Mendime
Florim Zeqa: Tolerancë dhe dashuri, jo nxitje të urrejtjes ndërfetare!
E premte, 21.04.2023, 07:19 PM
Tolerancë dhe dashuri, jo nxitje të urrejtjes ndërfetare!
Shkruan:
Florim Zeqa
Traditën e mirë të bashkëjetesës dhe tolerancës
ndërfetare të trashëguar ndër shekuj duhet ta kultivojmë edhe në ditët e sotme.
Edhe përkundër pushtimeve të gjata dhe barbare shqiptarët asnjëherë gjatë
historisë nuk kanë pasur konflikte ndërfetare.
Jemi popull me origjinë
dhe traditë kombëtare
Kosova
e ka një popull të mrekullueshëm, ka pozitë gjeografike të lakmueshme nga të
tjerët, ka burime të pashterrshme natyrore, ka pasuri të pafundme nëntokësore,
ka kulturë shpirtërore të zhvilluar qysh nga civilizimet e hershme, por po i
mungon lidershipi i ndershëm dhe i përgjegjshëm për rrethanat e kohës në të
cilën po jetojmë.
Konflikte
ndërfetare nuk kishim në të kaluarën, nuk kemi sot dhe as nuk do të kemi as në
të ardhmen. Pasi shqiptarët i kanë 99 fije që i bashkojnë dhe vetëm një fije e
hollë që i ndanë. I ndanë aspekti personal siq e ndan secilin njeri nga tjetri
në rruzullin tokësorë.
Ngase
çështja e besimit apo mosbesimit në një fe apo në një parti politike janë
çështje krejtësisht personale të cilat nuk ndërlidhen me prejardhjen gjenetike
të shqiptarëve, të njërës nga racat më të vjetra dhe më fisnike të popujve të
botës.
Mirëpo
origjinën dhe qytetërimin tonë të vjetër janë munduar të na zhdukin pushtuesit
me zëvendësimin e racës dhe kulturave të huaja siq po ndodhë edhe sot në
truallin e Dardanisë Antike të quajtur Kosovë.
Ndarjet
ndërfetare nëse mund t’i quajmë ashtu në Kosovën e paraluftës së fundit ishin
simbolike, të vogla dhe të papërfillshme. Gjithmonë shqiptarët i festat fetare
kanë kremtuar bashkë dhe në harmoni të plotë me njëri-tjetrin, pra Bajram e
Pashkë i kanë festuar bashkë.
Pa
dashur të futem më thellë në historinë e prejardhjes së religjioneve tek
shqiptarët, nga fëmijëria ime e mbajë mend, kur shkonim për festën e Pashkëve
tek familjet e besimit të krishterë dhe ata na dhuronin vezë të ngjyrosura,
kurse për festën e Bajramit vinin fëmijet e tyre tek ne dhe nënat dhe motrat
tona ju dhuronin bonbone dhe karamele të llojeve të ndryshme.
Përderisa
të rriturit (burrat) mysliman i cakërronin gotat e Rakisë me vëllëzërit e
besimit katolik për festat e Pashkëve dhe Krishtlindjeve, ata të besimi të
krishterë i shijonin të gjitha llojet e embëlsirave tek familjet myslimane në
festën e Bajramit.
Andaj,
konfesionet fetare në mesin e shqiptarëve duhet t’i kuptojmë si vlera të
lashtësisë sonë, të rrënjeve tona të vjetra Iliro-Dardane, të ecjes dhe
rrugëtimit tonë fetar nga paganizmi e deri tek besimet e ditëve të sotme, të
cilat janë vlera të trashëguara të shqiptarëve ndër shekuj.
Pavarësisht
ndërrimit të rrethanave gjeopolitike në botë, ne jemi ata që ishim dje, do të
jemi edhe nesër si njëri ndër popujt me besim të fuqishëm në Zot dhe Atdhe.
Besimet fetare janë rruga që e zgjedhin besimtarët për të qenë më afër
krijuesit.
Edhe
përkundër zhvillimit të hovshëm teknologjik dhe avancimit të shkencës, roli i
besimeve fetare (religjioneve) pothuajse ka mbetur i njëjtë. Zhvillimi ekonomik
i një shteti e determinon rolin e fesë në shoqëri. Sa më e lartë që të jetë
ngritja arsimore e një kombi, aq më i vogël do të jetë ndikimi fetar në shoqëri
dhe anasjelltas.
Më shumë dashuri dhe
respekt ndaj vëllaut me besim tjetër fetar apo partiak
Në
vend të përhapjes së gjuhës së urrejtjes ndërfetare, të përçojmë dashuri
ndërvëllazërore brenda kombit tonë, të ndërtojmë ura bashkëpunimi pa dallime
fetare, pse jo të nxiten edhe stimulohen akoma më shumë martesat e të rinjëve
shqiptar mes besimeve të kundërta.
Kjo
përveqse arma më e fuqishme kundër atyre që mbjellim urrejtje ndërfetare, e çon
kombin tonë drejt unifikimit dhe prosperitetit, shtetin drejt zhvillimit
ekonomik dhe barazimisë qytetare.
Thënë
ndryshe, në vend të fjalorit ekstremist, ta përdorim fjalorin e butë
shpirtërorë. Fjalët “ekstremizëm” dhe “radikalizëm” fetar të zavendësohen me
fjalët e ëmbëla përplot dashuri dhe respekt ndaj vëllaut me besim tjetër fetar
apo partiak.
Jo
pa shkas po e permendi edhe një fakt, shqiptarët që jetojnë në vendet
evro-perëndimore nuk janë të privuar nga besimet e tyre fetare. Secili mund të
praktikojë dhe aplikojë fenë që i flen për zemër në shtëpi apo në objektet
fetare të lejuara nga shtetet përkatëse dhe fjala “ekstremizëm fetar” nuk
ekziston dhe askush nuk ndiqet nga shteti për lutjet ndaj Zotit në mënyrën që e
preferon.
Për
ne shqiptarët, si kombi më i shprishur që jemi në botë, para çdo religjioni dhe
partie politike duhet ta kemi qenjen tonë kombëtare. Për arsye se ndjenja jonë
shpirtërore, në veçanti e mërgimtarëve është gjithmonë më e etshme për komb dhe
atdhe, e fare pak për besim fetar.
Atdhetarët
edhe pse me mijëra kilometra largësi në mërgim, atdheun e mbajnë në zemër,
kurse gjuhën dhe flamurin kombëtar i ruajnë dhe i kultivojnë me dashuri, duke i
mbajtur në thellësinë e shpirtit si amanet nga të parët tanë, për t’ua
përcjellur pasardhësve që po lindin dhe po rriten padrejtësisht në vendet e
huaja.
Florim Zeqa
15.04.2023