Kulturë
Kadri Tarelli: Vetëm forca e grave mund të bëjë pajtimin kombëtar!
E enjte, 19.05.2022, 06:40 PM
VETËM FORCA E GRAVE,
MUND TA BËJË PAJTIMIN KOMBËTAR!
Vilhelme
Vrana Haxhiraj dhe “Lidhja demokratike e gruas. Vlorë”
Nga
Kadri Tarelli
Para
pak kohësh, shkrimtarja, studiuesja dhe veprimtarja vlonjate Vilhelme
Vrana Haxhiraj, botoi dhe përuroi librin e saj më të ri: “Lidhja Demokratike E Gruas, Vlorë”. (6 Shkurt, 1992 – 6 Shkurt,
2022). Në kujtim dhe nderim të udhëtimit 30-vjeçar të kësaj organizate shoqërore
– politike, ku vetë autorja e librit ishte për shumë vite në krye të saj.
Me
njohjen që kam mbi jetën dhe veprën e znj. Vivra, të gjithë autorët që kanë
marrë penën të shkruajnë për këtë zonjë të nderuar, ku titujt, çmimet dhe
vlerësimet mbushin disa faqe libri, kurdoherë i drejtohen veprave të saj, që
numërohen rreth 60 tituj librash, ku përfshihen letërsi, studime historike,
monografi dhe filozofi. Rrallë herë, si kalimthi kujtojnë edhe publicistikën, që
për hir të së vërtetës mund të mbushen disa vëllime. Çuditërisht, këtu jam edhe
unë. asnjëherë nuk përmendin, se Vivra jonë, fisnike me rrënjë nga familjet e mëdha
të Kaninës, është edhe një veprimtare e jashtëzakonshme në lëvizjen
demokratikë, përfshirë këtu edhe drejtimin e lidhjes demokratike të gruas
vlonjate, që nisi që në ditët e para të shembjes së komunizmit dhe ndryshimit të
sistemit.
Sa
për librin, që në fillim më duhet të ve në dukje, se me përjashtim të studimit
historik të grave shqiptare, që në lashtësi bënë emër në kohën e vet, gjithçka
tjetër mban vulën e përjetimit, të mendimit e mundimit, të prekjes dhe
përpjekjes për t’u përballur me mentalitetin dhe pengesat e kohës, me të cilat
ato u ndeshën, si gjatë periudhës 45-vjeçare të sundimit komunist, ashtu edhe të
luftës për liri, demokraci dhe barazi gjinore të femrës në përgjithësi, në
veçanti të shtresës së vuajtur e të persekutuar. E gjitha e kompozuar në
ballinë, që me gjuhën lakonike të artit, flet aq shumë: “Një tyfë vjollcash në grusht mes dy duarve të lidhura”.
Nuk
është rastësi, që vetë autorja, që në faqet e para shkruan: “Këtë libër ua kushtoj
gjithë zonjave që flijuan jetën për lirinë e kombit dhe kërkuan të mbronin
dinjitetin e tyre të nëpërkëmbur në shekuj”.
Mjaftojnë këto pak fjalë,
për të na thënë, se libri nuk është vetëm për gratë vlonjate. Vetiu aty përfshihen
të gjitha gratë shqiptare, të cilat me punën, mençurinë, diturinë, durimin e varfërinë,
mundimin dhe qëndresën, luftuan krah për krah me burrat, lindën, rritën e
mbajtën gjallë familjen, jetën dhe kombin. Ndaj me shumë bindje, shprehet: “Kur flitet për një grua, aty e gjen veten
çdo grua shqiptare”. Duke shtuar me krenari dhe dhimbje: “Sa vlera ka
gruaja shqiptare, shihet me sytë e Margaret Jursenal, në tregimin “Qumështi i
vdekjes”, ku shkruan: “Do doja të kisha për
nënë, vashën shqiptare që u muros në Rozafë”.
Znj.
Vivra, siç e thërrasim shkurt, që në pjesën ë parë të librit, nderon të gjitha
gratë e racës shqiptare, që nga lashtësia deri në ditë tona. Ajo është vetë
grua dhe nënë, fisnike me kulturë e dije, idealiste në shpirt dhe bindje,
intelektuale e njohur në botën e letrave shqipe, si brenda dhe jashtë vendit, por
që ka provuar mbi shpinë, vuajtje, mundim, përçmim e kufizim, duke i ndaluar
ushtrimin të profesionit të nderuar të mësuesisë, si “Misionare e dijes dhe
edukimit”, siç i quaj unë të gjithë mësuesit që i shërbejnë kombit.
