Kulturë
Mehmetali Rexhepi: Arti drithërues i shuarjes
E premte, 27.05.2022, 05:51 PM
ARTI DRITHËRUES I SHUARJES
Ese
Ramadan
Mehmeti: Balsam zemre; Shtëpia botuese “Rozafa”, Prishtinë, 2016
Nga
Prof. Mehmetali Rexhepi
Brenda viteve:
qershor 1996 - qershor 2016, pra, një periudhë njëzet vjeçare, Ramadan Mehmeti
iu përkushtua librit “Balsam zemre”, i strukturuar në tre cikle: I Fillimi
i portave të hapura, II Të mplaken tëra stinët në vrer, dua këtë
mëkat dhe III Udhëtimi i shkuljes së kamxhikut nga dora e Zotit.
Autori i la hapësirë, ose thënë ndryshe, u mor gjatë me përsiatje trajtash të
kujtesës poetike për Mikun Model, Poetin Beqir Musliu. Në librin “Balsam
zemre”, i cili ka dyzeteshtatë poezi, të cilat i përshkon një frymë
dhimbjeje me tituj nën kllapa, vështruar nga të gjitha kënd-shikimet
teorike-letrare, poezitë i ngjizë etimoni i përbashkët, që përbëjnë mirëfilli
një poemë lirike. Në vëllimin e tillë poetik, poetit sikur nuk i mjaftoi tërë
ai arsenal figurativ i poemës, vendosi dhe një shkrim përkujtimor prej
dymbëdhjetë faqesh? Vëllimi poetik “Balsam zemre”, me përgatitje të
lakmueshme, redaktuar dhe përkujdesur me një shkrim analitik të kritikut letrar
Ramadan Musliu, u botua nga Shtëpia botuese “Rozafa”, në Prishtinë, më 2016.
Mbi postulatet e
kujtesës e të dhimbjes, poeti Ramadan Mehmeti mëtoi t`i shtrinte përsiatjet
poetike dhe kredon estetike të poezisë së përkushtimit. Dhimbja e kujtesa
ndjehen, që nga nisma, e cila shënon aktin e dhimbshëm, qershorin e vdekjes të
Mikut shpirtëror, Beqir Musliut, në qershor të vitit 1996 dhe, përfundimin e
kësaj hapësire të shkrimit, po në muajin qershor të vitit 2016. Në vijim të
këtij diskursi shqyrtues, do të bindemi për forcën motivuese të autorit
krejtësisht e përtrollitur.
ESTETIKA E TË SHËMTUARËS
Esteti Baumgarten,
në vitin 1750 ishte ndër të parët, që vërtetoi se estetika është shkencë. Madje
se estetika nuk është dukuri, e cila shihet dhe preket, por mund të shijohet,
të preket, të vizatohet.
“Sipas mësimeve
klasike të estetikës, shëmtia është e kundërta e bukurisë... ; ... në artin
modern shndërrohet në një armë kundër realitetit, si mjet i ç`realitetit dhe në funksion kundër natyral i botës së
artit.”
Përkufizimi klasik
për të bukurën, shëmtinë si kategori estetike, pra të shëmtuarën, klasikët nuk
e konsideruan kategori estetike të së bukurës. Mirëpo, arti modern përkufizimin
për të shëmtuarën e zhvendosi nga kanunet teorike të estetikës klasike. Nga
mendësia e përkufizimit të teorisë klasike për të shëmtuarën, do të duhej
përjashtuar kryevepra të tëra të artit botëror, të ngritura prej trajtave e
llojeve të ndryshme të dukurive të shëmtuara në racën njerëzore. Le të sjellim
këtu ndonjërën nga kryeveprat botërore, si dëshmi e tej përçuar nga ligësia,
grykësia, kanibalizmi, prirjet vrastare, sadizmi, urrejtjet racore, tirania,
trajtat e dhunës në vepra përmasash estetike mbi të shëmtuarën, si “Komedia
Hyjnore” e Dante Aligierit, “Lulet e së
keqes” të Sharl Bodëlerit ose nga letërsia shqiptare “Poema e mjerimit” e Migjenit,
“Bukuria e zezë” e Beqir Musliut...
