Kulturë
Jahja Drançolli: Si sot, në vitin 1946, UNESCO u themelua në Paris
E premte, 04.11.2022, 07:49 PM
Jahja Drançolli:
Si
sot, në vitin 1946, UNESCO, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën
dhe Kulturën, u themelua në Paris. Dokumenti është ratifikuar nga 20 vende.
Edhe pse sovraniteti i Kosovës është njohur nga më shumë se 110 shtete,
përfshirë Shtetet e Bashkuara, Britaninë e Madhe, Gjermaninë dhe shumica e
shteteve anëtare të BE-së, Kosova ende nuk i është bashkuar organizatës së
përmendur!
Trashëgimia
kulturore midis realitetit dhe mitit!
Lufta
e fundit në Kosovë ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve, si për shumë studiues
ashtu edhe për opinionin publik, është vlerësuar si përplasje e qytetërimit të
krishterë dhe myslimanë, dhe në këtë kontekst gjithmonë theksohet miti serb për
Kosovën, ky mit shfaqet nga “gjuha shpërthyese e klerit, intelektualëve dhe
nacionalistëve serbë” (Ch. Mylonas, G. Duijzings), që përfaqësojnë palën serbe
si mbrojtëse të Europës dhe të krishterimit. Në fakt dihet se nga pikëpamja
fetare serbët i përkasin kryesisht të krishterëve ortodoksë, ndërsa shumica e
shqiptarëve janë myslimanë, dhe pjesa më e vogël i përket krishterimit
romako-katolik dhe bizantin-ortodoks. Kjo strukturë aktuale fetare, duke
përfshirë edhe fetë e tjera ekzistuese në Kosovë, konsiderohet si gur themeli
për krijimin e miteve për Kosovën, para së gjithash, është krijuar më zë të
lartë "miti serb, i cili e percepton Kosovën si zemër dhe shpirt të identitetit
kombëtar dhe fetar serb", dhe i dyti “Miti shqiptar”, i lindur në kohët
moderne si nevojë për të vërtetuar vazhdimësinë iliro-arbër-shqiptare edhe në
hapësirën e shtetit të ri të Kosovës dhe në pjesët të tjera shqiptare të
ish-Jugosllavisë”.
Si
duket gjendja e trashëgimisë kulturore në terren?
Në
territorin e Republikës së Kosovës që nga periudha parahistorike e deri më sot
njerëzit kanë zhvilluar trashëgiminë e tyre kulturore. Strukturat
etno-kulturore, qytetërimet, popujt kanë lanë si trashëgimi pasardhësve të tyre
shumë burime të shkruara, materiale dhe gojore mbi vlerat e Trashëgimisë
Kulturore. Prandaj, Kosova tregon një shembull të diversitetit të pasur të
Trashëgimisë Arkitekturore (Monumentet e Kulturës, Ansambli i ndërtesave, Zonat
e konservuara arkitektonike); Trashëgimia Arkeologjike e Paluajtshme (Ndërtimet, Strukturat dhe grupet e
ndërtesave, Monumentet e llojeve të ndryshme dhe përmbajtja e tyre, të gjetura
në tokë ose nën ujë, Peizazhe kulturore), dhe Trashëgimia Arkeologjike e Luajtshme
(Objekte që janë shprehje ose dëshmi e krijimtarisë njerëzore ose e zhvillimit
natyror, të dalluara nga vlera me rëndësi dhe interes historik, arkeologjik,
artistik, shkencor ose shpirtëror).
Deri
më tani në Kosovë janë evidentuar mbi 3200 objekte me vlera monumentale, 427
prej të cilave janë të shpallura nën mbrojtjen e ligjit dhe si të tilla janë të
regjistruara në Regjistrin Qendror të Monumenteve të Trashëgimisë Kulturore të
Kosovës. Këtij potenciali të pasur të trashëgimisë kulturore duhet t'i shtohen
edhe objekte të tjera të trashëgimisë kulturore, që do të shpallen monumente
historiko-kulturore. Një përparim i madh në këtë drejtim është bërë me hyrjen e
Manastirit të Deçanit në Listën Botërore të Trashëgimisë Kulturore (UNESCO) në
vitin 2004.
Në
territorin e Kosovës gjatë periudhës 1998-1999 janë shkatërruar 1025 objekte të
Trashëgimisë Kulturore. Ndër to, 150 ishin xhami dhe teqe dhe 56 kisha e
manastire. Në këtë aspekt, në domosdoshmëri për mbrojtjen e Trashëgimisë
Kulturore, është dashur aplikimi për Zonat Mbrojtëse i cili është ratifikuar
sipas Ligjit të Trashëgimisë Kulturore të Kosovës dhe planit të Martti
Ahtisaar. Praktika ka vërtetuar vështirësi në harmonizimin e të gjitha
qëndrimeve në lidhje me krijimin e zonave dhe veçanërisht në përcaktimin e
mekanizmit për menaxhimin e zonave. Në këto kushte, është e nevojshme të kemi
një integrim të rregulloreve ligjore dhe politikës kulturore.
Trashëgimia
Kulturore dhe mbrojtja e saj është një disiplinë shkencore, e cila në shtetet
multikulturore dhe të ndjeshme politikisht kërkon një qasje shkencore
objektive. Si i tillë ai shërben si një burim material për studimin e së
shkuarës, së tashmes dhe së ardhmes. Përveç kësaj ka rëndësinë në humanizëm të
jetës së njeriut dhe të mjedisit ku ai jeton. Në këtë kontekst, mbrojtja,
konservimi dhe restaurimi i objekteve sakrale dhe profane kontribuon jo vetëm
në ruajtjen e vlerave historiko-kulturore, sociale, ekonomike dhe fetare,
veçorive të veçanta të zhvilluara në Kosovë, por edhe në ruajtjen e paqes në rajon.
Një
ndikim të rëndësishëm në Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore luan “Dëshmia e
Trashëgimisë Kulturore”, proces i cili u realizua gradualisht nga gjysma e dytë
e shekullit të 19-të, veçanërisht nga viti 2001 e deri në ditët e sotme.
Dëshmia është realizuar nga institucionet qendrore dhe rajonale të Mbrojtjes së
Trashëgimisë Kulturore të Kosovës të ndihmuara nga institucionet ndërkombëtare
të udhëhequra nga UNMIK-u, UNESCO dhe Këshilli i Europës. Gjatë periudhës
2001-2005 janë evidentuar rreth 2800 objekte të trashëgimisë kulturore. Pjesa
më e madhe e tyre u krijua gjatë periudhës osmane (1389-1912). Pjesa tjetër i
përket periudhës iliro-dardane, romake, paleokritsitiane, bizantine dhe
ortodokse-serbe.
Vëmendje
e veçantë i kushtohet kujdesit për konservimin e monumenteve që i përkasin
kultit serbo-ortodoks dhe të monumenteve të kultit mysliman, si dhe
kështjellave antike dhe mesjetare.
Burimi: Jahja Drançolli,
Protecting Cultural Heritage in Kosova, in: Çanakkale, World Universities
Congress, 2010 (summary)!
Ilustrimi: Studenica, Istog Remains of an early
Christian basilica, in: Jahja Drançolli, Kosova: Archaeological Heritage:
Encyclopedia of Global Archaeology, 2014; 2020!