Lexuesi
në libër do të ndeshet me shumë emra grash të shquara, duke filluar që nga Tuta,
(Mbretëresha ilire), më pas gra që u bënë dhe mbetën legjendë, si Doruntina e Vranajve,
Rozafa e flijuar në muret e kështjellës së Shkodrës, gratë e Sopotit, gratë e
Pargës, suljotet në vallen e vdekjes, përjetësuar nga piktori Ari Shefer, në
pikturën “Gratë e Sulit”. Me shumë
nderim përmenden princeshat e Kaninës, Rugjina Balsha, Donika Arianit
Kastrioti, shën Angjelina. Autorja nuk mund të lerë në harresë edhe gratë
luftëtare, si Laskarina Bubulina, (Dhaskarina Piniçi), një nga gratë të racës shqiptare që i dhanë fitoren
revolucionit grek, kështu edhe legjendaret e luftës për atdhetari, Nora
Kelmendi, Tringa Smajli, Maro Konda, Shote Galica, Sado Koshena, Xhevë
Lavdovci, që mori gradën më të lartë “Gjeneral Major”, në luftën për çlirimin e Dardanisë, etj. Në këtë hulli
mendimi, autorja nuk kursehet të përmendë edhe 200 Amazonat shqiptare, si
simbol i femrës luftëtare, njëkohësisht edhe 6000 vajza të reja të përfshira në
luftën për çlirim kombëtar.
Autorja,
jo pa qëllim ndalet te gratë që shkëlqyen me të gjitha ngjyrat e ylberit, në
shkencë, dituri dhe atdhetari, si Elena Lukrecia Peshkopia, e para grua
shqiptare në botë, e cila mori doktoraturën në filozofi, në Universitetin
“Vassar” të New Jorkut. Elena Gjika, ose Dora D’Istria, që u quajt “Princesha e
Kulturës Europiane”. Motrat Qiriazi, Sevasti dhe Parashqevi, Nermin Vlora
Falaski, Sabiha Kasimati, Musine Kokalari, Laura Nexhat Mersini, (shkencëtare e
re), për t’u ndalur te Shenjtorja shqiptare Nënë Tereza, e pagëzuar nga publiku
i botës: “Nëna” e gjithë botës.
-
“Gra të tjera shqiptare që kanë lënë
gjurmë në histori ka shumë, unë përzgjodha këto zonja”, - thotë me nderim
autorja. E thënë më shqip, Vivra është autore e kërkesës, drejtuar Arkivit të Shtetit,
Tiranë, për të shfrytëzuar dosjet e periudhës 1912 – 1914, ku gjen edhe
materiali e çmuar: “Krijimi i i organizatës së parë të gruas shqiptare në Vlorë,
me emrin “Shpresa shqiptare”, më 14 maj
1914. Organizatë e krijuar me nismën e vlonjates Marigo Pozio, e cila më pas
shkruan: “Edhe ne femrat, lipset të
përparojmë, se nga përparimi i femrës vjen përparimi i kombit”.
Në
këtë listë të gjatë me emra të shquar të femrës shqiptare, lexuesi i vëmendshëm,
shumicën i ka hasur edhe në libra e shkrime të tjerë, disa të përfshira edhe në
librin “ELITAT E MOHUARA. KRENARI KOMBËTARE”, shkruar me aq dashuri e
përkushtim nga vetë Vivra. Merita e Vivras është se i ka përfshirë në një libër
dhe të kuvendojnë së bashku, si një
befasi e këndshme.
Natyrisht
nuk duhet të ndalem këtu, pasi vetiu shtyhem të theksoj disa veçori të
qenësishme të këtij libri të veçantë në llojin e tij, si pasuri në letrat
shqipe dhe lëvizjen shoqërore:
Si
fillim po them, se është i pari dhe i vetmi libër që i kushtohet tërësisht
grave, nënave dhe motrave shqiptare, veprimtarisë së tyre për emancipim dhe
barazi gjinore, duke u ngulur fuqishëm në ngjarjet pas rrëzimit të sistemit të
diktaturës. Jo më kot autorja na thotë: “Atë
kohë ishte trimëri të vrisje frikën, pasi frika e hijeve që përgjonin,
ekzistonte në shpirtrat e lënduara të nënave, grave, motrave vlonjate”.
Në
vazhdim të mendimit, pavarësish qëllimit të autores, vetë libri, në përmbajtje,
është një skaner i prerë hollë i periudhës së transformimit tejet të zgjatur 30-vjeçar,
me të gjitha dritë-hijet, fitoret dhe humbjet, arritjet dhe zhgënjimet, gëzimet
dhe trishtimet, lodhjet dhe mundimet, përplasjet dhe falënderimet, bërrylat dhe
përqafimet, ku nuk kursehet të na tregojë edhe gabimet që u bënë në hartimin dhe
zbatimin e “Reformave”, aq të domosdoshme në transformim të politikës, ekonomisë
dhe mbarë mendimit shoqëror të vendit dhe kohës. Mund të them pa frikë, se shumë
prej fjalimeve dhe shkrimeve tematike të librit, mund të shërbejnë si leksione
në katedrat e universiteteve. Madje copëza të tyre mund t’i hyjnë në punë
mësuesve të shkollave të mesme, për ilustrimin e historisë së Shqipërisë së kohëve
të fundit.
Lexuesi,
gjatë këndimit të librit, do të ndeshë një galeri emrash të grave vlonjate, që
u bënë pjesë aktive e atyre ngjarjeve të stuhishme, të trazuara e të ngarkuara
me plot ndjesi dhe të papritura, shpesh të gëzueshme, por disa herë edhe të
hidhura. Aq e thekshme është kjo ndjesi, sa autore Vranari ngre zërin e shqetësimit:
“Edhe sa kohë vallë, femra tek ne do të
jetë e paragjykuar dhe fati i saj i paracaktuar në vendin tim”. Kështu që, si do që të themi, libri përbën një
vlerë të shtuar, sepse çdo njëra veprimtare, është futur në “Arkën e kujtesës”,
për t’u përjetësuar në kujtesën e kombit, për t’i treguar fëmijëve, nipave dhe
mbesave, pse jo edhe gjeneratave, se këto gra ishin dikush, që u ngritën, u përpoqën
të jenë vetvetja dhe të luftojnë për vetveten dhe përparimin e kombit.
Libri
dhe vete Vivra, ka një shtysë mendimi të thelluar, sepse në analizën logjike, duke
u mbështetur në parime demokratike, diku shkruan: “Vartësia e organizatës nga partitë, ishte e gabuar dhe është e gabuar,
pasi ato punojnë dhe bëjnë elektorat që të udhëhiqen nga burrat”. Jam
plotësisht në një mendje me autoren, që e sheh lëvizjen me frikë, ndëshkim apo
mallkim, duke u nisur nga përvoja e të shkuarës komuniste, ku të gjitha organizatat
shoqërore ishin “leva” të Partisë në drejtim, të shtetit dhe politikës.
Megjithatë, duke bërë analizë historike, meqë Vivra është diplomuar për histori,
jam i bindur plotësisht, se edhe ajo mendon si unë, se në rrethanat e luftës për
“Çlirimit” të gruas shqiptare, për të arritur barazinë gjinore, nuk mund të
fitohet pa qenë pjesë e vendimmarrjes, ku zot është politika dhe pushteti. Besoj
se Vivra ka një arsye të fortë që ngre zërin dhe thotë: “Me që gratë nuk i doni në vende drejtuese, atëherë ju lutem edhe
kryetaren zgjidheni një burrë”. Këto fjalë flasin shumë, ndaj besoj se edhe
komenti është i panevojshëm….??
I
jap të drejtë lexuesit të mendojë edhe ndryshe, madje në mbështetje të autores,
që kërkon vetëm një “Lidhje të gruas”, jashtë partive politike, sepse edhe
problemet jetësore, familja, puna, rritja dhe edukimi i fëmijëve janë të njëjta
për të gjitha gratë, si demokrate apo socialiste. Madje shumica, më thyejnë në
qëndrimin tim, pasi janë nënat ato që ushqejnë dashurinë për atdheun. Janë nënat
ato që ushqejnë bashkimin, si ilaç për shërimin dhe forcimin e vendit dhe mbarë
kombit. Ato dhe vetëm ato e urrejnë grindjen dhe përçarjen, si sëmundjen vrastare
dhe vdekjeprurëse të shqiptarizmit. Mjaftojnë vetëm këto pak fjalë për t’u
bindur plotësisht: “Një shtet i
politizuar deri në qelizë, solli dhe sjell një kulturë të tillë të përçarjes
kombëtare”. Ç’ mund t’i shtojmë më shumë këtij përkufizimi logjik,
filozofik, praktik dhe politik?
Në
analizën e të gjithë përmbajtjes, që i përkushtohet në tërësi gruas shqiptare,
Vivrës nuk i mbetet tjetër veç të bërtasë me zë të lartë, se vetëm forca e
grave mund të bëjë pajtimin kombëtar. Kam bindjen se autorja është zhgënjyer
nga politikanët “burra”, që e nxisin dhe e ushqejnë mospajtimin mes shqiptarëve.
Pajtohem plotësisht me të, kur thotë: “Nuk
po di ç’po ndodh me ne shqiptarët, “Zoti na dhëntë mend ta duam vendin, njëri-tjetrin,
dhe t’i përvishemi punës”.
Mendoj
se ky libër duhet të shkojë në dorë të të gjitha grave dhe nënave shqiptare,
sidomos të atyre që janë përfshirë në politikë. Pa përjashtuar edhe burrat që
lakmojnë pasuri dhe zotërojnë pushtet.
Urime dhe suksese në
libra të tjerë, me po kaq peshë dhe vlerë në historinë, politikën dhe kulturën
shqiptare!
Kadri Tarelli
Maj. 2022.