E premte, 13.12.2024, 07:44 PM (GMT)

Kulturë

Albert Zholi: Vexhi Buharaja, eruditi i trajtuar si endacak

E marte, 17.05.2022, 06:22 PM


Përkthyesi i Hasan Tahsinit, Sami Frashërit dhe “Gjylystani dhe bostani” i harruar

Vexhi Buharaja, eruditi i trajtuar si endacak

(12 maj 1920 – 5 korrik 1987, 102-vjetori i lindjes)

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Emër i madh që trajtohet si endacak. Histori si në filma. Në muajin maj të vitit 1975, Vexhi Buharaja, ky intelektual atdhetar, dijetar, njohës i dhjetë gjuhëve: gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore, ky poet, shkrimtar, përkthyes, historian, studiues, hulumtues, u pushua nga puna, u dëbua nga Instituti i Historisë në Tiranë, si njeri i “padëshirueshëm”.

Jeta plot surpriza

Lindi më 12 Maj 1920, në lagjen “Murat Çelepi” në Berat. Rrjedh prej një familje intelektuale, me trashëgimi të pasur fetare, kulturore, atdhetare. Babai i tij, Ibrahim Efendi, ishte hoxhë, myderriz, atdhetar, si edhe gjyshi i tij, Ismail Efendi, që të dy, burra të përmendur për dituri, në Berat e nëpër Shqipëri. Mësimet fillestare i kreu në vendlindje, në Berat. Pas kësaj vazhdoi studimet në Medresenë e Përgjithshme në Tiranë, ku u diplomua në vitin 1940 si një nga studentët më të dalluar. Menjëherë pas diplomimit, në moshën 20 vjeçare, u punësua në redaksinë e revistës “Kultura Islame”, e përmuajshme fetare, diturore, artistike, letrare, organ i Komunitetit Mysliman Shqiptar në Tiranë. Në vitin 1944 u largua nga Tirana, për shkak të rrethanave të vështira të luftës dhe qëndroi në vendlindje, në Berat, tek familja e tij. Me ardhjen e komunistëve në pushtet, nëntor 1944, për pak kohë punoi në Berat si referent në Shtëpinë e Kulturës. Një ditë, në vitin 1946, komunistët e porsaardhur në pushtet, e burgosin, duke e akuzuar se bënte propagandë kundër qeverisë komuniste të Shqipërisë. Pasi doli nga burgu, edhe pse ishte në liri, si ish i burgosur politik, ende konsiderohej prej udhëheqësve të partisë si armik. U detyrua të bëjë punë të rënda fizike për të mbijetuar. Vexhi Buharaja, ky njeri i rrallë, të gjitha vështirësive ju bëri ballë. Ky njeri i madh, poet, përkthyes, shkrimtar, historian, orientalist, studiues, hulumtues, u pranua në punë si mësues. Në vitin 1965 e pranuan në Sektorin e Historisë së Mesjetës, pranë Institutit të Historisë në Tiranë. Vexhi Buharaja me punën e tij hulumtuese, kërkimore shkencore dha rezultate madhështore. Puna që bëri në Institutin e Historisë i zbuloi shumë fshehtësi Shqipërisë.

Arkiv me vete

Vexhi Buharaja me punën e tij këmbëngulëse, kërkimore, studiuese, hulumtuese, sistemuese, mblodhi, përktheu në shqip, transkriptoi rreth treqind mbishkrime turko-osmano-arabe, me vlerë të madhe. Duke u mbështetur në këtë material, ai ka shkruar studimin me titull: “Mbishkrimet turko-arabe në vendin tonë si dëshmi historike”, të cilën e ka lexuar si kumtesë në Konferencën e Dytë Shkencore të Studimeve Albanologjike, që i zhvilloi punimet në Tiranë, më 12-18 janar 1968. Ka përkthyer një varg përkthimesh të tjera që i përkasin periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, siç janë aktet dhe memorandumet e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, manifestin “Ujanallem” (“Të zgjohemi”) 1899, hartuar nga Dervish Hima, letërkëmbimin e tij me dr.Ibrahim Temon, i përbërë prej 64 letrash, që përfshihet në vëllimin e tretë (1900-1908) “Rilindja Kombëtare Shqiptare”. Vexhi Buharaja, përveç dokumenteve historike, ka përkthyer nga gjuha turke e gjuha perse edhe vepra të tjera shkencore dhe letrare. Ka përkthyer veprat shkencore të Hoxha Hasan Tahsinit, rektori i parë i Universitetit të Stambollit, dramën “Besa” të Sami Frashërit, “Shahnamenë” e poetit të madh të Persisë, Firdeusit, përmbledhjen poetike “Tahajjulat” (“Ëndërrimet” dhe “Katër stinët”) të poetit Naim Frashëri. Këto vepra të përkthyera nga Vexhi Buharaja, janë vlerësuar si perla në letërsinë artistike shqiptare. Ka përkthyer nga persishtja veprën “Gjylistani dhe Bostani” të poetit të madh persian, Saadi Shirazi (1203-1291), i krahasuar me Shekspirin, madje i mbiquajtur “Shekspiri i Lindjes”. Prof. Eqrem Çabej kur e lexoi “Gjylistanin”, vlerësoi jo vetëm tekstin e shqipëruar, por edhe studimin hyrës dhe fjalorin përkatës enciklopedik të përbërë prej 110 zërash që shoqërojnë veprën dhe tha: “Mjaftonte vetëm studimi hyrës, shënimet sqaruese dhe fjalori enciklopedik që Vexhi Buharaja të meritonte një gradë shkencore.” Përveç qindra përkthimeve të dokumenteve historike, përveç përkthimeve të kryeveprave letrare botërore, përveç përkthimeve të veprave shkencore, Vexhi Buharaja ka shkruar e botuar edhe punime, studime historike, filozofike, islamo-mistike si “Lufta e Qerbelasë, Haxhi, etj., të cilat janë botuar në revistën “Zani i Naltë”, “Kultura Islame”, “Njeriu” gjatë viteve 1938-1944 etj…. Në muajin maj të vitit 1975, Vexhi Buharaja, ky intelektual atdhetar, dijetar, njohës i dhjetë gjuhëve, gjuhëve kryesore Lindore e Perëndimore, ky poet, shkrimtar, përkthyes, historian, studiues, hulumtues, u pushua nga puna, u dëbua nga Instituti i Historisë në Tiranë, si njeri i “padëshirueshëm”. Diktatura komuniste, që në vitin 1946 e arrestoi, e burgosi, e persekutoi, e përbuzi, e nënçmoi, e dënoi, dhe në vitin 1975, pas një veprimtarie me rezultate madhështore, e dëboi edhe nga puna në Institutin e Historisë këtë shkencëtar të madh. Ndërroi jetë në vendlindje, në Berat, me 5 korrik 1987, në moshën 67- vjeçare, por pas tri vitesh ai sikur u ringjall në kulturën shqiptare.

22- vjeçar, fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”

Në konkursin letrar që u shpall me 1 janar 1942, kur ishte 22- vjeçar, ai fitoi çmimin e parë me poezinë “Përpara Tomorit”. Ja disa vargje nga poezia “Përpara Tomorit” e shkruar nga Vexhi Buharaja, fituese e çmimit të parë në konkursin letrar, që u organizua në Tiranë, në vitin 1942:

“Zog i shpirtit tundi krahët mbi Tomorin fluturo!

Shpuz’e mallit po valvitet, trete helmin, ligjëro!

Thuaja si ia thot’ bariu, kur dëgjon zën’ e gugashit.

Shko si shkon syr’ i gjahtarit nëpër udhën e larashit.

Qesh, si qesh një shtizë hënë përmbi faqen e dëborës.

Ndrit, si ndrin një fije ari, m’u në buzën e kurorës…”

Pas përmbysjes së diktaturës komuniste në Shqipëri, menjëherë, emri dhe vepra e Vexhi Buharasë u përtëri, hyri në histori… Për jetën dhe veprën e Vexhi Buharasë studiues e historianë organizuan Sesione Shkencore në Berat e Tiranë. Më 20 dhjetor 1993 iu dha titulli “Mësues i Popullit” (post mortum), kurse më 6 korrik 1994, Biblioteka e qytetit të Beratit mori emrin: Biblioteka “Vexhi Buharaja”.

Në vitin 1995, historiani Ahmet Kondo, ish punonjës shkencor në Institutin e Historisë në Tiranë, shkroi një monografi me titull: “VEXHI BUHARAJA, njeriu, poeti, dijetari 1920-1987, shtypur në shtypshkronjën “Shpresa”, Tiranë, 2005, ndërsa e botoi Shtëpia botuese “EUGEN” Berat, 1995.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora