E diele, 01.12.2024, 08:31 PM (GMT)

Kulturë

Feti Tunuzliu: Kolona e vdekjes dhe tmerrit

E hene, 10.10.2022, 06:59 PM


KOLONA E VDEKJES DHE TMERRIT

Nga Feti Tunuzliu

N’fund të shekullit njëzet të mileniumit të dytë, n’palc t’Ballkanit - n’veri të Kosovës së zymtë, n’Mitrovicë ra këmbana krah ndërgjegjës qytetare për krimet e llahtarshme t’Serbisë gjakatare dhe deportimin ogurzezë t’popullësisë shqiptare.

Qyteti dhe rrethina spastrohen me qetësi vdekjeje me përzënie masive civilësh – me akte vrasjeje, burgosjeje, … të individëve t‘pa armatosur e t’pa mbrojtur - me ritëm t’shpejtë, me lot e të ndruajtur, duke ia kthyer shpinën vatrave t’bekuara të ngritura me njëmijë mundime dhe djersë t’kulluara.

Përbiruar shtigjeve ku sorollaten forcat e pushtuesit të dëbuarit e parë ndjeken nga pasuesit që me ankth e pikëllim këmba-këmbës i ndiçnin s’lanë të zhduken nga sytë - prore i përcillnin dhe kështu jeta rënkon nën barrën e kësaj mynxyre, që t’arratisurit t’i shpëtojnë krimeve n’çfarëdo mënyre.

Teksa qielli i kaltër i fillimprillit shndërrohet n’skëterrë n’ball t’Zhabarit të Epërm retë e zi bien si rrallë herë, mijëra civilë tubohen nga serbët: milic, paramilitarë, … që mbinin n’horizontin e gjërë për t’therë e vrarë, siç vepruan nëpër lagje, shtëpi, oborre dhe arë.

N’pritje të urdhërit për nisjen e të dëbuarëve që s’bëzanin, me “Kallash” njerit sapo ia hodhën plisin n’baltë - e fyenin dhe e tallnin, me britma e shfaqje histerike e persekutonin dhe nënçmonin, duke pështyer fytyrës - sa herë që ia hedhnin n’tokë ! duke detyruar që plisin e përbaltur t’a rikthejë n’kokë.

Kur kumboi urdhëri i tejpritur që civilët e tubuar t’nisen … ankthi e psherëtimat e fatkeqëve filluan të rriten, ndërkohë që kolona merr drejtimin kah Drenica trupi i saj përbërë nga pleq, të sëmurë, … invalid me paterica, sa merr trajtë drejtvizore derisa zhvendoset sa pëson tkurrje dhe zgjërohet.

N’errësirën e natës së parë t’udhëtimit - pa hënë e me mot të lig gjatë tërë rrugëtimit, këmbësorët e lodhur mezi qëndronin n’këmbë, përcjellur me fatin tragjik dhe shpirtin ndër dhëmbë.

Prandaj, karvani i këmbësorëve ndalet n’Klinën e Epërme, ku gjenden konaqe memece të tmerrshme: baltina dhe bari i lagët nga shiu që nuk prante t’shoqëruara nga era e veriut që frynte e thante - dhe asnjeri gjumë nuk mundi të bënte.

E me diellin e agimit - t’kërleshur e t’molisur, të deportuarit marshojnë t’sfilitur, tok me refugjatë shkelin dhe peshojnë mbi asfaltin që - herë shtrihet rrafshit, ku shpejtojmë, herë ngjitet përpjetë - herë lëshohet lëndinave, herë gjendet brij - herë larg kodrinave.

Nën qiellin e zymtë nga shtëllungat e reve, kur hëna e nxirë nuk ndrit fare, s’prajnë jehonat e vajit të foshnjeve n’gji të nënave as t’sëmurëve, pleqëve, shtatzënave, … që si n’ethe po dritheshin prej klithjeve e ofshamave.

Me këto simfoni jehonash t’dhimbshme … kolona i avitet vendit ku, sikur i thuhet lamtumirë rrugës që e lëmë pas vedit, se i dëshiron mirëseardhje Rakoshi fshat, n’terrin e natës së mistershme që derdhej shpat më shpat, me plot sekrete, befasi e rreziqe - n’këtë udhëtim dramatik, ku dëgjohen edhe gabzherët së vjelluri fishek nga automatik.

Me freskinë e mëngjesit t’agimit t’hershëm zemrat e këndellura n’trupat e molisur tmerrshëm, largohen çdo herë më shumë nga vatrat e gjakut të dhembshëm. Ndërsa rrëbesh shiu bie në Rrafsh të Dukagjinit, dhe thyente heshtjen gjatë rrugëtimit, pyesja veten - vallë, nëse jam rrugës duke shkua apo rruga po ecën bashk me mua ?!

Me t’arrirë n’buzëmbrëmje tek shenja Gjurakoc - kolona vërshon dy krahët e udhës nëpër prona, nëntoka sikur gjithandej rënkonte, qielli i zi nga vetëtima e bubullima ushtonte, jeta ndahej nga vdekja e mija të debuarëve n’zona të hapura n’fusha e ara, n’ujë e baltë t’përmbytura nën qiellin e nxirë dhe largëpërquesit e lartë ndërsa, n’cikol t’Alpeve Shqiptare - stolisur me petkun e bardhë plasaritet e ndriçuar kupa e qiellit radhë e parradhë. Kështu, si plumbi i rëndë, rrëshqiti edhe kjo natë e trishtë, përjetuar nga udhëtarët e dremitur dhe shëndet t’brishtë.

Dëgjohen përplasje t’armatosura midis t’pabarabartëve: Ushtrisë sonë Çlirimtare dhe forcave barbare ! Me rreze shprese për shpëtim - ndonëse u bëra byk, hapëroj me Ekremin mbi supe t’mpijta e Granitin n’gryk, ndërsa Majlinda fare e stërlodhur, sikur i heq këmbët zvarë nga nëna sypërlotur.

Nëpër mot t’ftohtë e me shi rrëmbyes n’muzgun e mbrëmjes - si n’vegim, dëgjoj zërin kumbyes: “Mirëseerdhët në Vitomiricë”, fshat mes lumenjve: Drini i Bardhë e Bistricë.

E n’pikë të natës - me fërfëllazë e stuhi Ekremi pëson ftohje të thellë dhe i duhet terapi ! Ndërsa e shkreta nënë me dënesë po qante, doli burrëresha Fatime - që nga t’ftohtit ta shpëtonte sakaq futi fëmiun brenda shatorit ndër gra t’ngrohet trupi i njomë i voglushit më pas ndezi edhe zjarrin që të ngrohen nënë e birë, t’cilëve iu bashkuan shumë miqë e dashamirë !

Por, si stuhi e zymtë mbërthyen makina t’panjohura dhe u ndalën pranë zjarrit që bubulonte si n’furra, aty ku ngroheshin të deportuarit e mërdhirë t’cilët befas i vërsheu makthi n’errësirë.

Nën flakën e zjarrit dhe dritat e makinave, me ulurimat e paramilitareve, fishkëllimat e plumbave, nën kërcënimin e automatikeve, pistoletave e bajonetave, plaçkitësit torturojnë dhe zhvatin viktimat - si gjak të ngrirë duke çkrryer nga ta: para, unaza, vathë, zingjirë, … e n’largim urdhërojnë: “Ikni menjëherë nga kjo hapësirë !”

Ndaj, kolona mori këmbët në krah se zemra nga frika iu rrah, marshoi e marshoi – e etur dhe uritur, nëpër rrëbesh shiu - dhe e drobitur.

Pasi la qytetin e Pejës dhe kaloi buzë fshatrave Lubeniq e Raushiq kolona me t’arrirë mu n’Strellc t’Epërm, mëtej - hiq, u ndesh serish në paramilitarë që urdhërojnë marshimin e gjysmës s’kolonës dhe rikthimin prapa t’gjysmës tjetër n’Iligje t’Pejës, se Shqipëria “paska” mbyllur pikat kufitare dhe çdo hyrje-dalje ka ndaluar fare !?

Me t’u rikthyer prapa n’Iligjë, na bënë konak pronat e “Korabit” dhe objektet civile t’shkatërruara e t’braktisura të fshatit.

Gjatë pesë ditë burgimi në ambiente zdrukthëtarie, nën rrethimin e hekurt policor të kësaj patundësie ku me thërrime buke ushqenim fëmijtë, dhe për ujë prisnim me orë të tëra çdo ditë.

Me intriga dhe kanosje nga armiku, pengjëve iu mboll frikë paniku nga organizimi dinak i ndonjë krimi tronditës, gjatë transportimit t’njerëzve për në Vojtesh t’Mitrovicës.

Sipas “këshillave” të autoriteteve serbe duhej t’ktheheshim nëpër shtëpi skutave e qosheve që t’mos i ekspozohemi “rreziqeve të UCK-ës terroriste”. Mirëpo, harruam saora se çka na u porosiste, posa mësuam se mund të hasim n’tonën ushtri n’Mitrovicë e rrethinë gjatë kthimit nëpër shtëpi, por, nuk mësuam: nëse ngeli pa u kthyer nga kolona njeri !



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora