Kulturë
Bardhyl Maliqi: Një këndvështrim tjetër mbi romanin “Amerikani” të Odise Kotes
E premte, 04.11.2022, 08:51 PM
Një këndvështrim tjetër
mbi romanin “Amerikani” të Odise Kotes
Nga
Dr. Bardhyl Maliqi
Autori Odise Kote është lindur në Gjirokastër dje mbetet
gjirokastrit në çdo qelizë të qenies. Ka sevdatë, zakonet dhe butësinë e gjirokastritëve. Ai ka disa
shkollime, fillimisht si ushtarak, punonjës bashkie e prefekture dhe pastaj si
pedagog i letërsisë në Universitetin e Gjirokastrës. Aktualisht është prefekt i Qarkut. Në vite është shfaqur
si poet, si tregimtar, novelist e romancier me vepra të bukura, por edhe si
gazetar e studiues i spikatur. Na ka ndihmuar për organizimin e manifestimeve
tona pikërisht në qytetin e tij të
lindjes. Kjo është një arsye më tepër pse sot promovojmë librin e tij të fundit
në Sarandë. Në krye të tavolinës së diskutimit përveç Odisesë kemi kryetarin e
Bahkisë së Sarandës zotin Adrian Gurma, në krahun e djathtë Dr.Irena Gjoni dhe
në të djathtin nën kryetarin e Klubit të
Krijuesve Jonianë zotin Hekuran Halili.
Kam dashur të shkruaj disa herë për Odisenë p.sh. për
romanin “Ura e Margaritës”, por ne e kemi të vështirë të gjejmë kohën e lirë,
të domosdoshme për shkrimet. Kemi qenë dhe mbetemi miq të mirë, por kjo nuk do
të thotë se nuk kemi edhe vështrimet tona për veprat letrare. Unë do të qëndroj
tek vepra, por do të ngre edhe disa probleme që kanë të bëjnë me ne si
shkrimtarë dhe artistë, probleme që e kanë pikë nisjen në librin “Amerikani”
por dalin edhe jashtë tij.
“Amerikani është
një roman që të mbërthen, por ajo që më tërhoqi vëmendjen së pari ishte
titulli, pikërisht titulli ngërthen sekretin e këtij romani. Një shqiptar i
ikur në moshën dy vjeçare në Amerikë, i edukuar atje për muzikë në mënyrë
ekselente, vjen në moshën 22 vjeç për të përmbushur amanetin e babait në
Shqipëri, pa e ditur se pritja e tij do të ishte biruca, ku provon gjithfarë
torturash, ku parësore ishte tortura psikologjike, zhgënjimi dhe mos përmbushja
e amanetit. Duke lënë në Amerikë të dashurën dhe koncertet me violinë. Kësisoj
titulli është interesant në kuptimin e tërheqjes së lexuesit, së pari për ta
lexuar, për ta shijuar dhe vlerësuar veprën.
Disa studiues thonë se vepra nuk ka personazhe të
spikatura, unë do të thosha që është e kundërta, se në këtë vepër çdo personazh
e ka një mision duke filluar nga protagonisti kryesor Nelson Andrea. Ju kujtoj
se ka vepra me disa skema vendosjesh të personazheve. P.sh. “Kështjella” e
Kadaresë i ka vendosur personazhet ballë për ballë. Tek “Amerikani” personazhet
kanë një vendosje ndryshe. Krahas përballjes dhe më shumë se kaq në qendër
është vetëm një personazh, të tjerët të realizuar ose jo mbeten episodikë,
aleatë apo kundërshtarë qofshin.
