Kulturë
Ajete Zogaj: Ditar jetësor në vargje
E premte, 04.11.2022, 08:56 PM
DITAR JETËSOR NË VARGJE
Lumnije
Kajtazi Gjyshinca, “MES DY BOTËVE” botoi Sh.B “ULPI”, Prishtinë 2022
“Fjalët
e mira janë të shkurtra dhe të lehta për t’u thënë, por jehona e tyre është
vërtet e pafundme”. – Nëna Tereze
Nga
Ajete Zogaj
Derisa po lexoja librin në dorëshkrim të autores
Lumnije Kajtazi Gjyshinca “Mes dy botëve” më shpërfaqej fuqia engjëllore e një
Gruaje, Nëne e Motre,e cila qëndron vertikalisht dhe ecën me kokën lart edhe
atëherë kur dallgët e jetës janë të rënda, madje rrënuese!
Në vargjet e saj shpaloset bota e femrës shqiptare
me baticat e zbaticat jetësore, që në qenësi është bota e autores ‘mes dy
botëve’ dhe rrugëtimi i saj ‘si në tehun e shpatës’ e në një ’fije të hollë
peri’ që Ajo me vullnet dhe besim në Hyjin nuk e lejon të këputet...sepse mes
dy botëve, AJO e don shumë JETËN DHE FËMIJËT E SAJ!
Largova errësirën, vdekjen
Se jeta ishte për mua dhe për
ty
Për zemrën e vogël që s’u ndal
Për një engjëll si ti.
(“Jetë
apo vdekje”, f. 24)
Në vargun e autores shqiptohet dashuria e motrës
për vëllanë, kujtimi për prindërit që mbajnë familjen e bashkuar, dashuria e
motrës për motrën (për motrën e saj Prozën).
Vëllau për motër qet pushkë
E unë për të çdo të bëjë nënë
Ndoshta më të mirën e botës
Rroftë zemrae motrës.
(“Fjalët
e tua”, f. 19)
Nëna është qenia më e dashur së cilës autorja ia
kushton disa prej poezive të këtij libri, duke e cilësuar atë më të fortë se
guri, e cila tërë jetën qëndroi si shkëmb.
Se jeta të sjellë të papritura, por gjithmonë
gjendet një zgjidhje; edhe në fund të tunelit ndizet një dritë, që e dëshmojnë
mundësinë e shpëtimit, si në vargjet vijuese:
Vdekje apo ringjallje
Kush do t’ma thotë
A do të ketë shpresë
Për këtë zanë.
(“Komë”,
f. 27)
Nëna, kjo figurë hyjnore, zë ‘kryet e vendit’;ajo
është shtylla e shtëpisë...e cila me butësinë e saj ‘shpërbën’ helmin e nxjerrë
nga goja e njerëzve që nuk e peshojnë fjalën, e bën mjaltë, sepse jeton për të
ardhmen; e ardhmja e saj-janë fëmijët e saj. Pra, fati i saj është i pandarë me
bimësinë e saj! A nuk është kjo mrekullia vetë, që Hyji i dhuroi femrës-
Amësinë!
Helmi i nxjerrë nga goja
Janë fjalët Tuaja të kota
Ti je një njeri që s’di çka
është bota
Mjerim atë që e mban toka.
(“Helm
nga goja”, f. 35)
Apo në vargjet ku shprehet dashuria ndaj fëmijëve:
Shikojnë në sy
Thërrasin në vesh
Ngrihu oj nënë
Jeto me vrullin e dashurisë
Dashuria ime, dashuria e Juaj
Freski e zemrës
Vullneti i jetës
Në qiellin e hapur me rreze
dielli
Ju shpirtra të shpirtit tim.
(“Për
Ju”, f. 38)
Mjaft mbresëlënëse janë edhe vargjet që shprehin
brengën dhe kujdesin, dashurinë e pafund të nënës(autores), dashurinë prindore:
Sa kam dhimbje kur shoh ata sy
Mundohen ta thonë
Zemrën tënde të madhe
Barrë e mbajtur tërë jetën.
Nuk kam fuqi më shumë
Koha do ikën
E në fund
Do mbetesh...?!
(“Për
ty”, f. 43)
Jeta është ballafaqim, thotë autorja në
përmbledhjen poetike ’’Mes dy botëve”, duke porositur që në radhë të parë duhet
dashur veten:
Uroje veten.
Jeta s’është inat
Ajo është lumturi
Lumturiae zemrës
Është dashuri
Shpirti i pastër
Kaltërsi deti
Jetoje jetën
Duaje veten!
(“Duaje
veten”, f. 10)
Jeta për autoren sa është e ëmbël, po aq është
ballafaqim, vuajtje...Është Femra, Nëna, AJO që i përballon të gjitha për arsye
të bimës së saj (fëmijës):
E gozhduar për muri
E lidhur
Jo e çmendur as e ligë
E fortë
E pamposhtur
Në mes rruge, pa rrugë.
Sytë e tyre më kanë gozhduar
Shpirti i tyre dhe zemra
Më lidhin nyjë
E pazgjidhur pafajësia
Një mal i pafund.
(“Pa
titull”, f. 13)
Se dashuria e nënës për fëmijën është hyjnore, dhe
se ajo harron vetë-vetën për ta e dëshmojnë vargjet:
E humbur në kohë, gjysmë e
vdekur
Erdhe në jetë me pritje pa
gjumë
Mendova se të humba se u ndal
zemra jote
Për vete nuk di se jetoja.
(“Jetë
apo vdekje”, f. 23)
Ajo që e bën të veçantë librin e parë poetik të
autores Lumnije Kajtazi Gjyshinca është
mënyra e të shprehurit poetik, pa rregulla metrike; janë rregullat e pashkruara
të cilat di t’i zbërthejë në pentagramin e zemrës dhe të jetës së një Nëne...që
sfidohet, që e do JETËN DHE LUFOTN PËR TË!
Shumica e poezive të librit kanë datë-shkrimin e
tyre, përmes së cilave autorja shpalos ditarin e saj jetësor, të cilin (ndoshta
në një formë a një formë tjetër) e shkruajnëshumica e NËNAVE dhe e femrave
shqiptare!
Prishtinë, 24.10.2022