E shtune, 12.10.2024, 10:15 PM (GMT+1)

Kulturë

Ndue Dedaj: Tirana pa zogj

E premte, 21.10.2022, 07:39 PM


TIRANA PA ZOGJ

(Skicë)

NGA NDUE DEDAJ

Ecja rrugëve të Tiranës një mëngjes tetori me kryet lart, por jo kryelartë…

E përshkova Sheshin “Skënderbej” me njëfarë hutimi, edhe pse është mbushur një gjysmë shekulli që kur kam shkelur aty për herë të parë. Nuk m’u dha të bëja asnjë fotografi, jo për gjë, por kisha mbetur me kryet rrotull për hava e sytë andej-këndej, duke soditur qiellin nga njëra kullë te tjetra. Sa shpejt po rritej “pylli” i kullave gri, duke e tjetërsuar qendrën dhe qiellin e Tiranës! Si ta fotografoja Kullën e Sahatit, çka e bëja sa herë veja aty? Po xhaminë e Ethem Beut? Ato ishin ngjeshur në prehrin e disa kullave marramendëse mbrapa tyre, që nuk të krijonin kurrëfarë kenaqësie. Le pastaj t’i gjeje anën e të fotografoje permendoren e Heroit Kombëtar, që ngjante gati e papërfillshme në atë mjedis “oxhaqesh” pa tym që sulmonin qiellin. U kujtova se e kisha fotografuar para disa vitesh, kur ende nuk ia kishin zënë krejt diellin. Nuk fotografoje dot as 15 katshin, pasi ai tashmë ngjan si një liliput me atë tjetrin, gjigandin mbrapa tij. Duke shëtitur nëpër ato lulishtet anash Sheshit kurrizdalë, pret se mos dëgjon cicërima zogjsh, por jo. Nuk ka më zogj mbi Tiranë. Nuk i lënë skelat e kullave moderne, krahët e vinçave që sillën si sonambul, zhurmat dhe pluhuri i kantiereve të ndërtimit. Lënë ashtu në habitatin e vet disa biçim lulishtesh ngjanin si pjesë të degraduara pyjesh, më shumë ferra se shkurre e drurë dekorativë, mbase dhe me ndonjë zvarranik të padëshirueshëm për kalimtarët, vizitorët, studiuesit që marrin udhën për kah Kështjella e Tiranës, Ura e Tabakëve, Biblioteka Kombëtare, Muzeu Historik, Akademia e Shkencave, Kuvendi i Shqipërisë etj. Ty nuk të pëlqen ajo copëz natyrë e sajuar ashtu shpejt e shpejt, por nuk je ti që mund ta thuash se si duhej të ishte. Ku ta marrësh Tomson Nishanin, që dikur i bënte mirë e bukur këto punët e gjelbrimit të Tiranës...

Kështu, atë ditë nuk bëra asnjë fotografi! Por, ndërkohë, në rrjetet sociale më zuri syri një foto të vjetër, postuar nga një historian i ri shkodran, ku shihen disa burra malësie, ardhur për ndonjë ceremoni jubilare a festë popullore në kryeqytet rreth tetëdhjetë vite më parë. Ti pikas mes të tjerësh Preng Calin e Kelmendit, si një lis mali për nga shtati e si një princ i trojeve shqiptare. Ai ecën kryelartë, se ka bërë për Shqipërinë, pa lakmuar asgjë për emrin e tij, pasi i madhërishmi Komandant ishte aty qysh prej pesëqind vjetësh e të tjerët ishin të gjithë ushtarë para tij!... Pas shpinës së atyre burrave veshur me kostumin kombëtar shihen godinat “italiane” të Ministrive shqiptare, kurse sot pas supeve të kalimtarëve lartësohen qiellgërvishtëset tona “njujorkeze”...

Tash që Tirana u bë beton nga toka në “qiell”, ka veçse një vend ku mund ta shfryjë smogun, lodhjen, stresin - parkun e Liqenit. Kështu të thonë kryeqytetasit. Por a mjafton ai për një milion banorë, edhe sikur të mos ishte i rrethuar nga pallatet gjithandej?



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora