Kulturë
Përparim Kabo: Letër të hapur At Gjergj Fishtës
E merkure, 21.09.2022, 06:54 PM
Letër të hapur At Gjergj Fishtës: At’ thirre një meshë mëshire dhe kujdesi për të gjithë ne që çdo ditë përdorim ABC-në që krijuat ju!
Nga
Përparim Kabo
At,
jam i mrekulluar krenarisht për ju, dhe i frigum nga situata e sotme!
At,
më ndje, sepse ndoshta zemrën do të ta thyej, por ka gati dy dekada që shumë
shqiptarë kanë marrë dhenë në kurbet e të shumtit janë në Greqi e në Itali.
Fëmijët e tyre nuk e mësojnë shqipen, por greqishten dhe italishten; bile edhe
emrat i vënë jo më si të shqiptarëve. Kjo pjesë e breznive të reja të kombit po
lëviz pa bosht dhe, dihet: rrota pa bosht të shpie atje ku s’duhet.
At
Gjergj Fishta, të falem që pranove të bisedonim në këtë ditë Feste Kombëtare
(jo zyrtarisht), dhe më fal se vite më parë na kishin mbyllur sy e vesh për të
mos fol me ty! Aq sa njerëz të letrave, që u besonim sinqerisht, na impononin
një deformim të frikshëm të gjenisë tënde. Ndaj, të lutem, sot, kur edhe
eshtrat t’i kanë hudh’ në lumë e lundrojë oqeaneve, si ADN-europianizmi, thirre
një meshë mëshire dhe kujdesi për të gjithë ne që çdo ditë përdorim ABC-në që
krijuat ju, vetëm për një qëllim: lartësimin e atdheut e të kombit, se veç
dashurisë për ta Ju nuk kishit gja tjetër më të shenjtë!
Qëndroj
përballë veprës tuaj At i nderuar dhe i ranë në gjunjë të falem, sepse çdo ditë
që e shkruaj e lexoj e prek shpirtin tënd! Shkronjat që përdorim sot janë
latine dhe ato, falë Kongresit të Manastirit të vjeshtës së dytë të 1908-s.
At
Gjergji, ndoshta të shtiva në kujtime të thella e të vyera, por për ne sot
veprat tuaja janë memorie historike, nga edhe ku orientohesh për hartën e
rrugës.
E
shihje gjuhën dhe kulturën si pjesë të qytetërimit europian, ndaj gjykove dhe
këshillove si shkencëtari i parë europian, yni At Gjergji! Në Europë shkohej me
libra e me dokumentacion; pra, me kulturë e me institucionalizëm parashikove, o
mëndje horizontesh!
Qëndroj
përballë veprës tuaj At i nderuar dhe i ranë në gjunjë të falem, sepse çdo ditë
që e shkruaj e lexoj e prek shpirtin tënd! Shkronjat që përdorim sot janë
latine dhe ato, falë Kongresit të Manastirit të vjeshtës së dytë të 1908-s. Në
manastire shkojnë e ndryhen vajza e dëlira, si nën porosi të Apolonit, dhe
djemtë që nuk duan me provu maskulitetin e tyre.
Por
ja që në historinë tonë kombëtare emri Manastir na kujton dishepujt e
kombëtarisë, ata që nuk lejuan të çnatyroheshim pas 500-vjetëve robëri për t’u
larguar përfundimisht nga rrjedhat historike të qytetërimit evropian.
Ju
u mblodhët atje në një tubim mbarëkombëtar, sepse përfaqësuesit erdhën nga të
gjithë trevat: nga Shkodra, Korça, Elbasani, Vlora, Berati, Durrësi,
Gjirokastra, Janinë, Shkupi, Manastiri, Kolonja, Leskoviku, Dishnica, Resnja,
Ohri, Mati, Dibra, Follorina, Starja, Kërçova, Prizreni.
Kongresi
që ju mbajtët ishte edhe mbarëdiasporik, sepse pati delegatë që përfaqësuan
shqiptarët e Italisë, të Bullgarisë, Rumanisë (Bukureshtit, Konstancës),
Amerikës, Egjiptit. Por, mbi të gjitha ju i dhatë atij karakterin e një
kongresi shkencor mbarëkombëtar, me qëllim hedhjen e themelit të ngritjes së
kombit e shtetit kombëtar.
Në
thelb të qytetërimeve janë besimet fetare, por edhe gjuha. Tek elementi i parë
nuk mund të gjendej uniteti, sepse religjioni ynë ishte një mozaik besimesh.
Për shkak të pushtimi të gjatë dhe mbijetesës, ishte bërë devijimi i thellë.
Por,
nën petkun mysliman, katolik, ortodoks apo bektashi, besimtari ynë kishte
mbetur shqiptar; as ishte turqizuar, siç edhe paragjykoi Kongresi i Berlinit i
1878-s, as ishte greqizuar, siç edhe pretendonin “Gjitonët e sëmurur” me “I
Megali Ide”-në e Jan Koletit, por as edhe ishte italianizuar.
Kishin
ruajtur gjuhën e nënës, të bukur, të pastër, konservatore dhe gati, në saje të
fanatizmit, me trajta arkaike. Ky përrua ekzistencial na kishte mbajtur të pa
përçudnuar. Vinte nga mugëtira e fillimjetës At, nga pellazgia jetëshpërgënj,
kur nisi të ngrihej njerëzimi.
Siç
shkruan George Von Hahn, patre: “… Lidhjet në mes shqipes dhe emnave më të
vjetër të perëndive të Greqisë së zbuluem janë dëshmia ma e fortë që shqiptarët
e sotëm janë pellazgë”. Ajo nuk kishte humbur, sepse ishte brenda gjokseve të
shqiptarëve, ishte në mendjet e në ëndrrat e tyre, të cilat nuk mund të
vidheshin, të religjionoheshin apo visheshin ushtare për nizam.
Gaboi
rëndë Kongresi i Berlinit Pater, kur tha se atje ka vetëm “shqiptarë të
turqizuar”, dhe se Shqipëria është veçse një shprehje gjeografike. E ju ishit
atëherë një vocërrak 8-vjeçar, por një shqiptari i rrallë për nga vlerat që do
t’ju sillnin bash pas tri dekadash në atë lartësi, ku dhe ju shpuri mendja dhe
vepra, penda dhe krijimtaria që shpalosët në Kongresin e Manastirit e më tej
gjithë jetën tuaj.
“…Gjuha
e popujve të pakulturuem mund të rrudhet dhe të degradohet, format e tyre të
mendimit dhe të jetës të mbeten në mijëvjeçarë statik. Kjo dëshmohet bukur
qartë në gjuhën shqipe, në të cilën çiftëzohen forma gramatikore tejet të
degradueme, me fonetikën më të pasur dhe rrënjët e lashta të fjalëve, të cilat,
edhe pse në pjesën më të madhe të dobësueme, mbajnë sidoqoftë aty-këtu të
pastër formë e fuqishme fillestare.”
Patët
përgjegjësi të dyfishtë At Gjergji: edhe kombëtare, por edhe globale, sepse kjo
gjuha jonë e vjetër është edhe rrënjë e thellë e qytetërimit parahelen dhe atij
romak.
Kongresi
juaj i Manastirit ishte një kongres shkencor me karakter gjuhësor, filologjik
dhe arsimor, por edhe në ndihmë të një kleri me fytyrë kombëtare, sepse
liturgjia jashtë gjuhës amtare dhe e shprehur në gjuhë të tjera, në jo pak, por
në tre, do ta fragmentizonte tragjikisht antropologjinë tonë.
Ndaj,
në këtë këndshikim, ju realizuat edhe një lloj protestantizmi civil, duke i
hapur rrugë një kleri dhe liturgjie kombëtare.
Kongresi
ishte shkencor edhe për një arsye tjetër, sepse delegatët e zgjedhur vinin nga
shoqata dhe organizata patriotike në qëllimin e tyre, por tërësisht të
diturisë, të shkencës, të akademizmit dhe të letrave – në përmbajtjen e tyre
dhe në aktivitetin e deriatëhershëm gjithë po aq.
Këtej
buroi klima e mirëkuptimit, sjellja e tolerancës, marrëdhënia e dialogut
jopërjashtues, fryma e ekzigjencës shkencore dhe e orientimit vizionar evropian
të Kongresit të bekuar të Manastirit.
Ndërgjegjja
shkencore akademike u shpërfaq si autoriteti vendimmarrës; ndaj dasitë
antropo-kulturore, të folmet dialektore, apo arritjet e deri asaj dite nuk
prodhuan dot pengesa dhe nuk u gjykuan si të tilla.
Ylli
polar ishte atdheu dhe atij Ju i ishit falë.
Zgjidhjet
që vijnë nga shkenca dhe nga dishepujt e saj janë të tilla që reflektojnë
pjekuri, ushqejnë vetëpërmbajtje dhe dritojnë largpamësi.
Ato
ngrihen mbi folklorizmin, patriotizmin kallp vetëizolues dhe vetëcopëtimin e
frikshëm pseudopatriot, që shpie verbazi në pështjellime, ku njëra pjesë t’i
bjerë tjetres, në interes të një triumfi separatist që deformon gjithë procesin.
Vetëm
përfaqësues të tillë shkencor mund të gëzojnë edhe tagrin e përfaqësimit të
bashkëkombësve jashtë dhe larg kufijve të trugut dhe kombëtar.
Dituria
nuk matet me kufijtë, por me progres. At i respektuar me emrin e bukur Gjergj,
dëshiroj të të them se, nga largësia e njëqind viteve kur ju e mbajtët e atë
tubim, sot mund të kumtojmë që Kongresi i Manastirit, me vendimet që more e me
hapësirat që çeli është i pari kongres shkencor mbarëshqiptar, dedikur
elementit palcor të identitetit historik, gjuhës së nënës, që ishte gjuha
shqipe.
Njëherësh,
kongresi ka kontribute universale, sepse, duke e mbajtur këtë vlerë unikale në
strukturë të shkronjave latine e ruajti për të mos i humbur tiparet themelore.
E gjithë kjo, që të mos këputej filli historik, kontinuiteti epokal dhe
vijueshmëria e qytetërimeve që sot pranohet gjerësist si qytetërimi parahelen,
i cili nuk mund të ishte as memec as pa identitet.
Ruajtët
Atë atë që një studues i sotëm nga treva e Matit njohës i shkëlqyer i
egjiptologjisë, i mitologjisë greke e romake, i historisë dhe i liturgjisë, e
quan shterueshëm dhe me formë aksiomatike: shqipja, kjo “fosile e gjallë” e
pellazgjishtes. Sikur për një moment të mendojmë që të ndodhte deformimi si
edhe jua kërkoj në kongres me letrën e tij të gjatë greku D. Kurilius ose
Kuterius – ata që kanë zbardhur dokumentacionet shënojnë se nuk i dallohet mirë
emri, por kjo pak rëndësi ka; mund ta quajmë antishqiptari – do të humbte jo
thjesht gjuha jonë e bukur, por një pasuri universale unikale, shenjëzimi
kuptimor i gjenezës evropiane, mitokracia pellazge, kjo formë e parë e dijes
globale.
Nuk
ndodhi, falë jush, njerëzve të mençur, që pikërëndesat e historisë i mbajtët në
ekuilibra prej filigrani dhe patët si motive të jetës e të aktivitetit tuaj
atdheun, popullin, kombin dhe dinjitetin e tij.
Ndërsa
Kongresi i Manastirit hodhi themelet e pavarësisë kombëtare. Pas betejës së
Sedanit të shtatorit 1870 dhe fitores mbi francezët, Bismarku, themeluesi i
shtetit modern gjerman, i bashkoi protestantët dhe katolikët në shtetin modern,
duke e filluar këtë njësim me Kongresin mbi Arsimin dhe duke iu dhënë
organizatorëve leksionin e radhës, se “ndryshimi në arsim nuk fillon nga
universitetet, por nga arsimi elementar”.
Edhe
ju At i donit shkronjat dhe ABC-në latine, sepse, paçka se vijonte sundimi
xhonturk, brenda asaj hapësire që lejonte kushtetuta e tyre kishit qëllim që në
shkollat turke dhe në ato greke të futej edhe shqipja dhe, krahas kësaj, të
hapeshin edhe shkollat shqipe, unë ndihem i turpëruar para Jush sot, por dua
t’ju bëj me dije se kemi aq shumë shkolla turke e greke në Shqipëri pas 100
vjetëve të kongresit, dhe ju bëjmë aq lavdërime dhe temena – duke i quajtur,
deri edhe siç ndodhi para ndocakohe, kur një shkollë e huaj ku flitet edhe pak
shqip u quajt më e mira në vend – saqë Ju, themeluesit e kombit, do duhet të
rimblidheshit për ta vendosur shoqërinë në udhë të drejtë dhe shqiptarizmin në
binarë.
Objektivin
e parë At Gjergji e patët të vështirë, se reformatorët e Portës së Lartë ju
prenë në besë, ju përndoqën e arrestuan kudo, në Tiranë, Korçë, Vlorë e gjetiu.
Por patriotët dhe mësimdashësit e shqipes, klubet kulturore të mendimit, nuk u
thyen, nuk u trembën, nuk u tërhoqën. Edhe objektivin e dytë e bëtë realitet,
sepse në vitin 1909 u mblodh Kongresi i Arsimit në Elbasan, çka solli edhe të parën
shkollë normale për të përgatitur mësues. Po mbaronte periudha e gjatë e
medreseve, ku përgatiteshin hoxhë, dhe po fillonte një erë e re e një
protestanizmi civil laik, e dijes dhe e shkencës.
Në
vitin 1879, At i respektuar, pra fill një vit pasi u shpall Lidhja e Prizrenit,
që hodhi themelet e shtetit kombëtar, u krijua Alfabeti i Stambollit (që në
Toskëri njihej si alfabeti i Frashërllinjve), por që barti mençurinë e
krijuesve, si të Sami Frashërit, nga Dangëllia –drita e diturisë përpara le të
na shpjerë; të Vaso Pashë Shkodranit nga Shkodër Locja se – feja e shqiptarit
është shqiptaria; të Kostandin Kristoforidhit nga Elbasani, që më 1872-shin
përktheu në shqip Biblën; të Jani Vretos nga Postenani; të Tahsim Hoxhës nga
Filati, aq pranë Dodonës, qendrës së pellazgëve, rektori i parë i Universitetit
të Stambollit, dijetar i hapësirave nga “raca e keplerianëve”.
At
Gjergj Fishta, jam i mrekulluar krenarisht për ju, dhe i frigum nga situata e
sotme, kur sjell në mendje se sa bukur e administruat Ju kongresin, si një
forum institucional. Zgjodhët një president, të nderuarin Mit’hat Frashëri-
megjithëse ende ai nuk kishte mbërritur- sepse vlerësuat kontributet, emrin e
Frashërllinjve dhe mendjen e tij të thellë. Të gjithë njëzëri u gjendët në një
mendje e në një fjalë. Dolët e pritët në stacion kur mbërriti në mbrëmje dhe ia
lavdëruat Frashërin dhe kontributet e bijve të tij, për shërbimet e tyre ndaj
atdheut. E Mit’hat beu, delegatit nga Shkodra që ia tha ato fjalë zemre, iu
përgjigj se “shërbimet që Shkodra i ka bërë shqipes janë të panumërta, sepse
kur shqipja qe e ndaluar kudo gjetiu, Shkodra pati privilegjin të vazhdonte ta
përdorte dhe të punonte për përparimin e saj”.
E
çelët Kongresin si një tubim të hapur edhe me njerëz të tjerë, e nxënësit e
shkollës së mesme (idadijes) kënduan këngë patriotike, por, si europian nga
qytetërimi, ju zgjodhët për mbarëvajtjen e tij një presidencë. Pas presidentit
qëndronin si nënpresident zoti Gjergj D. Qiriazi dhe ziti Luigj Gurakuqi,
ndërsa për sekretarë Nyzhet bej Vrioni nga Berati për gjuhën turqisht dhe Hil
Mosi e Thoma Avrami për gjuhën shqipe.
Mënyra
si operuat ju At Fishta më mrekullon për funksionalizmin dhe procedurat , sepse
kongresi, për të kapërcyer situatën e alfabeteve që vepronin, për të mos u
penguar nga dasitë dialektore dhe krahinore dhe për të mos e vënë fenë mbi
kombin, e gjeti të udhës të krijonte një komision me 11 veta, që e kryesuat ju
At Gjergj Fishta, dhe ku presidenti i Kongresit ishte anëtar.
Ju
dhatë besën se, pa përfunduar, nuk do të informonit asnjë delegat të kongresit,
i cili ju kishte mandatuar, dhe kishte vendosur unanimisht që përfundimet e
komisionit do të ishin të pakontestueshme. Puna juaj nuk ishte e lehtë dhe e
thjeshtë, sepse aso kohe kishte rreth gjashtë-shtatë alfabete të ndryshme, nga
të cilat katër ishin më të përhapurat.
“Alfabeti
i Stambollit që përdorej në Toskëri. Atë e përdorte Shkolla Shqipe e Vajzave në
Korçë dhe shumë libra shkollorë ishin shtypur me të. Në Shkodër dhe në
Shqipërinë e Veriut përdoreshin tri alfabete, njëri syresh njihet si Alfabeti i
Jezuitëve; i dyti si Alfabeti i Bahkimit dhe i treti si Alfabeti i Agimit. Me
Alfabetin e Jezuitëve kishin shtypur vetëm disa libra kishtarë dhe ndonjë
revistë mujore. Ky alfabet është përdorur për 300 vjet. Dy të tjerët qenë përdorur
në shkollat katolike në Shkodër dhe në fshatrat rreth e përqark këtij qyteti.”
Logjika
gjithëplanësore, mbi të cilën arsyetoi kongresi, ishte se pasja e shumë
afabeteve shpinte te fragmentizmi, dhe jo te bashkimi, sepse nuk mund të
lexoheshin nga të gjithë ato që shkruheshin e që botoheshin. Ishte humbur shumë
energji dhe pengohej përparimi kombëtar drejt pavarësisë kombëtare dhe shtetit
kombëtar të pavarur, “për të mos përmendur këtu pengesën e madhe prej qeverisë
(turke), e madhe sa askush nuk guxonte të thoshte se ishte shqiptar”.
At
Gjergji, ndoshta të shtiva në kujtime të thella e të vyera, por për ne sot
veprat tuaja janë memorie historike, nga edhe ku orientohesh për hartën e
rrugës.
Ditën
e tretë të kongresit, të hënën në mëngjes, e mori fjalën prifti katolik nga
Durrësi Dom Nikollë Kaçori. Përtej identitetit fetar, ai u shpreh qartazi se
“do të adaptonim me gëzimin më të madh të përdornim atë alfabet që do të
caktohet”. Kjo nënkuptonte se shqipja e shkruar do të ishte tash e tutje edhe
gjuhë liturgjike. Përpjekjet kishin filluar qysh më 1907-n, si nga shqiptarët e
Amerikës ashtu edhe nga një prift amerikan në Korçë, i cili kishte ndikuar
thekshëm që të kishte një bilinguizëm në liturgji, herë greqisht e herë shqip.
Nëse
të gjithë shqiptarët, pavarësisht nga feja, si gjuhë të saj do të kishin po
gjuhën amtare, tanimë edhe të shkruar e me një alfabet standard latin, kjo do
të thoshte se bashkëjetesa fetare dhe harmonia fetare kishin gjetur një mjet
komunikimi universal të njëjtë. Shoqëria fetare nuk do të vinte më ndesh me
shoqërinë laike, për shkak të komunikimit në gjuhë të ndryshme. Vetë njeriu ynë
po futej në një udhë ku brenda arsyes nuk gjente pengesa komunikimi mes formave
të tij të ndërgjegjes.
Hej
At Gjergj Fishta, më ndalet fryma kur citoj ato fjalë që thatë Ju pas zotit
Kaçorri: “Unë nuk kam ardhur të mbroj ndonjërin nga këto alfabete, por kam
ardhur të bashkohem me ju dhe të adaptoj atë alfabet, të cilin Kongresi do ta
vendosë si alfabetin më të dobishëm për ngritjen e popullit”. Ju kumtuat At se
shqiptarët kishin humbur shumë në lëmin e qytetërimit dhe të arsimit, për shkak
të mungesës së një alfabeti të përbashkët. Kulmimi juaj ishte klithmë lirie,
dinjiteti ekzistence e prosperiteti historik, kur e mbyllët fjalën tuaj:
“Armiqtë që e kanë rrethuar Shqipërinë janë shumë dhe secili prej tyre përpiqet
të rrëmbejë për vete ndonjë copë. Por ne, edhe po të mos mundim ta mbrojmë
atdheun me fuqinë morale që kemi, do ta mbrojmë atë me armë në dorë dhe nuk do
t’i lëmë armiqtë tanë të marrin qoftë edhe një pëllëmbë tokë shqiptare!”.
E
kuptoj At, atë që po shkruan asokohe Gjergj Qiriazi për këto fjalë: “Unë nuk do
jem i zoti t’i shkruaj në letër gjithë këshillat e vlefshme të Patër Fishtës,
me të cilat secili nga ne u impresionua; ai na i preku zemrat aq shumë, saqë
myslimanë e të krishterë nuk mundëm t’i mbanim lotët. Kur Patër Fishta po
zbriste nga platform, Hafëz Ibrahim Efendi Hoxha nga Shkupi u sul drejt tij, e
përqafoi me sytë mbushur me lot dhe e puthi. Kjo skemë, në praninë e
treqind-katërqind njerëzve, nga të cilët tre të katërtat ishin myslimanë, la
një përshtypje të madhe”.
Delegimi
prej kongresit i kompetencave për hartimin e vendimeve nga një komision i
mirëfilltë specialistësh prej 11 vetash, me në krye At Gjergj Fishtën, i cili
nuk kishte të drejtë të merrte vendime me më pak se tetë veta, është tregues se
Kongresi i Manastirit operoi me një Asamble të Gjerë Shkencore vendimmarrëse,
bazuar tek autoriteti i dijetarëve të mirëfilltë. Ju e hapët mbledhjen e
komisionit Patër Gjergji me fjalët e gdhendura dhe të arsyetuara për atë kohë
dhe për këtë tonën: “Kjo detyrë që kombi na ka ngarkuar është një detyrë e
madhe, sepse alfabeti, mbi të cilin do të vendosim, është boshti i kombit dhe i
vetmi mjet, me të cilin kombi do të përparojë”.
At,
më ndje, sepse ndoshta zemrën do të ta thyej, por ka gati dy dekada që shumë
shqiptarë kanë marrë dhenë në kubet e të shumtit janë në Greqi e në Itali.
Fëmijët e tyre nuk e mësojnë shqipen, por greqishten dhe italishten; bile edhe
emrat i vënë jo më si të shqiptarëve. Kjo pjesë e breznive të reja të kombit po
lëviz pa bosht dhe, dihet: rrota pa bosht të shpie atje ku s’duhet.
Po
du me Ju sjell në mendje atyre dhe njerëzve që paguhen për me zgjidh këto
çështje jetike do rreshta nga shkrimi yt Patër, “Gjuha shqype”, e shkurtit të
1917-s. “Ma e para punë pra qi lypet n’interese t’mbatunit t’gjuhës shqype asht
kjo qi gjuha shqype të mbahet gjuhë msimi nder t’gjitha shkollat fillestare
t’Shqypnis…Ata prind qi fmive t’vet nuk jau apin msimet e para n’kët gjuhë, ata,
mas mendimit tonë, punojnë drejtpërdrejt kundra intereseve t’Shqypnis”.
At
Gjergj Fishta, më lejo të kthehemi edhe njëherë të Kongresi i Manastirit dhe te
puna e komisionit që ju drejtuat. Vendimi primordial që “të adaptohej alfabeti
latin si bazë dhe pastaj të vendosej së çfarë tingulli t’i jepej çdo shenje.
Dhe, sa për shenjat e tingullit, e gjetur në alfabetin latin, do të pranohej
çdo lloj shenje që do të caktonte komisioni, sipas nevojës së tingujve që
kërkon gjuha shqipe”.
Kjo
ishte përgjegjësia dhe sfida juaj, ku edhe u sendërtua kapaciteti juaj shkencor
dhe ai europian. Ju e gjetët mirëkuptimin edhe kur pranuat të përdoreshin të
dyja alfabetet, edhe ai i Stambollit (Frashëri), por edhe ai latin. Veçse
kambana e arsyes erdhi nga fjalët tuaja At i nderuar Fishta!
Ju
e drejtuat kongresit-kur në sallë ishte edhe dërrasa e zezë ku ishin shkruar
shkronjat, të cilat i solli Luigj Gurakuqi-me këto fjalë epokale që shihnin nga
një e ardhme europiane e atdheut: “Alfabeti i Stambollit është i mjaftë për
t’iu përgjigjur nevojës së kombit, porse, që të mund të shtypeshin libra
përjashta Shqipërisë dhe për të dërguar telegrame jashtë, kemi nevojë të
zotërojmë një alfabet me shkronja krejt latine”. Dhe fjala juaj u mbyll me
duartrokitjet e brohoritjet “Rroftë Alfabeti!”.
E
shihje gjuhën dhe kulturën si pjesë të qytetërimit europian, ndaj gjykove dhe
këshillove si shkencëtari i parë europian, yni At Gjergji! Në Europë shkohej me
libra e me dokumentacion; pra, me kulturë e me institucionalizëm parashikove, o
mëndje horizontesh!
At
Gjergj Fishta, të falem që pranove të bisedonim në këtë ditë Feste Kombëtare
(jo zyrtarisht), dhe më fal se vite më parë na kishin mbyllur sy e vesh për të
mos fol me ty! Aq sa njerëz të letrave, që u besonim sinqerisht, na impononin
një deformim të frikshëm të gjenisë tënde. Ndaj, të lutem, sot, kur edhe
eshtrat t’i kanë hudh’ në lumë e lundrojë oqeaneve, si ADN-europianizmi, thirre
një meshë mëshire dhe kujdesi për të gjithë ne që çdo ditë përdorim ABC-në që
krijuat ju, vetëm për një qëllim: lartësimin e atdheut e të kombit, se veç
dashurisë për ta Ju nuk kishit gja tjetër më të shenjtë!
Amen!