E merkure, 09.10.2024, 11:55 AM (GMT+1)

Mendime

Fahri Dahri: Fillesa e fatkeqësisë së kombit tonë

E enjte, 27.04.2023, 07:55 PM


FILLESA E FATKEQËSISË  SË KOMBIT TONË

Nga Fahri Dahri

Në muajin mars të këtij viti trajtova problemin: "Ku janë shqiptarët etnikë". Sot do njihemi se kush dhe ç'farë janë shqiptarët etnikë. Për këtë po i referohem Sami Frashërit.

? Sami Frashëri 150 vjet më parë na kujton: "Shqiptarët, të cilët sëbashku me Lekën e Madh kishin pushtuar botën, nuk pranuan t'u nënështroheshin lehtë romakëve….".

—------

Si pensionist, të shumtën e kohës gjatë ditës, merrem me lexime gazetash, librash, futem në faqet e internetit, shkruaj, bëj komente në ndonjë rrjet social, televizorin e ndez kur ka ndonjë telenovelë me subjekte historike. Sigurisht kaloj kohë me familjarët, miqtë, shokët, bëj xhiro rreth orëve 10 deri 11, ndalem në ndonjë lokal për kafe, etj. Ky ritual ditor i kohës time, është pothuaj i përditshëm.

Kemi dëgjuar, lexuar që thuhet se dituria nuk ka fund, po ashtu dhe se sa më shumë të dish aq më të paditur e ndjen veten. Të dyja janë të vërtetuara dhe të pranuara prej meje.

Këto ditë po lexoj dy librat e Sami Frashërit (lindur në Frashër të Përmetit, në qershor të vitit 1850 dhe vdiq në Stamboll, në qershor të vitit 1904): "Qytetet e Shqipërisë" dhe "Personalitetet shqiptare". Në këtë shkrim, do të ndalem tek libri "Personalitetet shqiptare", në kapitullin "Shqiptarët". Kjo nga se më tërhoqën vëmëndjen dy arësye:

a) Samiu para afro 200 viteve, një dijetar i përmasave botërore, i paisur me kulturë lindore dhe perëndinore, njohës i disa gjuhëve, më krijon bindjen se konkluzionet e tij, lidhur me kombin shqiptar, janë më të sakta dhe të drejtpërdrejta;

b) Trajtimi i prejardhjes së shqiptarëve, nga autorë të huaj e të brendshëm, hera- herës na lënë mangësira, të qëllimshme, ose jo, por që zbardhen, qartësohen duke lexuar Samiun. Në këtë trajtim do përdor ligjëratat e drejta dhe ligjëratat e zhdrejta, për rëndësinë e madhe historike që merr tema.

? Sami Frashëri në "Personalitet shqiptare", fq 25-32, shkruan: "Popujt që janë në Evropë, në kohë shumë të lashta, sipas argumenteve më bindëse, duke u këputur nga anët e Belhit dhe Heratit të Azisë Qëndrore, grupe-grupe kanë migruar drejt perëndimit….. "Këto migrime, ndërkaq, nuk kanë ndodhur njëkohësisht, por me intervale të gjata kohore". Sipas Samiut, populli kelt, i cili u shpërnda në Europën Perëndimore, është në të parët që ka ardhur. Ai mendon se dhe shqiptarët mundet të kenë ardhur në atë kohë, ose pak më përpara, ose më mbrapa. Keltët qenkan vendosur në perëndim të Europës, kurse shqiptarët, shkruan Sami Frashëri, u vendosën në lindje të Europës. Më pas, shumë më vonë, në veri të Europës erdhën dhe u vendosën totonët dhe sllavët. "Në atë kohë shqiptarët quheshin "Pellasxh" ose "Pellazg". Sipas një varianti, ky emër rrjedh prej fjalës shqipe "plak", që sipas historianëve, u jepej atyre që ishin të vjetër". (Kur thuhet se rrjedh prej fjalës shqipe "plak", duhet kuptuar se fjala "plak" është pellazgjisht, por që është ruajtur e tillë deri sot nga ne, shqiptatët).

Në vijim Samiu na informon se pellazgët, d.m.th. shqiptarët e lashtë, ishin të ndarë në katër degë:

1) Ilirët, ishin të përhapur që nga kufiri i Greqisë së Vjetër deri në pikën më në veri të gjirit të Adriatikut, dmth në Shqipërinë e tanishme ( në kohën e Samiut), në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Dalmaci. [Në tekstin origjinal lexohet "Arnautllëk" që nënkuptonte  trojet etnike shqiptare].

2) Maqedonasit (e lashtë-M P.); banonin  në pjesën e Maqedonisë që shtrihet nga mali Pindos dhe mali Sharr e deri në malin Rodop, lumi Karasu (shqip: Uji i zi) dhe Detin Egje, dmth në anën e Selanikut, Manastirit, Shkupit dhe Serezit.

3) Thrakasit, banonin në anët e vilajetit të Edrenesë, Bullgari e, mbase, deri në anën e djathtë të lumit Danub.

4) Frigiasit (frixhiasit) ishin të përhapur në pjesët nga bregdeti i Anadollit deri në Ankara e Sivas(1). Të katër këta popuj, është argumentuar bindshëm se janë degë të popullit pellazg. Vetëm se shumë më të afërt, si në gjuhë, si në veti dhe zakone, ishin 1ilirët me maqedonasit, në njërën anë dhe thrakasit me frigasit, në anën tjetër. Veçanërisht gjuha e ilirëve me gjuhën e maqedonasve ishte si një gjuhë e vetme.

Për vërtetësinë e afërsisë së këtyre katër popujve, Samiu, krahas tjerave, sjell rastin e mbretërve dhe heronjëve grekë, të cillt u tubuan për të sulmuar mbretin trojan që konsiderohej nga populli frigasit. Historikisht është e vërtetuar se në ndihmë të mbretit trojan (frigas) shkuan shumë maqedonas dhe thrakas. Ndërsa për linjën iliro-maqedone, citon Strabonin, i cili thoshte: "Banorët e Epirit, të Maqedonisë dhe të Ilirisë flasin me një gjuhë, i presin flokët (qethen) në të njëjtën mënyrë si zakonet dhe vetitë (moralin) i kanë të njëjta".

Samiu vazhdon në konkludim me mendimin e prerë se katër popujt që u përmendën më sipër rrjedhin nga pellazgët, po ashtu, pa fije dyshimi, është konstatuar se ilirët janë gjyshërit e shqiptarëve të sotëm. I bindur në arritjet e tij, Samiu shkruan: "Pra, pa u friguar se do të përgënjeshtrohem nga historia dhe, duke menduar se nuk do të mendohem se kam dashur t'i zmadhoj gjërat, meqënëse vetë i takoj racës shqiptare, mund, të them se populli shqiptar dikur ka qenë një popull i madh që shtrihej nga Trieshta (Trieste) deri në Sivas, pra dy territore të mëdha: në Evropë dhe në Azi. Mirëpo, duke qenë në mes të popujve dhe shteteve të mëdha të Iranit, Greqisë, Romës etj. dhe, duke rënë në dorë të pushtuesave të ndryshëm, pellazgët (katër degët, disa prej tyre- FD) u asimiluan dhe u zhdukën në Anadollinë e atëhershme, pastaj duke u tërhequr edhe nga Thrakia, dhe nga anët juglindore të Maqedonisë dhe nga ana e Ilirisë, dmth nga Bosnja dhe Hercegovina dhe, duke u nxjerrë nga ana e bullgarëve dhe sllavëve të cilët sulmuan vazhdimisht, janë ngjeshur (rrudhur afruar pranë njëri-tjetrit -FD) në pjesën jugperëndimore të Maqedonisë dhe në pjesën perëndimore të Ilirisë, dmth në Shqipërinë e sotme (kupto: Shqipërinë e katër vilajeteve, kufijve të kohës së Samiut - para 1913).

Përcaktimi i vendndodhjeve ku filloi asimilimi, i gjejmë të qarta në ditët tona, një pjesë e tyre sot kërkojnë rikthimin në identitet, fakt që u trajtua edhe tek shkrimi: "Ku janë shqiptarët etnikë". Shqiptarët, (pjesa e degës iliro- epirote - FD) shkruan Samiu, nuk i kanë ndryshuar zakonet dhe vetitë (moralin) që i kanë pasur nga koha e ilirëve dhe pellazgëve. Gjithnjë kanë jetuar të ndarë dhe të vetmuar nga popujt e tjerë. Edhe në mes tyre kanë jetuar të ndarë në fise të vogla dhe të hasmuar (armiqësuar-FD) njëri me tjetrin. Samiu nisur nga situatat e atyre kohëve, arrin në konkluzion se shqiptarët prej kohësh ishin të ndarë në fise-fise dhe, meqë janë udhëhequr nga kryetarët e fiseve dhe nga këshillat pleqërore, nuk u është dokumentuar historia e tyre. Sikurse është e ditur, kishin formuar tri shtete; njëri ishte në Shkodër, tjetri në Epir, dmth në territoret e Janinës dhe i treti në qytetin e vjetër Pella, që ishte në afërsi të Jenixhe-i Vardarit (27 km në veri të Selanikut, pranë së cilës kalon lumi Vardar) të Maqedonisë. Në ato kushte dega iliro-epirote, nuk u asimilua, ajo arriti të trashëgoi identitetin pellazg, me të cilin na njeh edhe sot historia e vërtetë. Pra, ne, shqiptarët e sotëm, jemi trashëgimtarët e degës iliro -  epirote.

Si përfundim Samiu spjegon kohën e fillimit të së keqes për shqiptarët: "Shqiptarët, të cilët sëbashku me Lekën e Madh kishin pushtuar botën, nuk pranuan t'u nënështroheshin lehtë romakëve. Ata u bënë atyre një qëndresë të vendosur, saqë Paol Emili, pasi i mundi me forcat e tij të mëdha, për hakmarrje i rrënoi 85 qytete të tyre dhe disa qindra mija njerëz i zuri peng dhe ashtu të lidhur me pranga i dërgoi në Romë. (Historia sot flet se u rrafshuan 70 qytete dhe u morën skllevër 150,000 epirotë). Shqiptarët në atë kohë, nga njëra anë u gjendën nën romakët, nga ana tjetër avarët, hunët dhe popujt e tjerë gjakpirës, shkatërrintarë dhe të egër, shqiptarët u tërhoqën në vende malore dhe të sigurta, duke qenë të detyruar të lëshojnë vendet pjellore dhe të rrafshta (sheshta), kurse një pjesë, bastisën në tërësi atdheun dhe emigruan në Greqi, në More, në ishujt e Greqisë deri në anët qendrore dhe në ujdhesën (ishullin) Marmara. Gjysma e kombit mbeti në Greqi dhe në More. Pjesa që mbeti në atdhe u tërhoq në vende të sigurta natyrore.

Ja, pra nga ajo kohë filloi fatkeqësia e këtij populli", përfundon konkluzionin e tij Sami Frashëri.

Kjo ishte gjendja e shqiptarëve, kur në pjesën e Rumelisë shkeli këmba e sulltanëve osmanë".

—----

? U njohëm me kohën kur filloi fatkeqësia e kombit tonë, sipas përcaktimit të bërë  rreth150 viteve më parë nga Sami Frashëri.

? Sot kombi ynë jeton realisht në fatkeqësinë e krijuar nga periudha romake dhe pushtuesit e ndryshëm gjatë 2,000 viteve të pas Krishtit.

Pasojat negative të atij fillimi fatkeq për ne, kanë vazhduar deri në ditët tona. Për të cilën, shkurtimisht u trajtuan në shkrimin: "Ku janë shqiptarët etnikë".

???

Shënim(1): Sivas (është një qytet në Turqinë qendrore dhe selia e provincës Sivas.

Shënim(2): Shpresoj të kem ndihmuar sado pak në trashëgiminë e pellazgjisë së kombit tonë, paçka thënieve të disa akademikëve, historianëve, gjuhëtarëve dhe studiuesave të brendshëm dhe të huaj që mohojnë ekzistencën e popullit pellazg.

Fahri Dahri. 26/04/2023.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora