Kulturë
Driton Gashi: Libri shqiptar prezantohet në frymën e Schiller-it në Mannheim të Gjermanisë
E merkure, 26.10.2022, 07:38 PM
Libri shqiptar prezantohet në frymën e Schiller-it në Mannheim të Gjermanisë
Nga
Driton Gashi
Kur
tri libra të shkruara nga autorë shqiptarë prezantohen në një qytet të bukur
dhe me traditë e trashëgimi të lashtë kulturore dhe arsimore, atëherë edhe
veprat që promovohen marrin një vlerësim më të lartë dhe ngjallin emocione të
veçanta.
Qyteti
Mannheim në Baden-Württemberg të Gjermanisë mburret me të drejtë me
Universitetin dhe Teatrin Kombëtar që posedon, të dyja këto institucione të
themeluara në mesin e shekullit të tetëmbëdhjetë dhe të njohura në mbarë globin
për cilësi të lartë akademike, shkencore dhe kulturore. Shumë profesorë dhe
absolventë të këtij universiteti kanë pasur dhe vazhdojnë të kenë edhe sot
ndikim në jetën politike dhe shoqërore në Gjermani e në botë.
Shkrimtari
i madh gjerman Friedrich Schiller ishte vetë mysafir në premierën e dramës së
tij të parë "Die Räuber" (Grabitësit) në Teatrin Kombëtar në Mannheim
në vitin 1782. Kjo kryevepër dramatike ishte shumë e suksesshme dhe nga ajo
kohë është pjesë e thesarit të madh kulturor gjerman dhe shfaqet në çdo skenë
të botës.
Në
këtë qytet dhe në rrethinë jetojnë shumë shqiptarë të mërguar me dekada të
tëra. Ata vijnë nga të gjitha trevat tona dhe janë integruar dhe ambientuar
shumë mirë në qytetin e ri. Janë të punësuar në fabrikat e shumta të industrisë
së rëndë, kanë hapur vetë biznese të pavarura në ndërtimtari, gastronomi e
fusha tjera. Gjeneratat e reja po korrin suksese në shkollim të mesëm
profesional dhe të lartë, duke u bërë dita-ditës pjesë e rëndësishme e
shoqërisë në të cilën jetojnë. Pa e harruar kurrë origjinën e tyre, ata bëjnë
çmos për t'a prezantuar kulturën shqiptare si duhet dhe për t'i ndihmuar
atdheut të tyre. Në mesin e tyre bie në sy gazetarja dhe autorja e Televizionit
Publik Gjerman ZDF, Arta Ramadani, e cila me punën e saj gazetareske dhe me
librat në gjuhën gjermane jep kontributin e saj të madh në ruajtjen dhe
zhvillimin e imazhit të mirë shqiptar në Gjermani.
Shoqata
shqiptare "Dardania", e cila u formua mbi 30 vite më parë, është
shembull i organizimit të mirëfilltë kulturor e atdhetar të komunitetit
shqiptar në Gjermani. Ajo ftoi më 22 tetor 2022 autorët dhe publicistët Nusret
Pllana, Tefik Ramadani dhe Driton Gashi për t'i prezantuar veprat e tyre të
fundit "Vergiss niemals (Mos harro kurrë), "Në gojën e gjarpnit -
Kujtime të një ish të burgosuri" dhe "Mit dem Doppeladler im
Ruhrpott" (Me shqiponjën me dy krena në rajonin e lumit Ruhr në
Gjermani".
Profesor
Nusret Pllana është luftëtar i lirisë, gazetar në Radion Kosova e lirë, ish- i
burgosur politik, profesor universiteti dhe aktivist i palodhur për lirinë dhe
pavarësinë e Kosovës. Ai ka botuar deri tani disa libra shumë të rëndësishme
për krimet dhe gjenocidin serb ndaj shqiptarëve të Kosovës. Libri aktual
"Mos harro kurrë" është përkthyer në gjuhën gjermane dhe në shumë
gjuhë tjera botërore dhe ka për qëllim informimin, sensibilizimin dhe
paraqitjen e luftës sonë të drejtë dhe të krimeve ndaj nesh për publikun
gjerman. "Edhe kujtesës sonë kolektive një libër i tillë do i bënte mirë,
ngase ne nganjëherë e kemi zakon të harrojmë shpejt"- pohon në fjalimin e
tij profesori i nderuar Nusret Pllana.
Tefik
Ramadani është defektolog, ish-i burgusur politik pas demonstratave të vitit
1981 dhe aktivist i palodhur i çështjes kombëtare. Ai angazhohet me dekada të
tëra për integrimin dhe participimin politik të shqiptarëve në Mannheim e më
gjerë, duke marrë edhe përgjegjësi organizative në këshillet për integrim të
landit Baden-Württemberg.
Të
gjitha kujtimet e tij që nga fëmijëria e deri te emigrimi në Gjermani, Tefik
Ramadani i ka përmbledhur dhe futur brenda librit "Në gojën e
gjarpnit". Ky libër përmban detaje shumë të rëndësishme, informata për
Kosovën e para dhe pas vitit 1981, një kohë, për të cilën ne të tjerët mendojmë
se i dijmë të gjitha, por duke e lexuar librin të krijohet përshtypja se sa
mirë qenka të rikujtohen ato ngjarje vendimtare për vendin tonë. Të rikujtohen
të gjithë ato punë të mëdha kombëtare, ai aktivitet me aq idealizëm, ajo
sakrificë, ato vuajtje të shumë njerëzve në Kosovë, pa të cilat nuk do ishim
këtu ku jemi sot.
Driton
Gashi është pedagog shkolle dhe këshilltar pedagogjik në Gjermani.
Në
librin e tij autobiografik-eseistik në gjuhën gjermane "Me shqiponjën me
dy krena në rajonin e lumit Ruhr në Gjermani", ai ka përmbledhur kujtimet
dhe përvojat e tij gjatë këtyre tridhjetë viteve të fundit, prej se me familjen
e tij ka emigruar nga Kosova në Gjermani.
Emocionet
e mërgimit, ambientimi në vendin e ri, përvetësimi i gjuhës gjermane,
ballafaqimi
me kulturën e re, vështirësitë, sukseset, malli i madh për vendlindje, të cilën
e kanë lënë në një gjendje shumë të palakmueshme dhe të rëndë në vitin 1990,
ndihma dhe aktiviteti i tyre në mërgatë për çështjen e Kosovës – janë vetëm
disa nga temat, të cilat i shtjellon dhe i reflekton në libër prej 212 faqeve
në 28 kapituj.
Paralelisht
me përvojat e tij, në anën tjetër e përshkruan në mënyrë më të thjeshtësuar dhe
më të kapshme për lexuesin gjerman konfliktin e Kosovës, duke i sqaruar faktet
historike dhe duke u fokusuar më shumë në kohën e okupimit serb dhe luftën e
viteve të nëntëdhjeta.
Driton
Gashi shpreh në librin e tij edhe disa mendime, reflektime kritike dhe ide, që
kanë të bëjnë me debatin e integrimit dhe participimin politik e shoqëror të
mërgimtarëve në Gjermani.
Një
falënderim i posaçëm i përket kryetarit të shoqatës Naser Hoxhaj, aktivistit të
palodhur Xhafer Leci, aktivistit Adem Buzoku dhe gjithë anëtarëve tjerë të
vyer, të cilët si zakonisht kanë bërë një organizim të shkëlqyer të këtij
manifestimi letrar dhe kulturor si dhe ofruan një mikpritje bujare për të
gjithë mysafirët.
Driton Gashi
Dortmund, Gjermani
25 tetor 2022