Mendime
Fritz Radovani: Plot 100 vjet porosi e Luigj Gurakuqit
E premte, 28.04.2023, 07:51 PM
Pergatiti Fritz RADOVANI:
PLOT
100 vjet POROSI E
LUIGJ GURAKUQIT
Në PRAG Të VOTIMEVE
14 MAJI 2023 !
Bazat e bashkpunimit ndërmjet Shqiptarëve
Muhamedanë e të Krishtenë.
Arësyet ma të para e ma të forta që
armiqtë e një Shqipnie të lirë e më vete kanë përdorë ma shpesh për me
kundërshtue që nga fillimi Lëvizjen tonë Kombëtare, kanë kenë këto: “Shqiptarët
nuk mund të lirohën, Shqiptarët nuk mund të ndërtojnë një Shtet që të kenë jetë
të gjatë, që të organizohët e të përparojë, mbasi nuk kanë ndjesi kombëtare,
tue kenë se janë të ndamë në tre besime të ndryshme.”
Këto fjalë përsëriteshin, kjo propagandë
ngatrrestare lejohej si mbrenda, si jashtë Shqipnisë. Por, Prisat tonë, – ata
që, nga ma të parët, rrokën Flamurin Kombëtar në dorë dhe nisën luftat për
liri, – nuk u dobësuen as nuk u trembën fare prej kësaj profetije ogurzezë, tue
kenë se njihnin thellë shpirtin e butë të vëllazënve të vet, e dinin mirë sësa
janë të lidhun për gjuhën e, sësa kryenaltë janë Shqiptarët për vend e kombësi
të vet. E, nuk u gënjyen; provat i kemi në shesh.
Idea e gjuhës dhe e kombësisë triumfoi mbi
të gjitha pengesat.
E, me të vërtetë, lidhja e besimit me
Shtetin që na sundonte, nuk i rudhi aspak Muhamedanët Atdhetarë me kërkue ndamjën
e Shqipnisë nga Turqia. Edhe të Krishtenët, ndonse e dinin mirë se Shqipnia
Etnografike, që ata andërronin të lirë do të kishte një shumicë tepër të madhe
Muhamedane, nuk e morën fare parasyshë këte punë e, as nuk i dhanë rendësi
konseguencave të saja.
Vazhduen, pra, së bashku, si vëllazën që
ishin, e me zellë ditë përditë ma të ngrohtë e me guxim herëpërherë ma të madh,
vëprimin dhe luftën për gjuhë, për kombësi, për liri; e disa prej tyne patën
edhe fatin e bardhë me e pa të realizuem idealin e vet e me gëzue edhe frutët e
teorive të veta.
Në kohët e para të Pavarësisë sonë ndodhën
me të vërtetë disa ngjarje të këqija, të cilat u dukën përnjëherë se po u
epëshin të drejtë profetëve ogurzezë. Kundërshtarët e Shqipnisë së lirë, të
mbrendshëm e të jashtëm, u tërbuen prej gëzimit e besuen për një minut, në
fitorën e mendimëve e qellimëve të veta; por veteranët tonë me gjithë mjerimin
që ju ndjeu zemra, nuk e humbën besimin as shpresën në fatin e Atdheut. E patën
të drejtë. Mù në mes të trazimëve shpirti i butë i Popullit Shqiptar u shque ma
shumë se kurrë; e, lidhjet e gjuhës, të gjakut dhe të kombësisë nuk vonuen me
dalë ngallnjyese mbi lëvizjet e ngatërresat jetëshkurta.
Po të marrim parasyshë konditat e vështira
e rrëthanat anormale ndërmjet të cilave lindi Shqipnia, nuk duhët të çuditemi
aspak për këto ngatërresa e trazime, as t’ ia ngarkojmë të gjitha influencës së
besimëve.
Kur ta mëndojmë Shqipninë, të cungueme nga
pjesët e saja ma të mira, me kufinjë të përcaktuem e të çthurun, me tokët e
pushtueme nga ushtritë e huaja e me një Komision kontrolli Ndërkombëtar mbi
kokë, duhët të mbrekullohemi sësi Populli i sajë, ka mundë ta mblidhte vetën e,
sësi nuk ka vdekë përpara se të fillonte me rrojtë!
Përsa i përket, tashti, çeshtjës fetare e
kundërshtimëve që mund të ngjajnë ndërmjet besimëve të ndryshme, mund ta thomi
me krye nalt se edhe në këte pikë nuk kemi arësye të kjajmë, pikërisht, ma
shumë të gëzohemi e të shpresojmë në të mirën. Që mos të duket se kënaqem vetëm
me shpresa e se, në mungesë argumentësh ma të sigurt jam tue u mundue me
rreshtue vetëm fjalë të bukra për ti ba qejfin njenit apo tjetrit, kësaj herë
do të sjelli një shembull tue e marrë prej Irlandës.
Po të krahasojmë gjendjën shoqnore t’Irlandës
me ate të Shqipnisë, e po të masim shkallën kulturore të Popullit të sajë me
ate të Popullit tonë; e po të kujtojmë mandej, se banorët e Ulster-it nuk duen
të ndahën nga Ingilterra e të lidhën me shumicën e vëllazënve të vet Katolikë,
për me kërkue sëbashku lirinë e plotë t’Atdheut, vetëm nga shkaku se janë
Protestant, duhët të përfundojmë tue pohue pa frikë kundërshtimi, se ndryshimi
i besimit sjellë pengesa shumë ma të mëdha në Irlandën e qytetnueme e të
përparueme, sësa në vendin tonë të mjerë.
Në këte pikëpamje, Kombi Shqiptar ep me të
vërtetë një shëmbull të shkëlqyeshëm vëllaznimi e butësije shpirti, sa që rallë
se gjindët tjetërkund!
Përpara se të përfundojmë, po ju, pyes: Si
do të sillën, si do të rregullohën Shqiptarët që të mundën me bashpunue lirisht
për të mirën e Atdheut, që të largojnë çdo shkak konflikti e të mos ndeshën në
asnjë pengesë sado të vogël që mund të rrjedhë nga ndryshimi i besimëve?
Unë s’jam aspak me ata që mendojnë se në
një mënyrë a në një tjetër, me të butë a me të fortë, duhet të shuhën besimet
për me largue konfliktët që mund të shkaktojnë. Përveç, çeshtjes që feja i
përket ndërgjegjës së njeriut, feja asht një gja e mirë se asht një ndihmë e
madhe për jetën e kësaj Bote.
Parimet e fesë të ndjekuna mirë i bajnë
njerëzit qytetarë të ndershëm, i mësojnë që ti shërbejnë Atdheut, që t’ju
shtrohën ligjëve të Shtetit. Unë besoj, se qellimi i dëshruem, domethanë, nëse
në mes besimëve largojmë konfliktët,
mund të arrihët lehtë e vetëm e vetëm, tue sigurue me ligjë të drejta e të
barabarta lirinë e nderimin e besimëve, e tue ndalue që Shteti të përzihët në
punët e tyne.
Ndëhymja e Shtetit në çeshtjet fetare jo
vetëm që asht e padrejtë por, sidomos, në Shqipni, mund të dalë edhe fort e
rrezikëshme. Po të fillojë e të përzihet Shteti në punët e njenit apo të
tjetrit besim, për të mirë a për të keq, sidoqë të jetë, do të prishet
menjëherë ekujlibri ndërmjet tyne, do të shkaktohën hidhërime e pakënaqësi, do
të sjellin si rrjedhim vështirësi e ngatërresa.
Tue kenë kështu punët, arrijmë vetvetiu në
këte përfundim, që bazat e bashpunimit ndërmjet Shqiptarëve Muhamedan e të
Krishtenë duhët të mbetën gjithënjë ato të parat e, duhët të jenë këto: Njësia e Atdheut, bashkimi i kombësisë,
lidhja e gjakut dhe e gjuhës; ide këto, që janë përshkue nëpër provën e zjarrit
dhe kanë dhanë frute të mira. Përsa i përket mandej, çeshtjes Fetare,
parimet që do të ndiqën janë këto: Besime
të lira në Shtet të lirë, mosndërhymje e Shtetit në çeshtjet e besimëve, nderim
i njenitjetrit për besimin e shoqi-shoqit.
Tue ushqye këto ide, tue ndjekë këto parime, tue vëprue mbi këto
baza, mund të jemi të sigurtë se Shqipnia do të rrojë, se Shteti do të
forcohët, se Populli i ynë do të vrapojë me hapa të shpejtë drejtë udhës së
qytetnimit dhe të përparimit.
1923. Luigj Gurakuqi.
=========================
Shenim F.Radovani:
Dikur.., ishte edhe kjo... Shtëpia e Luigj Gurakuqit!
As kjo nuk asht mâ !!
SOT JU FLASIN VETEM TEMELET...
Melbourne, 28 Prill 2023.