E hene, 07.10.2024, 09:56 PM (GMT+1)

Kulturë

Meti Rexhepi: Shtrati

E diele, 30.10.2022, 06:01 PM


SHTRATI

Nga Meti Rexhepi

vetëm tek ti lajthitesha se më falet qetësia

më shlyhen borxhet e ditës

kundërmimin e saj e ndjenë nënkresa

lukthi mezi bluan të ngrënat e tepërta

mëlmesa e mërisë mëtimet lakmitare

hedhur si një rëndomëni e paarritshme

dita e rrokulliste  shtjellën mbi ty

e përciptë ose me më të thellat hulli

diç kishte mbjellë porse çfarë vole ti

universi i ndërdymes në një sirtarë të tavolinës

kishte shënuar caqet tua të fshehura

dhe t`i diktonte në inserte aq të dendura

në të gjitha notat e ndjenjave

pa shkrola në letrën e bardhë

kujtesa harrestare të gjitha ngjyrat e papara i ngjallë

e shfaq një ylber mandej ylberit

në të verdhën e tij një kokë brisk gjarpri i shkëlqen

u fute në kurth e pa shteg diellor nuk ia del

drama e makthit të hedh në shtjellë djersësh të tretjes

kulmimi i saj bie mbi ty këputen insertet

hap sytë dhe shtrati ishte i tharë

gjaku nuk u mpiks  ende nuk të lagë

po si ç`e do tavanin dhe kulmin që të bie

Qyteti i Bardhë t`i paragjykon udhët e qefinit

trokasin shirat  e vjeshtës në qeramidhe ullukët oshtijnë

ndoshta reshjet e dendura e flladisin makthin

makthin e kuq makthin e zi mbi anatomi

*

mes gjarpërinjsh që hidhnin pështymën helmatisëse

shthurja e dramës i mbante ison paqes lajthitëse

ç`të bënte lukthi për tretjen e ngrënies

syve të gjumit u ikte kujtesa

ajo teshë zhveshura

intimja e fshehjes së teshave të brendshme

harrestarja që i kthente veshjet me lloj-lloj modelesh pashije

ashtu si kishte kalkuluar ndërgjegjja

ndoshta mllefi me elementë gjarpërorë mëtoi të ngjyente

krahasueshëm në të njëjtën gjellë

dhe të villte kafshatën e helmatisur mu në surrat  të atij kanibali mjekër zdrale

por nuk bëri asgjë  se kokë-urtës i ishte  zbehur trazira

qetësinë e shtratit qetësinë pa borxhe e trazuaka

kambanorja e natës ortodokse

*

shtrati t`i mbledhka eshtrat bredharak kruspull nën një mbulesë

me urithët e mendjes e iriqët në nënkresë

*

popi shpif alarme shurdhuese në kishë e

ende nuk pushuaka kambanorja e natës ortodokse

Gjilan, fund tetori 2022



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora