Kulturë
Gjon Keka: 569 vjet më parë u pushtua Konstantinopoja, Ilirët dhe Europa humbën perlën e saj
E hene, 30.05.2022, 08:44 PM
Rënja e Konstantinopojës, nga Theophilos Hatzimihail
569 vjet më parë u pushtua Konstantinopoja, Ilirët dhe Europa humbën perlën e saj
Nga
Gjon Keka
Kostantini
ishte jo vetëm një perandor i urtë dhe vizionar, por ai ishte edhe ideator i
themelimit të Kostandinopojës. Kjo ide
atij i erdhi para se të vendoste që këtë perlë të Europës apo, siç është
quajtur me të drejtë mbretëreshë e Europës, ta bëjë kryeqytet të shtetit
perandorak. Ndryshimi i madh erdhi
pikërisht pasi ai vendosi që nga Roma të zhvendoset për në Kostandinopojë, emër
ky që vjen po nga ai qytet. Ky qytet, më
vonë kryeqytet i shtetit perandorak nën Kostandinin e Madh, u ndërtua me
shkëlqimin më të madh, ndaj jo rastësisht është quajtur edhe Roma e Re. Në
fakt, kështu mendonte në fillim edhe Kostandini për emrin e këtij qyteti, por
arsyet se pse ai ndryshoi mendim janë të panjohura. Kostandini bënte gjithçka të mundshme që ky
qytet të shkëlqente, të merrte formën e një qyteti të lulëzuar në të gjitha
sferat e për këtë arsye ai admirohej nga të gjithë. Për më shumë, ky qytet ishte interesant edhe
për vlerat që mbartte, sepse Kostandinopoja apo Roma e Re tanimë ishte bërë
vendbanim i madh dhe aty jetonin kombe e popuj të ndryshëm. Kjo bashkëjetesë e tyre e bëri
Kostandinopojën një qytet të rëndësishëm, të madh e të zhvilluar. E vetmja gjë që i bashkonte ata njerëz në atë
qytet ishte feja e tyre e përbashkët e krishterë dhe, ndërkaq, të gjitha të
tjerat ishin të lidhura përreth saj.
Në
Bizant themelohet qyteti i ri, Roma e Re apo Kostandinopoja, e cila më 11 maj
330 inaugurohet. Kështu pra nga
Kostandini i Madh u ndërtua qyteti madhështor i quajtur Kostandinopojë. Ngritja
e këtij qyteti tashmë ishte një hap kolosal i perandorisë së tij,por edhe e
vetë atij si Perandor, sepse në Kostandinopojë ai solli ndriçimin e dritës së
arsimit, shkencës dhe zhvillimit, pasi Bosforit i mungonte kjo dritë dhe
hapësirë. Këtu, në këtë pjesë të rëndësishme, ai ngriti edhe vendbanimet jetike
dhe strategjike të Europës. Ky qytet
ishte një nga vendet më të bukura, ndaj dhe është quajtur shpesh mbretëresha e
tri kontinenteve. Por kjo mbretëreshë
ishte edhe zonja e dy oqeaneve që lidhte midis tyre vendet më të pasura e më të
bukura të planetit. Vlen të nënvizohet
se Kostandinopoja, ky vendbanim, kjo qendër e rëndësishme, duhet kuptuar edhe
si fokusi i botës së vjetër, mburojë e kulturës dhe civilizimit europian kundër
barbarëve aziatikë. Sulltan Mehmeti II,është pushtuesi i Kostandinopojës dhe
shkatërruesi i kësaj Perandorie. Më 6
prill 1453, ai filloi rrethimin; por ai nuk mundi ta pushtonte qytetin
menjëherë sepse kishte mure të forta.
