Kulturë
Drita Halimi-Statovci: Përmbledhësi i Konferencës Shkencore : Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera
E marte, 25.10.2022, 07:22 PM
Promovimi-Veshja MEDVEGJË, në Preshevë më 23.10.2022
Përmbledhësi i
Konferencës Shkencore : Veshja shqiptare e Medvegjës dhe viseve tjera, mbajtur
më 02.05.2019, Preshevë -Medvegjë-Sijarinë
Nga
Prof. Dr. Drita Halimi-Statovci
Është më se e
njohur se veshja popullore dhe veshja në përgjithësi përfaqëson një
universalitet gjithënjerëzor, si dhe reflekton fuqi identifikuese për një
individ, për një etni, për një vend e për një komb si tërësi. Këtë realitet e
reflektoi për mrekulli Konferenca shkencore e organizuar nga Shoqata për
Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore e Luginës së Preshevës, në bashkëpunim me
AFEDS, respektivisht Forumin Shqiptar për Zhvillim Ekonomik në Serbi. Për të
qenë puna edhe më efektive dhe më nxitëse për trashëgiminë kulturore e për
veshjen në veçanti, Konferenca me një largpamësi të pëlqyeshme u mbajt në
Medvegjë, përkatësisht në Sijarinë.
Përmbledhësi pasqyron se Konferenca e vitit 2019, organizuar për veshjen
shqiptare të Medvegjës e të viseve të tjera, zhvilloi punimet në dy seanca,
duke shtruar kumtesat me këto tema: Veshja identitet i spektrit të gjerë;
Veshjet popullore shqiptare në Luginën e Preshevës; Veshjet popullore në Lumë e Dibër të Poshtme;
Veshja e gjerë e femrave në Malësi të Gjakovës;Veshjet shqiptare në rrethin
e Tetovës;Veshja e grave shqiptare në rajonin e Medvegjës; Kostumet popullore
në trevat lindore dikur dhe sot; Veshjet popullore në hapësirën folklorike
shqiptare; Veshjet popullore shqiptare në tregimet e Ernest Koliqit; Kostumet
popullore në vendbanimet shqiptare të Velesit; Veshjet kombëtare dhe diversiteti
i saj; Rëndësia historike e veshjeve
tradicionale shqiptare; Veshja e Medvegjës dhe e viseve të tjera si elemente
ndërlidhëse me identitetin; Veshjet tradicionale në Kosovë; Veshjet e burrave
shqiptarë të Medvegjës dhe së fundi
Veshjet e burrave në Preshevë. Duhet theksuar se përmbledhësi ka përfshirë
kumtesat e lexuara, por edhe ato që për arsye objektive nuk arritën të lexohen.
Për Konferencën
dhe për studimet, materialet, fotografitë e intervistat e përfshira këtu është
tepër domethënëse të spikas gjeografishtrirjen tepër të gjerë të kulturës dhe
etnisë shqiptare, si dhe tematikën e bollshme dhe të nduarduartë për veshjet
popullore, por edhe për fusha të tjera trashëgimore. Me një natyrshmëri të
ndërlidhjes së lehtë, për veç kumtesave për veshjet popullore, Përmbledhësi sjell edhe të dhëna që flasin për rite të
kalimit, për punesat e dorës dhe për motivet e ornamenteve dekoruese në veshje
e në artefakte të tjera. Pa u lëshuar në detaje, lypset vërejtur se temat e
këtilla komunikojnë, informojnë për një trashëgimi të begatë kulturore dhe
natyrisht se ndihmojnë njohjen sa më të mirë të çështjeve të ndryshme kulturore
e trashëgimore. Takimet e këtilla janë shumë simbolike dhe shumë domethënëse. E
bukura mbi të bukurat ishte qëndrimi i pjesëmarrësve të Konferencës aty,
pikërisht në Medvegjë, ku po shuhet e shlyhet çdo gjë shqiptare e popullata
shqiptare. Kam bindjen se takimet e këtilla,
rëndësia shkencore, interesimi për ndriçime në fushën trashëgimore, të bëra
bashkë dhe të jetësuara në një Konferencë Shkencore do të kenë jehonë afatgjate
për Anamedvegjën e më gjerë. Organizatorët largpamës dhe bashkëpunues: Shoqata
për Trashëgimi dhe Krijimtari Kulturore me në krye udhëheqësin e saj z.
Xhemaledin Salihu dhe biznesmenin-kryetar i Forumit Ekonomik-AFEDS nga Medvegja
z. Muharrem Salihu, e mundësuan takimin e këndshëm e domethënës shkencor, që
dha edhe rezultatet e veta kulturore e shkencore. Për këtë dhe si për relaksim,
ja se rastësisht dhe befasisht na qëlluan koincidentë, të përputhshëm dy mbiemrat
Salihu. Kureshtja më shtyu të hulumtoj fjalorët gjuhësor dhe gjeta shpjegimet
se, ndër të tjera, ky emër shpjegohet me
domethënie: i mirë, zemërgjerë e kompetent. Prandaj, më pëlqen të shprehem se
pikërisht për veti të këtilla njerëzore z. Xhemaledin Salihu dhe z. Muharrem
Salihu organizuan dhe ndihmuan një Konferencë të bukur e të rëndësishme
shkencore, prandaj meritojnë lëvdatë e falënderime deri në veçanti. Ky
bashkëpunim e kjo rrethanë mrekullisht mundësoi që në një mjedis
etnologjik-antropologjik kulturor me karakteristika të veçanta historike dhe
kulturore, për një pjesë të madhe të neve pjesëmarrësve, të panjohur deri
në Konferencën e Medvegjës, të takohen studiues e hulumtues të viseve të
ndryshme shqiptare, me interesime e kontribute të ndryshme tematike shkencore,
të shpërfaqin identitete natyrash të nduarduarta trashëgimore e kulturore,
që pasurojnë edhe më në plotësi kulturën etnike shqiptare. Kultura
shqiptare është një dhe e pandashme dhe kështu duhet të trajtohet, kështu
të përfaqësohet, dhe që është më e bukura - Konferenca e Medvegjës
saktësisht e pasqyroi si një kulturë shqiptare, të pandarë!
Mirëpo, për hir të
suksesit në të ardhmen, duhet vërejtur së, Përmbledhësi i Konferencës ka punime
që duhet akoma të plotësohen, sepse ndodhë të ju mungojë dokumentimi dhe
përshkrimi i saktë profesional i një kostumi të plotë, ose mungon përcaktimi
dhe strukturimi brenda vetë punimit i tipologjisë së veshjes, të dallimit të
varianteve të tyre, të përcaktimit të rrethinave kostumologjike, mungon saktësia,
sepse disa konstatime hamendësore shfaqen pa ndonjë mbështetje
teorike-shkencore e të ngjashme, që po të kihej pak më shumë kujdes, do ti
bënte shkrimet shumë më të arrira shkencërisht.
Nga takimet dhe botimet e këtilla sigurisht se gjeneratat
e ardhshme trashëgojnë një bazë të mirë studiuese, të dhëna të rëndësishme për
ta ndriçuar kulturën, të kaluarën e një vendi e të një hapësire më të gjerë,
për ta mësuar rëndësinë e pasurisë
trashëgimore materiale, artistike ose shpirtërore. Të gjitha këto së bashku do
të shërbejnë si material studimor për
Etnologjinë, që sot pëlqehet të quhet Antropologji kulturore në përgjithësi,
por ndihmojnë edhe më gjerë për shkencat humanistike.
Ju faleminderit!