Mendime
Ilir Çumani: Tregimi i Kadri Roshit dhe turpi që nxjerr cullak klasën tonë politike!
E enjte, 01.06.2023, 06:57 PM
TREGIMI I KADRI ROSHIT DHE TURPI QË NXJERR CULLAK KLASËN TONË POLITIKE!
NGA
ILIR ÇUMANI
Vite
më parë, aktori i madh i skenës dhe i ekranit shqiptar Kadri Roshi, pati një
takim me simpatizantët e tij dhe artëdashësit në qytetin e Lushnjës.
Në
atë takim të përzemërt që zhvillohej në sallën e kinoteatrit të atij qyteti, ai
do të rrëfente para publikut të pranishëm një ndodhi që vinte qysh nga koha e
viteve të fundit të rregjimit komunist.
Ishte
një ndodhi, si shumë prej ngjarjeve dramatike dhe groteske që i prodhonte me
shumicë ajo kohë e çmendur, e mbushur me paradokse absurde dhe të çuditshme.
Asokohe,
e gjithë shoqëria shqiptare ishte e detyruar të jetonte në shkelje të
dinjitetit njerëzor, përmes një modeli jetese me rregulla të kufizuara e
barazitiste, me të njëjtin standard jetese për secilin.
E
gjitha kjo, ndërtoi status-quo’në e një shoqërie të frustuar e të frikësuar, e
zhytur thellë e më thellë në një mjerim antivlerash dhe skamjeje, e lodhur dhe
e drobitur në një varfëri ekstreme me triska e tollona të racionuara ushqimore.
Përmes
rrëfimit krejt origjinal e me nota të theksuara sarkastike, narrativa e Kadri
Roshit në atë takim me simpatizantët e tij, merrte jo vetëm nuanca humori nga
përshkrimi i situatave dhe rrethanave të ngjarjes, por më së shumti përcillte
edhe një mesazh tek të gjithë të pranishmit në atë sallë të madhe, ku hera
herës pati ilaritet dhe të qeshura që shoqëroheshin pafund me brohoritje e
duartrokitje frenetike për aktorin e madh.
Aktori
rrëfeu se si një brigadier në një ish ndërmarrje të peshkimit në Lagunën e
Karavastasë së Divjakës, së bashku me brigadën e tij të peshkatarëve zinin çdo
ditë peshk për furnizimin e popullatës.
Kjo
ishte puna e përditshme që bënin punonjësit e asaj ndërmarrjeje shtetërore
peshkimi.
Kur
gjuetia për peshkim shkonte mbarë, e gjitha sasia e peshkut mblidhej e soditej
nga vështrimet e gëzuara dhe fytyra të qeshura të brigadës së peshkatarëve.
Suksesit
të tyre i bashkoheshin të gjithë banorët e pranishëm atje, të cilët i gëzoheshin fryteve të punës të një dite
tejet të lodhshme, që në fund të fundit i gjithë mundi u punëtorëve të
peshkimit i’a kishte vlejt.
Pas
përfundimit të gjuetisë, përpara se të bëhej bilanci i normës në fund të ditës
dhe të sitemohej peshku në arka për tu shpërndarë për konsum në popull përmes
rrjetit të njësive të tregëtimit, fillimisht brigadieri së bashku me të tijët,
një pjesë jo të vogël të sasisë së peshkut e ndanin mes vetes së tyre.
I
pari që nuk i përmbahej gëzimit dhe binte në sy të të gjithëve ishte brigadieri
i ndërmarrjes së peshkimit.
Ishte
një burrë shtatlartë, me mustaqe, me barkun e madh dhe mollëzat e faqeve që i
kuqëlonin nga shëndeti i tepërt, i cili, gjithë neps e babëzi i shqyente sytë
nga peshku i zënë prej peshkatarëve.
Ai,
prej tundimit, e niste refrenin e përditshëm duke drejtuar gishtin tregues tek
peshku më i madh mes belbëzimit ndër dhëmbë:
“Ky
peshku i madh fare është për mmmuuuu….! Edhe ky tjetri më i madh është për
mmmuuuu….! ….Edhe ai tjetri që është pak më tutje është për mmmmuuuuu….!”
Brigadierit
trupmadh, s’i ndalej që s’i ndalej prej gojës fjala “mmmuuuuu….!”
Nuk
lodhej e nuk lodhej së përzgjedhuri, deri sa të gjente edhe peshkun e fundit të
madh, duke lënë për arkat që priteshin të mbusheshin dhe të çoheshin për tu
shpërndarë në popull vetëm peshqit e vegjël dhe cironkat….
Njëri
nga të pranishmit që e ndiqte atë skenë groteske, del si më i guximshëm nga të
tjerët dhe i thotë brigadierit:
“Aman,
o shoku brigadier, të mbeti goja duke thënë vetëm “mmmuuuuu…!!!”
Edhe
lopa që është lopë, gjithmonë bën “mmmuuuu….”, por të paktën ajo na jep çdo
ditë qumësht që të hamë të gjithë….!”
“Po
pse jam brigadier”, - i’a priti brigadieri barkmadh me faqet shend e verë.
Ç’farë
pret nga unë, që të them: “Tyyyyyy….!?”
Në
sallë plasi e qeshura dhe duartrokitjet nuk pushonin…
Kjo
rrëfenjë e gjigandit Kadri Roshit më erdhi në mëndje për të disatën herë gjatë
këtyre ditëve, kur më datën 25 maj 2023, në seancën e Parlamentit shqiptar
ndodhi diçka e pazakontë në historinë e
parlamentarizmit shqiptar, i cili nxorri cullak anën jo njerëzore dhe aspak
empatike të një klase të tërë politike.
Ishin
mbledhur si asnjëherë tjetër deputetët e të gjitha krahëve politike, për të
miratuar (rrufeshëm pas zgjedhjeve) me një urgjencë të çuditshme paketën e
ligjit për “Reformën e Pagave” në Republikën e Shqipërisë.
Së
pari, për të qenë i sinqertë, dëshiroj publikisht të jem i qartë lidhur me këtë
çështje kaq sensitive dhe me interes publik.
Personalisht,
nuk kam qenë dhe nuk jam kundër rritjes së pagave, si për anëtarët e qeverisë
ashtu edhe për deputetët, ministrat dhe drejtuesit e rëndësishëm në të gjitha
nivelet e institucioneve tona (edhe pse këto kategori, para miratimit të ligjit
për dyfishimin e pagave) në raport me nivelet e tjera në hierarkinë e pagave
shtetërore, kryesonin listën e më të mirëpaguarve.
Për
administratën puplike jo dhe jo, pasi ata janë truri që vë në lëvizje motorin e
zhvillimit ekonomik të vendit dhe jo vetëm. Madje, kjo do të duhej të kishte
ndodhur edhe më herët për këtë kategori.
Një
tjetër arsye mjaft domethënëse e bën legjitime të gjithë kontestimin dhe
mosdakortësinë e shumicës së shqiptarëve, që me të drejtë ka ngjallë një
revoltë masive në opinionin e gjerë publik lidhur me aktin e pashembullt të
asaj që ndodhi të enjten e javës së shkuar në sallën e Parlamentit Shqiptar.
Miratimi
i “Ligjit për xhepin e deputetëve dhe ministrave”, (siç ka nisur të quhet
rëndom ajo që ndodhi në sallën e Parlamentit shqiptar më dt. 25 maj, 2023), ka
të bëjë me mungesën e transparencës.
Ngase
u morr një vendim ekstremisht i ç’balancuar dhe në disproporcion me kushtet e
realitetit shqiptar, ku si rrallë herë, të gjithë deputetët nxituan dhe u bënë
bashkë për ta votuar me shpejtësi dhe në unanimitet të plotë atë ligj.
Ai
ligj vjen në një kontrast të plotë në raport me të ardhurat ekonomike fare
modeste të shumicë së qytetarëve shqiptarë.
Madje
të ardhurat që ata kanë, në të shumtën e
rasteve janë të pamjaftueshme për të përballuar koston e minimumit jetik.
Buxheti
i shtetit mbahet me taksat, të cilat i delegohen dhe i mirëbesohen qeverisë dhe
shtetit nga qytetarët shqiptarë që janë jo vetëm votues, por edhe taksapagues
të financave publike.
Ato
taksa, mblidhen në mënyrë periodike nga qeveria, me qëllim për ti
mirëadministruar dhe për t’ua kthyer sërish qytetarëve jo vetëm përmes
investimeve publike, programeve zhvillimore dhe fuqizimit të politikave
ekonomike në funksion të rritjes së mirëqënies të qytetarëve, por edhe për ti
shpërndarë ato në mënyrë të drejtë dhe të ndershme.
E
njëjta gjë duhet të ndodh edhe me pagat në të gjithë hierarkinë e administratës
publike dhe shtetërore.
Rritja
dhe shpërndarja e pagave duhet bërë në mënyrë graduale dhe ciklike, periudhë
pas periudhe, e mirëstudiuar dhe e vlerësuar në përshtatje me realitetin dhe
kushteve të zhvillimit ekonomik të vendit.
I
gjithë ky proces bëhet për të mbrojtur dhe mbajtur të shëndosha jo vetëm
themelet e ekonomisë, por duke mbajtur në këmbë edhe shtyllat kryesore të
kohezionit social, (mbrojtjen dhe fuqizimin e politikave mbështetëse për
shtresat në nevojë dhe ato më të dobëta të shoqërisë, për pensionistët,
personat me aftësi të kufizuar, invalidët, të moshuarit e braktisur, fëmijët pa
kujdesin prindëror, jetimët, etj).
Politikat
dhe reforma e pagave duhen zbatuar në mënyrë proporcionale, në raport të drejtë
jo vetëm me nevojat dhe mundësitë finaciare të shtetit, por edhe me kontributet
reale dhe meritat e gjithsecilit, ku në fund të fundit duhet të prevalojë
meritokracia, por edhe drejtësia sociale.
Në
librin e tij “Çmimi i pabarazisë”, profesori i ekonomisë me origjinë nga
Indiana-SHBA, Nobelisti Joseph Stiglitz, analizon dhe paralajmëron njëkohësisht
se: “thellimi në ndarjet sociale rrezikon të ardhmen duke nxitur krizat dhe
kolapse financiare…”
Kjo
do të thotë që, jo vetëm Presidentit të Republikës, Kryeministrit, anëtarëve të
kabinetit qeveritar, deputetëve dhe funksionarëve të tjerë shtetërorë, por edhe
qytetarit më të thjeshtë të këtij vendi, i mundur apo i pamundur, t’ju
garantohet përmes një legjislacioni bashkëkohor një siguri dhe mbrojtje e
balancuar sociale, që buron si një e drejtë themelore universale për një jetë
të dinjitetshme për të gjithë, duke i shmangur nga kthetrat e varfërisë që
shpesh herë dhe rëndomë këto kategori bien pre e saj, pikërisht prej këtyre
vendimarrjeve të nxituara dhe disbalancave që prodhon politika për interesa të
një pakice që sundon mbi shumicën.
Kjo
është një praktikë mjaft e njohur kudo në botën e qytetëruar, e mbrojtur nga
Konventa të ndryshme Ndërkombëtare, ku mbi gjithçka dhe mbi çdo gjë prevalon
dhe duhet të prevaloj vetëm Ligji, i sanksionuar në Preambulën e çdo kushtetute
të vendeve të lira dhe demokratike.
Në
një shoqëri dhe sistem demokratik, ku shteti i së drejtës funksionon në mënyrë
normale, në çdo rrethanë dhe në çdo situatë duhet të prevaloj mbi gjithçka dhe
mbi çdo gjë parimi universal i të drejtës për të qenë jo vetëm të barabartë
para ligjit, por të barabartë edhe në të drejtën njerëzore për të bërë një jetë
të dinjitetshme.
Në
debatin e seancës për shqyrtimin dhe miratimin e paketës ligjore “Për piramidën
e pagave” në Republikën e Shqipërisë, askush nga deputetët nuk solli argumenta
bindëse për të legjitimuar këtë vendim absurd dhe krejt të sforcuar për
dyfishimin e pagave të deputetëve, ministrave dhe kategorive të tjera, deri
në nivelet më të larta në hierarkinë e
shtetit.
Argumenti
i vetëm që i përbashkonte deputetët e të
gjitha krahëve politike duke mëtuar në një qëndrim të unifikuar ishte se e
gjitha kjo kishte të bënte me “dinjitetin e figurës së deputetit”, por vetëm
kaq!
Ky
qëndrim në unison i deputetëve të Parlamentit Shqiptar, më solli në vëmendje
veprimin e ish Kryeministrit të Kosovës z. Ramush Haradinaj, i cili, sapo mori
drejtimin e qeverisë, më dt. 20 dhjetor të vitit 2017 merr një vendim për
dyfishimin e rrogës së tij nga 1.500 euro në 3000 euro.
Nga
ky vendim përfitonin të gjithë anëtarët e kabinentit të ri qeveritar që sapo
kishte formuar z. Haradinaj, vendim, që me të drejtë revoltoi masën e madhe të
qytetarëve të varfër të Republikës së Kosovës.
Kategori
të ndryshme të shoqërisë kosovare reaguan me protesta civile masive kundër
qeverisë.
Pyetjes
së gazetarëve se ku e kishte bazuar marrjen e këtij vendimi, z. Haradinaj i’u
përgjigj se kjo ishte një gjë normale, ngase i nevojitej një rrogë më e madhe
për të mundësuar blerjen e kravatave dhe kostumeve, pra, i nevojitej një veshje
më serioze me anë të së cilës i duhej një Kryeministri që ai të prezantohej me dinjitet në të gjitha
takimet zyrtare dhe ndërqeveritare….(!!!)
Me
ardhjen në pushtet të Kryeministrit të ri të Kosovës z. Albin Kurti, në shkurt
të vitit 2020, ky i fundit e zhbëri vendimin e paraardhësit të tij, duke e përgjysmuar
përsëri rrogën e Kryeministrit dhe të të gjithë ministrave në kabinetin e ri
qeveritar.
Ky
ishte një akt i përgjegjshëm jo vetëm politik, por në radhë të parë njerëzor
dhe qytetar i një politikani vizionar, të përgjegjshëm dhe me integritet të lartë,
që me shumë gjasa nuk mund të ndodh e njëjta gjë edhe me përfaqësuesit e klasës
tonë politike.
Ajo
që ndodhi në sallën e Kuvendit të Shqipërisë të enjten e dt. 25 maj, 2023, as
më shumë dhe as më pak, të kujton historinë e rrëfyer nga aktori Kadri Roshi,
me atë Brigadierin e panginjur të ndërrmarrjes së peshkimit në kohën e
komunizmit, i cili, peshkun e madh e mbante për vete ndërsa cironkat i linte
për popullin.
Por,
le të kthehemi në debatin e së enjtes së shkuar në Parlamentin Shqiptar. Në
fjalën e tij, deputeti i PD z. Dashnor Sula, me të drejtë e kundërshtoi
miratimin e Projekt Ligjit për miratimin e dyfishimit të pagës së deputetëve
dhe të ministrave, duke artikuluar në diskursin dhe retorikën e tij faktin se,
e gjitha kjo që po tenton shumica absolute e ligjvënsve është një veprim i
pandershëm, aspak me natyrë humane.
Ky
veprim, tha deputeti opozitar, vjen në kundërshtim me realitetin ekonomik, ku
shumica e qytetarëve po përballen sot me varfërinë, që nuk mundin t’ia dalin as të mbyllin muajin me rrogat
qesharake që ata marrin, ndikuar kjo edhe nga efektet negative që ka shkaktuar
inflacioni në rritjen e çmimeve për shumë artikuj bazë ushqimorë.
Z.
Sula, shkon edhe më tej në fjalën e tij duke protestuar me një deklaratë
populiste se, nëse Parlamenti do ta miratonte paketën ligjore, referuar veçmas
dyfishimit të pagës së deputetit, shtesën e gjysmës së rrogës së tij, do t’ia
“dhuronte për dy vjet Shoqatës së jetimëve në Peqin”.
Në
gjykimin tim, është e papranushme, e pasinqertë dhe e padinjitetshme për një
deputet që Foltoren e Parlamentit e përdorë me një retorikë kaq bajate
populiste, me synimin e vetëm për qëllime të pastra utilitare dhe politike!
Përse e them këtë…?!
Z.Sula
është deputet i Parlamentit Shqiptar prej katër legjislaturash, që nga viti
2009.
E
pyes publikisht se, a ka dijeni ai që jetimët në vendin tonë, (në veçanti
fëmijët jetimë në Peqin ku ai është deputet), prej vitesh dhe në mënyrë të
pandryshueshme (edhe para se ai të hynte për herë të parë si deputet në
Parlament), jetojnë me atë që marrin nga shteti si “ndihmë ekonomike”, vetëm me
një lëmoshë qesharake, mjaft denigruese dhe fyese që është në masën 18 DSD në
muaj….!?
A
ka dijeni deputeti i Peqinit që jetimët familjar me “Status Jetimi”, prej
vitesh e dekadash dhe në mënyrë të pandryshueshme marrin një lëmoshë nga shteti
vetëm 30 USD në muaj si “ndihmë ekonomike…!?”
Ç’farë
nisme dhe çfarë lëvizje politike ka ndërmarrë atje në sallën e Parlamentit ky
deputet dhe të ngjashmit e tij kur dikur ishin në pozitë dhe sot në opozitë,
për të korrigjuar këtë padrejtësi të paimagjinueshme të një endeku të frikshëm
social…!?
Ç’farë
përpjekje ka bërë si prind, si qytetar dhe politikan, me synim për të
ç’rrënjosur këtë turp dhe krim të shëmtuar social që rëndon në ndërgjegjen e
një klase të tërë politike, si nga e majta ashtu dhe nga e djathta, me qëllim për të ndryshuar e përmirësuar të
gjithë kuadrin ligjor dhe për t’ju garantuar fëmijëve jetim të Peqinit dhe
31.000 fëmijëve jetim në mbarë Shqipërinë një jetë të dinjitetshme, një fëmijëri
normale e të qetë, si të gjithë bashkëmoshatarët e tjerë….!?
Jetimët
e vendit tim dhe të vendit tënd i nderuar z.deputet, prej më shumë se tre
dekada mbajnë mbi shpatullat e tyre të njoma dramën më të madhe të mbijetesës
dhe pafajësinë që e kanë vetëm krijesat më të dobëta, më të pambrojtura të
shoqërisë.
Ata
nuk kanë nevojë për lëmoshën tuaj, as për lëmoshën e ndonjë deputeti tjetër,
sepse në fakt, ju dhe vetëm ju jeni arsyeja dhe shkaku kryesor i dramës së
tyre, për varfërinë e tyre kronike në luftën e përditshme që e bëjnë të vetëm
në këtë botë të egër dhe pa dashuri….
Ngase
jetimët jetojnë në një Shqipëri të padhembshur, në atë Shqipëri që ka modeluar
në këto tre dekata sipas interesave të saj ajo pjesë jo e vogël e klasës
politike e papërgjegjshme dhe e korruptuar, ndaj dhe këta jetim nuk mund t’i
shpëtoj as “lëmosha” e deputetit Sula dhe as lëmosha e të gjithë deputetëve të
marrë së bashku.
Jetimët
e Peqinit dhe të mbarë Shqipërisë nuk janë lyparakë dhe as të pa dinjitet. Ata
e neverisin dhe e përçmojnë lëmoshën publike që u serviret nga kushdo dhe
cilido...
Jetimët
i shpëton vetëm një Atdhe më i mirë, një Shqipëri më e dashur, më e dhembshur
për të gjithë, pa politikanë mediokër që në fytyrat e tyre kanë vetëm maskën e
cinizmit dhe të hipokrizisë…
Ata
i shpëton nga kthetrat e mjerimit dhe të
varfërisë vetëm një vullnet i mirë politik, që duhet të burojë në mënyrë
organike nga një klasë e re politike, e vetëdijshme dhe e përgjegjshme
njëkohësisht për misionin që mbart, e përfaqësuar nga njerëz të mençur dhe të
zot, patriotë e atdhetarë të mirë, të
urtë dhe të ndershëm, empatik dhe zemërdhembshur, që nuk e keqpërdorin
politikën dhe postin si bankomat për të rritur pagat e tyre të majme duke u pasuruar në kurriz të shumicës, të më të
varfërve dhe më të dobtëve.
Së
fundi, jetimët i shpëton një legjislacion i fuqishëm që i mbron nga të gjitha
cenet dhe plagët sociale, krimi dhe droga, shfrytëzimi dhe prostitucioni,
fenomene të shumta dhe të përhapura që i vuan sot e gjithë shoqëria jonë.
Por,
derisa të vijë ajo ditë, po e mbyll me një thënie të shkrimtarit tonë të shquar
Ismail Kadare, i cili me të drejtë thotë se: “Shqipëria ndodhet sot në nivelin
më të keq të ndotjes morale që ka njohur ndonjëherë. Nga kjo gropë ajo ose
duhet të dalë me ngut, ose do të fundoset përgjithmonë”.