Kulturë
Ibrahim Kabili: Nderim njerëzve që promovuan kulturën
E diele, 29.05.2022, 01:27 PM
Nderim njerëzve që promovuan kulturën...
Nga Ibrahim Kabili
Nderimi
është përkujtim, memorje, virtut, fisnikëri, vlerësim, ndoshta dhe një start
për reflektim! Shoqëria duhet ta ruaj traditën, ta forcojnë më tej kulturën dhe
trashëgiminë tonë shumë të pasur kulturore... Shteti dhe institucionet duhet ta
mbështesin atë. Ta mbështesin ne politika dhe fonde. Fatkeqësisht mbas viteve
'90 në drejtim të veprimtarive të organizuara kulturore na ka mbetur vetëm ajo
fjala pesimiste "na ishte" njëherë. Dhe përkundrejt kësaj qëndron
fjala "optimiste" duhet... Kjo e fundit mbetet për tu realizuar në
kohë... Përmbushja e saj është e papërcaktuar, mundet edhe të mos realizohet
kurrë! Sa indiferentë institucionet! Sa pak fonde i ndahen kulturës! A duhet të
ndodhë kështu? Jo! Kjo në kuadrin e globalizimit, e zbeh shumë identitetin tonë
kombëtar...
Si
motiv i brendshëm për këtë shkrim modest është përkujtimi i njërit prej
protagonistëve të kulturës në zonë, Xheladin Halit Kaloshi. Eshtë vlerësimi i
këtij njeriu të mirë që la mbresa të mira kudo që punoi, rrezatoj mirësi në
aspektin shoqëror dhe i dha ton veprimtarisë kulturore për kohën që jetoj. Falë
punës së tij si nënoficer, unë pata fatin ta njihja dhe të kisha marrdhënie të
mira me të. Xheladini qe një valltar i talentuar,ai interpretinte vallet popullore të krahinës
dhe i binte edhe instrumentit të çiftelisë. Ai kishte një shpirt prej artisti
dhe këtë e reflektoj në të gjitha veprimtaritë kulturore që mori pjesë.
Xheladini
lindi në lagjen e sipërme të Selitës së Malit më 27.03.1954. Për plotësimin e
portretit të tij me datën 28.04.2022 bëra një bisedë në shtëpinë e tij tek
"Uzina Traktori", me vëllain e tij Selim Kaloshi,valltar, dhe
bashkëshorten e të ndjerit, Nadiren. Biseda qe e gjatë dhe miqësore. Xhela,
shkollën fillore dhe atë tetë vjeçare e beri në fshatin Selitë të Malit,me nota
shumë të mira. Kryen Shkollën e Mesme në Zall-Dajt në vitin 1974-75 në
degën agronomi me rezultate shumë të
mira. I del e drejta e studimit në shkollën e lartë por familja e tij ishte me probleme ekonomike dhe nuk arrin ta vazhdojë
atë. Në bisedë Selimi, shton: "Që në shkollën 8 vjeçare dhe më shumë në
shkollën e mesme ai spikat me veprimtarinë e tij kulturore me grupin e
shkollës. Qe një kërcimtar i mirë dhe i binte edhe instrumentit të çiftelisë.
Unë dhe vëllai tjetër i imi ecëm në gjurmët e tij dhe patëm ndihmën e
Xheladinit. Ai ka marrë pjesë në shumë veprimtari kulturore por më e spikatura
qe ajo e Dekadave të Majit në vitet 1972-'75. Për interpretim të mirë është
vlerësuar me çertifikata e fletë nderi. Me të kam qenë unë dhe shumë valltar, këngëtar
dhe instrumentist nga zona jonë. Shkëlqenin grupet artistike të Malësisë së
Tiranës. Ruaj kujtimet më të bukura të jetës sime për këto grupe artistike,
këngëtar dhe instrumentistë. Këto e përfaqësuan me dinjitet zonën në shkallë
rrethi, vendi, dhe më vonë pati numra konkurues edhe jasht vendit. Mirnjohje
dhe respekt për këtë brez, ndoshta të pa
përsëritshëm, që nxori në pah vlerat më të mira kulturore, pas viteve '70-të.
Ndjesë paçin të gjithë ato që nuk jetojnë më, midis tyre dhe vëllai im Xheladini".
Në
lidhje me punën, Selimi vazhdon: "Pasi mbaroi shkollën Xheladini kreu një
vit stazh në Zall-Bastar në vitin 1975. Në vitin 1979 kryen shërbimin ushtarak
në Bazën e Armatës në Tiranë, ku dallohet për përvetësimin e artit ushtarak dhe
sjellje shembullore. Kjo bëri që ai të vishej si ushtarak në detyrën e
nënoficerit dhe të punonte për një kohë të gjatë deri sa doli në lirim. Punoi
një vit mësues provizor në Selitë në vitin 1980. Nga viti 1981-2003 punoj në
ushtri si nënoficer; në Zall-Dajt, Brigadën e Këmbësorisë dhe në Komandën e
Forcave Tokësore. Vlerësimet dhe opinionet për të kanë qenë shumë
pozitive". Në vitin 1978 martohet me Nadire Allën, lindën dhe rritën pesë
djem. Për këtë Nadirja kujton: "Me Xhelën jemi njohur që në shkollë. Ai qe
simpatik, merrej me grupet aftistike dhe më ra në sy sjellja e tij. U martuam
me dashuri dhe kaluam një jetë të lumtur. Ai qe i urtë, i sjellshëm, korrekt, i
dashur, artist në shpirt ashtu siç hidhte edhe vallen, dhe mbi të gjitha ishte
një familiar i rregullt. Pati fatin e keq pasi vdiq parakohe. Për mua qe një
shok shumë i mirë, dhe e ndjej shumë mungesën e tij".
Nga fisi qe kërcimtar i mirë, Fadil Kaloshi, si edhe vëllezërit e tij Selim dhe Ramazan Kaloshi. Selimi ka marrë pjesë si valltar në Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës si valltar së bashku me, të ndjerin, Mustafa Duhani dhe disa valltar e valltare të tjerë të talentuar. Me dorën dhe mendjen e Panajot Kanaçit, Besim Zekthit, Rexhep Çelikut, etj. Grupet tona artistike në disa dekada shkëlqyen, shpalosën vallet e traditës, krijuan dhe interpretuan valle me numra të rinj artistik dhe na lanë një pasuri të çmuar në fushën e kulturës dhe folklorit, të gjitha këto janë të filmuara. Për këto arritje ka shkruar, vënë në pah, vlerësuar në mënyrë perfekte i mirnjohuri Ramazan Hasan Bogdani në veprën e tij "Visare etnokoreografike", Tiranë 2003, për fshatrat e Tiranës. Duke i parë me përparësi këto të dhëna dhe burime të tjera rezultojnë se shumë nga këto valltar, instrumentistë dhe këngëtar që kontribuan në këto vite kanë ndërruar jetë, si: Xheladini, Zeqir Visha, Abaz Dajti, Hysen dhe Ramazan Hyra, Baftjar Jahi, Hysen Alla, Mustafa Duhani, Met Luga, Sali Sala, Selim Hysa, Qamil Gjikola, Nazmi Tarja, Gani dhe Demir Luka, Islam dhe Veli Cani, Qerim Lusha, Hysen Hoxha, Raif Islami, Zeqir Selmani, Hamit Lila, etj, që unë ndoshta nuk i përmend për arsye mosnjohje, meritojnë mirënjohjen dhe respektin më të madh për kontributin e dhënë në vite. Vepra e tyre është një motiv më shumë për artistët që janë gjallë, për të ruajtur dhe çuar më tej traditat në fushën e kulturës,mbështetur në tabanin popullor. Sot në vazhdën e këtij brezi vazhdojnë të kontribuojnë gjenerata të tjera. Sa po bëhet sot në këtë drejtim? Në mënyrë të organizuar nga shteti, po bëhet shumë pak, për mos me thënë asgjë. Në aspektin vetiak bëhet diçka nga artistët e sotëm si në dasma, ceremoni të ndryshme, apo në baza shoqate... Këto janë të pamjaftueshe në një zonë me shumë tradita dhe pasuri të shumta kulturore... Elementët nuk mungojnë por ndihma dhe financimi nga instancat kulturore vlejnë për të dëshiruar... Duke kujtuar ato kohë Selimi vazhdon: "Kam patur njohje personale dhe e kujtoj me nostalgji valltarin dhe instrumentistin Zeqir Visha. Ai ka vdekur, ndjesë pastë, por mua më kujtohet me shumë nostalgji, kur në vitin 1983, më duket sikur ka ndodhur sot, interpretimi me mjeshtëri dhe shumë finesë nga grupi i vajzave të vogla (atëherë) dhe i ndjeri Zeqiri. Vallja shoqërohej nga orkestrina popullore me; Ibrahim Koçin, Qamil Gjikola, Hysen Pera, dhe Nuri Gjoni në fyell; Nazmi Tarja, Xhevdet Lami dhe Haxhi Gjoni në çifteli; shoqëruar me lodër nga mjeshtri Ramazan Cani. Për këtë Zeqiri shprehej: " - se ai e ndjente rolin, dhe i'u kishte dashur shumë kohë për tu futur në brendësinë dhe të fshehtat e tij. Kur e realizova u ndjeva shumë mirë - më tha atëherë ai." Sot këtë valle e luajnë të tjerë. Elementët nuk mungojnë, ndihma financiare po. Ky qe vetëm një rast...
Sa
dhe sa valle dhe artistë të tjerë luanin kështu? Këta qenë të shumtë! Po sot a
funksionon më orkestrina? Përse, jo? Shyqyr zotit që profesori Ramazan Bogdani
ka bërë librin e tij të shkëlqyer për të
evidentuar, fiksuar dhe nxjerrë nga arshiva këto vlera etnokulturore.
Unë e ruaj si sytë e ballit këtë libër. I rekomandoj të rinjëve dhe dashamirësve
të kulturës ta lexojnë këtë libër me vlerë".
Selimi,
vëllai i Xheladinit, ka kërcyer vallet: "Qemanja trish" me të ndjerin
Mustafa Duhani, e shoqëruar me cigonë
nga Met dhe Shaban Luka, dhe lodër nga Azem Sallaku; "Hyna në zabel
moj", kërcyer me Faje dhe Ramazan Duhani, Xhemal Dajti, Ramazan Kaloshi,
Ramazan Basha, Kujtim Dajti, Ibrahim Elezi; "Valle brezash e
Shupalit" luajtur përkra mjeshtrave Baftjar Jahi dhe Hysen Alla stj. Për
këtë Selimi shprehet: "Ishte nder por dhe obligim i madh për mua të merrja
pjesë në koncertet e majit me këtë valle, por kërcimtarët e vjetër na e bënë më
të lehtë kërcimin ne të rinjëve e dolëm me sukses dhe u duartrokitëm nga
spektatori".
Jo
vetëm Xheladini dhe vëllezërit e tij dhanë ndihmesën e tyre në fushën e kulturës,
si këto qenë dhe janë edhe sot me qindra të tjerë, por në kushtet e sotme jeta
kulturore po bëhet gjithnjë e më e "vakët", falë kjo e mos
mbështetjes me fonde, e futjes së "modernizmit", e rendjes pas
parasë, e braktisjes së krahinës nga migrimi dhe emigrimi, dhe etj.
Në
këtë shkrim modest pasqyruam diçka nga
veprimtaria kulturore dhe artistike e viteve '70. Nuk mundet të pasqyrohet
gjithçka për këtë fushë, janë bërë shkrime të ndryshme dhe janë përmendur shumë emra,dhe protagonist të
nderuar në këtë aspekt. Historia e veprimtarisë kulturore të krahinës ka
filluar më parë dhe do vazhdoj me kohen.Nderim për brezat që mbajtën gjallë dhe çuan përpara kulturën
popullore të zonës!
Tiranë më 01.05.2022