Kulturë
Gjekë Gjonaj: Rrëfime tronditëse dhe vuajtje të paimagjinueshme në burgjet e diktaturës komuniste
E enjte, 20.10.2022, 07:55 PM
Rrëfime tronditëse dhe vuajtje të paimagjinueshme në burgjet e diktaturës komuniste
Mbi
librin “Martirët”, të autorit Pjetër
Arbnori
Nga
Gjekë Gjonaj
Autori
i librit “Martirët - 10300 ditë e net në
burgjet komuniste” Pjetër Arbnori , të
botuar në gjuhën shqipe dhe
italiane, përshkruan ngjarje dhe rrëfime tronditëse nga
jeta në burgjet komuniste në Shqipëri. Këto ndodhi
dramatike, kthesa të papritura
dhe situata të habitshme rrëqethëse e drithëruese u përngjajnë
fantazive të shfrenuara të cilat mund t’i lexojmë në vepra të shquara letrare të shkrimtarëve të mëdhenj vendas dhe të
huaj. Në faqet e këtij libri, autori ka
përfshirë kujtimet e tij që nga mosha
katër vjeçare, kur siç shkruan ai, mbante mend festën e 28 N1938, me
ç’rast motrat e morën në shkollën fillore të Burrelit dhe
aty të gjithë së bashku kënduan me Himnin
e Flamurit, luajtën valle dhe morën nga një llokum, duke përfshirë
edhe rrugën e tij ( arsyet) që e çoi në një burgim të gjatë, ku i kaloi afër tridhjetë rrathët e Ferrit, respektivisht bëri
28 vjet në burgjet e diktaturës komuniste , për çka është quajtur “ Mandela i
Ballkanit”. Ai në vitin 1961, në moshën
26 vjeçare, arrestohet dhe dënohet me vdekje për agjitacion e propagandë. Pas njëfarë kohe, dënimi i zbret në 25 vjet
burg. Si pasojë e aktivitetit të pas hekurave e nën zgjedhë, i shtohet dënimi
edhe me dhjetë vjet për agjitacion e propagandë. Në gusht të vitit 1989
lirohet, duke mbajtur mbi vete 28 vite e gjysmë heqje lirie në burgjet famëkeqe
të diktaturës.
-Shpesh
kur takoj miq e dashamirës, pjesa më e madhe e tyre shpreh një keqardhje të
thellë për fatin e zymtë që kam pasur në
jetë, për vuajtjet që kam kaluar, për ferrin që kam provuar për së gjalli: isha
i lidhur këmbë e duar dhe mbeta për gati dy vjet në qeli, pa e parë familjen në
sy; gati tre muaj me radhë prita çdo minutë pushkatimin; i dënuar pastaj me
ndëshkimin për të ndenjur në “ bodrum të
zi” për njëzet e pesë vjet dhe kur këto
mote të gjata lëngimi mbaruan, e pashë veten
të dënuar përsëri me dhjetë vjet të tjera burg shtesë. Në tërësi kalova
28 vjet e katër muaj burgim”, shkruan
Arbnori. Ai në letrën që i ka dërguar,
Shuaip Panaritit, kryetarit të
Gjykatës së Naltë në Tiranë, më 26
nëntor 1964 thekson: “ Sikurse kam
deklaruar në gjyq. Pjesa më e madhe e proceseve të mia është falsifikuar nga
major Llambi Titani. Për më tepër firmat janë marrë duke përdorur
dhunën fizike, psikologjike dhe
kërcënimet. Gjithashtu, mbas dënimit tim
me vdekje, presioni i paligjshëm ka vazhduar. Thuajse të gjithë personat që më
kanë shoqëruar gjatë izolimeve, më kanë
thënë se janë të porositur që të më bëjnë presion dhe kërcënime që të gënjej.
Më është thënë gjithashtu se do të hakmerreshin
tek familja po të refuzoja një gjë të tillë. Edhe mbas dënimit tim dhe
ardhjes në burg, tortura më është shtuar, në vend që të pakësohej. Tortura me
hekura, me cigare, shpuarja me gjilpëra, ndalimi i takimeve, futja në birucë,
ndalimi i ushqimeve dhe i korrespondencës për muaj me radhë, futja e të
burgosurve që të më rrahin”.
Nga
ky dhe rrëfimet e tjera në këtë libër
mësojmë për kalvarin e
torturave, presionin psikologjik dhe
vuajtjet e paimagjinueshme në errësirën
e burgjeve të diktaturës jo vetëm të autorit , por edhe shokëve të tij , mijëra
të burgosurve politikë dhe martirëve të
tjerë shqiptarë, shokëve të tij, disa
prej të cilëve janë pushkatuar, kanë vdekur nëpër burgje, ose kanë vuajtur
nëpër kampet e punës , gjithmonë të kërcënuar,
të tallur e të përçmuar me shprehjen famëkeqe “ Do ju heqim maskën”.
Parimi
i komunizmit, shkruan Arbnori , sipas urdhrave të Enver Hoxhës, ku thuhej” ku
nuk ekziston armiku krijoje”, i cili i tha
Koçi Xoxës që duheshin
goditur “armiqtë e Shqipërisë ”. Kush ishin këta “armiq” ? Shtresa më e lartë intelektuale e
Shqipërisë së atëhershme ateiste, klerikët katolikë, myslimanë e ortodoksë dhe
intelektualë të përgatitur të të gjitha
fushave me bindje përparimtare
perëndimore e atdhetarë që e
donin një Shqipëri të lirë e të çliruar nga ideologjia
komuniste-staliniste. Motivet, politika e goditjes ndaj
mijëra intelektualëve, djemve
nënash të pafajshëm, që burgosi e vrau
gra e vajza të pafajshme, e persekutoi familjet e tyre, siç tregon Arbnori,
përpunohej në Komitetin Qendror
të Partisë Komuniste ( Partia e Punnës) nën drejtimin e vetë Enver Hoxhës.
Gjatë kohës sa qëndroi në burgjet komuniste, Pjetër Arbnori përshkruan në detaje trajtimet çnjerëzore në
hetuesi, në kampe e në burgje, vitet në
dhomat e izolimit pas birucës, të ftohta në dimër, të nxehta në verë, zakonisht
me çimento, me një, dy ose tre batanije vetëm natën, ushqimin e dobët , 500
gram bukë misri ose patate të ziera në vend të bukës. “ Në fushatën e patates buka zëvendësohej me patate të ziera
ose me bukë misri. Kjo ishte periudha më e vështirë e urisë. Supë jepej në
drekë dhe në darkë. Ishte një spirilëng me oriz me krimba, ose fasule me qindra miza
që duhej të mbyllje sytë e ti kapërdije. Kripë kishte pesë gram, vaj kishte 6,5 gram, por në fakt kurrë nuk shihej një gjurmë yndyre. Kur kishte
lëngë fasuleje ishte ditë feste. Do t’ju them edhe një gjë: kur qëllonte që të
të rrihnin ( se nuk të rrihnin përditë, kur ktheheshe në birucë haje bukën me aq shije sa nuk e kishe shijuar, as në
darsëm. Kurrë një herë nuk e pamë mishin. Pas viti 1972, 10 gram sheqer
në vaj”, tregon autori. Rrëqethëse janë
kallëzimet e tij për torturat fizike,
psikologjike e torturat fyese që u bëheshin
të burgosurve brenda katër mureve . “
Pasi të zbresin prej krahësh nga makina, Gaz Motolov me drita të ndezura, pasi
të rrasin brenda të heqin nga koka
thesin e palarë, fillon ceremonia e pritjes me ca shpulla e kërcënime, pastaj
nis kontrolli i imët trupor. Të shkulin rripin e mesit, të heqin lidhëset e këpucëve, të këpusin pulat e pantallonave
dhe të xhaketës, në fund të zgjidhin
llastikën e brekëve dhe ti mbetesh ashtu i hutuar me njërën dorë që shtrëngon brekët e pantallonat që të mos
bien në fund të këmbëve dhe me dorën
tjetër me shukun e rrobave që të kanë
zhveshur”, rrëfen Arbnori. Edhe më
trishtuese ishin metodat dhe
llojet e torturave në burg, si: rrahje me dru deri sa të bëhen plagë dhe të bjerë mishi, kruarje e plagëve të
qelbëzuara me dru, çpuarje e mishit me të djegur, elektrikë në vesh, futje të
kripës në mish, lagia me ujë të ftohtë, lënia pa bukë deri në vdekje, lënia pa
bukë e ujë për disa orë, lënia zhveshur e në të ftohtë, jeleku i forcës dinamit
në vehte, shtrëngimi i gishtërinjve me pinca, fekale në gojë, varje kokë poshtë, lidhje për peme, lënie në diell,
maçoku në tumane, përgatitje varri, pushkë
në gojë dhe tentativë për çnderim të vajzës.
Po
ashtu duke lexuar këtë libër mëson se
në burg kishte fashistë. nacionalistë,
zogistë intelektualë të pavarur e të pakorrigjueshëm . Kishte grupe të organizuara e të paorganizuara,
gjithmonë të fshehta, sikurse edhe grupe të krijuara nga Sigurimi i
Shtetit me qëllim që të ngriheshin kurthe zbulimi e për t’i përçarë e të tjera.
Pavarësisht torturave e mundimeve çnjerëzore të cilat i përjetoi vetë
Pjetër Arbnori gjatë izolimit në
qelitë e errëta të burgjeve të diktaturës në Shqipëri ai asnjëherë nuk u
shkëputë nga jeta e gjallë përtej
hekurave dhe telave me gjemba. Edhe pse ka parë stuhinë e vdekjes duke rënë mbi aq njerëz , si shumë prej
tyre, u tregua në lartësinë e idealit.
Për këtë qëndresë u dëshmua dhe s’do të harrohet.