Mendime
Idriz Zeqiraj: Ëndrra megallomane për Serbinë e Madhe
E enjte, 20.04.2023, 07:50 PM
ËNDRRA MEGALLOMANE PËR SERBINË E MADHE
NGA
IDRIZ ZEQIRAJ
Ëndrra
megallomane për Serbinë e Madhe, ka qenë dhe mbetet agjendë e të gjitha
qeverive tej shekullore serbe. Ngritje-zbritjet e Serbisë, qoftë atëherë kur
ishte mbretëri në vete, pastaj me bashkimin e mbretërive serbo-kroate-sllovene,
në vitet `20-a, të shekullit XX-të, ruajti dominimin serbomadh, duke pasur
brenda saj Provincën hungareze të Vojvodinës dhe Krahinën shqiptare të Kosovës.
Në
vitet `40-a të shekullit të shkuar, me mbështetjen e Rusisë Sovjetike, Serbia
ruajti primatin në Jugosllavinë e re social-komuniste. Edhe atëherë ajo punonte
për Serbinë e Madhe, por e kamuflonte me slloganin e "bashkim-vëllazërimit"
fallco jugosllav. Përgjatë gjysmë-shekulli, Kosova, edhe pse pjesë e këtij
bashkimi "vëllazëror", populli i saj përjetoi kalvarin komunist,
përndjekjen sistematike komuniste politike, me diferencime, burgjet, torturat,
vrasjet individuale e grupore.
Ndjenja
e megallomanisë, gjithnjë aktive, për Serbinë e Madhe, rriti oreksin dhe shtoi
zullumin, mbi popullin e Kosovës. Dhe, siç thotë urtësia "zullumi këputet
prej së trashi". Dhe, ashtu ndodhi. Bombardimi i NATO-s, edhe pse i
vonuar, ishte meritor.
Nga
pësimi i Millosheviqit, pasuesit e tij, njëri pas tjetrit, nuk mësuan asgjë! Së
bashku me Kishën Ortodokëse Serbe, me bekimin e Rusisë, u përqendruan sërishmi
në krijimin e Serbisë së Madhe. Provuan me pakicën serbe në Kroaci, e pësuan
keqas, duke e humbur luftën dhe krejt Krainën me shumësi popullatë serbe. Por,
fituan në Bosnje, duke krijuar "Republika Srpska", brenda saj. U nda
Mali i Zi nga Serbia, por kjo e fundit nuk hoqi dorë nga destabilizimi, duke
përgaditur deri atentatin kundër Presidentit Gjukanoviq, në koordinim me
Rusinë.
Intrigimet
politike të Serbisë, u përqendruan në Kosovë, duke përfituar nga Plani
skandaloz i Ahtisarit finlandez. Serbia favorizoi ngritjen artificiale në
pozita të disa "biçim komandantësh" shqiptarë, të cilët i lejoi, qëllimshëm,
të zhytën në krime kundër vet shqiptarëve, duke krijuar burgje rurale, për
maltretimin, deri në vrasjen e kundërshtarëve politikë, për të ardhur në
pushtet. Serbia i krijoi dosjet për ata dhe i përdori dje, por vazhdon t`i
përdorë edhe sot, duke i shantazhuar me dosje, për krimet faktike.
Serbia shelege e Rusisë
dhe sfiduese e Perëndimit
Gjeopolitika
dhe gjeostrategjia po e favorizon Aleksander Vuqiçin, po luan me dy karta
njëherësh. Lidhjet shpirtërore e konspiracionet komplotiste, vazhdon t`i ruaj
me Rusinë, por, duke përdorur, "sa për sy faqe", edhe kartën që synon
familjen natyrale në BE, duke zhvatur nga ajo investime, por, edhe favorizime
të bollshme politike, në raport me Kosovën.
Edhe
pse serbët në Kosovë, në veçanti, ata në Veriun e Kosovës, gëzojnë statusin më
të privilegjuar, jo vetëm në Ballkan, por edhe në Evropë e mëtej në botë,
kërkojnë më shumë, në rastin konkret, "Zajednicën", me të drejta
ekzekutive, thënë troç", një "Republika Srpska", si ajo në
Bosnje, e cila e ka kolapsuar sot shtetin boshnjak, Bosnjen dhe Hercegovinën.
"Kryeministrit
Kurti i janë ofruar variante të tmerrshme për Asociacionin", - reagon me
zemratë dhe indinjueshëm, Presidentja Vjosë Osmani. Veç argatëve të Serbisë,
Lajçak dhe Borrell, në cilësinë ndërmjetësuese, lexoni edhe dilemën, pro serbe,
që shfaqë ambasadori amerikan Kristopher Hill, në Beograd:
"...Por
mendoj se duhet të përpiqemi të ecim shpejt, për të garantuar që të respektohen
interesat e komunitetit serb në Kosovë". Dhe, vazhdon: "Asociacioni
është pjesë e dialogut të Brukselit, që nga viti 2013 dhe duhet të formohet, në
mënyrë që komuniteti serb, kryesisht, në Mitrovicën e Veriut, të shohë se si do
të jetë e ardhmja e tij?!" Pra, Hill mendon si Vuqiç, përmend vetëm
nënshkrimin e vitit 2013, në Bruksel, që nënkupton Asociacion me të drejta
ekzekutive dhe komunitetin serb në veriun e Mitrovicës, si trajtim të veçantë.
Presidenti
Vuçiq sfidon BE-në dhe SHBA-në, shpallë hero policin kriminel, i cili urdhëroi
demolimin e qendrës zgjedhore në Mitrovicën e Veriut. Sjelljet e sotme të
Serbisë, në raport me Kosovën, na kthejnë në gjeopolitikat e viteve `10-a, të
shekullit të kaluar, për të ardhur në Konferencën e Londrës, me pazaret e pista
të Rusisë Cariste me Evropën, tokat shqiptare u përdorën për kusuritje, gjithnjë
në favor të Serbisë.
"Lista Serbe"
xhoker i Vuçiqit, për destabilizimin e
Kosovës
Loja
e Vuçiqit, e koordinuar me bandën e "Listës Serbe", shfrytëzon,
suksesshëm, shtimin e kërkesave për përfitime, sa më shumë, në Veriun e
Kosovës. Fillimisht, donin zëvendësimin e Albinit, "sepse me Hashimin dhe
Ramushin merreshim vesh!" Kjo nuk mund të bëhej, ngaqe Thaçi është në
telashe me disa akuza krimesh në Hagë, ndërsa Haradinaj përflitet se është
partner në kontrabandën me kriminelët serbë në Veri, tashmë, të shpallur
"non grata" nga SHBA.
Banditërit
e "Listës Serbe", pasi hasën në refuzimin e Kurtit, se "nuk ka
priorite, por, ka radhë në dialogimin e marrëveshjeve të pa zbatuara, nga
Serbia, dalin me kërkesën e re: "Pa largimin e Forcave Speciale të
Policisë nga Veriu i Kosovës, nuk marrim pjesë në zgjedhje", duke
"harruar" Asociacionin. Ata e dijnë rastin paraprijës, kur Hashim
Thaçi, në marrëveshje me Komandantin e KFOR-it, pranoi që Forcat e Sigurisë të
Kosovës, të mos kalojnë në Veri, pa lejen e KFOR-it! Ky vendim kriminal, edhe
sot është valid!
Dhe,
kjo jo vetëm që nuk duhet të ndodhë, por kryeministri Kurti duhet të ngulmojë
në dialog, që FSK-ja të vendoset përgjatë kufirit me Serbinë, aktualisht, nën
komandën e KFOR-it, në mënyrë që kurrë të mos ndodhë barrikadimi i rrugëve dhe
makro-kontrabanda serbo-shqiptare, siç ka ekzistuar, për dy dekada radhazi, e
maskuar, kinse, "edhe në Veri ka pasur ligje e rregulla!" Broçkulla!
