). Mbi të gjitha absurdet e tjera të atij
pamfleti të akademikëve senilë, qëndron absurdi që thotë se në “Kosovë e Metohi
po zhvillohet gjenocid i hapur mbi Serbët e Malazezët”, ndërkohë që ato
minoritete në Kosovë gëzonin privilegje të papara në botën demokratike. Në
kapituj të veçantë Memorandumi “ankohet” se kriza në Jugosllavi është shkaktuar
nga pozita më e favorshme e Sllovenisë dhe Kroacisë, të cilat po e shfrytëzojnë
Serbinë në aspektin ekonomik; se Serbia është e ndarë në tri pjesë, mbi të
cilën sundojnë krahinat (Kosova e Vojvodina), gjë që këtë republikë e blokojnë,
që s’mund të merr vendime vitale; serbët me dhunë kanë hyrë në Jugosllavi, në
të cilën po iu bëhet padrejtësi, ndonëse më së tepërmi kanë derdhur gjak për
këtë shtet; se vetëm Serbia nuk i ka të definuar kufijt e saj, e broçkulla tjera si këto. Për t”ia “lidhë lmezët” daljes
prej situateës në të cilën gjendet Serbia, akademikët propozojnë “integrimin e
kombit serb në tërë hapësirën e RSFJ, gjë që është pretendim i haptë për
Serbinë e Madhe. Shumëkush Memorandmin e AShAS (1985) e konsideron si akt
fillestar i shpërbërjes së përgjakshme të Jugosllavisë, krimeve e gjenocidit të
kryer nga forcat serbe kundër Boshnjakëve, Kroatëve e Shqiptarëve, krime ato që
i ka gjykuar mbarë opinion ndërkombëtar dhe Tribunali i Hagës, krime që e
detyruan edhe NATO-n të luftojë forcat serbe e t’i përzejë nga Kosova.
Memorandumi
2 i AShAS
Nacional-shovinistët serbë
nuk mblodhën mend, nuk u penduan për krimet që kryen, as nuk hoqën dorë nga
ideja e Serbisë së Madhe. Vetëm ia përshtatën aktet dhe aktivitetet kushteve e
rrethanave të reja.
Me moton: “atë që kemi humbur
në luftë, duhet ta kthejmë në paqe”, ide këtë që e ka formulua Dobrica Qosiq
(1993), AShAS e ka hartuar Memorandumin 2, përshtatur kushteve të reja. Ai
Memorandum është një akt intern, i pa publikuar zyrtarisht, por që ka rrjedhur
në opinion përmes kanaleve të fshehta, nga vet Kabineti i ish-kryeministrit të
Sebisë, Cvetkoviq, e të cilin e ka siguruar gazeta boshnjake “Slobodna Bosna”,
në mars 2011. Me vazhdimin e ëndrrës për krijimin e Serbisë së Madh,
Memorandumi 2 përmban programin, qëllimet strategjike dhe metodat e veprimit në
kushte të reja. Kështu, Memorandumi 2 përcakton se duhet:
-Të zvogëlohet përgjegjësia
e Serbisë për krimet e kryera dhe shkatërrimet, ashtu që duke ngritur akuza e
fletarreste dhe procese gjyqësore të montuara kundër qytetarëve të B-H,
Kroacisë dhe Kosovës, të vihet në pozitë të barabart me shtetet përreth;
-Të çvendoset vëmendja e
mediave rajonale dhe atyre ndërkombëtare nga proceset e zhvilluara në
Tribunalin e Hagës,
-Bosnje-Hercegovina, Kroacia
dhe Kosova të detyrohen të heqin dorë nga paditë e tyre para gjykatav
nërkombëtare;
-Me aksione pendese ta vejmë
Serbinë në pozitë të barabart me shtetet e tjera të rajonit;
-Të insistohet në mbylljen e
Tribunalit të Hagës dhe që gjykimi i
Mlladiqit të bëhet në gjykatat vendore;
-Të destabilizohen qeveritë
e shtetev fqinje, të provokohen trazira të brendshme dhe paknaqësi dhe të
topitet tehu i akuzave kundër Serbisë
-Të insistohet në shkëputjen
e Republika Srpska;
-Të insitohet për fitimin e
statusit konstituiv të Serbëve në Kroaci, në Mal të Zi dhe në Kosovë dhe të
bëhet transicioni i bashkësive të serbëve në shtetet e rajonit në Bashkësi
Panserbe;
-Të pengohet ndarja e
Vojvodinës, të pengohet rajonalizimi i Serbisë dhe të pengohet veprimi i
Bashkësisë Islame në Sanxhak.
Autorë të këtij pamlfeti
janë Dobrica Qosiq, Lubomir Tadiq e Matija Beçkoviq. Memorandumi u është dorëzuar anëtaraëve të Qeverisë së
Serbisë, udhëheqësve tjerë shtetërorë, me siglën: “Të mos shpërndahet” (për
opinion, v.j.). Për zbatimin e këtij Memorandumi kishin shpresë të madhe në
Boris Tadiqin, atëherë kryetar i Serbisë, e që është djali I Luba Tadiqit,
njenit nga autorët e Memorandumi.
Kush nuk e vërenë se
politika dhe pushteti i Serbisë është kah i zbaton me përpikëri qëllimet e përcaktuara në atë Memorandum, e
për krijimin e Serbisë së Madhe, është i
verbër nga sytë dhe i shurdhër nga veshët!