Kulturë
Ndue Dedaj: Shuplakat e Narçizit
E diele, 18.09.2022, 07:38 PM
SHUPLAKAT E NARÇIZIT
TREGIM NGA NDUE DEDAJ
Ngado
që shkoj, udha më bëhet fushë me lule, edhe kur është asfalt... Nuk e di se
çfarë ndjesie është kjo. Dhe nuk është se rrugët tona janë aq të mira, sa me të
dal dhe në ëndërr. Më kujtohet gjyshja ime, pastë dritë, ndonjëherë kur
zëmërohej me ndokënd, i thoshte “t’u baftë udha sapue”. Po ajo e kishte për ata
që iu kishte marrë kryet erë...
*
Me
thënë të drejtën, unë nuk i gjej ndonjë qortim vetes time, edhe pse nuk më eci
që të bëhesha ndokushi në zë. Thonë se unë ia bëkam me sy vetes? Pse t’ia bësh
me sy vetes, qenka të shihesh në pasqyrë? E vërteta është se unë mbaja qysh
fëmijë në xhep një pasqyrë dhe një krehër dhe sapo futesha në ndonjë qoshe, ku
nuk më shihte njeri, krihesha për merak, u japja flokëve herë në njërën anë e
herë në anën tjetër. Pse ta fsheh, më pëlqente vetja, por skuqesha kur e
mendoja këtë. Se si erdhi puna e më propozuan për kryetar të Qytetit. Nuk është
se u kujtua ndokush për mua, por ua shtiva vetë ndërmend. Veç të ishit në
takimin publik që u organizua në pallatin e sportit. Gallatë më të madhe nuk
kisha parë. U ngrit i madh e i vogël dhe foli për mua me lëvdata super, si të
isha duke u bërë dhëndër. Ku kisha qenë deri atë ditë që nuk kisha kandiduar, i
thashë vetes. U mbush qyteti me fotografi të miat dhe me thënie (si të
Platonit) që kishin nxjerrë nga fjalimet që mbaja me elektoratin, për
zhvillimin ekonomik, biznesin, turizmin etj. Por nuk fitova. Si ishte e mundur?
Ku shkuan ato fjalët e mira të publikut, e kishin me gjithë mend ata, apo
talleshin? Më thotë ime shoqe, merre shtruar, more burrë, ata e dinin se ti
ashtu e doje, të pëlqente të lavdëroheshe dhe nuk t’i kursyen fjalët, por votat
nuk t’i dhanë. Nuk thonë kot, populli të jep ujë me bisht të lugës. Pa shih,
shih! Gruaja ime na ishte bërë filozofe!… Po nuk e shihte ajo sa ndjekës kisha
unë në facebook? Një status vija dhe vuuu pëlqimet, kërkësat për miqësi.
Shtoheshin ndjekësit, sa nuk kisha më hapësirë për ta. Ato janë lajka! -
hidheshin disa kritizerë të çdo gjëje, nuk matet vlera e njeriut me lajka.
Thuaj në dash kakarisje rrjetesh sociale, i vinin vulën ata. Po Kryeministri, more
cmirëzinj, pse kërkon like për qeverinë? - mbrohesha unë, por me kë e ke, ku
donin t’ia dinin ata.
Nejse,
ato fotografitë e mia nëpër mure erdhen e u vyshkën si gjethe vjeshte, ndieja
trishtim kur i shihja ashtu të zvjerdhura. Si kishte mundësi që nuk isha
kuptuar nga votuesit? Ama, më kishte mbetur ai zanati i pasqyrës, me e pa
fytyrën time sa herë isha diku vetëm. Nuk ishte ndonjë turp. Zoti më kishte
falë të pashëm, të gojës, të mendjes. Apo të gjithëve ashtu iu dukej vetja? Nuk
është se nuk haja inat, kur ndokush pas shpinës time thoshte “varja atij,
kashtë është”. Si qenkesha kashtë unë? Po kalliri iu përkiste atyre? Nuk e dija
unë sa u vlente lëkura? As sa e një dhelpre. Por do të më shihnin. E kisha
ndarë mendjen, do të bëhesha deputet dhe pikë. Në qytet do të vinte për fushatë
lideri një partie që i kishin rënë jo pak kredencialet, ngaqë kishte qenë tetë
vjet në pushtet e përflitej për korrupsion. Me organizatorët u la që në tubim
unë të flisja i pari. Isha apo nuk isha kandidati? Sapo u përmend emri im,
publiku shpërtheu në duartrokitje. Aty për aty mendova se do të kishte qenë
ndonjë keqkuptim i madh që nuk më kishin votuar për kryetar të qytetit. Ata më
donin, se po shqyheshin duarsh pa filluar ende të flisja. Fytyra e liderit të
Partisë filloi të çelej, si ajo pema e lagur mbi të cilën befas binte një larë
dielli. Por, për çudi, kur mbarova fjalën time publiku pati një si pshërëtimë
të gjatë dhe disa rrahje duarsh sikur ma banin “bat-bat”. Isha krejt i
turbulluar. Fytyra e liderit sa hap e mbyll sytë u mrrol. Në vend që të më
qetësonte, ime shoqe, filozofja, më hodhi një kovë ujë të ftohtë: Vërtet kujton
se u pëlqeve me ato që the? Aspak. Po ata më duartrokitën ende pa filluar? Si
nuk i kuptove hala elektoratin, njerëzit ta japin vezën pa të kuqe!... E dinë
që ti ashtu e do dhe nuk t’i kursyen duartrokitjet, pritën se ç’do të thuash
dhe kur panë se ti premtove marrina, qenë shuplaka ato që dëgjove! Sa nuk më ra
të fiktë! I përfshirë nga dalldia e fushatës, një çast unë kisha bërtitur me të
madhe se do të ndaloja erën që i zynte frymën qytetit, jo duke mbjellë pemë,
por duke ndërtuar një mur andej nga gryka e lumit nga ishte balli i erës. Këtu
kisha rrëshqitur më keq se po të kisha shkelur mbi sapun.
Në
mbrëmje, ime shoqe mori setrën time gjithë zhul elektoral për ta futur në
lavatriçe, kur befas në xhepin e brendshëm i hasi dora në një send të
rrumbullakët të lëmuar, ishte pasqyra që nuk ma kishte parë kurrë. Mbake
pasqyrë ti? Nuk e paskësha ditur! Po kujt i kriheshe këtu, ndonjë femre? Dhe
nuk po më ndahej. Ishte bërë keq. Vërtet besonte se unë krihesha fshehurazi për
ndonjë femër. Nisi të më qëllonte me shuplaka ngado që i zinin duart. Nuk është
e vërtetë që i krihesha ndonjë femre! Më keq atëherë? Kriheshe për ndonjë
mashkull? Edhe i tillë qenke ti! Geeej!... O zot kurrë s’e kisha menduar një
furtunë të tillë. Kur e pashë se do të më mbyste krejt me ato shuplakat e saj,
nuk durova, por shpërtheva: Askujt nuk i krihesha, as ndonjë gruaje e as ndonjë
burri, i krihesha... vetes time!
Ajo
nuk po kuptonte dhe s’kishte si ta kuptonte. Kurse sytë e mi kishin mbetur
mbërthyer në atë pasqyrën e vjetër. Si nuk e kisha vënë re! Kishte plasaritje
gjithandej.
Befas
u kujtova për atë shkrimtarin që kishte shkruar për pasqyrat e Narçizit. Po
pasqyra ime nuk ishte ajo pasqyra e ujit të pusit, ku shëmbëllehej fytyra e
atij djaloshit që kishte rënë në dashuri me veten?!...
*
Ia
thashë këto fije e për pe psikiatrit, por ai nuk tha asgjë kur unë përfundova.
Nuk po më jepte asnjë qetësues. Si të mos isha aty, ai u kthye nga ime shoqe.
-
Ky nuk ka nevojë për mua, vonë, tepër vonë, ama e rëndësishme është se më në
fund e kuptuar narçizmin e tij.
Kur
dëgjova ato fjalë, u bëra esull. Sa nuk më iku truri. Më gërryente inati. Më
shkrepi njëherë ta gjuaja me njërën këpucë atë psikopatin, doktorin e me
këpucën tjetër gruan time që më kishte çuar aty më pahir, por ajo me tërhoqi
për krahu dhe sakaq e pashë veten jashtë klinikës.
-
Gëzohu! Ke shpëtuar nga vetvetja, mor qyq! - më tha ajo.