Opozita aleate e Serbisë
në trysninë ndaj pozitës
Me
gjithë refuzimet, kundërshtitë e hapura të Vuçiqit, për të nënshkruar
marrëveshjet e arritura, së fundi, në Ohër, ende nuk shohim ndonjë presion
serioz ndaj tij, për ta obliguar atë. Polarizimet pozitë-opozitë në Kosovë,
veçsa kanë trimëruar Vuçiqin, në qendrimet e tij destruktive. Opozita premtoi
unitet dhe unifikim veprimesh në dialog. Por, realisht, veproi ndryshe. Nuk
paragjykojmë vizitat e Lumirit dhe të Memlit në Amerikën mike, por Haradinaj
dhe Hoti, me deklarimet e tyre publike, nga SHBA, e bënë pranimin e
Asociacionit, ende pa u shtruar në tavolinën të dialogut! Pabesisht e
turpërisht, "thyen bllokadën" mbrojtëse të Kurtit, kundër
Asociacionit!
Opozita
shqiptare e Kosovës, duhet të mësojë nga përfaqësuesit e minoritetit: turk,
boshnjakë e goranë, romë me degëzimet e tyre, si dhe shumica e opozitës serbe
brenda Kosovës, për qasjen reale, objektive dhe fort të argumentuar, se një
Asociacion monoetnik serb, diskriminon minoritetet tjera në Kosovë. Ata janë
unik, në mendimin se minoritetet gëzojnë të drejta të plota, si askund tjetër në
botë. Bilëz, deputeti turk, në
Parlamentin e Kosovës, deklaron se ne gëzojmë më shumë të drejta, se sa vetë
turqit në Turqi. Por, ndryshe mendojnë Baton Haxhiu dhe Dardan Molliqaj, me
horrat e tyre, "se po u shkelën të drejtat pakicës serbe!"
Ethet
e pushtetit, po dominojnë mbi interesat e shtetit. Në vend të unitetit, për të
përballuar dialogun, disa po mendojnë për aleancat zgjedhore. PAN-istët janë në
ofenzivë. Me pushtet duan ta mbulojnë gjëmën që ia kanë bërë Kosovës.
Barrikadimi i tyre kundër -Vettingut -; kundër Byrosë të Verifikimit dhe të
Konfiskimit të pasurive makro-hajnore të tyre; mbrojtja e krimit dhe të
kriminelëve në organet e drejtësisë, siç është edhe vendim i turpshëm i fundit,
e të ashtuquajturës Gjykatë Kushtetuese, rrast e kapur, pikërisht, nga PAN-i!
Sërishmi
janë aktivizuar lugetërit, për ndarjen e Kosovës. Prinë kallauzi monstrum,
Baton Haxhiu, i pasuar nga eksponentët e PDK-së, të prirë nga Vlora Çitaku,
Ramë Buja, Enver Hoxhaj, Abelard Tahiri dhe disa anëtarë të tjerë të zëshëm të
kryesisë; Valon Murati, në emër të njëfarë "Lëvizje për Bashkim";
disfatisti Dukagjin Gorani, i cili, thotë se "komunat e Veriut mund të
ndahen kur të duan", edhe pse një gjë e tillë nuk mund të ndodhë pa luftë.
Tellalli i PAN-it, Molliqaj me pacollër të tjerë, këtë "pazar" e
bëjnë në debatet e televizioneve paçavure të PAN-it!
Këta,
me bashkëmendimtarët llumhane të tyre, joshin Vuçiqin me miqtë e tij,
ndërmjetësuesit famozë, fort të gajluar, "për t`i dhënë diçka
Serbisë", për të marrë njohjen e saj! Të gjithë këta shqip-folës, një
shtet ligjor, do t`i zinxhiroste, si qentë, për tradhtinë e tyre, që vazhdojnë
t`i bëjnë Atdheut-Kosovë.
Ngulmimi i BE dhe SHBA
për Asociacionin monoetnik, skandaloz
Kosova,
në përgjithësi, dhe kryeministri Kurti, në veçanti, ndodhet në një situatë të
ndërlikuar, deri në kërcënimin e padrejtë: "Merre ose lëre!"
Ndërkohë, nëse do të kishim një gjykim të drejtë, të paanshëm, në raportin persekutor-viktimë, çështja do të
thjeshtëzohej në përmasën e normales. Çfarë kërkon Serbia nga një Kosovë e
stër-përgjakur, por, më në fund, me pavarësi të njohur ndërkombëtarisht?! Dhe,
me një trajtim model, për të mirë, botëror, të minoriteteve, përfshi edhe atë
serb. Tashmë, edhe qëllimet e Serbisë fashizoide, janë, qartësisht, të
lexueshme.
Ftesa
e ambasadorit amerikan në Kosovë, Hovenier, të ofruar Kurtit, se "ne do të
punojmë së bashku, për Asociacionin, duke respektuar sovranitetin, tërësinë
territoriale, Kushtetutën e Kosovës", duhet parë si ofertë serioze. Andaj,
duhet bashkëpunuar me palën amerikane. Vështirë të besohet se SHBA, pranon një
Asociacion sot, që nesër mund të rezultonte me një "Republika
Srpska", me një kufi me Serbinë, përkatësisht, Rusinë, në lumin Ibër, në
mes të qytetit, në vend që ky kufi të mbetet prapa kodrave, atje, ku, realisht,
është tani.
Trajtimi
demokratik, në respektimin e të drejtave të minoriteteve, në Kosovë, është
unik, jo vetëm në Ballkan, por, edhe mëtej në Evropë dhe botë. Po deshën lë të
organizohen komunat me shumicë minoritare, si Mamusha, Dragashi,10 komunat
tjera me shumicë serbe, në një Asociacion, me shumësi minoritare, me status të
njëjtë, me Asociacionin që kanë komunat në Kosovë, të monitorohen edhe nga
BE-ja, SHBA-ja, për trajtimin e minoriteteve. Kosova është e hapur, e sinqertë
me bashkatdhetarët minoritarë, sepse ka provuar padrejtësinë dhe shtypjen
sistematike, si pakicë brenda Jugosllavisë, deri në vrasje, nga serbo-sllavët,
në dekada e tej shekullit. Prandaj, ne që kemi aspiruar lirinë e munguar, duhet
të jemi dhe, pa mëdyshje, jemi ndryshe nga ata, që na kanë mohuar neve edhe
liritë elementare.
Komandantët kriminelë në
pushtet, të shanazhuar me dosje të krimeve
Lobimi
i organizuar, i orkestruar serb në SHBA, vazhdon të jetë shumë aktiv dhe me
mjaft ndikim në disa qarqe amerikane, kur vihen në peshore raportet
serbo-shqiptare. Ata kanë trashëguar një propagandë të viktimizimit. Dhe, këtë
po e përdorin edhe sot, madje me shumë efikasitet. Në këtë aspekt,
pavetëdijshëm, ndihmohen edhe nga vetëlavdërimet që bëjnë shqiptarët, për
luftën e pabërë. Në përkujtimin e viktimave në Likoshan e Qirez, në masakrën e
soldateskës serbe, të 28 shkurtit 1998, thuhet se "ishte hakmarrje ndaj
goditjeve që u jipte UÇK-ja forcave policore dhe ushtarake serbe"?! (Edhe
pse në atë kohë "UÇK-e" ishte inekzistente!) Pikërisht, kështu thotë
edhe propaganda gebelsiane serbe, për të përligjur masakrat e saj!
Lobimi
shqiptar, për dialog, është shpërqendruar në një lobim tjetër, që bie ndesh me
parimet amerikane, siç është zhurma kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, me
seli në Hagë. Kjo Gjykatë është ide dhe realizim amerikan, sepse krimet e
soldateskës të Millosheviqit, i vazhduan disa komandantë, nën siglën e UÇK-së.
Provë se kush është pro dhe kush kundër Amerikës, është qendrimi ndaj
përkushtimit për drejtësinë.
Sjellja
e Kosovës, përballë lojës së dyfishtë të Serbisë, duhet të ndryshojë tërësisht.
Qeveritë e shkuara ishin të kriminalizuara, të zhytura në krimin vrastar dhe
korrupsionin industrial, pra, vjedhje zyrtare dhe haraç të përgjakshëm.
Përgjatë të gjithë dialogut, negociatorët kanë bërë kompromise të dhimbshme e
kriminale. Pas çdo marrëveshje, Serbia shënonte një fitore domëthënëse, ndërsa
Kosova pësonte një humbje, një gjëmë shtesë, një gjëmë të radhës.
Arsyeja e vetme ishte se
shefi i negociatorëve, Hashim Thaçi ishte i shantazhuari i katërfishtë:
1)
Me dosjet e monitoruesëve ndërkombëtarë
në Kosovë;
2)
dosjet nga Serbia;
3)
dosjet-memorie të familjarëve të viktimave;
4)
dosjet faktike të bandave ekzekutuese, të kundërshtarëve politikë, me porosi të
komandantëve të bandave.
Ndërkohë,
dialoguesit aktualë dhe shefi i tyre, Albin Kurti, nuk janë të shantazhuar,
madje nga askush. Ishin unik në kundërshtinë e të gjitha marrëveshjeve,
vendimeve dhe veprimeve fatale për Kosovën. Justifikimet e gërditshme se
pavarësinë e solli Plani i Ahtisarit, janë mjegullnajë. Sepse ajo do të vinte
edhe pa atë. "Xhevahirët" e Ahtisarit, vazhdojnë ta ngulfatin edhe
sot popullin e Kosovës: 27 komuna për 96 % të popullsisë të Kosovës dhe vetëm
për 4 % serbë, plot 10 komuna! Një krim i llojit të vet! Dhe, kjo është
"dhuratë", pikërisht, e presidentit Ahtisari, që përbën një
diskriminim pozitiv, në raport me monoritetet tjera, jo serbe në Kosovë.
Edhe
pse Ahtisari dhunshëm e shpalli Kosovën "multietnike", për t`i
kalaveshur serbët me privilegje shtesë, vendosi Asociacion
"monoetnik", për komunat me shumicë serbe. Ai prrallisë për jetë të
përbashkët me serbët në Kosovë, por vepron për ndarjen e tyre, në perspektivë,
duke marrë edhe territor me vete!
Këtë
hipokrizi e cinizëm, njëherësh, nuk duhej pranuar me asnjë çmim. Ashtu siç nuk
duhet pranuar, sot, çfarëdo Asociacioni, që do të rrezikonte ngulfatje të
shtetit, apo tragjikën e prekjes të territorit.
Pranimi
i planit-kornizë franko-gjerman, nga kryeministri Kurti, pavarësisht
kompromiseve të paralajmëruara, si të vështira, kërkon përkushtim e qendresë,
përgjatë dialogimit zbatues, për të mos lejuar dhe as pranuar shkeljen e
parimeve, që cënojnë Kushtetutën e vendit, qoftë edhe për të lënë hapësirë, se
kjo mund të ndodhë dikur, në të ardhmen e afërt apo të largët.
Pozita
e sotme është krenare, për opozitarizmin e egër të djeshëm, duke u identifikuar
si e vetme në mbrojtje të Republikës. Urojmë të mos sjell gjëmë-shtesë nga
Brukseli, Ohri apo nga ndonjë qendër tjetër, në Kosovë!