E enjte, 03.10.2024, 11:51 AM (GMT+1)

Kulturë

Hejza: Pse kaq urrejtje ndaj Kadaresë!?

E enjte, 13.10.2022, 07:41 PM


PSE KAQ URREJTJE NDAJ KADARESË!?

NGA HEJZA

Urrejtja e nacionalistëve serb ndaj Kadaresë është e kuptueshme, sepse pikërisht Kadareja ishte ndër të paktët që me këmbëngulje e internacionalizoi çështjen e Kosovës. Është ndër të paktët që me veprat e përkthyera në dhjetëra e dhjetëra gjuhë të huaja na bëri nder, duke lartësuar emrin shqiptar gjithandej meridianëve të globit. Është ndër të paktë që i fitoi të gjitha çmimet e rëndësishme për letërsi, me përjashtim të atij Nobel, çmim ky që, për shumë arsye, nuk iu nda as shkrimtarëve më të shquar të njerëzimit, siç janë Borhesi, Tolstoi, Xhojsi, Prustit, Ibzeni, Zola, Nabokov, Eko, Kundera e shumë të tjerë.

Duke i pasur parasysh vetëm këta shembuj, atëherë është e çuditshme se përse, ndër shqiptarët, ka edhe të atillë injorantë që vazhdojnë (nëpër rrjete sociale) të shprehin një mllef të sëmurë ndaj Kadaresë e që i bëjnë nder vetëm armiqve të çështjes shqiptare. Është e çuditshme se përse ky mllef i sëmurë vazhdimisht paraqitet në prag të ndarjes së Çmimit Nobel për letërsi. Aq më tepër, akoma më i çuditshëm është fakti se këta të sëmurë ekzaltohen deri në çmenduri që Kadareja nuk e mori Çmimin Nobel.

Injorantët që flasin vetëm me të dëgjuar, pra pa argumente të qëndrueshme, e ngatërrojnë veprimtarinë letrare të Kadaresë që është pasuri kombëtare, me jetën private që është çështje personale e tij dhe vetëm e tij.

Është e pamoralshme tendencat e vazhdueshme për të mihur në biografinë e autorit dhe për të sajuar rrëfime që kanë për qëllim nxitjen e urrejtjes ndaj këtij personaliteti të shquar të letërsisë shqiptare. Nuk është e qartë se çfarë fitojnë këta individë që i fusin hundët aty ku nuk e kanë vendin. Mbase, është i njohur inati shqiptar për ta mohuar vetveten.

Megjithatë, duhet t’i ruajmë gjeneratat e reja nga kjo sëmundje vetë-shkatërruese, sepse vetëm te shqiptarët ndodh që miza e mëngjesit, përmes përgojimeve, inateve e sajesave të gërditshme, në mbrëmje të bëhet buall.

Duam apo s’duam ta pranojmë, Ismail Kadare, është aset kombëtar. Të tillë e bën krijimtaria letrare që është botërisht e pranuar. Kjo krijimtari vazhdon të përkthehet në gjuhë të ndryshme të botës dhe po kjo krijimtari vazhdon ta lartësojë kombin tonë.

Ndaj, ata që kanë problem me veten, le të vazhdojnë me avazin e tyre, le të thonë çfarë të duan, por nuk do të arrijnë asgjë, pos që dalëngadalë do të ngulfaten në urrejtjen e tyre të kotë. Urrejnë ata që nuk kanë lexuar asnjë fjali nga veprat e Kadaresë, se po të kishin lexuar do ta kuptonin të vërtetën dhe do të bindeshin se janë të lajthitur nga injoranca dhe qëllimet dashakeqe të disa individëve, të cilëve, dorën në zemër, Kadareja kurrë nuk ua ka zënë diellin.

Si shoqëri shqiptare duhet të brengosemi se është pak e pritshme që në vitet e ardhshme të lind një Kadare i dytë që do ta lartësojë letërsinë shqiptare përtej majës ku qëndron plot krenari vepra e pasur e shkrimtarit tonë. E themi këtë, sepse, tash për tash, në horizont nuk shohim ndonjë personalitet që premton vepra të përmasave të Ismail Kadaresë.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora