Kulturë
Faruk Tasholli: Ibrahim Rugova dhe 'Darka e Lamës'
E merkure, 26.10.2022, 07:55 PM
IBRAHIM RUGOVA DHE
''DARKA E LAMËS''
(Kur
e dëgjova të fliste për këtë ritual festiv dhe si e mendonte ringjalljen e tij
në traditën shqiptare Ibrahim Rugova)
NGA
FARUK TASHOLLI
Derisa
në ditëlindjen e tij (2 dhjetor 1944), ish presidentin historik Ibrahim Rugova,
do të gjejnë forma ta kujtojnë, politakanë e intelektualë, gazetarë e mjete të
informimit, familjarë dhe miq të afërt e të largët të tij, madje edhe me forma
stereotipe, unë në këtë ditë dua ta rrëfej rastin kur Ibrahim Rugova foli për
„Darkën e Lamës“ duke propozuar që jo vetëm ky rit, por edhe rite të tjera, në
dritën e re, të ridimensionoheshin dhe
të shënohenshin në përmasa kombëtare.
Ishte
diku dhjetëditëshi i parë i muajit dhjetor 1989. Pas orarit të punës, pas dite,
në rrugën që tash është nën Katedralen e Prishtinës, e aso kohe kishte lokale
zejtarësh e më shumë lokale gastronomie e pijetore, u takova me Milazim
Krasniqin dhe Ibrahim Rugovën, që së bashku hymë në njërin nga lokalet aty.
Sytë e të pranishmëve drejtoheshin nga tavolina jonë, pasi tashmë I.Rugova, me
reagimet e tij publike dhe me intervistat nëpër mediat e huaja sidomos, duke
dënuar dhunën serbe në të gjitha sferat e jetës shqiptare në Kosovë, ishte
shndërruar në një simbol të qëndresës kombëtare. Pas pak në atë ndejë rasti, na
u bashkuan edhe miqtë tanë Nehat S.Hoxha, Basri Çapriqi dhe Abdullah
Konushevci. Bisedat e lira, relaksuese, rreshqitnin sa nga një temë në tjetrën,
por megjithatë riktheheshin kah letërsia. Atë vit insitucionet shkencore dhe
kulturore shqiptare, me iniciativën e Shoqatës së Shkrimtarëve të Kosovës, po e
shënonin në mënyra të ndryshme 300-vjetorin e vdekjes së Pjetër Bogdanit. Në
emisionet e kulturës në Radio Prishtinë ku unë punoja, e kisha ftuar dy-tri
herë gjatë vitit I.Rugovën të fliste për figurën poliedrike të Bogdanit. Dua të
shtoj me këtë rast se udhëheqja e dërguar nga Komiteti i Komunistëve të Kosovës
në gazetën „Rilindja“, muajve të fundit, e shmangte emrin dhe paraqitjet e
Ibrahim Rugovës. U ndalëm te një emison njëorësh që e kisha dhënë para dy-tri
ditësh në Radio, e që ishte incizim nga kumtesat e I.Rugovës, Mahir Domit,
Androklli Kostallarit, Dalan Shaplos dhe Martin Camajt nga Seminiari për
Gjuhën, Letërsinë dhe Kulturën Shqiptare të atij viti në Fakuktetin Filologjik
të Prishtinës nga sesioni qe iu kishte kushtuar vepres se Pjeter
Bogdanit..Kumtesat e tyre në mënyrë integrale i kishte dhënë vetëm gazeta
„Fjala“ ku kryeredaktor ishte Milazim Krasniqi. Po e përmend këtë rast, pasi në
Prishtinë, pas vitit 1981, deri atëhërë nuk kishte shkelë asnjë studiues nga
Shqipëria, ndërsa Martin Camaj, pas shumë vitesh mërgimi, po kthehej për herë
të parë. Natyrisht që kënaqësia ime personale ishte në kulm që në emisionin
tim, po e shpalosja dijen e këtyre shkencëtarëve por më shumë kishte rol në ato
rrethana paraqitja e tyre publike, madje në një medium me ndikim për kohën. Kur
ishim te kjo temë, biseda u soll se si ishte ndaluar të mos shkonte në Tiranë
Ibrahim Rugova në një konferencë shkencore që atje po mbahej për Bogdanin në
këtë përvjetor, lajm që ishte përhapur më shumë përmes Radio Tiranës. „Nuk
desha ta bëj më të madhe këtë pengesë që m'u bë, pos letrës që i shkrova
Konferencës për arsyet e mosshkuarjes atje, se ndoshta do të detyroheshin këta
të pushtetit të më jepnin vizë!“, na tha mes tjerash Rugova.
Më
pas, kur muzgu i fillim dimrit veç kishte mbuluar Prishtinën, ashtu si ishim,
shkuam në Institutin Albanologjik, ku me sa më kujtohet, mbahej një simpozium
për etnologjinë. Hyme në seancë dhe referuesit njëri pas tjetrit paraqisnin
kumtesat.Pas mbarimt të kumtesave, si ishte zakon në këso rastesh,
zhvilloheshin diskutimet për temat në fjalë. Në diskutim u inkuadrua edhe
Ibrahim Rugova i cili për shumë rite tradicionale që u fol aty, propozoi që të
mos mbyllen si tema vetëm në institucione shkencore dhe në skedat dhe punimet e
shkencëtarëve, por ato të funksionalizohen edhe në jetën praktike, madje
gjithnjë duke ua dhënë atributin „shqiptare“, pasi dilnin nga traditat e vetë
popullit që i kishte bartur brez pas brezi. Ndër këto rite tradicionale, u ndal
edhe te Darka e Lamës, duke thënë se edhe këtë rit festiv, duhet ta
riaktualizojmë, duke caktuar një datë dhe ta mbajmë ashtu si është mbajtur në
mënyrë tradicionale në çdo familje shqiptare në fund të lëmës. Pas këtyre
fjalëve, mua m'u kujtua ky rit që e kisha ndeshur qysh në fëmijëri edhe në
familjen time, por që më vonë, me dinamikën e kohës, e kishim braktisur. Kështu
ndodhte edhe me familjet e tjera të cilat me zhvilimin e shoqërisë po
shkëputeshin nga mënyra rurale e jetës. Duke u rikthyer me kujtime në darkën e lëmës, nuk di a e kam dëgjuar më
shumë në ato çaste Ibrahimin, por pas përfundimit të atij sesioni, vazhduam të pimë kafe në
kabinetin e tij me Milazimin dhe me Nehatin. Nuk u durova ta pyesja Ibrahimin
se si po mendon të shënohet „Darka e Lamës“, kur lëma bëhet nga familja në
familje, varësisht kur arrijnë ta fusin dridhin në hambar, që tashmë pothuajse
gati nuk ekzistojnë. Ai me urtinë dhe
qetësinë e ti karakteristike, ma ktheu: Po duhet ta caktojmë një datë optimale
dhe të shënohet ky ritual që është praktikuar nga antika e këndej në praktikën
jetësore të popullit tonë!
Mirëpo
me zhvillimin e ngjarjeve, erdhi koha dhe ketë ide, pas konsolidimit të
institucioneve me mund të madh, vetë Ibrahim Rugova e shndërroi në praktikë
jetësore, duke organizuar Darkën e Lamës dhe duke e rikonfirmuar këtë traditë
që aty-këtu edhe tash po funksionon.
Kjo
traditë, pak a shumë, praktikohet në mënyra të ndryshme edhe sot në vendet e
Europës perëndimore, si në Gjermani ku zakonisht në të dielën e parë të
tetorit, në forma të ndryshme ekspozohen bereqetet e motmotit, duke defiluar
rrugëve me qerret tërheqëse me kuaj dhe
traktora etj. Pastaj këndohet e vallëzohet, duke falënderuar Zotin për mot të mirë që ka mundësuar të korrat të jenë
të frytshme dhe tryezat e njerëzve të kenë ushqim të bollshëm.
(Dhjetor, 2018)
facebook.com/faruk.tasholli.5