Përgjithësisht
është e provuar dhe e njohur, se e bukura dhe e shëmtuara, joshin dhe ngacmojnë
nervat emocionale të subjektit njerëzor, të shkrimtarit a të lexuesit. Pa
ndjeshmëri të prekjeve, të ngacmimeve të jashtme tek ato të brendshmet, nuk
zgjohen mori ndjeshmërie, si: gëzimi, pikëllimi, ankthi, drithërimat, frika,
ngazëllimi, brengat, mallëngjimi, besimi dhe shpresat për përmbushje qëllimesh
jetike, materiale dhe shpirtërore, etike, etnike, estetike dhe filozofike.
Marrëdhëniet
ciklike: e bukur dhe e shëmtuar kushtëzojnë ashpërsinë e lidhjeve dialektike,
për shkëlqimin e njërës dhe errësimin e tjetrës në spektrin e ngjyrave ku
mbizotëron e zeza. E kundruar nga këndi letrar-estetik në poemën e Ramadan
Mehmetit “Balsam zemre”, kategori mbizotëruese e kësaj estetike është e
zeza:
“Hyni në
Amfiteatrin e Prishtinës me ëndrra mbi shpinë,
Dielli ka
perënduar kaherë prapa kodre, kodra shembur,
Terri është
futur në shiringë, përzier me gjakun e
zi,
Trupi copëra me
thasë të errët fundosur në panteon të lig”
(Mbrëmja e
dhembjeve)*
Duke shpaluar
pikëllimin, dhimbjen, mërzinë dhe mungesën për shkuarjen e hershme në botën e
amshuar të Mikut e Poetit Beqir Musliu, mentori i përvojës udhërrëfyese në
fushën e rrëshqitshme të shkrimit, arkivi i gjallë...; Ramadan Mehmetit thuajse
i zvogëlohet bota individuale, personale, intimja e sinqertë. Konotacionet
figurative të kësaj tipologjie të shkrimit, të zezën e shtrijnë gjerë e gjatë
në të tëra pikëpjekjet e hapësirës komunikuese, në gjithë rrethin jetësor,
tokësor e global, duke qëmtuar metaforat, apostrofën, hiperbolat, kontrastet,
prozopope, ofshamat, paralelizmin figurativ, pyetjet hipotetike, epitete
metaforike, heshtjen, bredhërin ritmike, nëmën e zezë, bëmat, gjëmën, gjithë
përbërësit përkues me botën e shpalosur
të Krye-personazhit, Poetit Beqir Musliu. Poeti voli që t`i hidhte
në letër të bardhë gjithë atë, që ishte e ende e gjallë dhe testament i
shkrimit. Maestroja la testamente letrare imagjinare, lirike, epike dhe
dramatike. Autorit i mbeti t`ia shpërpushte atë zjarr ngërthimi, atë mall të
pashuar dhe, pikërisht këtu, në këtë vëllim do të shpërfaqet përkushtimi jo i
lehtë.
Duke konstatuar
përmbledhtas, e ndjejmë, e përfytyrojmë aktin e goditjes së parë të pikëllimit,
peshën e të cilit gradualisht e bartin vargjet e tre cikleve nëpërmjet
dyzeteshtatë poezive. Ngjashëm me rrathët koncentrikë mbi një syprinë uji, që
kur hedhim gurin zgjerohet përmasa e rrathëve dhe, poezia pikëllimin e shpie
mbi dhimbjen afatgjatë të rrathëve të valëve të tij, mandej dhimbja nuk mbetet
konstante meqë i afrohet ndjeshmërisë tragjike. Pikëllimi dhe dhimbja burojnë
nga sinqeriteti, madje janë më se të sinqerta, përderisa përkimi me tragjiken
del jashtë shtratit të rrjedhës dhe lidhet me përmasën etnike dhe njëmendësinë
diktatoriale të mjedisit shoqëror. Tërësinë emocionale, ideore, konceptuare të
poemës e përshkon tejpërtej qasja Krye-personazhit, Mikut e Mjeshtrit, të
apostrofuar me shkronja të mëdha. Përsiatjeve për dhimbjen e Mikut, i
bashkërendohen vistra e gjatë e përbërësve figurativë me pikëshikime
poetike për fatin e fatkeqësinë e Poetit
Model, Beqir Musliut. Pikëshikimet me konotacion bardhësish, dendur i mbulonte
mjegulla e zymtë e censurës; një zymtësi e kushtëzuar për të mos depërtuar bota e rebeluar e poetit kundrejt të keqes
dhe shporrjes së amullisë nga sistemi i jo-vlerave në shoqëri. Koha si kategori
e qenësisë së Poetit si Krye-personazh shfaqet e rrudhur, e shtrënguar për mbetje
inerte. Andaj, e qëmtuar me mjeshtërinë e një shkrim-ndërtuesi, nxori formësime
shtresore: për kumte metaforike, simbolike dhe semantike:
“S`ka kohë për
humbje, edhe më pak-kohë për fitore,
Arat janë mbushur
me veshë, sy, mallkim, pena, hundë
Dhe koha, ambalazh
për kërmij deti, duar profetësh,
Do të shkojmë
tepër larg, po u kthyem dhe një herë”
(Libri i grilave
të padukshme)
*Ramadan Mehmeti “Balsam zemre”, Rozafa, Prishtinë, 2016, f. 9
Brenda grilave të
padukshme shkruhej libri i Poetit. “Libri i grilave të padukshme” ishte burgu i
kudo-ndodhur, i padukshëm, por rob-mbajtës. Individualja zbërthen të
përgjithshmen. Reflektimet figurative prekin pikat nevralgjike të qenies etnike
dhe pozitën e vartësisë së njeriut prej tiranisë. Ideja përshkuese poetike e
Maestros e ngërthyer, duhej të bëhej e pakapshme, finoke për kllapat e
censurës. Pastaj vardisej auto-censura, vetëgjykimi i bërjes së krijimit
artistik vlerë ose i vlerës krijim jo veçse i përtashëm, por i përtejshëm. Tek
poeti Ramadan Mehmeti përkuar me Maestron, ziente droja e një tautologjie
poetike... Si? Të ishte me të, por dhe
me unin poetik të vetvetes. Megjithatë, ai arriti t`i shpie idetë artistike të konceptuara mbi ato vetjake,
pikërisht në tablo të gjera ku frymuan i adhuruari dhe adhuruesi, ku frymoi
jeta e përgjuar...
ARTI DRITHËRUES I
SHKUARJES
Paragjykimi i
intuitës drithëruese ndjell të pashmangshmen... Pritja e të pashmangshmes
përshkallëzon tendosjen emocionale. Pritet kumti dhe turbullohen ndjenjat.
Gjithçka turbullohet; çdo kënd, çdo shteg, hapësira mbushet me pikëllim dhe i
nënshtrohet amalgamës së hirit. Djegia lë hirin dhe nën hi mbetet prushi,
kujtesa gjithnjë shpalon prushin, edhe pas ndodhjes vijon të reflektojë jehona
e gjëmës së dhimbjes për shkuarjen... Në njërën nga poezitë e poemës “Balsam
zemre”, përmes kufjes ndërtohet dialogu poetik i vetmeve në dy pozita
shpirtërore: atje Poeti në pozitën horizontale të lëngatës, mes agonisë së dy
botëve dhe, këtu subjekti në ankthin e një pritjeje të pritur... Andej, zëri i
Poetit në grahmat e lëngimit të sëmundjes së keqe, ngre dialogun dramatik.
Dialogu kapërcen relieve të ftohta, që nga Moska deri në Urën e Maskatarit,
toponimin e një tragjedie të heshtur në kronikën pa dëshmitarë! Mes dialogut të
vetës së shtrirë dhe monologut drithërues, kishte hyrë përbindëshi
njeri-ngrënës, kanibali jetë-marrës me hire e pa hire. Poeti Ramadan Mehmeti
lypte dhe prekte dorëzën e hapjes më të lehtë të derës, asaj dere të
pakthyeshme. Zbutjen emocionale për shkuarjen e Mikut në “Udhën e Madhe”, e
bëri qoftë nëpërmjet kapjes të një fije kashte të litotës.
