Mendime
Don Lush Sopi: Në Kosovë besimtarët janë pakicë, ndërsa Shqiptarët janë shumicë
E hene, 24.04.2023, 07:58 PM
"NËSE KËTA DO TË HESHTIN, GURËT DO TË KLITHIN!"(LK 19,40)
Shkruan:
Don Lush Sopi
Në
këto kohëra të turbullta dhe tejët shqetësuese për vendin tonë, si dhe për
kombin tonë në përgjithësi, mendja dhe shpirti i njeriut nuk mund të qëndron i
qetë dhe indiferent ndaj ngjarjeve që po ndodhin, të cilat po nxisin dhe po
tentojnë të shkaktojnë përçarje e destabilizim në shoqërinë tonë, si në
aspektin kombëtar gjithashtu në ate fetar. Mohimi i historisë sonë të
lavdishme, fyerjet ndaj personaliteteve të mëdha kombëtare dhe fetare të cilët
kanë lën gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë të lashtë, fyerjet dhe kërcënimet ndaj historianëve,
akademikëve, hulumtuesëve dhe studiuesëve tanë,
pa asnjë kundërargument në bindjet dhe vlerësimet e tyre historike dhe
aktuale, të bazuara dhe të argumentuara nga arkivat më të rëndësishëm botëror,
fyerjet dhe kërcënimet ndaj atyre që shprehen kundër dukurive negative që e
rrezikojnë identitetin tonë kombëtar dhe kulturor, fyerja dhe përbuzja e
Flamurit kombëtar, deklarata të pa matura dhe të pa argumentuara, me qëllime të
caktuara, që janë ushqim helmues apo kancer për shoqërinë tonë, nuk më lenë
shpirtin të qetë. Andaj, mu kujtua një pjesë e Shkrimit Shenjt ku shkruan:
Atëherë i thanë (Jezusit) disa farisenj që ishin në popull: "Mësues,
qortoji nxënësit e tu!" Ai iu përgjigj: "Nëse këta do të heshtin,
gurët do të klithin!" Kur u afrua dhe e pa qytetin, qau mbi të e tha:
"O po ta kuptoje edhe ti në këtë ditë çka ta sjell ty paqen! Por tashti
është e fshehur per sytë e tu! E do të vijë dita, kur armiqtë e tu do të të rrethojnë
me llogore, do të bëjnë rrethim e do të të shtrëngojnë nga çdo anë. Do të të
përplasin për tokë ty e fëmijët e tu në ty dhe s'do të lënë në ty as gur mbi
gur, sepse nuk e bëre për gjë kohën kur Hyji erdhi të të ndihmojë." Këto
fjalë të Krishtit, jo vetëm që më inspirojnë dhe frymëzojnë, por edhe më
obligojnë t'i paraqes nga këndëvështrimi
im, pikëpamjet e mia për temat të cilat po shkaktojnë huti dhe përçarje në
shoqërinë tonë.
Shoqëria
jonë është në krizë të thellë, ndoshta si kurrnjë herë më parë. Situata e
tanishme në Kosovë, në çdo aspekt, si në aspektin politik, ekonomik, fetarë,
edukativë, kulturor...është jo stabile, e tensionuar dhe pa perspektivë për një
të ardhme më të mirë, sepse të ardhmën e saj po e pengojmë vet. Historia e
popullit shqiptar është histori e të gjithë shqiptarëve, pa dallim të
përcaktimit shpirtëror apo fetar të tyre. Kjo histori është shkruar me shkronja
të arta, përmes flijimeve dhe sakrificave, përndjekjeve dhe torturave të
ndryshme, persekutimeve dhe martirizimeve të shumta nga sundues,
ideologji dhe okupator të ndryshëm gjatë shekujve. Këtë histori nuk mund
ta zhbëj askush, as ta ndryshoj sepse është shkruar jo vetëm me shkronja të
arta, por edhe me gjak të derdhur nëpër shekuj.
Është histori që e njeh e gjithë bota e civilizuar. Personalitetet që
kanë lenë gjurmë të mëdha në historinë tonë të lavdishme, Rilindasit Kombëtar
dhe Fetarë gjatë shekujve, personalitetet e mëdha edhe të kohës sonë që dhanë
gjithçka për të arritur ku jemi sot, si dhe të gjithë ata që dhanë jetën për
lirinë dhe Pavarësinë e Kosovës, nuk mund t'i
zhvlerësoj askush, pavarësishtë tendencave dhe investimeve të mëdha të
shteteve armike të Kosovës,(me dritë të gjelbërt nga ne), për t'ia arritur
këtij qëllimi, edhe pse paraqesin rrezik potencial që lakmimet apo apetitet e tilla shumë lehtë të
përfundojnë si lakmia e Judë Iskariotit i cili veq tjerash tha: "Çka po më
jepni e unë po jua dorëzoj?" Ata i caktuan tridhjetë sikla të argjendta
për ta tradhtuar Mësuesin e vet. (Mt 26,
15).
Pra,
fyerja e Flamurit kombëtar nga kushdo
qoftë, veçanërisht nga prijësit fetar, është akt i shëmtuar dhe ofendues për
miliona njerëz të vdekur të cilët kanë dhënë jetën për Flamurin Kuq e Zi, dmth.
për Pavarësinë e popullit dhe Shtetit Shqiptar, si dhe fyerje dhe ofendim për
miliona shqiptar të cilët bashkohen dhe betohen po në këtë Flamur. Flamuri
kombëtar i bashkoj në të kaluarën dhe do t'i bashkoj edhe në të ardhmën të
gjithë shqiptarët kudo në botë.
Nuk
urrej dhe nuk fyej njeri, sepse nuk është në natyrën e edukatës sime familjare,
aq më tepër, nuk më lejon përkushtimi im shpirtëror si klerik i besimit
monoteist i kishës universale. Por, nuk mund të pajtohem me personat të cilët
bëjnë deklarata kontraverse apo veprime të pamatura dhe të dëmshme kur është në
pyetje identiteti ynë kombëtar dhe kulturor, pavarësisht pozitave që mbajnë.
Deklarata:
"Kush s'mund me i pa xhamitë në Kosovë, le t'ia mësynë Beogradit",
është deklaratë e rëndë, e nxituar, dhe jo e nivelit të duhur. Kjo deklaratë,
apo ky mllef...mund të kuptohet në mënyra të ndryshme, sepse në thelb ajo
përmban kuptim të gjerë dhe të dëmshëm
për shoqërinë tonë. Nëse e kuptojmë në kontekstin e thënë, ajo mund të kuptohet
dhe "përkthehet" edhe në këtë mënyrë: Kush s'mund të pajtohet me
historinë e vërtet të popullit shqiptar, kush s'mund me i pa kishat katolike në
Kosovë, kush s' mund t'i ndëgjon emrat e personaliteteve të mëdha kombëtare dhe
fetare, nga të cilët kemi gjuhën, kulturën, traditën, emancipimin dhe
civilizimin Evropian, si dhe shumë çka tjetër... t'i themi t'ia mësynë
Beogradit!!! Jo, asesi, sepse është derdhur shumë gjak me shekuj, për ta gëzuar
këtë tokë martire të gjithë shqiptarët pa dallim besimi dhe bindje. Çfarë t'ju
themi atyre të cilët fyejnë Shën Nënë Terezën (të cilën e gjithë bota e thërret
Nënë) duke e quajtur serbe, që e fyejnë edhe shenjtërinë e saj duke deklaruar
se ajo e ka vendin në ferr! Çfarë t'ju themi atyre të cilët Gjergj Kastriotin
Skenderbeun, Heroin tonë Kombëtar e quajnë serb, sepse paska luftuar kundër
vëllezërve të tyre turq! Çfarë t'ju themi atyre
që deklarojnë se Perandoria Osmane na ka ruajtur identitetin tonë
kombëtar! Çfarë t'ju themi atyre që deklarojnë se turkun e kanë vëlla! Çfarë
t'ju themi atyre që deklarojnë se "gjaku i jobesimtarëve (jo muslimanëve)
është pija më e mirë për muslimanët!" Çfarë t'ju themi atyre që deklarojnë
se "Katoliku është shtatë herë më i keq se shkau (serbi)! Çfarë t'ju themi
atyre që deklarojnë: "Ma mirë me të vdekë qika (vajza) se me u martu me
katolik!" e sa e sa deklarata tjera tërësisht antikombëtare, të cilat me
shumë vështërësi po duhet me i përpi për hir të interesit tonë kombëtar. Çfarë
t'ju themi këtyre njerëzve? T'ju themi t'ia mësynë Beogradit, Turqisë,
Arabisë...! Jo, asesi, sepse me këtë logjikë Kosova shpejtë do të zbrazej nga shqiptarët,
për t'ju mundësuar dhe plotësuar dëshirën të tjerëve ta gëzojnë këtë tokë
martire, për të cilën popullli shqiptar ka derdhur gjak me shekuj. Adn-ja e
gjakut shqiptar nuk përcakton përkatësinë fetare, por përkatësinë kombëtare.
Prandaj, të bashkuar, duhet të kontribuojmë, të udhëzojmë dhe të këshillojmë të
gjithë shqiptarët, pa dallim besimi, që ta ruajmë si sytë e ballit identitetin
tonë kombëtar, ta duam historinë tonë, t'i nderojmë dhe respektojmë
personalitetet që kanë lënë gjurmë të mëdha në historinë e kombit tonë
shqiptar, ta duam Kosovën ashtu me tempujt tanë fetarë (kisha dhe xhamia) ta
duam dhe ta respektojmë njëri-tjetrin sepse jemi vëllezër dhe motra të një
toke, të një gjuhe dhe të një gjaku. Gjatë gjithë historisë, të mirat dhe të
këqiat i kemi ndarë së bashku dhe do të vazhdojmë t'i ndajmë së bashku, sepse
rrugë tjetër nuk kemi.
Përpos
deklaratave të sapërmendura, tentohet që edhe në aspektet tjera t'i jipen
meritat njërit apo tjetrit, për ate që është arritur bashkërisht, në emër të kombit.
Shumë herë kam ndegjuar deklaratat: "Pse ne kalojmë mirë me njëri-tjetrin,
merita është e muslimanëve" apo: "Merita për tolerancë fetare ndër
shqiptarë ju takon muslimanëve", si dhe deklarata tjera të ngjajshme në
këtë kontekst, veçanërisht kur ato vijnë nga persona publik që bartin
përgjegjësi, janë të dëmshme për shoqërinë. Njerëzit që nuk e njohin historinë,
që nuk lexojnë, mund ta kuptojnë në një kontekst krejt ndryshe. Meritat për
tolerancë fetare nuk ju takojnë as muslimanëve as katolikëve, por përgjithësisht
ju takojnë Shqiptarëve. Toleranca (vr. i. mirëkuptimi dhe dashuria ndaj
njëri-tjetrit), nuk ka filluar me ne, por shekuj më parë, dhe jo vetëm
toleranca fetare, por asgjë nuk ka filluar dhe nuk do të përfundon me
ne. Deklaratat e tilla kryesisht bazohen në shumicë (shqiptarë të besimit
islam) dhe pakicë (shqiptarë të besimit krishterë), por mos të harrojmë se
dikur ka qenë e kundërta. Prandaj e thekësova që meritat ju takojnë shqiptarëve
në përgjithësi, sepse në Kosovë besimtarët (pa dallim) jane pakicë, ndërsa
Shqiptarët janë shumicë. Këtë duhet ta kuptojnë të gjithë. Me bindje
të thellë, por me dhembje në shpirtë e themë, që populli ynë shqiptarë gjatë
gjithë historisë së vet, kurrnjë herë nuk ka qenë më i ndjeshëm për temat që
prekin besimin, se sot. Sot, po të varej toleranca fetare nga muslimanët dhe
katolikët, ajo do t'ishte rrezikuar si asnjë herë më parë në historinë tonë,
siç po rrezikohet edhe identiteti ynë kombëtar, kultura jonë e lashtë, nderi
dhe morali familjar nga grupe dhe individë, të cilët nuk kursejnë asgjë për t'i
arritur qëllimet e tyre. Prandaj, duhet të kemi shumë kujdes dhe të jemi maksimalisht të maturuar
në çdo veprim, duke mos lejuar per asnjë çmim devijimin nga identiteti ynë
kombëtar dhe kulturor, nga vlerat morale, njerëzore dhe Hyjnore që e kanë
karakterizuar familjen dhe shoqërinë tonë në përgjithësi.
Popull
i im i dashur Shqiptar, vëllezër dhe motra, këtë mesazh meditimi-reflektimi e
shkrova nga zemra dhe shpirti, me të vetmin qëllim, që të ecim sy hapur, të
bashkuar si vëllezër dhe motra, në dritën e lirisë së vendit tonë të dashur,
Kosovës sonë martire, për të sotmën dhe të nesërmen më të mirë, më të ndritur
dhe më të sigurtë për të gjithë.
Përndryshe,
do të na mallkoj historia, do të na mallkoj kjo tokë martire, do të na mallkoj
gjaku i derdhur ndër shekuj i bijëve dhe bijave tona shqiptare, por, mbi te
gjitha do ta mallkojmë vetveten. Ndërsa, mallkimi (dënimi) i vetvetes është
gjëja më e tmerrshme dhe më tragjike që mund t'i ndodhë njeriut dhe shoqërisë në
përgjithësi.
Zoti
e bekoftë Kosovën tonë martire.
Zoti
e bekoftë popullin tonë shqiptarë, si dhe gjithë qytetarët e Shtetit tonë të
dashur.