Kulturë
Ajete Zogaj: Nëna Tereze - Kujtesë e gjallë mrekullie
E diele, 09.10.2022, 07:21 PM
NËNA
TEREZE – KUJTESË E GJALLË MREKULLIE
Anton
Nikë Berisha “Gonxhe Bojaxhiu- Nëna Tereze: ‘E desha tjetrin me dashurinë e
Hyjit”, Shkup 2020. Botim i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore
të Shqiptarëve në Shkup dhe botimi i Radio Marisë, Tiranë 2022
Nga
Ajete Zogaj
Në përkujdesjen e
Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, në
vitin 2020 me rastin e 110- vjetorit të lindjes dhe 4- vjetorit të shenjtërimit
të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës Tereze, u botua doracaku i shkurtër “ Gonxhe
Bojaxhiu - Nëna Tereze : ‘E desha tjetrin me dashurinë e Hyjit’ të Anton Nikë
Berishës.
Botimi tre-gjuhësorë
i këtij doracaku, shqip, anglisht dhe maqedonisht, është një kontribut i çmuar
i profesor Anton Nikë Berishës, si dhe i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore
e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, për t’i sjellë lexuesit në mënyrë sa më të
plotë figurën e Nënës Tereze, dhe në shenjë nderimi e homazhi të përjetshëm për
Gonxhe Bojaxhiun – Nënën e Botës.
Në fjalën paraprake
të Skënder Asanit, drejtor i Institutit, vlerësohet puna e jashtëzakonshme e
studiuesit të dëshmuar, Anton Nikë Berishës, autor i shumë librave kushtuar
Nënës Tereze, të botuara jo vetëm në gjuhën shqipe, por edhe në gjuhën
italiane.
Të dhënat e jetës e
të veprimtarisë së Nënës Tereze, në pjesën hyrëse të Doracakut, janë një
‘udhërrëfyes’ i qëlluar nga autori për ta drejtuar lexuesin dhe të gjithë ata
që duan ta njohin qenësisht flijimin e jashtëzakonshëm dhe rrugëtimin jetësor
të veprimit të saj.
Janë tri shtylla të
rëndësishme të cilat i trajton me shumë dije dhe argumente profesor Anton Nikë
Berisha në këtë Doracak, tri shtylla jetësore të cilave iu përkushtua gjatë
gjithë jetës Nëna Tereze: Përkushtimi ndaj Hyjit, përkushtimi ndaj të varfërve,
të braktisurve, të gërbulurve, duke u bërë pjesë e vuajtjeve të tyre, si dhe
Lutjet drejtuar Hyjit, të cilit ajo i besonte dhe i qe përkushtuar krejtësisht;
dashurinë ndaj tij e kishte moto të vetme jetësore.
Profesor Anton Nikë
Berisha vlerëson se “Të vështrosh qenësinë e veprimit, të flijimit dhe të dashurisë
së Nënës Tereze për të varfrit e më të varfërve në Kalkutë të Indisë e në
qytete të tjera të këtij shteti, po dhe në shumë vende të tjera të botës, dhe
besimin e saj të palëkundur për Hyjin, domethënë ta njohësh shpirtin dhe fatin
e njeriut në përgjithësi, mundësitë e pakufishme të veprimit e të mbarësisë së
jetës njerëzore, sidomos nevojën për t’u flijuar për tjetrin, që në thelb
nënkupton të bëhesh shpirtërisht më i pasur dhe më i mirë, më i dobishëm për
njerëzit me të cilët jeton dhe për botën që i përket.”(f. 18).
Në këtë Doracak, janë
sjellë mendime të vlefshme të Nënës Tereze, të cilat shquhen për thellësinë dhe
porosinë që ajo i përcolli tek tjetri: ”Shenjtëria nuk është diçka e
jashtëzakonshme, nuk është për të zgjedhurit e pakët, të pajisur me intelekt të
madh, që dinë të gjykojnë, të shqyrtojnë, të bëjnë biseda të gjata e të lexojnë
libra të mrekullueshëm. Shenjtëria është për secilin prej nesh një detyrë e
thjeshtë. Pranimi i Zotit me buzëqeshje, përherë, kudo dhe në çdo vend” (f.
27).
Në pjesën e dytë të
Doracakut, autori trajton përmasën hyjnore të Nënës Tereze, që nga momenti kur
ajo përjetoi thirrjen e parë më 15 gusht 1922 në Kishën e Letnicës në Kosovë e
deri në kalimin e saj në amshim.
Autori thekson
bindjen e tij se “Në çdo njeri, pa marrë parasysh besimin, racën dhe
përkatësinë, Nëna Tereze shihte Hyjin dhe gjithë dashurinë që ndiente për Të ia
kushtonte njeriut për të cilin kujdesej” dhe se sipas Nënës Tereze “Veprat e
mira janë unaza, që formojnë një zinxhir të dashurisë rreth e përqark botës”
(f. 38).
Mendimet dhe
vlerësimet e personaliteteve të famshme botërore: gazetarë, shkrimtarë, klerikë
fetarë, motra e misionare të rendeve të ndryshme, si dhe kujtime nga njohja me
Nënën Tereze, janë një pjesë tjetër mjaft interesante e këtij Doracaku, ku
shpaloset veçantia e humanizmit dhe e përshpirtërisë së saj. Në këtë rrjedhë po
përmend atë që thotë gazetari dhe shkrimtari i shquar anglez, Malcolm
Muggeridge, i cili e vlerësonte kështu Nënën Tereze “ Është e vërtetë: personat
e përkushtuar tërësisht si Nëna Tereze s’kanë biografi. Duke folur në mënyrë
bibliografike, atyre nuk u ngjet asgjë. Të jetosh për të tjerët, siç bën ajo
dhe motrat e saj Misionaret e Dashurisë, domethënë t’i shmangësh të gjitha
rrethanat në të cilat hyjnë Uni dhe vullnesa vetjake” (f. 39).
Për përmasën hyjnore
të Nënës Tereze, Anton Nikë Berisha i sjell fjalët e atit Joseph Langford, sa
të rëndësishme, po aq të rralla: ”Ishte bërë një ikonë e gjallë, një simbol i
gjërave më të mira dhe më të larta, një shembull si mund të jemi ne dhe bota
jonë. Nëpërmjet veprimit të saj, të kryer përherë me përvujtëri të skajshme për
të varfrit, mirësia e pakufi e Zotit përhapej në gjithë ne. Bëhej reflektim i
adhurimit të Zotit në miniaturë, si ndriçim i gjallë i diellit që rrezaton verbueshëm
nga një pjesë e vogël e xhamit...” (f. 41).
Përmasën hyjnore të
Nënës Tereze e dëshmojnë edhe fjalët e motrës, misionare e Dashurisë, Mary
Nirmala Joshi, e cila e zëvendësoi Nënën në udhëheqjen e Misionareve të
Dashurisë: “Më kujtohet se sytë e Nënës Tereze shikonin përtej kësaj bote. Nëna
Tereze i qe dorëzuar në mënyrë të thellë, absolute, vullnesës së Zotit e, Zoti,
e përdori si vegël për dashurinë e tij...” (f. 42)
Është shumë
domethënës konstatimi i profesor Anton Nikë Berishës për ndriçimin e përmasës
hyjnore të Shën Terezes sonë: “Nëna Tereze ua solli ngrohtësinë dhe hirin
hyjnor shumë njerëzve që i takoi dhe bashkëpunoi me ta për arsye se takimi me
të përjetohej si një takim me dritën e Hyjit” (f. 44).
Duke u mbështetur në
botimet në gjuhën italiane që e ndriçojnë nga shumë aspekte figurën e Nënës
Tereze (disa nga mendimet e të cilave në gjuhën shqipe në këtë doracak i sjell
profesor Anton Nikë Berisha) e thellon lexuesin në thelbin e veprimit dhe të
flijimit të Nënës Tereze që ta bëjë më të pasur shpirtërisht, duke i ngjallur
një katarsë shpirtërore e mendore, i motivuar nga misioni i saj i
shenjtë, që në jetë të na udhëheqë mirësia, dashuria e sinqertë ndaj tjetrit,
ta duam tjetrin me dashurinë e Hyjit, siç thoshte Nëna Tereze: “Personat që
duhen në mënyrë të plotë e të sinqertë janë më të lumturit në botë. Mbase
zotërojnë pak, ndoshta s’kanë asgjë, po janë persona të lumtur. Gjithçka varet
nga mënyra se si e duam (tjetrin)”. (f. 45).
Ndër vlerësimet dhe
mendimet e rëndësishëm për ndriçimin e përmasës hyjnore të Nënës Tereze ,
profesor Anton Nikë Berisha, sjell atë të shkrimtarit tonë, Visar Zhiti: “Siç
duket, Zoti ndjeu nevojën e përsëdytjes së Krishtit mbi Tokë dhe zgjodhi një
grua për barazi. Caktoi një shqiptare, s’dihet për ç’shpërblim ndaj kombit tonë
të martirizuar [...], ndoshta në shekullin apokaliptik të njerëzimit...” (f.
50).
Një vështrim sa të
veçantë aq edhe argumentues, profesor Anton Nikë Berisha i bën edhe Lutjes, që
është e lidhur ngushtë me jetën dhe me çdo veprim të Gonxhe Bojaxhiut – Nënës
Tereze: “Lutja ishte limfa e jetës, ishte frymëzimi, të menduarit, ishte
frymëmarrja dhe forca e veprimit të Nënës Tereze; lutja ishte formë e njësimit
të saj me Hyjin, e gëzimit dhe e vuajtjes, e përballimit të vështirësive dhe e
përmbushjes së gjithë asaj që ajo bëri. Për Nënën Tereze lutja ishte akt
konkret, po dhe “[...] akt fundamental i vetëdijes njerëzore […], ishte “çelës
i vitalitetit të jetës […] që e bashkon njeriun me Dritën dhe Dashurinë e
Hyjit; është forca jote dhe mbrojtja jote […] si gjaku për trupin. ” (f. 51).
Lutjet dhe disa nga
letrat e Nënës Tereze të cilat flasin për errësirën e saj shpirtërore, janë
dëshmi për dashurinë e saj të thellë ndaj Hyjit, që sa përshkohen me përmasën
hyjnore, po aq janë edhe njerëzore.
Doracaku tre
gjuhësorë i profesor Anton Nikë Berishës, botuar nga Instituti i Trashëgimisë
Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve në Shkup, botimi i vitit 2022 nga Radio
Maria në Tiranë, si dhe “Doracak për Nënën Tereze” botim i vitit 2014 (botim i
Tiranës dhe Prishtinës me 320 faqe tekst), dëshmojnë punën përkushtuese të
profesor Anton Nikë Berishës për njohjen sa më thellësore dhe të argumentuar të
veprës së Nënës Tereze, kësaj ‘gruaje shtat vogël’ siç do të shprehej Papa Gjon
Pali II: “Ta lavdërojmë këtë grua të vogël të dashuruar në Hyjin, kumtuese e
përvuajtur e Ungjillit dhe mirëbërëse e palodhshme e njerëzimit [...] T’ia
pranojmë mesazhin dhe ta ndjekim shembullin e saj” ( f. 62) dhe “Nuk mund të
mos e përshëndes një njeri fort të përvuajtur, që ndodhet mes nesh. Është Nëna
Tereze e Kalkutës. Të gjithë e dimë nga vjen, cili është atdheu i saj [...] Në
personin e Nënës Tereze Shqipëria është e nderuar gjithmonë” (f. 63). Këto
fjalë Papa Gjon Pali II (tashmë i shpallur i shenjtë nga Vatikani) i tha në
Katedralen e Shkodrës në vizitën historike që i bëri Shqipërisë, më 23 prill
1993.
Në pjesën Shtojcë të
librit, janë dhënë dy letra, të cilat janë sa përmbajtësore, po aq janë të
rëndësishme. Ato dëshmojnë se Nëna Tereze, kudo dhe kurdo e ndjeu veten krenare
për origjinën e saj shqiptare. U lut dhe ia dëshiroi më të mirën popullit dhe
kombit të saj. Këtë më së miri e dëshmojnë Letra drejtuar Vatikanit (7 shkurt
1948), ku ndër të tjera Nëna shkruan: “Jam e lindur shqiptare...” dhe në letrën
“Letra popullit tim të Shqipërisë” thekson: “ Nëna po lutet shumë për gjithë
popullin tim të dashur të Shqipërisë, derisa secili të mësojë të dashurojë deri
në dhembje në mënyrë që t’i sjellë paqe vendit dhe zemrave të gjithsecilit. Le
të lutemi. Zoti ju bekoftë! Nëna Tereze” (f. 73).
Ky Doracak sjell të
dhëna dhe argumente të shumtë, ku përligjet se Nëna Tereze i deshi njerëzit pa
dallim feje, ngjyre dhe identiteti, sepse puna dhe vepra e saj si misionare e
Dashurisë, përkushtimi i saj ndaj Hyjit, ishin udhërrëfyes se njerëzit janë të
barabartë para Krijuesit dhe si të tillë duhej dashur dhe flijuar për ta.
Për ta dëshmuar këtë,
po sjell nga Doracaku një vlerësim të Indira Gandit, atëherë kryetare e Indisë:
“Ja [...] Nëna Tereze, e cila nuk bën më të voglin diskriminim rreth ngjyrës,
gjuhës dhe besimit. Ajo e bën jetësore të vërtetën se lutja është përkushtim
(devotshmëri), është shërbim. Shërbimi është detyra e saj, është feja e saj,
është shpëtimi i saj. Ta njohësh Nënën Tereze domethënë ta kuptosh përvujtërinë
absolute dhe forcën e dashurisë” (f. 63).
Botimi i këtij Doracaku shpreh, natyrisht, vetëm një pjesë të jetës dhe të bëmave të Nënës Tereze, që dëshmojnë mirëfilli se Ajo është një KUJTESË E GJALLË MREKULLIE, që Hyji i dhuroi kombit tonë dhe botës, duke na bërë të ndihemi krenar me bijën tonë.
Prishtinë,
tetor 2022