E marte, 15.10.2024, 08:05 PM (GMT+1)

Kulturë

Shyqyri Fejzo: Liriku i shquar Ymer Nurka ngjit me sukses shkallët e poezisë

E merkure, 21.09.2022, 06:41 PM


Liriku i shquar Ymer Nurka ngjit me sukses shkallët e poezisë

Nga Shyqyri Fejzo

Sot në jetën kulturore të vendit, kritika është tkurrur. Ajo, në tërë kuptimin e fjalës është rralluar, rrudhur, madje edhe është zbehur. varfëruar, e degjeneruar. Sot, “ajo ka ngritur veshët” nganjëherë, në disa qasje të dobëta si parathënie të disa librave të këqij që botohen përditë nëpër disa shtëpi botuese nga disa botues që kanë mentalitetin e shitësit të tullave dhe të cimentos për ndërtime. Ka edhe poetë e shkrimtarë të cilët kane dhënë dhe japing vepra të denja, por pak publikohet puna cilësore e tyre.

Ksisoj lexuesi ynë nuk e di në cilën “ferrë fshihet” një vepër e re në poezi apo në prozë, apo gjinitë e tjera, pa bërë “xhan” kritikën kur ajo të shpëtojë nga tkurrja.

Për këto mendime mund të kishim vënë dhe një titull tjetër, sindozot të lidhura me “skanimin”, “vështrimin”,”zhbirimin” e të tjera, por preferova nje lloj “shetitje” ,në erotikën e poetit Ymer Nurka, mbasi aty ke cfarë lexon, mendon e mediton. Se, ç’është e vërteta, kjo “shetitja” jo vetëm shijon bukuritë e “mjaltin” e poezive të tij, por “kullot” dhe sytë shlodh dhe këmbët në vendet ku ai ka ngjizur poezitë. E ato vende nuk janë të pakta. Më do nga Korça, Kosova, Përmeti, Skrapari, Durrësi, në male ku kullotin bagëtitë, në lumin e Grabovës ku lajnë çobankat në shelgjishtet ku ciganet e bukura thurin shporta e kanistra apo pranë parqeve të bletëve ku autori ka dobësinë më të madhe për mjaltin me hoje,(por ti nxjerrësh përpara dhe një tepsi me

mjaltë në hoje, ai nuk e ka mendjen aty, po te mjalti njerëzor, tek bukuri e bukurive njerzore tek femra, të cilës në poezi i ka ngritur dhjetra peidistale) lulet  ku kullotin insektet e uruara, bletët. Deti po se po, sa i egërsuar dhe i pa zotrueshëm, i mahnitshëm, blu i bukur ka gjetur vend në poezitë e tij.  Nga “vallja e shqipeve” tek “stanore”,nga “kënga e mjekes” tek “kënga e çames”, Pastaj nuk do të tregohem hipokrit. Fshati i vëndlindjes së poetit, Strelca dhe vendlindja ime Shënepremtja, qëndrojnë  kurris mbë kurris, të dy mbështetur mbi malin e Lenies. Mbi të famshmen Lenie;”…në një anë diell, në tjetrën hije”. Të ndjekësh gjurmët e kalit të poezisë erotike të Nurkës, nuk është e lehtë. Ato të shpien në “Stanore”, në “këngën e

virgjëreshës” zgjon…qershinë e hidhur”,”kënga e çobankës”, “Ah hiret e tua”, “Lirikë shiu” etj. të çojnë në dashuri e idile të panumurta, të cilat po t’i përmendim të gjitha, me siguri do të zgjonim diku xhelozi të pa parë. Grada e fuqisë së shprehjes që e bën njerinë të cilësohet si poet, është një cilësi misterioze që natyra  apo perëndia i dhuron poetit. Në rastin e Ymerit bujaria ka qënë e madhe, e pallogaritëshme krahasuar me njësitë matëse që përdor sot njerzimi. Në këtë mes nëpër këmbë na ngatërrohet dhe fati. Mençuria popullore thotë se “fati rri krah për krah me trimin”. Duke u lindur në këmbë  të një mali fantastik e misterioz, Lenies,  ka qënë me fat se vendi buron në legjenda, tregime e përralla  që brez pas brezi gurgullojnë si ujrat e ftohta e të pastra kristal të Liqenit të Zi, të Kroit të Mushkës e të Rrobullit të kuq. Kur disa aventurierë grisnin këpucët duke kërkuar flori në Lenie, Koshnicë, në Moçal të Ariut, te guri i Mirashit, Guri i Kamjes, apo tek Tre liqenet, Ymeri thesaret nuk i kërkonte  si ata, nën tokë,  Ndaj duan e thonë (jo gojët e liga) se Ymer Nurka ka qënë me fat se ka gjetur sepeten më të moçme ku ishte mbyllur fjalori me fjalët më të lashta të atyre trevave. Ka kërkuar shumë, me vite, në biseda me njerëz, në dasma, në gostira në punë, në çezma ku gratë e vajzat mbushnin ujë e flisnin për dashurinë. E ku nuk kërkoi deri sa e gjeti “sepeten” e shenjtë. Ai nuk e shpërtheu atë sepete. E mori me shumë kujdes e ngarkoi në mushkën e tij të sertë dhe e çoi në shtëpi. Aty e fshiu dhe e pastroi mirë e mirë dhe  e hap kur i nevoitet. Në atë sepete magjike ai gjen e merr temën që do të trajtojë, llojin e poezisë strukturën e vargut, ritmikën e përkryer, larminë e pafund të fjalëve.

Amvisat e njohin më mirë se kushdo se me miell të mirë e të situr del kulaçi dhe byreku i mirë.

Poezia, dihet se lindi si këngë vajtimi; më vonë këngë gëzimi, pastaj këngë admirimi i çdo bukurije; natyrës, pemët e gjithë bimësia, kafshët dhe veçanrisht për bukurinë e bukurive, femrën. Poezia na hap dritaret e shpirtit që t’a shohëm sa e bukur është natyra, ajo na sjell përsëri  në shpirt freskinë e foshnjërisë, dashurinë e rinisë; ajo na ringjall pasqyrat e kohës së shkuar duke na injektuar në venat e moshuara enthuziazmin që ndriti pranverat tona, të qënijes dhe të përtej të qënurit tonë, plot ëndrra të dashurive, plot zjarr nëpër deje, edhe kur jemi plakur. na bën t’a ndjejmë që egzistojmë me shqisë e me mendje. -Poezia e Ymer Nurkës fatmirësisht është gjithnjë ‘shtatzënë”  dhe jep në dritën e diellit muzikën e pentagramit,

muzikë e cila na ngre në sferat më të larta duke na pastruar të gjitha pocaqitë, si veset, ferrat apo çdo bëzhdilë të shpirtit. Ymeri me poezinë e tij është shumë afër mistikut, por në dallim me të tjerët, ai i përdor simbolet, gjithnjë duke qënë koshient se ato janë simbole. Ai nuk është nga ata që i beson qorrazi simbolet. E ky është një dallim i madh cilësor. Duke e bërë dukshëm këtë dallim, midis mendimit dhe realitetit, ai kapërxen çdo kufi, të cilin të tjerët e kanë të vështirë ti afrohen. -Poezia e tij nuk pasqyron vetëm moshën e brezit tij, por edhe të shkuarën, duke i hapur një shteg e rrugë pa pikë pengese të ardhmes.

Poezia erotike e Ymer Nurkës është një bukuri poetike e rrallë, e cila nuk e ka shoqen. Ajo rrallëherë është parë dhe dëgjuar në gjuhën shqipe me këtë harmoni dhe melodi të vargut. Pas Lagushit të madh, poezia e Nurkës e ka ngritur muziklitetin e vargut shqip në një shkallë më të lartë. Ajo është një

poezi muzikë, harmoni, apo më mirë të themi një gurgullimë harmonike si

ato të vendlindjes së tij, gurgullimë e përsosur, e ashpër,e butë, kadife, kur e

do puna..Jo pak vargje të poezisë së tij kendohen këngë në dasma. Ndaj

edhe e do e kërkon shumë lexuesi, se i ngjall shumë emocione dhe i jep

kënaqësi dhe gëzim estetik së bashku.

Në krijmtarinë e tij bien në sy poezitë erotike të intimitetit, të cilat janë

ngrohtësi zemre, kënaqësi e veçantë shpirtërore, dëshirë për ëndërrim

erotik. Kur ai shkruan për dashurinë mbetet gjithnjë në kufijtë e arsyes.

Sistemi i jetës njerzore nuk degjeneron tek Ymeri deri aty sa të vulgarizohet

poezia. Ai e shpjegon më së miri forcën e dashurisë, frymëzimin që i vjen

prej saj, jetën që bën dhe që i jep kuptim asaj për vazhdimësinë. Të

përdorësh një fjalor aq të pasur me një shtrirje e thellim të

jashtëzakonëshëm e të mos prekësh “vijën e kuqe”,kjo mund të ndodhë

vetëm me Ymer Nurkën. Në se do të krahasonim e të bënim analogji me

bujqësinë, plugimet e tokës dihet se mund të bëhen me pendë,me kuaj,me

traktorë të lehtë e të rëndë, për analogji dhe poezitë përfshi dhe ato erotike,

nuk janë njëlloj. Ka poezi të lehta, vjershërime, ka poezi pa bosht e themel

dhe poezi të cilat pasi i lexon dhe i rilexon, të mbeten në mend për një kohë

të gjatë. Poezitë e Ymer Nurkës do të thoshim pa u gabuar, se i ngjajnë

punimit qilizëm me traktor të rëndë, qilizëm që nuk le brenda arës  gurë e

rrënjë dhe ka rënë në “taban”.Në kohë të ndryshme, ka pasur dhe ka edhe

krijues të tjerë(madje me emër), të cilët kanë përdorur krijimet erotike me

sukses. Edhe pse na pëlqen të ngulemi thellë në krijimet e ndonjërit prej

tyre, nuk na pëlqen pranë vënia(krahasimi midis tyre). Në thelb krahasimi

është afri, por me largësi brenda. Ta zemë, Nurkën mund ta vëmë pranë

Lasgushit se kanë lëvruar të dy erotikën. Por largësia që i ndan nuk është

vetëm kohore.Ymeri, si Lasgushi është adhurues  i triumfit njerzor në

dashuri. Lasgushi njihet tani se nuk kalonte asnjëherë në ekstrem banal

nëpër vargje. Të njëjtën gjë mund të themi edhe për Ymer Nurkën. Në se

këtë qëndrim do e sinonomim me kërcimin së larti në sportin e atletikës,

tek Nurka mendoj se steka është ngritur më lart, pa prishur bukurinë,

përkundrazi. Është llogjike se është steka e kohës dhe artit brilant të

autorit.

Nurka është një mjeshtër i jashtëzakonshëm i portretit njerzor, veçanrisht

femrës. Portretet e vajzave të qëndisur bukur nga ai, u a ka theksuar në

maksimum elementët e bukurisë, si flokët, faqet, buzët, sytë, gushën, për të

bërë që ato të rrezatojnë sa më shumë dashuri. Por ai krijon edhe rrethana

romantike fantastike të cilat i shkojnë për shtat dashurisë. Napa e turpit në

poezitë erotike të Ymer Nurkës sikur është tkurrur, grisur në vende-vende

(pa zarar), duke ruajtur intimitetin dhe fshehtësinë. Ai është i drejt-

përdrejtë  dhe  vargjet e poezive të tij janë hymn për femrën, për bukurinë

njerzore.

