Kulturë
Jahja Drançolli: Andrea Alleshi Durrësaku (da Durazzo), arkitekt dhe skulptor Arbër
E shtune, 24.09.2022, 08:15 PM
Jahja Drançolli:
Andrea
Alleshi Durrësaku (da Durazzo), arkitekt dhe skulptor Arbër, dhe fiorentinasi
Niccolò di Giovanni Comari ishin autorë të njohur në ishujt Tremiti, në Italinë
jugore, ku krijuan motive dekorative të portalit të njohur me skulptura
elegante në fasadën e Bazilikës Santa Maria a Mare (1473). Dekorimi, kompozimi
i pasur dhe origjinal, të kujtojnë përsosmërinë e veprave të autorëve të
famshëm të periudhës së Humanizmit dhe Rilindjes.
Andrea
Alleshi (Alexi, Alessi, Durrës 1420/25-Split 1504/5), një arkitekt dhe skulptor
i madh arbër i periudhës së Humanizmit dhe Renesansës. Është shquar si
bashkëpuntor i Juraj Dalmatit në
ndërtimin e Katedralës së Shibenikut (1455), Loggi dei Mercanti në Ancona (1452), si dhe
shumë monumente të tjera në Dalmaci dhe
Itali.
Në
vitin 1456, Alleshi zotëronte punëtori të njohur në Split, ndërsa në Trogir, ndërtoi veprën e tij më të
rëndësishme, Pagëzimoren e Katedrales, në të cilën gdhendi emrin dhe vitin
1467.
Është
i njohur edhe bashkëpunimi i tij me
Niccolò di Giovanni Comari fiorentino, me të cilin punon në kapelën e të
Bekuarit Gjon Ursini në katedralen e Trogirit dhe në fasadën e kishës
Augustiniane të Shën Maria në ishujt Tremiti (1472/73). Duke u kthyer në
Dalmaci, ai punon kryesisht në Split, ku i ngriti vetes një gur varri në kishën
e Shpirtit të Shejtë (mbishkrimi në gur varri: Alexius Durrachinus, Aleks
Durresaku). Në pagëzimoren e katedrales së Trogirit, ai bëri veprat e tij
kryesore skulpturore, si, relievi i Shën Jeronimit në shpellë dhe pjesa më e
madhe e dekorimit plastik, duke krijuar një sintezë të elementeve gotike të
vonë dhe të Rilindjes së hershme. Bazuar në analogjitë stilistike, disa relieve
të Shën Jeronimit ruhen në Dalmaci dhe në muzetë dhe koleksionet botërore!