Si paraqitet jeta
në këtë poemë? Ajo paraqitet kryesisht si një e dhënë për dhimbje-marrje dhe
dhimbje-dhënie, më pak si një dhuratë lumturi-bërje. Pas daljes nga akti i
parë, kujtesa autorit ia ri-shtron shtegun për vajtje-ardhje idesh, për idenë e
shkuarjes së përhershme të diçkaje të dashur, të adhuruar, bartës të së cilës
janë togfjalëshat metaforikë, thellësisht të identifikuar me botën magjike,
magjepse të Maestros. Bota e amshimit ia mori Mikun, me gjithë atë univers të
imagjinatës poetike, të zgjeruar me eksplorime të pagjuma! Natyrshëm vdekja,
sikurse miq të tjerë, gllabëroi dhe emra të përveçëm, bashkëkohës të autorit,
porse Miku i tij u shua herët, në zenitin e pjekurisë eksploruese të fjalësit
tij poetik. Pse autori i këtij vjershërimi, apostrofoi miq të shquar të kësaj
fushe, pikërisht në gjendje agonie të Poetit? Ndoshta për efekte çasti për
tejkalimin e agonisë, ose si një relativizëm i vdekjes me pikë-cakun
përgjithësues të akt-vdekjes:
“... Apo mos po
preket çdo fryt?”
(Bota pa tru), f.
15
Pyetja hipotetike
kapërcen vetën, ngaqë edhe në çastet e agonisë, Poetit i fanitet skepticizmi i prerjes së çdo fryti, tashmë të
çelur vonë edhe tek ne! Gjithsesi, vdekja do të ndodh, por shpirti skeptik pret
përgjigje: a mbeti ndonjë fryt erë-këndshëm për t`i dhënë aromë shijes së jetës
tek të tjerët, te pasardhësit?!
PLEKSJET IDENTIFIKUESE DHE
MËVETËSIA
E tërë poema “Balsam
zemre” u përshkua prej ndjeshmërisë së fortë emocionale, duke pasur pikënisje
kumtin, një kumt tronditës, të cilit i dhanë kahen dhe ngjyrimin estetik të së
hirtës pikëllimi, dhimbja e pa frenuar për shuarjen e njërit nga udhërrëfyesit
modern të letrave tona. Shuarja e njërës nga penat më të veçanta, që la
trashëgimi të pasura artistike, por dhe shpuri me vete shumëçka të pathënë, për
poetin e thurjes së poemës, nënvizohet si një peng i papërmbushur, si plagë e
pashëruar e shpirtit që kullon dhimbje. Mbi burime të dhimbjes po formësohej
poezia si antipod i mërzisë, i gjithçkaje të shëmtuar. Citatet e shkëputura të
Maestros lexuesit i japin shkasin t`i piketojë pleksjet e identitetit: adhurues
i adhuruar.
Shkolla letrare e
Beqir Musliut ishte e ndërlikuar, ngaqë paraqitja e artit Tij solli sprova të
panjohura në kulturën tonë të shkrimit artistik. Ndonëse e vështirë, pikërisht
këtë shkollë zgjodhi Ramadan Mehmeti; shkollën për mësimin e ecejakeve
labirinteve të fjalësit imagjinar: hyrjes dhe gjetjes të rebusit për dalje, pa
mbetur i ngujuar në mjegullat e hermetizmit. Kësisoj, sipas stilit të poemës që
kemi në duar, shihet se autori mësoi të pulsonte të fshehtat e “zejes” poetike
moderne. Po ashtu, sprovoi nyjëtimin e kumtit dhe thurjet shtresore të fjalëve,
të cilat kanë formulat dhe kodet e ngërthesave, për zbërthimin e sendeve e të
dukurive sferave të dukshme dhe të padukshme të fjalës, prore me përvojën e përgjithësimeve
ontologjike.
Do theksuar se
fillim e mbarim poemën e kujtesës e të dhimbjes “Balsam zemre”, e mbanë të baraspeshuar kohezioni poetik,
figuracioni i hyrjes në dukuri, ironia dhe grotesku, përzgjedhja e të veçantave
për përgjithësime të realitetit shoqëror gri, të diktaturës sistemore, trysnitë
e vijueshme mbi relieve karakteresh e të psikologjisë së mjedisit, nënvizimi i
topitjes të mentalitetit deri në gjendje flashkësie. Kurdoherë kur dora e dogmës
së pushtetit zgjatej për të shtypur rebelimin njerëzor, Poeti i kthehej
eksplorimit të ndërdymes me një arsenal të dendur figurash. Kërkueshëm me
përkimin e Modelit dhe njëkohësisht për Modelin, autori evokon me stilin veshur
me të zezën... E zeza nuk është pozë e shpifur, tek ne ajo e ka burimin në
zezonat historike dhe jashtë historike. Andaj, duhet të dimë të lexojmë. Një
mori estetësh kanë pohuar evoluimin e tekstit, të strukturës dhe të shprehjes,
të figurës dhe ngërthimit të kodeve poetike brenda poezisë. Poezisë duhet të
dimë t`ia lexojmë poliseminë, t`ia zbërthejmë kodet dhe formulat matematikore.
Poezia sa vjen është duke u çliruar nga retorika, nga prozaizmi, nga përshkrimi i dukurive, të
cilat e cytin lindjen dhe joshjen, por ende jo ndryshimin e konceptit të saj
kundruall plotësisë dukurive.
Vdekja e
paralajmëruar e Poetit subjektit të identifikuar, ia ka shpeshtuar ankthet,
aktin e humbjes së parakohshme dhe shuarjen e dritës të një ylli, me tërë arsenalin
e pritshëm të zgjerimeve të reja poetike, sasiore dhe novatore. Vdekja nuk njeh
moshë por, nuk mund t`i merrte gjithçka kishte krijuar Poeti për trashëgimi.
Në gjerësinë dhe
gjatësinë e lidhjes së poezive në një etimon shpirtëror, vëllimi “Balsam
zemre”, u ndërtua nëpërmjet rolit
çelës të togfjalëshave, që lidhën kumte,
reflekse dhe kuptime të një sintakse poetike të ngjeshur. Sintaksa poetike me
ndërmjetësi togfjalëshash lidh hallkë pas hallke kurorën metaforike, simbolike
me konotacione prodhimtare, që prekin dhe zgjojnë përsiatje për dhimbjen
djegëse. Graviteti i dhimbjes tërheq përbërës tjerë, të cilët vizatojnë
përfytyrime të avullta, rrjedhje të shfryrjes, fiziologji lotësh. Shumësia e
thënies në tekstin poetik nuk del tej rrathëve koncentrikë të ngjyrës së zezë,
si: nata e zezë, “si i peshon orët e tiktakut tim zemrës së nxirë”; “Ylberi,
- ndryshku më i zi “; “gjaku u nxiros”; “vera e zezë” “kurs nate”; “Sytë –blu
të errët...”; “fatet e nxirosur”; “Orëzi”; “më i ziu”; “kandil të zi”;
hiperbola “Ora Mamute”; gjendjet e hapjes së honeve shpirtërore,
kontraste përplasjesh...
Gjithë gama e
ngrehinës së poezive në vëllimin poetik “Balsam zemre”, arriti që
trashëgiminë e kujtesës art-jetike ta shpijë në diskursin artistik me premisa
të theksuara filozofike. Kujtesa e poetit hap hulli aty dhe atje ku mbetën
djerrinat të paprekura dhe, futet harresa me gjithë vegjetacionin e saj të
çrregullt të ferrave. Fara për mbjellje të reja ishte hedhur mbi tokën e
pëlleshme të kujtesës. Qëmtimi i të mbjellave në letër u kushtëzua nga
shkëmbimi i thellë, i marrjes e dhënies së farës Miku-mikut për mbjellje të
shkrimit. Mandej pasonin dilemat e
frytit, si do të jetë ajo mbjellje? A do
ta korrë lexuesi me sy?
Përkimet e kësaj
poezie e karakterit të dhimbje-bartjes e autorit Ramadan Mehmeti, duket qartas
që modelit pararendës i është shkëputur, veçse ruan praninë e një tumirje të
hapur, plotësisht të çiltër. Me botën e vet, me stilistikën vetjake, poeti
kapërceu detin e Maestros pa u fundosur
në të.
Këtu simbolika
paraqitet e hapur, shtrirja tematike, motivet dhe motivimi nuk i zhvendosin
pamjet, nuk e copëzojnë tërësinë e kompozicionit dramatik, të kësaj drame me
një Krye-personazh. Kjo dramë autorit i la një gjerësi lënde për përsiatje të
thella për jetën dhe vdekjen, për fatin e mbështjellë me dhimbje të pareshtura.
Ritmet, fryma ngërthese e vargut, figuracioni, stili, me një fjalë tipologjia e
shkrim-ndërtimit, të gjithë përbërësit ideorë-emocional-estetik-stilistik, u
ndërthurën në shtjellën legjitime të autorit. Pra, nga njësimi emocional kemi
dyzimin identifikues: poetin që ligjëron
për Modelin, por me modelin vetjak.
PËRMBUSHJA E POEMËS
Meqë pamë se e
errëta nuk i shqitej sysh etnisë, jo një herë në relievin e karakterit
emocional, të ngjitjeve e tatëpjetave të poetit, hasim shfrime gufesh, duke
apostrofuar gjakimin thirrmor:
“O Rozafë, Epir,
Pind, Olimp, Dodonë
Burg divani më i
gjatë! Apo fytyrë - trung i zi i palmës,
Vepra e pabotuar,
rënë përdhè,
Rreze përthyer e pasqyrim i tyre në pika uji të
reve.”
(Metafizika e
Prishtinës), f. 18
Bërja lëndë
poetike e një frymëzimi të këtillë, pa u futur në vlugun e tij, me tërë qenien
e përjetimit, fare të mundshme e kishte rrëshqitjen drejt përjetësimit. Në
poezinë e këtij vëllimi nuk duken ngjyrat tjera, pos të zezës dhe të hirtës.
Hiri i shpërpushur rikthen zjarrin. Shqiptimet e drejtpërdrejta, paksa më të
hapura, kundruall atyre të mbyllurave brenda lëvozhgës së vet, vënë në pah
kontrastin, sikurse tek vargu:
“Vepra e pabotuar,
rënë përdhè”
Në poezitë e poemës
“Balsam zemre” reflektimet intime përthithin motive dhe vështrime të
ndryshme, herë të përcipta, herë më të thelluara, duke piketuar mendësi mitike
e historike, si: “Darka e Magjisë”, “Arkadi famëkeq”, “Libër Anatemash”, ose:
“E secili
ishte një mohar,* njeriu më i besuar i
pushtetit
Anatemat do të
vinin nga jashtë e brenda, magjia ngado.”
Përpos apostrofës,
në raste gufesh, tensionet e brendshme shkarkohen me nxjerrje ofshamash.
Diskursi poetik do të mbetej i papërmbushur nëse nuk do të zgjohej urtia, në
qoftë se nuk do të ndodhej në bërthamë poetika e zbërthimit të urtisë, si
udhë-rrëfim i velur, që nga miti i Mollës së Adamit. Sugjerimet e urtësisë i
zbërthen metafora e qëmtuar po për urtësinë (Mëkati bën dritë).
E pohuar paksa më
lart, se lëndën e gjerë të poemës, e ushqejnë motive dhe ca sosh, ndoshta
*Mohar: i besuar perandorit
vetëm si prekje të
përcipta, por sikurse gurrat e përrenjtë, të cilët për ta bërë lumin lumë të
rrjedhshëm e ujë shumë, tatëpjetat ua bashkojnë rrjedhjet, që t`ua shpie më
fuqishëm detit. Aty-këtu nxjerr zë dhe, temën ekzistenciale poetit ia dëfton prozopopja, për vjelje të së
bukurës dhe kthimin e saj në burim:
“Arin tënd dhe
zemrës sime që po merr, Tokës po ia kthej “
Sprovat dialektike
kapërcejnë nëpër “pirgje eshtrash”, së këndejmi: “sa rrugë e gjatë akoma na
pret!” (Shishja e zbrazët), f. 28
Moria e epiteteve
metaforike dhe përshkallëzimi mbiemëror, i shërbejnë termometrit të
gradacionit, tekstit dhe kontekstit emocional, si dhe kthimit të situatave paradoksale:
“Përplasja
shkëmbinjve çlodh diellin kurrë kaq të zi!”
(Trëndafilat e zinj bënin rojë), f. 29
Asociacionet
motivuese, simbolika, lidhjet metaforike me pleksje ironike-satirike kapërcejnë
tronditjen, pikëllimin dhe mërzinë fillestare të shuarjes. Nga thellësia e
ndërdymes intuita i lyp poetit ribërjen e Maestros, me fizionominë, me pulsimet
fiziologjike dhe zgjatimin e prirjeve të tija të Magut të metaforës, të mendjes
vizionare për dilemat ekzistenciale, rebelimet kritike në mjedisin e shoqërisë
mëkatare; madje kundrimet e këndshme të jetës përmes finesave të holla tej
absurdit njerëzor.
Ramadan Mehmeti e
kuptoi qartas se poezia nuk është thjesht duf, as dolli çasti, as përshkrim
ndjenje në gufime rasti.
“Çdo gjëje i erdhi
fundi, po mbarimi askund”
Kjo është pozita e
çasteve ekzistenciale të njeriut, në universin e pamatshëm nga çfarëdo
matematike astronomike!
Autorin medoemos
jeta do ta nxjerr jashtë pikëllimesh, jashtë ecejakeve të rutinës. Pasojnë
brengat tjera. Brenga e Maestros bëhet brengë e trashëgimisë së poetit... Për
çfarë?
Pse “llogoret të
jenë letër e pashkruar?” Brenga e pengut poetik është njëri nga testamentet për
diskurset e papërmbushur të shkrim-mbetjes... Ky testament hyri mes dhimbjes
dhe gjakimit, për t`ia shtuar edhe më tej
etjen poetit... Një etje e tillë nuk shuhet me ujin e kontaminuar të
ambientit tonë të pandryshuar. Ishte një porosi fisnike, ndoshta me një
përfundim sakrifikues?
EPIQENDRA E PIKËLLIMIT
(Asgjë s`pipëtinte
në Fushë Korb), shpërfaqet konkretizimi i atmosferës për Poetin e modernes e të
hermetizmit në letërsinë tonë artistike. Toponimet e emër vendeve e rikthejnë
poetin në zanafillë. Bredhërija jetësore
e Shkrim-kërkimtarit vjen të pushojë aty ku u ngjiz me eshtra, muskuj e nerva, me ëndrra, në Livoçin
e prejardhjes; pastaj erdhi pakthyeshëm në Gjilanin e vendlindjes. E sollën
këtu të pushojë; ta pushojë kërkimin për “Bukurinë e zezë”, për “Mbledhësit e
purpurit”, për “Darkën e Magjisë”, për “Makthin”, për “Krupën”, “Orfeianën...”
Shkrehja e pikëllimit fiziologjik e autorit për Maestron është e drejtpërdrejtë, pa aluzione.
Për ta shfaqur
njësimin, në disa poezi të poemës, identifikimin me Krye-personazhin, autori e
shkrinë shqiptimin e vetave:
“Mallkuam e
ç`mallkuam atë kandil të zi”
(Anatema në kornizë të zezë), f. 52
Këtu, pa
ndërmjetësuar askush, duket se gradacioni i pikëllimit për kujtesën e Poetit
nuk ka mbarim:
“Si përqafohet
pikëllimi, pa marrë fund shtegtimi,
Edhe kjo ndarje më
djeg palcë-eshtrat një mijë herë”
( Me pranga në
trup të kurorëzojnë poet), f. 56
Epiqendra e
dhimbjes në gjithë gjatësinë, gjerësinë, thellësinë dhe lartësinë e poemës “Balsam
zemre”, dendësoi shtjellën tematike-ideore, emocionale, etike,
estetike, stilistike, rrumbullakuar me sfondin filozofik.
Me përbërës
shumë-llojesh reflektues e ndikues, poezia e motivimit të këtillë ngre
konceptime artistike, vizionin e
përtashëm e të ardhshëm të dashurisë ndaj njeriut, pa plagët e shekullit të
kaluar:
“Me plagën e
shekullit mbi shpinë shekull të ri po nisim,
M`the, loja e
katërt mund të jetë loja drejt
mrekullisë,
Ose nga një shëmti
do të jetë pena tepër më e mprehtë,
Nata hëngri vetën,
ka mbetur hije mollës në degë”
(Lulegjaku ruan
ngjyrën), f. 61
AKTI I PËRMBYLLJES
Nga shkolla e
sprovave artistike të Beqir Musliut, poeti dhe shkrimtari Ramadan Mehmeti nuk mund të dilte artistikisht i flashkët,
përveç si qëmtues i një stili përherë kërkues, hulumtues figurash e
përfytyrimesh poetike, ashtu si kishte pohuar një herë Jusuf Gërvalla, shkrimi
është i zorshëm, të çon deri në vdekje.
Gjilan, maj 2022