Kulturë
Gjon Keka: Prof. Anton Çetta, thesar i popullit shqiptar, pajtoi gjaqe edhe në diasporë
E marte, 18.10.2022, 08:00 PM
Anton Çetta në Zvicër, me veprimtarët dhe Zija Sylejmanin
Prof. Anton Çetta,
thesar i popullit shqiptar, pajtoi gjaqe edhe në diasporë
Nga
Gjon Keka
Emri
i prof. Anton Çettës është sinonim i fjalëve magjike të Pajtimit dhe Faljes që
zbërthen edhe antropologjinë e vuajtjeve të popullit shqiptar. Me veprën e tij
ai ka ringjallur besimin mbi progresin, për të ardhmen e popullit tonë të
lashtë dardano-ilir, duke e larguar atë nga humnera e gjakmarrjes, hakmarrjes
dhe regresit. Për ne shqiptarët kudo nëpër botë emri i prof. Anton Çettës është
i lidhur ngushtë me edukimin, lirinë e ndërgjegjes së popullit të vuajtur
shqiptar të Kosovës dhe më tej, me luftën kundër urrejtjes, vëllavrasjes etj.
Gjithçka mbi këtë personalitet tregon se zemra e tij ka rrahur fort për lirinë,
tolerancën, dashurinë njerëzore, për luftën kundër urrejtjes dhe mostolerancës,
vëllavrasjes etj. Gjithashtu, si një kalorës i ndritur ai luftonte edhe për të
drejtat e njeriut, kërkonte dritë, donte edukim dhe liri, ishte kundër
errësirës, injorancës, vëllavrasjes, zgjedhës së padrejtësisë, shtypjes dhe
skllavërisë.
Pikërisht,
atëherë kur errësira ishte më e thellë u shfaq Burri i Urtë më shokë për ta
ndalur të keqen nëpërmjet pajtimit të gjaqeve. Këta burra të urtë e të mençur
shkëlqyen dhe bënë dritë me diellin e mendjes së tyre aty ku urrejtja,
gjakmarrja e hakmarrja kishin shpërthyer dhe ku ndihej frikshëm me të madhe
jehona shkatërruese. Si një fuqi pajtuese e shëruese për kohën ata i dolën në
ballë të keqes për ta ndalur dhe larguar errësirën mes popullit, gjë që po e
gërryente vrullshëm atë nga brenda. Zemra e madhe e Anton Çettës, me dashurinë
për atdheun e nëpërkëmbur dhe të vuajtur, përqafoi popullin dhe shoqërinë për
ta mbështetur në rrugën e dijes dhe të arsyes.
Anton
Çetta kishte guximin dhe forcën mendore për të rrëzuar paragjykimet dhe
urrejtjen e ngulitur thellë që në rrënjë. Me veprën e tij si në fushën e
projektit të pajtimit të gjaqeve ashtu edhe në atë të edukimit dhe mbledhjes së
folklorit ai na dha një pjesë nga zemra dhe mendja e tij, na njohu me
efikasitetin e punës dhe veprës së tij të pavdekshme. Para së gjithash, ai na
njohu me disa nga mendimet e tij të shkëlqyera dhe fisnike, çka tregon se ky
njeri ishte i përkushtuar tërësisht për të drejtat e mohuara të popullit tonë,
si të drejta të natyrshme që duhet t’i gëzojë çdo qenie njerëzore. Ndërkaq, më
duhet të nënvizoj se prof. Anton Çetta e donte të vërtetën, pasi realisht është
vetë vepra e tij gjurmëlënëse që e tregon qartë e bindshëm këtë, edhe pse, në
harmoni me të vërtetën që ai kërkonte, një proverb i urtë thotë: “E vërteta ka
fytyrë të bukur, por rroba të grisura”.
Veprat
e tij nuk ishin një imazh i kotë që u krijuan kalimthi; ato ishin e ardhmja e
tij, qëllimi i tij, ideali me të cilin ai e ka udhëhequr populli nëpërmjet
pasqyrës së virtytit dhe pajtimit, kulturës dhe civilizimit. Koha kur Anton
Çetta erdhi në mesin e popullit ishte domosdoshmëri për krijimin e këtij
projekti të rëndësishëm për çështjen e pajtimit të gjaqeve. Me vetëdije të
plotë ai mori përgjegjësinë për ta realizuar këtë, prandaj edhe kujtimi për të
do të jetë i përjetshëm te mbarë kombi shqiptar. Ai ishte njeri fisnik, i lirë,
kishte një mendje progresive që e përshkoi Kosovën dhe tërë kombin shqiptar si
një agim, duke shpallur dhe ngritur nga letargjia e gjatë popullin dhe zgjimin
e tij në shpresat më të mira, për një të ardhme pa gjakmarrje e hakmarrje, ku
drejtësia dhe humanizmi, edukimi dhe bukuria të merrnin kuptimin më fisnik
midis popullit tonë. Me veprën e tij ai u përpoq t’i ndërgjegjësonte mendjet e
çoroditura, duke i kthyer drejt vëmendjes për të mirën, virtytin e të bukurën e
popullit shqiptar.
Duhet
nënvizuar se pikërisht elementet shpirtërore e mendore në të cilën këta burra
të mëdhenj të kombit tonë kanë vepruar përbëjnë edhe në ditët e sotme thelbin
dhe tharmin e kohës sonë. Njeriu fisnik kurdoherë mendon plane fisnike dhe i vë
vetes qëllime fisnike. I tillë ishte edhe prof. Anton Çetta, njeri fisnik dhe
me qëllime tërësisht fisnike për popullin shqiptar dhe në veçanti për shoqërinë
shqiptare të Kosovës. Me urtësinë dhe guximin e tij, me idealin që ai mbartte,
me vullnet të mirë dhe me fuqinë e mendjes së tij ai pothuajse e forcoi popullin
dhe shoqërinë. Ideali i tij e nxiti që atë pjesë të popullit dhe të shoqërisë,
si dhe familjet të cilat ishin në gjakmarrje e hakmarrje të pastrohen nga veset
e zakonet e këqija të trashëguara kanunore me anë të faljes dhe pajtimit. Duke
e ngritur veten mbi këto mbetje të së shkuarës së largët zakonore, ky popull,
shoqëria dhe familja që kishte në gjirin e vet figura fisnike me një prejardhje
heroike e njerëz të vërtetë, tashmë kërkonte drejtësi, falje, pajtim dhe paqe.
Vetëm duke u mbështetur në forcën e vet morale ky popull dhe kjo shoqëri do të
përpiqej për të qenë më të mirë, për të dalë më e fortë, larg çdo
vetëmashtrimi. Duheshin bërë këto përpjekje të sinqerta nga thellësia e
ndërgjegjes për zgjidhje të problemeve të brendshme të mbartura nga e kaluara e
errët, të cilat tashmë i kërkonte koha dhe që do të ishin shpëtim për brezat e
ardhshëm, për vetë fatin dhe të ardhmen e mbarë popullit shqiptar. Duke e
larguar nga vetja njëherë e mirë këtë ves, këtë zakon të keq kanunor shoqëria
shqiptare do t’ia hapte vetes derën e shpëtimit.
Në
këtë kuptim e qëllim të mbarë, populli dhe shoqëria ishin gjithnjë e më të etur
që të përfitonin nga mendja, nga këshillat dhe urtësia e prof. Anton Çettës, si
dhe nga vepra e tij e madhe në projektin e pajtimit të gjaqeve. Me shumë nderim
e respekt për këtë figurë të madhe populli ynë i hodhi shikimet në zgjidhjen e
pyetjeve që lidheshin ngushtë me çështjet e larta dhe nevojën morale e
kombëtare të kohës. Këto mendime – në lidhje me projektin e pajtimit të gjaqeve
dhe të rrugës që do të hapej për lirinë e vendit më pas, si rrjedhim i
lëvizjeve të kohës për idealin e një Kosove të pavarur, demokratike dhe
europiane – ishin drejtuar më parë nga vetë Anton Çetta dhe shumë intelektualë
të tjerë. Fushata e pajtimit të gjaqeve u shtriu edhe në diaspor, edhe atje
prof. Anton Çetta bashkë me bashkëveprimtarët e tij pajtuan shumë familje
shqiptare. Kontributi i tyre është i pazëvendësueshëm, vlenë të përmenden
pajtimet në Zvicër, ku në mesin e shumë kontribuesve bashkë më prof. Anton
Çettën ishte edhe Zija Sylejmani i cili e priti prof. Anton Çettën në shtëpinë
e tij në Zvicër dhe pajtuan një nga familjet që ishin në gjakmarrje dhe shumë
familje tjera kudo në diaspor. Pra sikur që shihet fushata dhe misioni i
pajtimit të gjaqeve i shpërtheu edhe kufijtë e trojeve shqiptare, doli edhe në
diaspor për ta ndal këtë gjakderdhje kombëtare e cila nuk kishte të ndalur dhe
i shërbente armiqëve, ngase armiqtë e kombit shqiptar i fërkonin duart kur
shihnin se si shqiptarët po vrahen në mes vete, madje edhe ata edhe sot, i
fërkojnë duart nga gëzimi kur shohin se si shqiptarët e Kosovës dhe kudo po
vrahen në mes vete , qoftë për një fjalë goje, për mendime të ndryshme, apo të
vëllavrasjes për fe të ndryshme në mes vete etj.
Nga
e gjithë kjo që u nënvizua më lartë tashmë është më se e qartë se Anton Çetta
është kthyer në një thesar të popullit shqiptar. Si një qenie njerëzore ai u
përball me shumë nga këto dukuri negative, me zakonin e rëndë kanunor të
gjakmarrjes e hakmarrjes, ndërsa sot, në këtë shekull, edhe përkundër harresës
së institucioneve të shtetit të Kosovës, “tabernakulli” i tij i shenjtë tanimë
është zhytur në tokë, porse shpirti i tij është i përlëvduar dhe nderuar në të
gjitha familjet, mes shoqërisë dhe popullit shqiptar të Kosovës, por
veçanërisht mes kombit shqiptar europian të kudondodhur.