E premte, 29.03.2024, 03:06 PM (GMT)

Kulturë » Mërkuri

Timo Mërkuri: Poezia moderne e Hamit Aliaj

E hene, 17.10.2022, 06:39 PM


POEZIA MODERNE E HAMIT ALIAJ

Në “Njëqint vjet e Martë”

Nga Timo Mërkuri

I-Në vlerësimin e poezisë së Hamit Aliaj të gjithë jemi dakort se ajo është njëpoezi elitare, një poezi e rrafshit të epërm poetik, madje e një stili të veçantë. E vërteta është se kjo poezi erdhi si e veçantëqysh në fillimet e saj, e dallueshme edhe nga poezia e patriarkëve Kadare, Agolli, Arapi, stileve tëtë cilëve synonin t’u qaseshin shumë krijues të rinj. Poezia e Hamit Aliaj jo vetëm që nuk kishte gjasa afrimi me to, por edhe nuk synoi t'uqasej sadopak në ndonjë farë mënyre. Poezia e tij erdhi si një djalosh i porsazbritur nga alpet me veshjen tipike plot bardhësi, duke na folur për gjëra që ne vetëm sa i kishim lexuar dikur diku dhe kjo na krijoi përshtypjen seai erdhi pikërisht të na ftonte të shkonim nenë lartësitë e tij dhe jo të rrinte ai në komoditetin qytetar.Stili i tij poetikerdhi i beftë, si nga jashtëkoha, i pakuptuar qartësisht, madje duke krijuar rreth vetes një distancë misteri për “kapriçon” poetike, duke bërë që “disa” të prisnin e pëshpërisnin sesë shpejti do lëshoheshin përmbi poezinë e tijme vërtik ortekët e pleniumeve. Ishte dimër i keq për poezinë dimri i atij viti kur doli libri i tij i parë “Bjeshkët janë mbiemri im”(1974), por për çudi, në vend të “ortekëve” mbi poezinë e tij, libri promovohet në sallën e mbledhjeve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë  me një pjesmarje të gjërë. Diskutimet kishin formën e gjetheve të dafinave që do vendoseshin në kurorëpër dy poetët e rinj (bashkë me ‘të u promovua  dhe libri i Skënder Buçpapës “Zogu i bjeshkës”). “Orteku” erdhi shumë shpejt, por ndryshe nga sa u hamendësua ai erdhi në formën e një grupi poetësh të rinj, që mbuluan me bardhësinë e krijimeve të tyre organet e shtypit letrar të kohës. Paskëshin qenë Bjeshkë të Bekuara me poetë këto Bjeshkët e Namuna.

II-Hamit Aliaj vazhdoi të qëndrojë si një poet i veçantëi dallueshëm, i dukshëm mbi “rrafshin e epërm” si një majëmali mbi ‘të, i përmëndur si poeti më fin, i bëlbëzuari si poeti më eleganti trevave veriore dhe i cilësuar si një mit poetik. Të gjitha këto cilësime i përshtaten portretit të tij krijues e poezisë së tij, por zakonisht këtu qëndrojnë gjithë analizuesit e veprës së tij poetike, duke mos cilësuar apo duke mos kuptuar aspektin tjetër, më kryesorin: qënien moderne të poezisë së tij. Madje unëi lejoj vetes të shprehem se Hamit Aliaj hyri në letërsinë shqipe si një poetmodern, ndonëse veshja e poezive të tij ishte tipike shqiptare.

Për të kuptuar shprehjen “poezi moderne”, në mungesë të një përkufizimi të plotëna duket me vend të citojmë thënien eAnton Nikë Berisha ku shkruan se: “Poezia moderne i shpreh dukuritë përtej asaj që sheh syri. Poezia moderne synon t’i shprehë dukuritë që gjallërojnë në errësirë ose siç mund të përfytyrohen ato ose siç mund të jenë; të depërtojë atje ku syri ynë nuk mund të vërejë, po kjo bëhet përmes “syrit të mendjes” dhe “syrit të shpirtit”[1]” gjë që na nxit ta nisim meditimin tonë për poezinë e Hamit Aliaj qysh nga titulli i librit “Njëqint vjet e Martë”duke shfrytëzuar dhe shpjegimin e Egdar Allan Poe se: “Realja nuk është bota fizike, materiale, por përkundrazi, shpirtërorja, e pakapshmja. Është e anasjellta e gjithçkaje që ndjesitë tona mund të përfytyrojnë dhe që arsyeja jonë mund të përqafojë…[2].E parë në këtë kontekst poezia e Hamit Aliaj ështëjo vetëm një poezi e arirë moderne e poetit, por edhe një aritje e poezisë moderne shqipëtare.

III-Moderniteti i poezisë së Hamit Aliaj ështëjo vetëm struktura vargore e poezive, por së pari është vetë shpirti i tyre, zemra e tyre që rreh. Të kuptojmë një gja, poezia e Hamit Aliaj nuk ndjehet duke e “parë” me sy të shkruar me gërma mbi fletë libri. Për të ndjerë dhe kuptuar poezinë e tij duhet të bëhesh një me atë vetë, si me thanë, duhet “të shartohesh si filiz në trungun e tij poetik”, të ndjeshë si “ngjitet” ushqimi nga rrënjët e kombit, mitet e legjendat nëpër degë e gjethe, të ndjesh që je një degë e këtij trungu poetik dhe në “degëzat” e tua bëjnë folenë zogjtë e bjeshkëve, të ndjesh dridhjen e vargjeve si gjethet nga era, të mbash në duar e trup dëborën e ngricat e ta ndjesh pranverën para se të vijë te “manushaqet në mes të dëborës”. Për të kuptuar shpirtin e poetit duhet të kesh vetë një shpirt të tillë, duke na kujtuar thënien se e : “Poezia është për elitën shoqërore”.

Duke parë me vëmëndje metaforat e poezisë së Hamit Aliaj ndjen se ato nuk janë një veshje e jashtëme, një kostum me copë teritali të huaj, qepur sipas modës sëfundit të Parisit apo Romës. Ato nuk janë veshje, ato janë mushkëritë dhe zemra e poezisë së, rrahja e të cilave i jep jetë organizmit të tij poetik.Ato nuk janë as ballkone metalike “të shtuara” në ndërtesën e tij poetike, për të soditur panoramën përeth apo për të ekspozuar disa vazo me lule.Ato janë kollonat mbi të cilat është ngritur vetë ngrehina.

Pra, modernia në poezinë e Hamit Aliaj nuk është diçka e jashtëme, e sajuar, e importuar nga arritjet e poezisë europiane. Ajo ka fituar nga kultura poetike botërore, por rrënjët e saj janë në tabanin vendas, në kulturën e trashëguar, në arritjet e artit gojor dhe të shkruar shqiptar. Sigurisht që talenti i tij zbuloi mënyrat më të përparuara në kulturën shqiptare, i përsosi ato sipas temave dhe çuditërisht si te asnjë poet tjetër, ato ndjehen komod në poezinë e tij, edhe kur ajo ka temë nga e kaluara e largët e kombit dhe historisë sonë.“Erdhi Tanusha në kullën shqiptare/../ Humbiste kreshniku në Tanushën/Si humb mali në një re të bardhë/../Sa kohë zgjati mpirja, gjë nuk dihet/S’thotë Eposi për këtë asnjë fjalë/Veç dihet se Halili ynë/Me Tanushën s’lindi as vajzë as djalë”. (f. 113), duke na treguar se epi shqiptar i hapi shtegun e dashurisë Halilit dhe Tanushës, por i mbylli rrugën e vazhdimësisë (në ndryshimin e identitetit).

Moderniteti në poezi nuk ka të bëjë me kohën kur shkruhet apo cilëson poezia, moderniteti në poezi ka të bëjë me nivelin më të lartë artistik të shprehjes së ndjenjave dhe ideve, si kjo poezi që në me një frymë epike i drejtohet lumit të Valbonës: Hej tu thafshin krahët kopilja ime syqiell/Hënë për hënë me u përhanue/Gojë për gojë me u përgojue/../Hej Valbonë vdeksha në ty/Që të qash një herë në njëmijë vjet/ E qarja të ketë emrin tim”.(f.111).

Ka një specifikëpoezia  eHamit Aliaj,sa është modern aq edhe është epike, madje mund të thoshnim se palca epike dhe vargu modern janë përbërësit e shtyllës së tij vertebrore të poezisë:. “Janë fyer tash tremijë vjet shesheve të qytetërimit/ Janë të tradhëtuar nga trëdhëtia e parë/ Që krijoi kalin e drunjtë të Trojës”/Rrallë bëhen senator si kali i Kaligulës në senatin romak/Bartin të gjallë e të vdekur njëherësh/Si kali i Kostandinit e Doruntinës” (Kuajt hënërrëzuar f.107).“Lumi im buron në një OH/Dhe ecën përpjetë/Majëmalesh, majëklithmash/../Drini im bardhezi/../I vdetmi mbi dhe/Prej një klithme buron” (f. 90), ndërsa në një poezi tjetër për Drinin shkruan: “ Buron në lot Dreni”. Nuk gabohen ata që thonë se Hamit Aliaj është njëpoet me frymarje epike në letërsinë bashkëkohore  shqipëtare. “Shtatëqint varre të hapura në bjeshkë/E asnjë të vdekur brendatyre nuk ka/Ku kanë shkuar të vdekurit moj Ajkunë..?(Ajkuna f.106). Edhe vetë “koha” në vargjet e tij është epike, si e zbritur nga vargjet e eposit dhe mbetur te vargjet e Hamit Aliaj: “Prej mishit tim këpus një skifter/Dhe e lëshoj mbi këtë qytet/Në këtë qytet kam vdekur një herë/../Gjysma ime ishte verë, gjysma tjetër niste vjeshtën” (f.70).

Metaforat e veçanta të Hamit Aliaj shkëlqejnë e mbeten në kujtesë, pse veç bukurisë së tyre mbartin edhe një ide më të madhe se personalja: “Lotët prapë veshin tesha të vjetërueme/Për të shkuar në varrimin e eposeve/Që tash popullohen me jetimë” (f.100).ose “E mora vdekjen përdore/ e dola gjithë udhëve me të” (f.73). Poezitë e këtij vëllimi dhe kjo frymëepike na dëshmon se arti i madh nuk pranon të kornizohet në formate teorish, pasi çdo teori është një kornizëtepër e vogël për poertretin real të tij. “M’u plak e marta, m’u bë njëqint vjeçe/Vetë shekulli të martën i lindur”(f. 50) shkruan poeti dhe ne vetvetiu mendojmë për “tersin” njëqindvjetësh të fatit tonë si komb e si shtet, ndonëse “Mespërmes të martave kalon lumi im” i rezistencës për të gjetur “Një të diel/./Për meshë a për dasma”. Që kjo poezi është lapidare, besoj jini dakort me mua, por interesante është se kjo poezi kaq moderne në të shprehur, kuptimshmëri dhe vargëzim është ngritur mbi një koncept të thjeshtë popullor, që e cilëson ditën e martë si ditë “terce”,si një ditë e keqe. Në traditën shqiptare, të martave nuk bëhet asnjë festë, nuk lidhet asnjë miqësi apo krushqi, madje as luftërat nuk fillonin ditën e martë.Në këtë të martë njëqintvjetëshe poeti ngre këtë poezi, që çuditërisht zbardh e dritëson nga çdo anë. Për këtë poetin e ka ndihmuar talenti i tij dhe dashuria për vendin e kombin, të cilat poeti i ka në gjithë qënien e tij. Sigurisht që talenti dhe dashuria janë janë si uji dhe ajri për poezinë, janë ato që i japin jetë poezisë, pasi aty ku shteron talenti vyshket e thahet poezia, ndërkohë që në një “shpirt-shkretëtirë” pa dashuri nuk buron talenti.

IV- Poezitë e Hamit Aliaj nuk janë frymëzime djaloshare në breg të detit a në prag të pranverës, atojanë “kronika poetike” të fateve të kombit, që brenda dhimbjes ka farën e dinjitetit të njeriut në veçanti dhe etnitetit në përgjithësi. “Një piktore kam njohur në Kosovë/Që i plakte vajzat dhe nuset i bënte/Plaka gji(nj)thara që gurin e trembnin”/ lexojmë (në fq 41) plot kureshtje, por te vargjet e mëposhtëme : “Që në kalimin e Gurit Biblik të dukeshin plaka/E prej barbarëve të mos dhunoheshin” mes mornicave që më kaluan nëpër trup,m’u kujtuan tregimet e vajzave dhe nuseve kosovare, që bujtën tekne në atë kohë lufte për barbarët serbë, nuk po e vendos në thonjëza apo kllapa këtë cilësor, por po e rishkruaj: për barbarët serbë, që e shndruan në“armë lufte” përdhunimin, se nga që nuk i mposhtnin dot burrat trimërisht, ju kthyen grave për tu njollosur ballin. Dhe mos e harroni ta sokëllini togfjalëshin “Gurin Biblik” si një shënjë ku u (vra) nda kombi ynë më dysh, mos e harroni ju lutem, se në viset e mia, nënat tona vajtojnë me ligje gjithë jetën te gurët  a shkëmbinjtë ku u vriten bijtë e tyre. “Hajt se mbrapa ju vjen Drini/E prapë të reja ju bën/Sa të kaloni kufirin” lexova, apo më mirë të them që e këndova, sepse si këngë më tingëlloi.

Tipari i poezisë moderne të Hamit Aliaj, që kudo e kurdoherëtë shkruajë për fatet e kombit dhe të venditështë tepër i dukshëm: “Pranvera erdhi turbekulare/Marsi me kollitje automatiku” (f.64), “Ma jep pëllëmbën e vogël praverë e vonuar/Të ta shoh fatin në vijat e duarve/../Harta e dorës më thotë ditë të bukura/Krej krimbat u bënë flutura” (f.61), vargje që të bëjnë të ulërish për “ditët e bukura” të vendit tim. “Rrini urtë lepujt e mi/Se po ju bëj shtetarë/E pastaj ju thërrasin luanë/Kur tju thërasin kështu ju do trimërohi/Mer vesh shqiponja e mësyn drejt jush/../Vjen breshkani e ju çnderon/ ….e na koritni shtetin”(f.57) ironizon poeti klasën politike ndërsa shkruan: “Populli beson si fëmijë, qesh si fëmijë, mban mend si fëmijë”(f.32) sepse populli është fëmija i përjetshëm që rritet e nuk harron kurrë, madje as fajet e bijve të tij.

Poezia moderne e Hamit Aliaj, bazuar te epika që mbart brenda saj, tëkrijon përshtypjen se ai njeh vetëm viset e tija veriore, ndërkohë që poezitë e cilësuara prej tij në adresa të ndryshme, Janinë, Artë, Nju Jork, Moskë dëshmojnëpër një tjetër gjeografi  udhëtimi, por gjithsesi, kudo që të jenë flasin  për kombin dhe atdheun: “Natën të shkojmë te Ura e Artës/Një gur do ta marr në shpinë/Janinë, çtë panë sytë moj Janinë”(f.98), madje edhe neologjizmat shqipërojnë : “Natoje natën e Greqisë”(f.104).Është forca e dashurisëte poeti, që përparësin e ka për vendin e tij, duke na argumentuar ndryshe se moderniteti s’ka asnjë qasje me kosmopolitizmin.

Hamit Aliaj është vërtet një mit i poezisë bashkëkohore shqipe.

Sarandë, më tetor 2022



[1]Ramadan Musliu “Fjalët lindën dritën e yjeve”Shtëpia botuese Beqir Musliu Gjilan 2022Parathënie e

Anton Nikë Berisha: “Poezia modern dhe qënësia e saj si art” f.9

[2] Edgar Allan Poe, Poezi dhe esse. Përktheu nga origjinali Dritan Thomollari. Plejada, Tiranë 2004, f. 15-16



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora