E hene, 09.12.2024, 06:53 PM (GMT)

Kulturë

Dorian Koçi: Bajroni, Faik Konica dhe kënga labe

E enjte, 06.10.2022, 06:51 PM


Bajroni, Faik Konica dhe kënga labe

Nga Dorian Koçi

Në numrin e parë të gazetës së mirënjohur “Albania”, më 1897 ai boton në frëngjisht  “Le voyage de Lord Byron en Albanie” . Po kështu Konica do të jetë i pari që tenton të përkthejë në prozë vargje nga “Child Harold”-i me titull “Dheu i Shqipërisë”, të botuara sërish në gazetën “Albania”. Në faqet e gazetës së tij Konica do të botojë dhe dy këngët shqip të mbledhura nga Bajroni si dhe në gazetën “Dielli”më 1924, një pjesë nga letra e Bajronit dërguar të ëmës ku poeti i madh flet për Shqipërinë.

“Lord Bajroni në një ndër udhëtimet e tij në Shqipëri, mblodhi disa këngë shqipe. Jo vetëm i mblodhi, por dinte edhe t’i këndojë. Në jetë të tij mësojmë se, duke qenë një herë me disa miq në të shëtitur në një anije mbi Rhin të Gjermanisë, u tha miqve: “Daleni, t’ju këndoj një këngë shqipe”. Të gjithë pushuan, thotë shkruesi i jetës së tij, e vjershëtori ia dha një mënyre ulërimit që i çuditi të gjithë (duket do të ish ndonjë këngë vajtimtare e Toskërisë). – Nga ato këngë që kish mbledhur, Lord Bajroni shtypi vetëm dy me notat [shënimet] që ia shtoi Çajld Haroldit. Por, ato këngë janë aq liksht të përshkruara, sa s’i merr dot kush vesh, përveç ca fjalë tej e këtej. Na u duk pra punë për t’u vënë re të shtypim nga një anë këngët ashtu si i ka shtypur Bajroni, nga ana tjetër të ndërtuara e të shkoqitura ashtu si na duket që duhen.(Albania, tetor 1903, nr. 10, viti 7.)

Këto dy këngë  mund të kenë qenë një nga kontaktet e para të këngës labe me botën perëndimore në një tekst të shkruar dhe përpos marshit të njohur “Tamburxhi, Tamburxhi” në “Shtegtimet e Çhilde Haroldit” përbëjnë dëshmi të rëndësishme të përfaqësimit të kulturës shqiptare në botë. Duket sikur është një rastësi fatlume , një nga ato rastësitë që ndodhin shumë vjet më parë por që i vijnë kaq shumë në ndihmë të sotmes, që vargjet e këngës labe janë mbledhur në viset e bregdetit shqiptar të Jonit. Ato duken se i kanë paraprirë regjistrimit të parë të këngës labe himariote nga Neço Muko, 90 vjet më parë me këngën emblematike tashmë “Vajzë e valëve”. A nuk ka pashaportë më të fortë dhe më të bukur identiteti sesa këto këngë polifonike që dëshmojnë sa lashtësinë po aq dhe etnicitetin e këtyre viseve. Jo rastësisht Bajroni në himnin e ushtrive të Ali Pashës, “Tamburxhi , Tamburxhi”, na jep një gjeografi jo vetëm fizike por edhe shpirtërore të territoreve shqiptare, kur këndon:

Të bijt' e Himarës që s'falin as mikun,

Si mundet ta lënë të gjallë armikun?

Si s'markan dot gjak me pushkat besnike,

Ka shenj' më të bukur se zemra armike?

Kënga labe e këtyre viseve jug-perëndimore të shqiptarisë na vjen e freskët dhe gjithë ritëm duke bashkuar bashkë dhe vargmalet e maleve të Vetëtimave që i përngjajnë valëve të detit  dhe detit Jon të Himarës gjithë valë. Duket se malsia dhe bregdeti shtrihen bashkë të harmonizuara në isot gjithë plazëm e jetë të këtyre viseve të mrekullueshme.

Bibliografi:

1- Afrim Karagjozi. “Miti Shqiptar për Bajronin”.Plejadë:2002

2-Shtegtimet e Çajd Haroldit 1973, perkthyer nga Skender Luarasi.

3-Fotaq Andrea. Faik Konica-Përlindesi modern. Zenit 2016



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora