E diele, 13.10.2024, 12:14 AM (GMT+1)

Kulturë

Resmi Osmani: Me sytë e fëmijës (15)

E premte, 03.06.2022, 07:31 PM


Resmi Osmani

Roman-vazhdimi

ME SYTË E FËMIJËS

Pesëmbëdhjetë

Isha përjashta, i sapokthyer nga kullotja e dhënve. Dëgjova se po më thërriste nëna. Kishim mysafire. Ishte Gjena e shoqja e Llazi Kularit dhe më kërkonte mua. Po ç’ne gjena me mua?Unë s’isha ngatërruar me të sajtë, as i kisha bërë ndonjë zarar. E njihja Gjenën, e pakët nga shtati, thatime, llafazane si turtulleshë. Me të hyrë Brenda, Gjena më përqafoj.

- Pëllumbthi im, e di pse ka ardhur nëna? Të më shkruash e qëndisësh një kartë për Fonin, që ju bëftë nëna kurban, po bëhet muaji që s’kemi marrë lajm dhe na piku malli.Po bëjmë edhe merak, se helbete mor bir, atje i thonë kufi dhe hasmin e kanë përballë, e dimrit bie borë pa hesap.

Trifoni, i biri ishte ushtar, në kufi me Jugosllavinë, në Kuks.

Nuk e kuptoja pse më kishte zgjedhur mua për të shkruar letrën, kishte dhe të tjerë që mund ta shkruanin, por ajo ma tha vetë:

-Do thuash , pse të zgjodha ty. Kemi gjitone Tilen e Banit, me ty e bëri shkollën, po mor pëllumbth, atë e ka parë shkolla, shkronjat i bën si këmbët e pulës dhe s’lidh dot dy llafe! I rruat shkolla. Ca më tej, kemi Liko mësuesin, djalin e subashit, po ca si shumë hundë përpjetë, s’begenis të shkruajë letra, pastaj, do të drejtën: zere se hesapet e shtëpisë i nxjer në Pazar. Për ty më kanë thënë, që shkronjat i zografis bukur dhe fjalët i lidh si jo më mirë. Shyqyr mor pëllumbth, jo si ne që jemi qorra me sy në ballë!

Në fshat më kishte dalë zëri se dija t’i shkruaja bukur, ndaç letrat, ndaç lutjet dhe kërkesat që bashkë fshatarët i dërgonin lokalitetit. Dhe kisha shkruar plot të tilla dhe ua kisha marrë dorën. Herë-herë, më thërriste edhe Sabriu, që ishte kryetar i  këshillit të fshatit, ( I pa shkollë po burrë I drejtë dhe I mirë) që dinte të hidhte vetëm firmën si një zhgaravinë. I shkruaja dokumentat ashtu si më thoshte, pastaj ai i firmoste dhe vuloste.

Teta Gjena kishte sjellë një fletë dyshe, me kuti, shkëputur nga fletore e aritmetikes dhe një zarf. Mora një tepsi, e ula përmbys mbi gjunjë që të më shërbente si tryezë, mpreha lapsin dhe isha në pritje.

  I dashur biri ynë Foni, deri në orën që po të shkruajmë këtë letër, desh zoti të gjithë jemi mirë e shëndosh- shkrova fjalinë e parë që ishte njëlloj për gjithë letrat dhe e lexova me zë që ta dëgjonte teta Gjena.

-Për ty jemi bërë merak dhe na piku malli se po bëhet muaji që s’kemi haber nga ty, por me shpresë se Zoti ynë Jezu Krishti të ka nën kujdes dhe mëshirën e tij, besojmë se je mirë.- E shkrove?

-Ne, desh Zoti, jemi mirë. Yt atë ankohet nga cërma se i therin eshtrat dhe i dhëmbin gjunjët, po bën ç’bën në këmbë, e u rri punëve mbi kokë . Edhe Lipja, u bë sëmurë ca dit nga shytat, por ndrikulla Dafina e yshti e nomatisi dhe tashti, është mirë e shëndosh si kokrra e mollës.Edhe motrtat janë mirë, sy mos marçin, të mirat e nënës, rriten përditë sikur i tërheq njeri nga flokët.

Të lashtat, gruri dhe elbi u poqën dhe i korrëm. Në fshat kanë sjellë një maqinë që i shin të lashtat.Ska më nevojë për kalin në lëmë. E vë në punë një traktor me rrota hekuri me dhëmbë, me një rrip të gjatë, që fryn e shfryn. I shim dhe ne. Shlyem  ujemin, detyrimet në shtet dhe teprica mjafton për trahana, bollgur dhe niseshte dhe bukën gjer në të korrat e vitit tjetër. Edhe misri është i mbarë. Nga Vjosa, kanë sjellë një kanal që i ujit edhe arat tona.

Lopa,Shegania, polli një viç të bukur dhe na e mbush kovën plot me qumësht . Kam vënë klloçka: pata, pula deti dhe pula shqerake që të na  nxjerin biba dhe zogj që të na mbushet oborri plot. Gjer në vjeshtë kur të vish me leje, do të jenë rritur, dhe nëna do t’i pjekë në saç, se e di që i ke me mall, e bëhen me përshesh, aq të mirë sa të lëpish gishtat!

Këtu në fshat,kush ja ka vaktin, kanë filluar të ndërtojnë shtëpi të reja me tulla dhe pullaz me qeramidhe të kuqe dhe me oxhak, se ti e di që ai qafëthyeri, Tafil beu, s’na linte të ndertonim oxhakë. Me shpresë të Zotit kur të kthesh ti edhe ne do të ndërtojmë një shtëpi të re dhe nëneja që të ka dritën e syrit, do të martojë me një çupë perri që të mos i gjendet shoqja!

- I shkrove? Këndomi me zë që t’i dëgjoj edhe një herë.

Bëra si më tha. Duket që i pëlqeu dhe vazhdoi më tej:

“Këtu në fshat, kanë filluar të vijnë nga qyteti të deleguar dhe grupe të rinjsh që u thonë – Si u thonë?-Brigada kulture. - I thashë. E, ashtu shkruaje,me muzikë, daulle e xurna, që këndojnë, thonë vjersha dhe hedhin valle sa u futin xanxën të rinjve. Këta të partisë në fshat, thonë se do bëhemi kumprativë,-Kooperativë, e koregjova unë.- E mirë de, ashtu shkruaje. Si ato në Lushnje, po s’ma do mendja, ne sa kemi nisur të marrim veten, akoma jemi ku thërret qameti e s’ka ku na zë dhëmbi i qenit, s’i hyjmë në punë as dreqit! Thonë që hyrja është vullnetare. Tyt eti s’ja ka qejfi, po thotë, kur të vijë siraja, si gjithë të tjerët edhe ne. Që s’ndahemi nga tufa.Se delja që ndahet nga tufa e ha ujku! Po me të parë e me të bërë, është punë që pret.

Me kaqë po e mbyll këtë letër, që lus zotin, të të gjejë shëndosh e mirë.

Ah, se mënt harrova: Nora, keçja e Sotirit, që sa vjen e zbukurohet –këtë mos  e shkruaj,  e thashë si për vete - sa herë na takon na pyet për ty dhe porosit të  dërgojmë te fala.

Të përqafojmë me mall:nëna, babai, motrat dhe vëllai.

Presim me padurim përgjigjen tënde.

Vura datën, dhe teta Gjena deshi ta dëgjonte edhe një herë atë që kisha shkruar.

E mbylla letrën në zarf dhe shkrova adresat.

Teta Gjena, nxori nga nën podhiqja ca kokrra vezë dhe një grusht arra dhe ja dha nënës, gjasme si hakë pune!

-Pse u shpenzove,- i tha nëna- Idrizi i bën me qejf shkrimet e letrave.

- Eh moj xhane Ervehe, ç’e zë ngojesh, se xhevalla i bleva, nga të shtëpisë i kam. Me Llazin ju kujtojmë saherë, por atë vitin e urisë, s’u ndihëm dot se edhe për vete ishim hollë e mezi e nxorëm atë dimër, që si ai mos ardhtë më kurrë!

Na tha ditën e mirë dhe u largua duke e mbajtur zarfin si gjë të çmuar.

***

Thagmë e madhe që tronditi fshatin:

-Zoica u rrëmbye!

-Zoicën e rrëmbeu bandilli!

-Zoica mori arratinë vet e dytë!

-Zoica fryu e na la shëndenë!

-Bëmë nënë, të të ngjaj!- dfhe shkelnin syrin.

Këto thoshin grupi i djemve në shesholl, që nuk e di pse i thoshin vetes “Barku i Shëmrisë” të grumbulluar rreth dajë Lonit, që hiqej se e dinte më mirë  ndodhinë e pazakontë e të pangjarë në fshatin tonë.

-Luj vendit bre, ç’ka je tu thanë!

-Kush ta tha?

-Ama llafe, si e re, se paskëshit ditur, e di gjithë fshati. Me kuç e me maç, e lajmi ka bërë këmbë gjer në Stamboll! Apo bëni të paditurin që t’a dëgjoni prapë nga e para?

-Me cilin ju prish mëndja, sa iku nga fiqiri?

-Thonë me atë bandillin e brigadës kulturore, ai që i binte fisarmonikës.

-Me atë qime shëllirën?

-Mos i hyrë në hakë, se ishte bjond bukurosh, trup fidan, nga ata që u pëlqejnë  çupave. Me Zoicën u panë kur dhanë shfaqje. Kësaj i thonë dashuri me një të parë!

-Po si u rrëmbye, si iku?

-Thonë ndaj të gdhirë, sapo kënduan gjelat e parë, kishte marrë  vetëm një boçallëk.I dashuri e priste me motoçikletë ndezur. Një të hipur në shalë dhe u bënë tym.

-E dija- tha Jorgji-Zoica ishte e djegur për burrë. Mezi priste. Unë i vardisesha e i vija rrotull, kur dilte me pulat e detit,i hidhja ndonjë llaf,larg e larg, po ajo tallej, më thoshte ik or abrash qurrash, buzëqumësht dhe me ca shpoti që më zgërlaqnin fare.

-Paska qënë thëngjill i mbuluar!

- Ore, nga ishte ai bandilli?

-Thonë shkodran, se edhe të folurit e kishte pak të ndryshëm nga ne.

-I la me turp të sajtë. Xha Rrapi nxin më keq se ç’është,nuk del, rri i  mbyllur Brenda. Të vëllezërit po kokëunjur.

-Po e ëma, ama, ja u mbylli gojën ngjelkave-piperkave:”Burrë deshi, burrë mori”u tha ajo. Llapaqene, ndaç plasni nga zilia ndaç nga inati, m’ju bëfshi kurban ,  çupës,se ajo vlen për një djalë mbreti!.Ju shihni ato bishtdredhurat tuaja

-Kur su gjend për të një burrë në fshat, mirë e bëri!

-Jo se s’u gjend, por ajo s’bënte karar. E kërkoi mësues Gaqi nga Mojallia, por ajo se pëlqeu se ishte i shkurtër!

-Zoica kishte vetëm një faj: që ishte e bukur. Bukuria,ndaç për femrën, ndaç për mashkullin, është stoli, të gjithë e lakmojnë po pak e kanë. E bukur lind, nuk bëhesh. Dhe të bukurat s’u shpëtojnë dot llafeve, janë si ajo pema plot kokrra që goditet me gurë.-tha dajë Loni, si më i vjetër që ishte dhe mirrte vesh nga këto punë.

- E, e,e bardhë është edhe dëbora, po e përmjerin qentë-vërejti Jorgji.

-Eh mor çuna,  vjen një kohë që çupat, vijnë si ai brumi i ardhur, që po u poq në vakt e bën bukën të ëmbël dhe po i iku vakti thartohet dhe e jep bukën të tharët. Janë si ajo toka, që kur vjen në vlagë , kërkon parmëndën, derdhet si bukëvale dhe ka atë amzën që e di çdo bujk që e lëvron. Po u tha, del plis, po të jetë e njomë del rrip e ngjit në plor. Zoica ishte si brumi i ardhur dhe si toka në vlagë.I doli fati në shteg dhe s’pyeti më. Ne na martuan baballarët. Nuset i pam kur hym në gjerdek. Na pëlqenin s’na pëlqenin ato ishin. Tani kanë ndrruar kohët. Të rinjtë shihen, pëlqehen , pastaj martohen. Them që kjo është mirë. Boll me kohën e Babaqemos.

U duk se me këto që tha daj Loni sikur iu vu kapak muhabetit.

Të tjerët hanin kumbullat ne na mpiheshin dhëmbët!

Por jo, Sadriu, si djalë me namuz, e ktheu sërish.

- Martesa martesë, po nderi nder! E si t’u zësh besë këtyre sevdave. Pa bekimin e prindërve, pa kurorë, e merr bandilli, betohet në gur e në dru se është i marrosur pas vajzës. Ajo i beson, se nuk thonë kot”Flokëgjatë e mendje shkurtër” ikën me të, ai e mban ca kohë   sa ia sheh lezetin dhe veleritet, pastaj i thotë ku të kam parë dhe  ajo, që s’ktheht dot në derë të tet mbetet si plënc, me nder të marrë, mes katër rrugëve dhe me një kopil në bark!

- Mos qoftë e thënë, se kemi çupa edhe vetë. U gëzofshin dhe trashëgofshin!

Vetëm dëgjoja. Nuk më takonte të thosha gjë, le që s’dija ç’të thosha. Ama,Zoicën e pëlqeja dhe ajo më donte si të më kishte vëlla të vogël, s’më erdhi hiç mirë për ato që dëgjova. Ai rrëmbimi i saj, sepse më kujtoj ato përrallat, që na rrëfente Kakaja, me të bukurat e dheut që gjenin lumturinë dhe merrnin arratinë hipur në vithet e kalit të bardhë ,të princit të kaltër.

U ktheva në banesë dhe i tregova Gjyles gjithë ato që fliteshin.

Asaj i qeshën sytë dhe i ndriti fytyra.

- Hë m’i ju lumtë! E dija. Ajo kishte kohë që e priste këtë ditë, t’i vinte dashuria. Lum si ajo- tha dhe nxitoi të shkonte te Zeli që t’i jepte lajmin.

Vijon

Qershor 2022.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora