Kulturë
Dorian Koçi: Shqipëria dhe shqiptarët në veprat e William Martin Leake
E diele, 25.09.2022, 08:05 PM
Shqipëria dhe shqiptarët
në veprat e William Martin Leake
Nga
Dorian Koçi
Njohja
e Ballkanit dhe e Shqipërisë në Ministrine e Jashtme në Britani në shekullin e
XIX fillon nga eksplorimi dhe udhëtimi në Greqi dhe Shqipëri i William Martin
Leake, i cili nuk ishte një udhëtar i zakonshëm britanik që ndërmori një
udhëtim kënaqësie dhe njohje në Greqi dhe Shqipëri në kuadër të Grand Tour-it
si Lord Byron, John Cam Hobhouse, Dr Holland apo Thomas Smart Hughes. Kapiteni
Leake dhe më vonë Koloneli Leake ishte një zbulues i mirëfilltë ushtarak i
dërguar me mision në territorin e Pashallëkut të Janinës nga viti 1804 deri në
dimrin e vitit 1806. Edhe pse një kohë relativisht të shkurtër, Leake krijoi një njohje dhe
eksperiencë të admirueshme për Ballkanin. Pas largimit të tij nga Shqipëria dhe
Greqia, Leake shkroi dhe botoi katër vepra shumë të rëndësishme për të
gjeografinë,historinë,gjuhësinë dhe leksikografinë dhe popullsinë e këtyre
viseve. Veprat e tij janë Researches in Greece(1814),”An Historical outline of
Greek Revolution”(1826), “Travels in Morea” (1830) dhe “Travels in Northern Greece
and Albania” me katër vëllime(1835).Këto vepra nuk ngjallën interes vetëm në
qarqet akademike por shumë shpejt patën një sukses të madh në lexuesin
britanik. Si të tilla ato krijuan dhe përshtypjet dhe perceptimet e para të
Ballkanit dhe të Shqipërisë në Britani. Leake ishte një njohës shumë i mirë i
antikitetit dhe referencat e tij për shumë qytete të vjetra antike ishin shumë
të sakta dhe të mahnitshme për moshën e re që ai kishte. Ai gjithashtu bën një
përshkrim rigorozikisht të saktë të territorit që eksploron duke na dhenë jo
vetëm përshkrime gjeografike por dhe përshkrime te popullatës. Detyra e Likut
ishte ajo e zbuluesit ushtarak, pra mbledhja e informacioneve që i kish caktuar
Shtabi Britanik i Luftës. Ai udhëtoi pa
u lodhur, vëzhgoi tërë objektet e
nevojshme për informacionet e tij,
takoi dhe bashkëbisedoi me njerëz të rajoneve e shtresave të ndryshme
të popullsisë shqiptare e greke, çamë, toskë, lebër,vllahë, funksionarë të
administratës osmane:pashallarë,bejlerë,vezirë,spahinj, ushtarakë të karrierës
etj
Gjatë
udhëtimeve të tij, Leake si një dishepull i kulturës klasike greko-romake
identifikon dhe sjell në vëmendjen e lexuesit shumë vendbanime dhe qytete të
lashta të Ilirisë , Maqedonisë, Epirit dhe Greqisë. Është e kuptueshme që për
emrat antikë Leake përdor emërtimet e tyre greko-romake duke respektuar
traditën e udhëtarëve të tjerë para tij, por kur kjo emërtim shtrihet dhe në
vendbanime dhe toponime që s’kanë gjë të përbashkët me greqishten apo me
popullsi greke në rajon krijohet një konfuzion etnik i panevojshëm për
lexuesin. Vetë Leake duket se nuk është
shumë i qartë kur identiteti kulturor historik të antikitetit dhe atë fetar të
mesjetës mundohet ta përcjellë dhe në kohët moderne. Kështu p.sh shumë herë ai
ngatërron popullsitë duke i thirrur shpesh herë si “greke”popullsitë ortodokse
shqiptare, si në Lavdar të Oparit, Berat etj
apo “turke” banorët myslimanë të Beratit dhe fshatrave dhe qyteteve të
tjerë të Toskërisë. Madje Leake shpesh herë dhe në vende që kanë toponomastikë
shqiptare si në fshatin Dukaj të Tepelenës nuk nguron ta shoqërojë me emërtimin
grek “Dukadhes”.
Kjo
ditomi në diskurs influencon dhe në krijimin e imazhit të Shqipërisë si të një
toke barbarie, të largët dhe të pa civilizuar e dëshmuar shpesh herë me
përdorimin e mbiemrave “të egjër”, ‘mizor” e “gjysmë lakuriq” për banorët e saj
apo drejt për së drejt ku i referohet Beratit si qendër e “barbarisë shqiptare.” Është e
tepërt të përmendim se qyteti i Beratit si një qendër e një pashallëku shqiptar
jo shumë kohë më parë se ta vizitonte Leake kish qenë kryeqendra e lëvizjes
kulturore të Bejtexhinjve që edhe pse mund të ishte lëvizje kulturore lindore
jo domosdoshmërisht duhet të ishte dhe barbare. Po kështu Berati shquhej dhe
për kulturën e trashëguar të popullsisë së tij ortodokse, të cilën jo radhë
herë në libër Leake e konsideron pa të drejtë si greke. Për më tepër
përshkrimet që Leake u bën Shqipërisë dhe shqiptarëve janë në kontrast me
përshkrimet që u bën Greqisë dhe popullsisë greke brenda të njëjtave veprave Kështu
imazhi i Greqisë dhe i popullsisë greke është pasqyruar me tone më pozitive dhe më me dhembshuri duke iu
referuar shpesh herë atyre si “grekët e gjorë” apo duke i qortuar lehtë për mos
kurajën e tyre për të ngritur krye kur shkruan se “ata i tremben shumë shpatës
turke dhe kanë aq pak energji për të vepruar në të mirë të vetes.”Në këtë rast
shqetësimi gjeo-strategjik i Leake i nënshtrohet sentimenteve të veta
filokulturore ndaj kulturës antike, e cila transferohet direkt tek popullsia
moderne greke. Edhe pse vetë Leake apo dhe autorët e mëvonshëm britanikë nuk i “akuzojnë kurrë shqiptarët për padituri
në mënyrën si akuzohen ndonjëherë grekët dhe shumë më shpesh turqit, në të
vërtetë ata janë përshkruar si një popull inteligjent, të shquar për “mprehtësi
dhe gjykim të shëndoshë” dhe që “nuk u mungonte talenti” , gjithsesi
paragjykimet dhe perceptimet negative që përmendëm më sipër do të vazhdojnë të
jenë prezentë në tekstet britanike duke themeluar kështu një mënyrë të
vështruarit të ngjarjeve dhe perceptimit të Ballkanit dhe në autorët e
mëvonshëm britanikë në rajon.
Copyright Dorian Koçi