Kulturë
Sabri Hamiti: Stilografia
E hene, 10.10.2022, 04:32 PM
“STILOGRAFIA”, LIBRI MË I RI I SABRI HAMITIT
“Stilografia”,
libri më i ri i Sabri Hamitit, trajton ‘letërsinë e tashme shqipe’, në nivel
interpretimi, duke e vënë në relacion me klasiken letrare shqipe dhe me
sistemin e tërësishëm të kësaj letërsie.
“Stilografia”,
vepër me shkrime kritike, paraqet konceptin themelor të trajtimit të shkrimit
letrar, të dorëshkrimit, në vështrimin gjenuin të gjetjes së literaritetit.
“Stilografia”, po ashtu paraqet kuptimin elementar të stilit individual,
‘lapsi’ e ‘letra’, duke provuar ‘bukurshkrimin’ në procesin e leximit të
veprave letrare–artistike. “Stilografia” është vepër e përbërë nga tri pjesë.
Pjesa
e parë, ‘Letrat e fundit’, në formën e abecedarit për letrat e tashme shqipe,
trajton letërsinë shqipe të shekullit XXI, të cilën e shkruajnë dhe botojnë në
të njëjtën kohë autorë të tre brezave. Një brez me veprat e fundit; një brez me
veprat e shënueshme; dhe një brez me veprat paralajmëruese. Ndërkomunikimi i
kësaj letërsie, vetvetiu shenjohet si sistem, i cili trajtohet në rrafshin e
transformimeve mbrenda formave letrare të trashëguara. A. ‘Poligrafia e
prozës’; B. ‘Enigma e poezisë’; C. ‘Sprovat e kritikës’; D. ‘Aktet dramatike’;
nëpërmjet cilësimit, interpretimit e përmbledhësimit, lakmojnë ndritësimin e
vlerave letrare, me ndryshimet e reja, për të paraqitur një fazë tjetër të
letërsisë shqipe; sigurisht me autorë ilustrativë dhe vepra karakteristike.
Pjesa
e dytë, ‘Kalendari’, pa propozuar një kohëtore të letërsisë shqipe, vë në
evidencë vlera letrare, tashmë të artikuluara në kohë të veçanta, sidomos të
lidhura me ngjarje kulturore të letërsisë shqipe. Ngjarjet letrare evidentohen
në kohë, si e përtashme, por mbeten në kohë, si e përjetshme, duke marrë vlerën
e veprave klasike me autorë që bëjnë një
trashëgimi letrare kombëtare. Kjo nuk e përjashton përpjekjen e pasosur të
rivizitimit të tyre, duke riparë funksionin e tyre në sistemin e hapur të
komunikimit letrar.
Pjesa
e tretë, ‘Breviari’, si një ‘Shkurtore’, shpalon fenomene letrare,
karakteristike për letërsinë shqipe, të cilat prekin në mënyrë të veçantë të
gjitha epokat e kësaj letërsie, nëpër shkallë të konstantave dhe të
ndryshimeve, mbrenda kësaj letërsie e, po ashtu, të krahasueshme me letërsi të
tjera. Për t’u bërë ‘Breviari’ thelbësor e konkret, propozon një përzgjedhje
veprash dhe autorësh, si argument të fundit letrar.
‘Autori’
ia njeh lirinë ‘Literarit’ (Lexuesit), që këtë vepër ta lexojë, duke nisur nga
fillimi apo duke nisur nga fundi, sipas shijes së vet. Ka që pëlqejnë ta nisin
leximin e letërsisë shqipe duke filluar nga Marin Barleti e Pjetër Bogdani për
të arritur te Ismail Kadare e Anton Pashku. Ka që pëlqejnë të nisen nga të
dytët për të arritur te të parët.