Kulturë
Anton Nikë Berisha: Libër që të njëson thellësisht me besimin në hyjin dhe me dashurinë e tij
E marte, 27.09.2022, 07:47 PM
LIBËR QË TË NJËSON THELLËSISHT ME BESIMIN NË HYJIN DHE ME DASHURINË E TIJ
– Hyrje –
Hyj, shkëmbi im,
kështjella ime, lirimtari im,
Hyji im, shkrepi im në
të cilin unë strehohem,
mburoja ime, shpëtimtari
im i fuqishëm dhe ledhi im
(Ps 18, 2 – 3).
Hyj, sipas dashurisë
sate, ma jep jetën .
(Ps119, 159)
NGA
ANTON NIKË BERISHA
Qenësia
e përshpirtërisë dhe e përvujtërisë
Në rrugën e vet të thellimit dhe të njësimit me
hirin dhe me dashurinë e Hyjit, njeriu e dëshmoi urtinë e vet me përpjekje të
vijueshme për të gjetur e zbatuar mënyra të ndryshme që ta forcojë këtë besim
dhe këtë dashuri. Kjo ndodh për arsye se, siç thoshte dhe Nëna Tereze,jeta njerëzore, në
qenësi “[...] është vetë jeta e Zotit në
ne[1]”.
Një nga mënyrat më të rëndësishme të përmbushjes së
këtij qëllimi: njësimi me Hyjin dhe me dashurinë e tij, është dhe leximi i
Shkrimit të Shenjtë – Besëlidhjes së Shenjtë, për të cilën, ish profesori im i
Universitetit të Zagrebit dhe njëri ndër intelektualët dhe shkrimtarët më të
shquar kroatë, Jure Kashtellan, në “Fjalën hyrëse” të Biblës të përkthyer në kroatisht, shkruan midis të tjerash: “Bibla
është libri më i lexuar dhe më së shumti i përkthyer që e ka përftuar gjeniu
krijues i njerëzimit[2]”.
Brenda
Biblës po përmend sidomos Psalmet dhe Këngën e këngëve për arsye se “Me Psalmet dhe me Këngën e këngëve, Bibla u hapi hullinë e hyrjes dy forcave
më të mistershme me të cilat Hyji e ka pajisur njeriun: forcën e Lutjes dhe atë të
Dashurisë [...] këngët e Psalmeve dhe të Këngës bëjnë pikat e përjetshme të
rigjetjes së mistereve më të thella të zbulimit dhe të ndriçimit[3]”.
Don GiacomoAlberione thoshte se kush e
lexon Librin e Shenjtë e përfill logjikën hyjnore, e flet gjuhën hyjnore dhe e
përvetëson prirjen hyjnore[4]. Më
duhet të them se libri “T’i përngjajmë Krishtit” është i natyrës së tillë dhe thellësisht
mbështet në Psalmet.
Libri që po i jepet në dorë besimtarëve të
krishterë dhe jo vetëm atyre, në përkthim të ri, të bërë me përkushtim e dije
nga don Prekë Lazraj, ndriçon pikërisht rëndësinë e forcimit dhe të pasurimit
të këtij besimi dhe të kësaj dashurie, që shpaloset përmes dy formave: të ndriçimit
të thelbit të besimit në Hyjin dhe të mënyrave se si ky besim duhet të zbatohet
dhe dëshmohet në rrafshin konkret jetësor. Në qenësinë e vet, libri ndriçon dhe
interpreton një varg çështjesh thelbësore të Biblës, gjithë atë që
përmblidhet nga koha kur, siç thotë kardinal GianfrancoRavasi, Fjala e Hyjit e
ndërpreu heshtjen nga asgjëja përmes zërit të tij krijues dhe bëri të lulëzojë
gjithësia[5]. Kjo
thuhet edhe në Psalmin 19, 2:
Qiejt rrëfejnë lavdinë e
Hyjit,
veprat e duarve të tij i
shpall kupa e qiellit.
Libri “T’i përngjajmë Krishtit” i kalon kufijtë e
një doracaku të rëndomtë, për arsye se jo vetëm i ndriçon një varg çështjesh të
besimit në mënyrë sa të gjerë, aq dhe thellësore, format si mbërrihet,
përparësitë e besimit dhe të njohjes së tij, po dhe pësimet kur ai nuk
përfillet, prapësohet ose përbuzët.
Përmes shqyrtimit të dukurive, që lidhen me Hyjin
dhe me Birin e tij, Krishtin, libri shpalos, por dhe i konkretizon në mënyrë
mjaft bindëse, qenësinë e Birit të Hyjit, Jezu Krishtit, kryqëzimin dhe
ngjalljen e tij, i cili u shfaq si mishërim i dashurisë, i mirësisë dhe i
shpëtimit: “Vërtet, dikur ishit errësirë, por tash jeni dritë në Zotërinë.
Jetoni si bij të dritës” (Ef 5, 8); Krishti shpreh edhe diçka më shumë, siç
thuhet në Letrën e dytë të Shën Palit drejtuar Timoteut: “Krishti e asgjësoi
vdekjen dhe e bëri të ndrisë jetën dhe pavdekësinë” (2Tim, 1, 10).
Në libër vëzhgohen në mënyrë të veçantë domosdoja e
përvujtërisë, po dhe vuajtja dhe nevoja e përballimit të saj, përkatësisht
bashkëjetimi me të. Rreth kësaj papa Gjon Pali II pati thënë: “Krishti, duke vuajtur
për të gjithë ne, ka paraqitur një kuptim të ri të vuajtjes; e ka vënë në një
përmasë të re, në një rregull të ri: në atë të dashurisë [...] Është dashuria
që e djeg dhe e zhbën të keqen me flakën e dashurisë dhe nxjerr edhe prej
mëkatit forma të mira të shumta lulëzimi[6]”.
Pra, “Çdo vuajtje njerëzore, çdo dhembje, çdo fatkeqësi ngërthen një premtim
(shpresë) për shpëtim, një shpresë për gëzim[7]
[...] Nuk ekziston vuajtje që Ai nuk di ta shndërrojë në rrugën që shpie tek Ai[8]”.
Mënyrat
që i përdor njeriu kur i drejtohet Hyjit dhe komunikon me të janë të shumta dhe
të ndryshme, për arsye se Hyji është i Tejlarti dhe i Gjithëpushtetshmi dhe nga
ai nxitet dhe fillon çdo nismë.
Toka është e Hyjit dhe
gjithçka që ajo përmban:
bota me banorët e saj.
Ai është që e përfitoi
atë mbi detet
dhe e vendosi mbi
lumenjtë
(Ps 24, 1- 2).
Krishti - dashuri e
pafund përdëlluese
Në
librin “T’i përngjajmë Krishtit” vështrohet sidomos mendimi i Krishtit: “Kush
dëshiron të jetë i pari, le të bëhet i sprasmi i të gjithëve dhe shërbëtor i të
gjithëve” (Mk 9, 34) dhe “Nëse ndokush dëshiron të vijë pas meje, ta mohojë
vetveten, ta marrë kryqin e vet çdo ditë dhe të më ndjekë” (Lk 9, 24), që
përligjet në mënyra të ndryshme dhe në tekstet e Psalmeve[9].
Për
ta fituar jetën hyjnore në mënyrë që shpirti të prehet në parajsën qiellore,
njeriu duhet të vuajë, duhet të heqë dorë, siç thuhet, nga kënaqësitë e mishit,
dhe me gjithë qenien e tij të njësohet me Hyjin dhe me hirin e tij. Vetëm në
këtë mënyrë sigurohet shpëtimi dhe amshimi i shpirtit. Këtë dukuri e theksonte
dhe papa Gjon Pali II: “Ungjilli përmban një paradoks themelor: për ta
gjetur jetën, duhet ta humbasësh jetën; për të lindur, duhet të vdesësh; për të
shpëtuar, duhet të marrësh mbi supe Kryqin. Kjo është e vërteta themelore e
Ungjillit, që gjithmonë dhe kudo do të hasë në kundërshtimin e njeriut[10]”.
Qenësia
e besimit në Krishtin përligjet dhe nga dashuria që njeriu duhet të tregojë për
tjetrin; tjetri është ai që e dëshmon dashurinë hyjnore në mënyrën më të thellë
e më konkrete. PaulClaudel thoshte: “Të jeni të sigurt
se dashuria për tjetrin a nuk është rruga më e shkurtër për të mbërritur tek Ai
(te Hyji – v. ime)[11]”?
Shembull i denjë i një jete të tillë
është vetë Shën Pali, njëri nga më të mëdhenjtë e themelimit dhe të përhapjes
së besimit të krishterë, gjë që e dëshmojnë dhe këto fjalë të Nënës Tereze: “Shën Pali, të cilin përpiqem ta imitoj për
sa i përket zellit, ishte një apostull i gëzimit. Ai u jepte zemër të
krishterëve të parë të gëzohen përherë në Hyjin. E gjithë jeta e Shën Palit
mund të përmblidhet në një shprehje: ‘I përkas Krishtit’. ‘Asgjë nuk mund të më
ndajë nga dashuria e Krishti, as vuajtja, as përndjekja, njëmend asgjë’. ‘Nuk
jam më unë që jetoj, po Krishti jeton në mua’ (Gal 2, 20). Ja arsyeja pse Shën
Pali ishte kaq i mbushur plot me gëzim[12]”.
Për
ta dëshmuar këtë mënyrë përkushtimi në jetën konkrete njeriu duhet të
mbështetet tek Hyji, ashtu siç e pati thënë ”shitësi i fjalëve”, Shën Augustini: për të pasur individi
një cilësi e për të mundur që atë t’ia dhurojë tjetrit, duhet që atë t’ia këtë
dhuruar më parë Hyji: “Më lejo që për flijim unë të ofroj shërbimin e mendimeve
të mia dhe të gjuhës sime, mirëpo më parë më jep atë që unë dua të të ofroj[13]”.
Njeriu
varet krejtësisht prej Hyjit dhe se dashuria e njeriut e ka burimin në
dashurinë e tij. Nëna Tereze theksonte se përmes besimit dhe lutjes jo vetëm
mund ta dëshmojmë dashurinë për Hyjin dhe të njësohemi me të, por edhe të
kuptojmë mirëfilli brishtësinë që jemi një hiç dhe s’kemi asgjë tonën: “Kur je
ballë për ballë me Hyjin, nuk mund të bësh asgjë tjetër pos të kuptosh se je
një hiç dhe që s’ke asgjë [...] Nëse vihesh përpara Hyjit në lutje dhe në
qetësi, padyshim se Hyji do të të flasë: ndodh vetëm atëherë kur e përmbush
asgjënë tënde, zbrazëtinë tënde, të cilën Hyji mund të ta mbushë me vetën e tij[14]”.
Pra, nuk janë dy dashuri; jeta shpirtërore është “Bashkim i dashurisë me
Krishtin, në të cilin hyjnorja dhe njerëzorja njësohen krejtësisht njëra me
tjetrën. Gjithë ajo që më kërkon Krishti është që t’i jepem atij me gjithë
varfërinë time dhe me hiçin tim[15]”.
Në veprën “T’i përngjajmë Krishtit”
ndriçohet mirëfilli domosdoja për të hyrë në të fshehtat e botës shpirtërore
për arsyes se duke e njohur më mirë veten, secili bëhet më shumë i vetëdijshëm
për vetveten. Kur bëhet mirëfilli i vetvetes, bëhet më shumë edhe i Hyjit. Të
bëhesh më shumë i Hyjit domethënë t’ia falësh dashurinë tënde edhe Atit, edhe
krijesave të përftuara nga ai. Duke ia dhuruar dashurinë tënde Hyjit dhe
tjetrit, bëhesh sa i vetvetes aq edhe i tjetrit. Nëpërmjet këtij veprimi e
kësaj dashurie ti e njeh tjetrin. Kjo mundëson mbërritjen e qetësisë
shpirtërore, që është e mira më e lartë. Kur njeriu e mbërrin këtë, mendon në mënyrë
më të thellë e më të drejtë për atë që bën. Për të mbërritur qetësinë
shpirtërore duhet shumë përkushtim e dashuri ndaj Hyjit; ajo të mëson se e mira
është e lidhur ngushtë me dashurinë dhe më së shumti mësohet nga dashuria, nga
dhimbja dhe nga vuajtjet. Ta duash dikë domethënë të flijosh diçka për të. Ta
duash Hyjin domethënë të flijohesh për dashurinë e tij. Flijimi i këtillë të
shkakton kënaqësi, të jep fuqi të veprosh e të gjallosh përherë me përvujtëri e
me nder[16]”.
Duke
folur për njësimin e dashurisë së njeriut me Hyjin dhe me tjetrin, papa
Benedikti XVI, theksoi ndër të tjera: “Vetëm gatishmëria ime ta ndihmoj të
afërmin, t’ia dëshmoj dashurinë, më bën të ndjeshëm edhe përballë Hyjit. Vetëm
shërbimi për tjetrin m’i hap sytë e mi për atë që Hyji bën për mua dhe për atë
si Ai më do. Shenjtërit – të mendojmë për shembull për të lumturën Terezen e
Kalkutës (Nënën Tereze v. ime) – e kanë dëshmuar aftësinë e tyre ta duan të
afërmin, përherë në mënyrë të re, nga takimi i tyre me Hyjin eukaristik dhe, ky
takim, në mënyrë të ndërsjellë, ka provuar realizmin dhe thellësinë e tij
pikërisht në shërbimin e tyre për të tjerët[17]
[...] Dashuria për Hyjin dhe dashuria për të afërmin janë të pandashme, janë
urdhërim i përnjëjtësuar. Të dyja, pra, jetojnë nga dashuria e ardhur nga
Zoti...[18]”.
Në
vijim të vëzhgimit të dashurisë dhe të së vërtetës së Hyjit përballë veprimit
jetësor të njeriut, ndriçohet rëndësia e kungimit, shenjë e njësimit konkret me
dashurinë dhe me flijimin e Krishtit, rëndësia e punës dhe e përkushtimit të meshtarit,
si ndërmjetës i hirit hyjnor dhe besimtarit, pastaj e dhëna se çdo gjë të jetës
së njeriut duhet ta drejtojë vetëm një qëllim: hapja e shtegut drejt Hyjit, për
arsye se asgjë s’ka vlerë nëse nuk përshkohet me dashurinë dhe nuk mbështetet
në hirin e Tij. Pikërisht kjo dashuri e rrënjëzon dhe e shpërfaq lirinë e
shpirtit dhe e kushtëzon lirinë e veprimit në pajtim me dashurinë e Hyjit dhe
me kryqëzimin e Birit të tij, Krishtit, dhe i siguron shpirtit të njeriut
parajsën – qëllimi kryesor i jetës së tij.
Prishtinë, prill 2021
[1]Shih Gloria
Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente.
Paoline. Milano,
[2] Shih Jure Kaštelan, Uvodna rije?. Në “Biblija Stari i novi zajet”.
Stvarnost, Zagreb
[3] André
Neher, Prefazione.Në André Chouraqui,
Il Cantico dei cantici e introduzione ai
Salmi. Prefazioni di A. Neher, R. Voillaume, J. Ellud. Traduzione dal
francese di Vittorio Burattini. Città Nuova Editrice, Roma 1980, f. 7.
[4]La Bibbia. Via, Verità e Vita. Nuova versione
ufficiale della Conferenza Episcopale Italiana. Edizione riveduta e ampliata.Paoline.
San Paolo. Cinisello
Balsamo. Milano 2012, f. 6.
[5]GianfrancoRavasi, Introduzione
gjeneralë. Në “La Bibbia. Via, Verità e Vita”. Nuova
versione ufficiale della Conferenza Episcopale Italiana, vep. epërm., f. 11.
[6] Giovanni
Paolo II, Memoria e identità.
Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI. Rizolli Corriere della sera.
Edizione speciale. RCS Quotidiani, Milano
[7] Giovanni
Paolo II, Memoria e identità.
Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI.,vep. epërm., f. 199.
[8] Giovanni
Paolo II, Memoria e identità.
Introduzione Joseph Ratzinger Papa Benedetto XVI.,vep. epërm., f. 198.
[9]Shih për literaturën rreth Psalmeve
në parathënien time në Psalmet. Shqipërimin dhe parathënien Anton Nikë
Berisha, vep. e përm., f. 7 – 30.
[10] Gjon Pali II me VittorioMessori-n, Të kapërcehet pragu i shpresës.
Gjonlekaj
Publishing Company, New York, 1998, f. 120.
[11] Paul
Claudel, Tre figure sante per il tempo attuale. Charles De Foucauld –
Teresa Di Lisieux – Ève Lavallière. Introduzione, traduzione e note a cura di
Giovanna della Croce. Edizioni San Paolo, Torino 1997, f. 19.
[12]MadreTeresa, La
mia regola. Fabbrieditori. Sullacollana I classicidellospirito. R. C. S.
Libri S.p.A., Milano 1997, f. 137; GloriaGermani, Teresa di
Calcuttaunamistica tra Oriente e Occidente. Paoline. Milano 2003, f. 173.Shih dhe veprën timeNëna Tereze n? shtatë shpalime. Shpalimi ipestë.“Shën
Pali dhe dhe Nëna Tereze”.Botues “Faik Konica”, Prishtinë, Kuvendi Françeskan
Gjakovë 2019, f. 19.
[13]MalcolmMuggeridge, Qualcosa di
belloperDio. 3. ed. Ottobre, Edizione Pauline, 1974, f. 35.
[14] Saverio
Gaeta, Il Segreto di Madre Teresa. Il diario e le lettere inedite dei
colloqui con Gesù riportati alla luce del processo di beatificazione. EdizioniPiemme Spa, 2002,f. 111.
[15]Jesus, the Word to be spoken, edited by Angelo DevanandaScolozzi, Servant Books, Ann Arbor (USA),
1986. Italisht,Le mie preghiere. Pensieri e meditazioni
per ogni giorno dell’anno, vep. e përmendur.
Shih
Gloria Germani, Teresa di Calcutta una mistica tra Oriente e Occidente, vep.
epërm., f. 196.
[16]Pjesë nga romani im Nëna e dritës. “Shpresa”, Prishtinë 2004, f.
292.
[17]Benedetto XVI, Deuscaritasest. Lettera enciclica. Libreria
Editrice Vaticana, V Ristampa 2006, f. 41 – 42.
[18] Benedetto XVI, Deus caritas est. Lettera enciclica, vep. e
përm., f. 42.