Nelson Andrea mua
në disa drejtime më kujton Nelson Mandelën, të dy persekutohen në vendin e
tyre, provojnë burgimin politik, kërbaçin e policit, presionin e vazhdueshëm
psikologjik, ftohtësinë e qelive, rrahjet deri në vdekje. Të dy të kujtojnë
paqen, Mandela vlerësohet me çmimin Nobël për Paqen, por edhe Nelsoni i Odisesë
është paqësor e nuk dhunon askënd. Dhe siç thotë me të drejtë autori të qënit
pajtues dhe paqësor janë karakteristika të këtij qyteti. Por jo vetëm të këtij
qyteti por edhe në qytete të tjera, si Saranda p.sh. ku kemi fe të ndryshme,
raca dhe etni të ndryshme, nivele ekonomike të ndryshme. Të qenët pranues dhe
paqësor është ekzistenciale, të paktën në Shqipëri.
Në rezistencën
intelektuale është lufta Nelson Andreas për mbijetesën si njeri dhe si
violinist. Odiseja mund të mos e ketë
lexuar librin e famshëm psikologjik të L.Ron
Humbbardit “Dianetics - Shkenca Moderne e shëndetit mendor”, por përvojat
jetësore të çojnë te ky përfundim logjik. Për këtë kemi edhe përvojat e
shkrimtarëve dhe artistëve tanë në kohën e diktaturës.
Në qoftë se do të bëja analizë, mund ta filloja nga
fundi, nga ngjarja e ambasadave më 2 korrik 1990. Pyetja për të gjithë, edhe
për mua është vetëm një, si shpjegohet që dy shqiptarë të futur në ambasadën
italiane mbahen me vite të izoluar, ndërsa në 2
korrik u hapën portat e të gjitha ambasadave dhe ju vunë mjete udhëtimi
në dispozicion për të shkuar atje ku dëshironin?!. A nuk të shkon mendja të
pyesësh kush i thirri qytetarët në 2 korrik? Ku e dinin ata se do t'i prisnin
ndryshe? Kjo të çon tek ideja e një organizimi paraprak, që të zbulon planin
e hershëm të vendeve të G7, që në esencë ka idenë se popullsia e Evropës dhe
Amerikës po plaken. Kontinente të reja nuk ka më për të zbuluar,
kolonive bëmë gabim që ua hoqëm litarin nga fyti duke ju dhënë pavarësinë. Kemi
vetëm një zgjidhje përmes garës së armatimeve ta detyrojmë BRSS-në dhe Evropën
Lindore të dorëzohen, se ato nuk kanë fuqinë tonë ekonomike.
Dhe kështu ndodhi. Kjo shpjegon edhe 2 korrikun e
ambasadave tona, që të sugjeron që romanin “Amerikani” ta lexosh e kuptosh edhe
më ndryshe. Pasi gjërat nuk kanë qenë kaq bardhë e zi sa paraqiten në vepër, ku
flitet edhe për burgosjen e shkrimtarëve dhe artistëve, pa thënë që ata ishin
të organizuar në një Lidhje Shkrimtarësh, që merrnin leje krijuese, që kishin
gazetat dhe revistat e tyre, e tani nuk kanë as godinën se ua rrëmbeu shteti.
Veprat e tyre të arrira botoheshin e shpërndaheshin në të gjithë vendin, me
raste si puna e Kadaresë për shembull edhe jashtë vendit, ndërsa sot bashkitë
tona sponsorizojnë vetëm sportet, asnjë lek për botimet tona, asnjë zyrë ku të
mblidhemi nuk kemi, Kishim para viteve 80 zyrën tonë te Qendra Kulturore e qytetit ku na mbiu Sos Bari. Kryetarët e
bashkisë e dhanë dhe e mbajnë peng. Por pengu i vërtetë jemi ne Shkrimtarët dhe
artistët e Sarandës tonë, Shoqata e Krijuesve Jonianë. Në atë zyrë kishim
bibliotekën tonë, stenda pikturash, sallë për mbledhjet mujore dhe promovimet e
librave. Aty kem pritur edhe Dritëro Agollin, Fatos Arapin, Ismail Kadarenë,
sepse që të realizohet kontrasti, simbolika dhe metaforika e veprës duhet t’i
kemi parasysh të dyja anët, ndaj nuk duhet nxituar me vlerësime superlative,
megjithëse më duhet të pranoj se dy autorët elitarë të prozës sonë të gjatë
janë të dy gjirokastritë: Ismail Kadare dhe Odise Kote, që kanë të përbashkët
Gjirokastrën, rrugicat, sokakët dhe emërtimet e saj, por ndryshojnë në
protagonizmin estetik, në gjuhë, në shprehësi dhe në detaje.
Për sa i përket
letërsisë së burgjeve ku pjesërisht inkuadrohet edhe ky libër nga përmbajtja
unë them se kjo letërsi e përfaqësuar nga autorë ish të përndjekur politikë si
Kasem Trebeshina, Pjetër Arbnori, At Zef Pëllumbi, Visar Zhyti e të tjerë është
e realizuar kënaqshëm.
Të shkojmë sërish te romani “Amerikani”. Një personazh
tjetër që përfshihet në të gjithë veprën është gjoja kushëriri i Nelsonit, Rako
Serani. Dinak, rendës pas femrave, parasë dhe pushtetit, që bën dy punë
njëherazi, të arkivistit dhe të spiunit. Ai u gjend edhe në radhët spektatorëve në koncerin me rastin e rihapjes
së ambasadës amerikane në Shqipëri. Nelsonin e brengos kjo pjesëmarrje. Dhe me
të drejtë se në emër të Demokracisë na mbinë sot pluralizmi politik me kryetarë
partish ish sekretarë partie të regjimit të vjetër monist. Për çudi kjo e
përfshin gjithë spektrin nga e majta në të djathtë. Negativë siç kanë qenë vërtet
paraqiten hetuesit si Kanai apo policët si barkmadhi me mustaqe që e rrahin
gjithmonë Nelsonin para hetimit dhe pas tij. Nelsonin hetuesia e akuzoi herën e
parë pse ishte amerikan nga pasaporta dhe pse erdhi për spiunim në Shqipëri.
Por akuza e burgut të dytë të Nelsonit, veçanërisht kur njeh edukimin dhe
sjelljen e tij tingëllon edhe më absurde. Të akuzosh për përdhunim një njeri të
thjeshtë që e ka të shtrenjtë familjen, një muzikant virtuoz se ngacmon
seksualisht shoqen e vajzës 10 vjeçare,
është vërtet trishtuese dhe çnjerëzore.
Vepra ka mjaft personazhe episodikë që shafqen në momente
të veçanta në roman sipas skenave të jetës së Nelsonit. Të gjithë janë të
spikatur.. Kujtoni psh varrmihësin me të cilin punon Nelsonit pas burgimit të
dytë absurd. Ndër personazhet episodikë është edhe punonjësi i vjetër dhe beqar i muzeut në
kështjellë, që jeton në dy realitete të ndryshme, ditën me realitetin e
qytetit, dhe natën me ëndrrat, me princeshën Argjiro, aq sa ëndrra e çon në
rrugë e sokaqe për të ndjekur keqbërësin e saj.
Një personazh kompleks dhe enigmatik si produkt i
mungesës është Pandora me të cilën martohet Nelsoni. E bukur, e dashur, një
shurdhmemece, por që çuditërisht do ta përballojnë bashkëjetesën me dinjitet,
duke lindur dhe rritur dy fëmijë binjakë. Kjo martesë ishte krushqia e
“kushëririt” të tij, Rako Seranit. Se vërtetë Pandora nuk e dinte, por e ëma e
dinte se në shtëpinë e tyre fshiheshin xhevahire, thesare e tapi të vjetra,
prandaj Rakua tenton edhe marrëdhëniet seksuale me të ëmën e Pandorës,për të
mësuar këto sekrete. Vetë pasi hasi rezistencë, ndërron taktikë dhe realizon krushqinë me
"nipin" e tij Nelson.
Pandora e bukur vërtet zhduket në skenën e fundit të
romanit. Pas vdekjes së të birit, por jo për këtë shkak ajo ikën nga familja,
pikërisht kur i shoqi dhe vajza dhjetëvjeçare, Hana, shoqërojnë Nelsonin në
koncertin e hapjes së Ambasadës Amerikane në Tiranë. Duke na thënë se kaq ishte misioni im, tash ai mbaroi.
Ndërsa Hana Erdoli, e dashura amerikano hebraike e
Nelsonit bëhet pjesë e karakterit të tij gjatë gjithë jetës. mendoj se zgjedhja
e amerikano hebraikes Hana nuk është rastësi. Kjo zgjedhje na çon tek një fakt
historik bindës. Në Shqipëri gjetën zgjidhe dhe shpëtuan jetën shumë hebrenj,
asnjë nuk u dhunua apo spiunua. Popullin tonë e nderon ky fakt.
Jo rastësisht mua më ranë në sy edhe shumë fjalë të reja
apo fjalë kompozita. Kam dhenë shumë vjet në filialin universitar si pedagog
lëndën e morfologjisë, ku përfshihet edhe fjalëformimi. Odiseja i thotë odëjashta njërit prej
mjediseve të shtëpisë së Rako Sinanit që i nxiu jetën po aq sa burgu. Odiseja
thotë Rrafshulta e Grehotit, që mua më kujtoi modelin fjalëformues Rrafshnalta
e Dukagjinit, ku spikatin ulta e dialektit tosk dhe nalta e
dialektit geg. dhe në këtë pikë Odiseja shkon në rrugën e traditës sonë më të
mirë që filloi me vëllezërit Frashëri dhe kulmon me bashkëvendasin e tij Ismail
Kadarenë. Për më shumë argument për të përforcuar idenë e pranimit të tjetrit
dhe kompozitat që ndërton Oodeja do të citoj një fragment të gjatë nga romani:
“Për Janollarët që
kishin ndërtuar kasaforta guri brenda, në thellësi të puseve për të fshehur
florinjtë e xhevahiret e shpëtuara nga vala e tretë e sekuestrimit të pasurisë
e shtetëzimeve. Flitej për Zite Kovaçin e bëhej be e rrufe që flinte mbi
kallëpe floriri. Kallëpet ishin shtruar poshtë dyshemesë së odasë. Pandehmat
shkonin deri aty sa kishin plasur krushqitë e martesat brenda fiseve për të mos
e shpërndarë e dorëzuar pasurinë. Ç’nuk flitej në këtë qytet thashethemesh? Të
shkretët veshë ç’dëgjonin! Hebreu Ziga, dyshues e frikacak si përherë i kishte
fshehur florinjtë e tregtisë larg, në një guvë - shpellë të nëndheshme që s’e
dinte askush, në Mal të Gjerë. Një tjetër i moshuar me emrin Thanas, vllah,
ruante hartat e zonës ku mendohej se kishte naftë. I ruante si tapitë e vjetra
të turkut që t’i linte trashëgim në breza. Për Kopen, një Prokop, Prokop nga
Palortoja e Sipërme, thuhej se na qenkësh nipi i Vangjel Zhapës dhe do të
trashëgonte pasurinë e gjithë Greqisë. Të vije duart në kokë! Por t’i besoje të
gjitha këto me siguri që duhej të ishe i çmendur. Pavarësisht nga shkulnaja e
dimensioni i pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së
tjetrit. Askush nuk të thoshte: Plaç! Qyteti ishte si të thuash ai kazani i stërmadh
që përziente gjithçka. E përziente, e treste dhe e bënte ushqim për çdo stomak.
Dhe në qytet nuk kishte sherre ndasish, as urrejtje. Vrasje jo e jo. faqe 98
Këtu vëreni me kujdes frazën; “Pavarësisht nga shkulnaja e dimensioni i
pranimit të gjithçkaje që sillte tjetri me vete, i kulturës së tjetrit.”,
ato i përmbajnë të dyja qëllimet e citimit të këtij paragrafi të gjate, përfshi
dhe stilin dhe gjuhën e bukur që spikat në të gjitha veprat e tij.