Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Në tokën e shenjtë
E enjte, 10.11.2022, 08:50 PM
NË TOKËN E SHENJTË…
-
mbresë e parë -
Nga
Visar Zhiti
Me
të zbritur nga qielli në aeroportin e Tel Avivit, duke parë gjithandej flamujt
e Izraelit, i thashë Edës time që po më shfaqet Atjoni, djali ynë më një flamur
izraelit në dorë, kur ishim në një Panair Libri në Laipzig, atë po shikoj dhe
unë, më pëshpëriti ajo…
Për
birin kishim ardhur, atë të Zotit, në gjurmët e shenjta të Jezu Krishtit, të
vizitonim shpellat, rrugën e tij, do të nisnim që nga rrënojat e sundimtarëve
romakë në atë bregdet të Mesdheut, dekreti i Pons Pilatit, memorial mermeri, më
ngjau si duart, por që s’ka ujë deti t’i lajë ashtu si dhe duart pafund të Pons
Pilatëve modernë, rend autobuzi i pelegrinëve, shpaloset Toka Biblike
gjithandej, palma prapë, pallate, bashkëjeton e reja me të vjetrën, siç thuhet,
që është përvojë e botës, zogj të gjithëkohshëm, punime në autostrada, zgjerim
të tyre, fusha me tanke, bujtina, sinagoga, ndalim te kisha me altarin si
anije, pikërisht atje ku Krishti bëri një nga mrekullitë, ndali stuhinë në
ujërat e Galilesë dhe shpëtoi jetë, shpëtoi dashurinë njerëzore, etj, etj, po
dhe ne prandaj keni ardhur, t’i shpëtojmë një mbytje tjetërsoj… Ja, lumi
Jordan, gëzimi përtëritës i pagëzimit, bardhësi me prifterinjtë, miqtë tanë,
imazhet flasin më shumë se ne, himnet e shenjta na vijnë dallgë-dallgë bashkë
me mbrëmjen me një hënë të madhe hebraike dhe mezi presim të nesërmen për të
vazhduar…