Mendime
Ndue Dedaj: Fushata elektorale - kacagjelimi politik i radhës
E hene, 24.04.2023, 06:58 PM
FUSHATA ELEKTORALE - KACAGJELIMI POLITIK I RADHËS
NGA
NDUE DEDAJ
Fushata
elektorale thuajse nuk ka asnjë risi tash tridhjetë vjet. Dy palë kundërshtare
që rendin katund më katund e lagje më lagje nëpër qytete, duke u “kacafytur”
mes tyre apo kacagjeluar, siç do të thoshte Fishta. Ata që kanë kryer një
mandat si kryebashkiak, duan me doemos të dytin, ata që kanë kaluar dy mandate
në këtë detyrë, duan patjetër të tretin, të katërtin, të pestin. Nuk ka limit
në këtë gjë, pasi nuk ka moral politik, rregulla dhe standarde demokracie.
Asnjë ndryshim nga zgjedhjet e përgjithshme. Politika në kulm edhe në këto
vendoret! Duket se pa politikë askush dhe asgjë nuk merr frymë. Na rroftë neve
që jemi jashtë saj!
Dëgjon
individë që ankohen për liderët qendrorë, që kanë nga 25 - 30 vite në pushtet
dhe harrojnë se në nivel vendor apo rajonal, janë ata vetë të njëjtat fytyra po
kaq gjatë përballë elektoratit, i cili duhet të “prodhojë” rregullisht vota për
ta, por jo dhe të rinj në krye të politikës dhe të bashkive, paçka se aty -
këtu, përplasjet e brendshme politike, si majtas, si djathtas, kanë përfshirë
në forumet partiake dhe në garën elektorale disa të rinj.
Më
e keqja, edhe në këtë fushatë, njerëzit shohin të përdoret shteti, për të kapur
pushtetin.
Ministrat rrisin rrogat
nga ekrani
Të
enjtën në mesditë ministrat, njëri pas tjetrit, dolën në ekran dhe deklaruan
pagat e rritura bruto, ministrja e Arsimit për arsimtarët e arsimit 9-vjeçar e
të mesëm, ministrja e Shëndetësisë për mjekët e infermierët, ministri i Brendshëm
për policët e gardistët, ministri i Drejtësisë për zjarrfikësit e kështu me
radhë. Kurse ministrja e Financave na garantoi se fondet do të mblidhen nga
rritja e të ardhurave dhe rialokimi i brendshëm. Secili bënte kujdes të thoshte
sa më mirë “detyrën e klasës” dhënë atë paradite nga kreu i qeverisë. Nuk do
mend që kjo është një rritje pagash elektorale; nëse nuk është kështu, pse ky
deklarim nuk u la që të bëhej në lajmet e orës 20 të datës 14 maj, kur votimi
kishte përfunduar? A mund të ndodhë diçka e tillë në Gjermani, Angli, Itali
etj. në situatë zgjedhore? Së fundi, a ka një “arbitrazh” të brendshëm apo
ndërkombëtar votimesh, që t’i gjobisë subjeketet elektorale që përdorin
pushtetin për të fituar vota? Ç’emër tjetër mund të ketë, kur kryeministri iu
drejtohet votuesve, se nëse nuk votoni kanditanin e mazhorancës, nuk keni fonde
nga qeveria?!...
Siç
shihet, ka një mijë pyetje për qeverisjen, që mazhoranca përpiqet t’i kalojë
përmes aksionit të saj pranveror të mbjelljes së pemëve, edhe pse muaj i pyjeve
është dhjetori dhe jo prilli!
Inceneratorët, ose
“plehërimi” i politikës
Incenerator,
një fjalë e “tmerrshme”, që të kall frikën. Nuk e kanë fjalorët tanë të
shqipes, e megjithatë ajo është kryefjala e ditës në Shqipëri, që përcakton dhe
fatin e politikës. Duket sikur ka diçka “atomike”, shpërthyese kjo fjalë, që
fundja nuk shënon asgjë luftarake, por thjeshtë disa impiante që përpunojnë
plehrat. Ky emër na ka bërë t’i marrim inat plehrat, që dikur ato organike të
vathit i çonim me kosh në arë, kurse ato azotike i prodhonim në fabrika e
kombinate moderne për pjellorinë e bimëve. Plehrat e qyteteve na kishin zënë
frymën dhe kur menduam se shpëtuam prej tyre, pamë se ato kishin zënë poshtë
tyre politikën, qeverisjen, për ta bërë atë më “pjellore”, e ku, në kryeqytet
dhe në disa nga qytetet kryesore, si Fieri, Elbasani...
Inceneratorët
janë në gjyq, me ministra e zyrtarë të tjerë të akuzuar, kurse gjyqin politik e
bën elektorati...
Alibeaj: mos votoni
Berishën! Po kë, Ramën?...
Nuk
e merr vesh qeni të zotin, është një fjalë e urtë popullore. Edhe ne e kemi të
vështirë t’i kuptojmë politikanët tanë. Alibeaj, kreu PD-së zyrtare, siç e
cilësojnë disa nga mediat, po thoshte para një grushti njerëzish, mos e votoni
Berishën! Pyetja është e thjeshtë, po kë të votojnë zgjedhësit? Vetë atë
Alibeajn, që nuk ka me vete as deputetet e grupimit të tij, le pastaj anëtarët
e Partisë Demokratike? Ta mbushë dhe ai plot e përplot stadiumin “Air Albania”
dhe pastaj hajde e flasim! Pse jo? Oferta e tij për ta votuar do të kishte
kuptim. Por nëse ai këtë e di, që vetë nuk ka votues, për kë i fton që të
votojnë njerëzit? I bie që për... Ramën! Tjetërkush nuk është në skenë.
Atëherë, a thua ka vend për një tjetër fjalë të urtë: Për inat të sime
vjehrre.... (lexuesi e plotëson vetë pjesën tjetër të fjalisë.)
Ne të Rithemelimit,
“ndjenja antiamerikane”, aspak!...
Ishte
një burrë mbi të 60 - at, demokrat i orëve të para, fort i zemëruar me
politikën e të vetëve. Kujt i thonë këta se ne qenkemi me ndjenja
antiamerikane? Se jemi të Partisë Demokratike, me kryetar Berishën e jo të
partisë së “vogël” të vulës? Jo, mor zotni, shko e thuaja tjetërkujt ato fjalë!
Nëse është dikush që ka bërë për demokracinë në Shqipëri, është Amerika dhe
pikë! Këtë e dinë të gjithë. E jo vetëm sot, por tash njëqind vjet! Ne jemi
demokratë që në 91-in! Me këtë parti, bashkë me Amerikën, përmbysem
diktaturën!...
“Amerika
është zoti në tokë”! - na u drejtua njëri nga ata të vulës, për të na zënë të
ngushtën. Jo, lum zotnia, mos bëni foklorizma, - ia kthyem. Nuk ka nevojë
Amerika për këso servilizmash. Amerikanët mburrën me të drejtë me shtetin e
tyre demokratik, por nuk e quajnë perëndi veten!... Më kupton? Kurse këndej nga
ne, ca provincialë mendojnë se fitojnë pikë, duke quajtur veten proamerikanë,
kurse ne demek iu “kundërvikemi” Amerikës!? Marrina. E keni kot, krejt
shqiptarët e duan Amerikën! Nuk njoh asnjë shqiptar antiamerikan...
Kur këshilltar bashkiak
të bën “fisi” dhe jo politika
Është
një betejë sa e nëndheshnme, aq e mbidheshme kjo për të dalë këshilltar
bashkiak. Vini re, jo për t’u zgjedhur, se nuk ka zgjedhje në këtë rast, por
mobilizim të “fisit” apo të ndonjë klani tjetër, partiak ose jo për të qenë ti
këshilltar, me moton kap ç’të kapësh, nëse asgjë tjetër, të paktën njëqind mijë
lekë mbi rrogën a pensionin. Kështu janë katandisur të ashtuquajturat
parlamente lokale. Ku tjetër është parë kjo lloj maskarade, që këshilltar
bashkiak të bëhet jo dikush që i jep vlerë atij organi pushteti, por disa që
kanë “tribú-në” elektorale më të madhe dhe kanë mundësi ta blejnë mandatin në
një mënyrë apo në një tjetër!? Ku venë e mbytën premtimet elektorale për
mënaxhim bashkëkohor të qytetit, kur në këshillat bashkiake mungojnë ekspertët
e drejtësisë, ekonomisë, arsimit, turizmit etj. Këshilltarët e dalë në këtë mënyrë
janë thjeshtë numra dhe numërorë të tjetërkujt dhe asesi përfaqësues të
zgjedhësve. Nëse në fillim të viteve ’90 forcat polititike përfaqësoheshin me
elitën e tyre dhe intelektualë të pavaraur me integritet, tashmë këshilltar
mund të jetë cilido anonim që arrinë të sigurojë numrin e caktuar të votave,
pavarësisht sa klasë shkollë ka, e njeh apo nuk e njeh lagjia e tij etj.
Por
nuk është faji i tyre për këtë, kështu ndodh kur politika “noton” në llucën e
tranzicionit.