Pak
para stuhisë, thuhet se një re e ndritshme bie mbi qytet u ulën dhe më pas u
ngrit sërish, që nënkuptonte rënien e tyre. Mund të ketë qenë imagjinatë,
megjithatë,sulltani u njoftua për një fenomen të tillë, ku ai vendosi menjëherë
për një sulm kryesor. Më 29 maj 1453, turqit sulmuan muret tashmë të lëkundura
me një furi të papërshkrueshme, por banorët iu kundëvunë sulmeve edhe për 2 orë
të tjera;më pas,një nga udhëheqësit e tyre, u plagos rëndë dhe kudo shpërtheu
konfuzioni midis mbrojtësve. Turqit sulmuan muret dhe thyen bregun,Perandori
Konstandin nxitoi të mbrohej, por vdiq gjatë betejës. Tani filloi një skenë e tmerrshmë e barbarisë
e krimeve, për të cilën gjuha nuk ka shprehje.
Nuk u kursyen as pleqët e pafuqishëm, as fëmijët e pafajshme, as gratë e
pambrojtura nga zemërimi i shtuar i turqve të nxitur nga urrejtja fetare. Shumë banorë të qytetit e me gjerë u vranë, u
masakruan dhe u dëbuan me dhunë; madje kishte edhe shkencëtarë dhe artistë që u
masakruan dhe u dëbuan nga ky qytet i rëndësishëm dhe madhështor i kontinentin
europian. Sulltan Mehmeti II ishte, i
etur për gjak, ishte çnjerëzor e lakmitar për famë.
Një
vajzë engjëllore, e quajtur Irena, u prezantua para sulltanit, i cili menjëherë
u përfshi aq shumë me të sa donte ta merrte për grua. Por kur disa nga Pashët e tij murmuritën duke
i thënë atij se ai „e la veten të magjepsur nga dashuria e grave,“ turku
çnjerëzor nxori shpatën e tij dhe vrau krijesën e përulur e engjëllore
Irenën. Ndërsa pasuria që gjetën turqit
në qytetin e pushtuar ishte jashtëzakonisht e madhe dhe vetë sulltani thuhet të
ketë thënë se nëse individët privat do ta kishin mbështetur perandorin e tyre
me këtë pasuri në atë kohë, nuk do të kishte ardhur kurrë deri këtu në këtë
gjendje. Për një kohë të gjatë më pas u
përdor shprehja e një pasaniku të Konstantinopojës: "Mendohet se ai dhe të
gjithë të pasuritë e Konstantinopojës ndihmuan në plaçkitjen dhe pushtimin e
Kostandinopojës. “(G. F. a. h,1821)
Ky
fenomen u pa në momentin e pushtimit nga otomanët në vitin 1453. Pushtimi i këtij qyteti madhështor, i kësaj
mburoje, i këtij vendbanimi, ishte humbja e një pjese të trupit të kulturës dhe
civilizimit europian. Siç dihet
historikisht, ky qytet pas pushtimit nga Sulltan Mehmeti II, u shkatërrua dhe u
rrënua, aty u varrosën të gjitha pasuritë shpirtërore, kulturore dhe materiale
që lulëzonin, që i jepnin zhvillim dhe bukuri këtij qyteti madhështor të
Kostandinit të Madh dhe Europës në përgjithësi.
Pushtimi i kësaj pjese të rëndësishme ishte fataliste për kontinentin
europian, sepse qyteti-mbretëreshë ra në duart e pushtuesit. Kishat e ndërtuara
nga Kostantini i Madh u shkatërruan e në vend të tyre u ndërtuan xhamitë, duke
i dhënë kështu këtij vendi imazhin aziatik të pushtuesit otoman. Ndërrimi i emrit nga Kostandinopojë në
Stamboll tregonte qartë për mbjelljen në këtë pjesë të mentalitetit dhe të
ideologjisë së saj. Kostantinopoja nuk ishte më ajo e mëparshmja, një qytet
madhështor, plot krenari e natyrës, e lidhjes së Orientit me Oksidentin. Ajo kishte rënë në duart e pushtuesit që
rrënoi gjithçka: artin, shkencën dhe të gjitha veprat e zhvillimet e këtij
qyteti në lulëzim.
Pushtimi
i Kostandinopojës ishte një goditje e rëndë për të gjitha kombet e Europës, për
kulturën dhe civilizimin e tyre. Edhe
pse u bënë disa përpjekje për ta dëbuar pushtuesin turk nga Kostandinopoja, ato
u lanë pas dore për mungesë të unitetit; ndaj dhe shpesh rasti i pushtimit të
Kostandinopojës i ka ngjallur shtetet europiane nga letargjia e tyre, duke i
zgjuar nga gjumi, duke i prekur edhe në ndërgjegjen e tyre. Porse për Kostandinopojën ishte shumë vonë,
qyteti qe gllabëruar, ishte përdhos dhe rrënuar. Me të drejtë nënvizonte Voltaire: Sikur
perandorët bizantin të ishin si Skënderbeu ,Konstantinopoja do të kishte
shpëtuar. “
Duke
e ditur se Kostandinopoja qe si një mburojë e qytetërimit europian kundër
barbarisë aziatike otomane, ajo do të duhej të ishte nën mbrojtjen e të drejtës
ndërkombëtare europiane dhe botërore. Të
gjitha kombet e Europës kanë pasur kohë për ta shlyer këtë gabim, ose duke u
bashkuar dhe dëbuar këtë pushtues nga ky qytet dhe kudo ku do të ishte më e
mira e mundshme dhe ideale, ose duke kërkuar që ky qytet të vihet në mbrojtje
ndërkombëtare, si një qytet i rëndësishëm i një pjese të shpirtit
europian. Ky akt nuk do të ishte
shlyerje e gabimit, por një proces i mbrojtjes së të vërtetës dhe historisë së
këtij qyteti e vendi. Kur themi se
qyteti ishte mburojë, nënkuptojmë zhvillimin e tij, kulturën, shumë
nacionalitete të saj, të diturit, shkencëtarët, shkrimtarët etj. Pra aty ishte ndërtuar kjo mburojë e dritës
dhe zhvillimit, aty ishte një pjesë e madhe e shpirtit dhe e pasurisë së
kombeve europiane dhe civilizimit. Me
gjithë rëndësinë e Kostandinopojës, nuk duhet harruar pa nënvizuar se në këtë
vend, nga viti 324 e deri në vitin 334 u shpenzuan miliona monedha të
perandorisë për zbukurimin, ndërtimin dhe zhvillimin e fushave të rëndësishme
të qytetit. Porse shumica e këtyre
shpenzimeve ishte bërë duke shfrytëzuar thesaret e artit dhe të vlerave të
tjera të popujve dardano-ilirë, të Italisë dhe të shumë vendeve të tjera. Ndërkaq, nga ana tjetër, qyteti ishte i
përkushtuar për të mbështetur shkencën, oratorët, mësuesit e historisë dhe
shkollat, akademitë dhe të gjitha fushat e dijes që i shërbenin zhvillimit dhe
të mirës e dritës së diturisë. Duhet
përmendur fort se pikërisht këtu nis të shfaqet ngadalë përkatësia shpirtërore
dhe shekullarizmi, ndërsa kjo përkatësi kishte lindur në trojet ilire, por që
po gjente rritje dhe zhvillim në këtë vend të Kostandinit të quajtur
Kostandinopojë. Por jo vetëm, ajo gjente
vend edhe në Romë. Me pak fjalë, duhet
ripërsëritur se ishin shumë arsye që Kostantini donte ta quante, së pari, këtë
qytet Roma e Re. Para së gjithash, ky
ishte një nga qendrat e rëndësishme të tregtisë botërore etj. Por qyteti kishte edhe një ide alternative e
të preferuar, që këtë vend t’ua linte brezave të mëvonshëm, si një vend sa më
të zhvilluar, të bukur. Në këtë mënyrë,
ai vetë donte edhe të përjetësonte famën e tij.
Dhe ai e arriti atë pikërisht në këtë vend model të kapitalit të tij të
ri. Ndaj, jo rastësisht, Kostantini i
Madh thoshte se “vërtet është vetëm një Romë, por së shpejti ju do të shihni më
tepër se një Romë”.