Në shumicën e poezive të Nurkës në vargjet e tyre (karakteristikë tipike e

krijuesit kjo) hasen dy fjalë të kundërta ose dhe fjali të tëra të kundërta.

Duhet thënë se ato mjete artistike mbajnë emocion të madh poetik. Nga

“kënga e çobankës”:”Ndërsa nën sqetull, mbaje dy sepete:/Njëra plot me

këngë, tjetra plot me derte”: Nga”Zgjohu moj qershi e hidhur”;”Verë pas

vere më ke qeshur/Vjeshtave me drithërimë/Aq se dimrash të kam

zhveshur.”Nga “Tango”;”Më fale një zjarr që më djeg”/ “Tek

Udha”;”Paskam qeshur,paskam qarë./ Nga Sublime; “Gjithë thesaret në i

gjetsha/ N’ato maja, n’ato vende/ Ardhtë gjumi e mos fjetsha/ Jo, pa gjetur

zemrën tënde./ Nga “S’mbahet peng një zemër”; “Të më duket mjalti,si

shafran i hidhur/.Kjo është jo vetëm një veçori tipike e krijmtarisë së tij,

por do të thoshim pa frikë se është një mjeshtri e rrallë. Ka dhe gjen

brendia e sepetes të fatit të tij.

Në vazhdën e tyre mendojme se vjen dhe betimi, zotimi. Betimi i tij është

tradicional, pohim i formuluar tekstualisht, por çdo lexues e di se betimi

është vërtet shenjë e vërtetësisë, përdorur si një lloj zotimi solemn public,

por në funksion të poezive të Nurkës ai është imagjinar, dëshirë shprehës

dhe shpesh i nxitur nga gjendje emocionale e shpirtërore ekstazë para

bukurive e hireve të femrave që përshkruan. Por në këtë mes ka një

mpleksje të komplikuar midis natyrales dhe qiellores. Poeti në këtë fushë

është gjithnjë kërkues. Ai që kërkon, gjen, por vetëm ai që këmbëngul si

Nurka, gjen dhe merr. Ja si zotohet e betohet poeti në momente vërtet të

papërsëritëshme, qiellore. Në poezia “Sublime”: “Veç në të gjetsha në ato

maja/ Buzën tënde si rubin.”;.. S’ja vlen aspak të mbytem/Veç në qofshin

sytë e tu./.Ndërsa në poezinë “Gjuha e dashurisë” poeti shpreh: “Flaka që

më dogji mua/Do zoti i djeg të tërë/. Kurse në poezinë “Duel

dashurie”  “Ç’bandill do të vdekur,kë trim do të gjallë?”.Dueli ka

mbaruar.Po rezultati? Në poezinë e bukur “O mjalti në hoje”poeti shpreh

dëshirën për një sakrificë supreme kur shprehet:”Kur të pikosh tinë, moj u

bëfsha enë/Në një cep të botës, atje le t’më lënë/”.Në poezinë “Mos e hiq

fustanin”ai shpreh luftën e brendëshme që bëhet në personin e tij para

bukurisë qiellore të femrës.”Para saj në gjunjë, s’rashë, po u kapita”…Në

poezinë “Stanore” veprimet dhe përshkrimet janë krejt “bio”; “Me belin, që

s’di ta tundë/Me gjinjtë si arra gungë.”Ndërsa në poezinë “Lirikë e brishtë”

bëhët pyetja; “Më thuaj për zemrën, shorti kujt i ra?”.

Është fakt se ekzistojnë turma të tëra emocionesh të bekuara që fluturojnë

vazhdimisht në botën tonë shpirtërore të brendëshme, të çakorduara, të

pa  organizuara, si mjegull, dhe sapo vjen e shenjta poezi, si një dritë e

fuqishme qiellore që i shpirtëzon ato shije jete, të cilat më pas

grumbullohen në mendje, në subkoshiencë dhe intuitë, në intelegjencë për

të zbukuruar jetën lëndore. Kudo që shkelëm në vendet që Ymeri ka ngjzur

poezi, ato na rikujtonin të pastra e të fuqishme emocionet që kishin qënë

para tyre. Ndërthurur me vargjet e fjalët perlë të tyre, vendet, objektet

njerzit që tiren aq bukur në poezitë e tij, na bëjnë që vendet, njerzit, natyrën

për rreth ti shikojmë me tjetër sy, me kostumin që ka prerë dhe qepur aq

bukur poeti. Me të drejtë del pyetja; pse e lexojmë poezinë e Ymer Nurkës;

çfarë e dallon atë nga të tjerët? Ai është një novator në këtë fushë, si për

ritmin, rimën,stilin. Sepse ai shkruan realisht, “pa egjer” dhe  “pa dushk”,

me material jetësor duke përdorur gjithë bagazhin e mjeteve artistike që

mban letërsia e gjuha shqipe, pa inflacion fjalësh,  porse edhe sepse është

shprehur me aqë lartësi fisnike arti, sa që na bën mik t’a lexojmë në

vazhdimësi.

Për të pjellë muzikën që është gjuha e përbotëshme qytetare, poezia duhet

të jetë e mundëshme të ngjitet në pentagram. Për ndryshe nuk do kish

egzistuar muzika, me bijat e saja si kënga qytetare dhe popullore, opera,

simfonia, koncerti etj.

Poezia është nëna e muzikës kur mban në shpirt e në mëndje metrin,

rimën, ritmin, fluturimet Pindarike dhe thellësitë e Homerit, ose ata të

Goetes, Schillerit, Hygoit, Lamartinit, Leopardit dhe Dantes,

Lasgushit…Por, shkallët për tu ngjitur ne pentagramin e magjishëm, nuk i

ka vetëm poeti. Në rastin konkret poeti Ymer Nurka është treguar shumë

bujar. Desha te shpreh mendimin se sa mbresa i le në koke kompozitorit

poezia e Nurkës? E, në këtë mes del se kompozitorët, me poezinë brilante të

poetit të talentuar, kanë një thesar të pallogaritshëm në se do i

binin..”përmidis pazarit Durrësit”

Në lëmin e mpleksur të këngëve dhe poezive ka dukuri sa të bukura e

vyrtioze aq dhe të papajtueshme e kontradiktore. Ndalim në disa grimca të

tyre të cilat në vend që të relaksemi, na trishtojnë.”Ai që nuk pi rakinë dhe

verën, kurrë mos e paftë pranverën”,”Do të vras babanë…dhe s’të lë pa

marrë”  “O pasha…more pasha”, “hani pini dhe këndoni sa të jetë

lalagjoni…” Gjithë se kush bën pyetjen: “Si u ngjitën në pentagram këto

poezi?” Kjo, kur sot ka poetë klasi, në poezi të cilat jo rrallëherë kanë zënë

vend natyrshëm në këngën qytetare dhe popullore. Përvoja tek ne ka

treguar se kur shtrohet në pentagram poezia e tyre, të cilët nuk po i

përmend me emër, kënga e veçanërisht ajo popullore del e përkryer dhe

merr jetë.

Përfundimisht, koha po vërteton se Ymer Nurka ka një poetike krejt të

vetën, veçoritë e stilit artistik që e dallojnë atë poetikë, burojnë nga

temperamenti tejet dinamik, talenti dhe pjekuri e padiskutueshme artistike.

Ai ka sjellë një poezi erotike(dhe më tej) me vlera të larta estetike, shartuar

bukur e natyrshëm populloren me mjetet artistike e pasurinë gjuhësore që

mban gjuha shqipe. Dimensionit të poezisë erotike ai i jep thellësi, gjatësi e

gjërësi të reja, duke krijuar një arritje semantike dhe stilistike origjinale, të

hijëshme me elemente të pasur gjuhësorë, duke siguruar në këtë mënyrë

një komunikim të përherëshëm me lexuesin.

Hamburg Nëntor 2020



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora