Kulturë
Hamza Halabaku: Ti ishe gëzimi ynë i parë
E marte, 31.05.2022, 07:04 PM
TI ISHE GËZIMI YNË I PARË
Tregim nga Hamza Halabaku
Në
stinën e katërt, dy vite pas Luftës së Dytë Botërore, Drita ishte bërë nuse! Në
shtëpinë e burrit e kishin sjellë, me qerren e tërhequr nga kuajt. Qerrja ishte
e mbuluar në gjysmë hark me thupra lajthie jo edhe aq të holla dhe mbi to ishin
vendosur, nga e djathta në të majtë, dy qilima ngjyrë të kuqe! Qerren e kishin
tërhequr kuaj ngjyrë hiri, me jele të gjata e bishta ngjyrë gështenje që
zakonisht pronari ua ngjyroste pak para ditës së dasmës. Ishin kuajt më të mirë
e më të fortë të fshatit që përdoreshin për tërheqjen e qerres, që e sillte
nusen nga shtëpia ku ishte rritur, në shtëpinë që do të vazhdonte jetën, me
fatin e saj, deri në vdekje.
I
thoshin qerrja e kuqe, sepse mbulohej me qilima të kuq, të bërë me vek. Thuhej
se mbulimi i qerres me qilima të kuq bëhej që nusen të mos e shihte syri i keq.
Drita
kishte rrëfime të bukura dhe interesante... Ajo tregonte edhe për ditën kur
ishte bërë nuse. Për atë ditë Drita fliste me emocione.
-
Ditën e dasmës, kur u martova, bënte ftohtë, ishte kohë dimri. Kur më sollën në
shtëpinë e burrit, si sot e mbaj në mend. Atë nuk e kisha parë asnjëherë më
parë. As para, e as pas fejese, deri në ditën e dasmës. Edhe pse gati dy vite,
isha nënë unazë, për herë ë parë e pashë në pasditen e asaj dite kur shkela në
oborrin e tij që tani e tutje u bë edhe i imi...
Që
nga momenti kur qerrja e kuqe hyri në oborrin e asaj shtëpie, dëgjoja
bubullimën e dafave dhe këngët e vajzave. Kur vjehrri më zbriti nga qerrja e
mbuluar me qilimat e kuq, motra e burrit nuk ma lëshonte krahun nga çasti kur
zbrita nga qerrja. Kunata që më mbante për krahu e kishte gojën vesh më vesh
nga gëzimi se po e martonte vëllain. Nuk e di, vjehrri apo ajo ma hoqi vellon,
që nuk ishte vello e bardhë, por ishte një pëlhurë e kuqe, si ngjyra e flamurit
tonë.
Posa
ma hoqën vellon, e pashë fatin tim! Ai ishte ngritur në maje të grumbullit me
gurë që nuk ishte shumë larg meje. E dallova menjëherë! Kishte mbi kokë një
plis që shkëlqente nga bardhësia. Me gjasë e kishte vendosur pak çaste para se
të vija me qerren që e tërhiqnin kuajt pullali ngjyrë hiri. Edhe ata që e
shoqëronin, fatin tim, kishin plisa, por plisi i princit tim, flakëronte nga
bardhësia... Edhe rrobat e zhgunit ngjyrë të murrme që i kishte veshur,
ishin flakë të reja!
Rrëfim
i Dritës për ditën kur ishte bërë nuse ishte plot emocione, por ajo kujtonte
edhe shumëçka para asaj dite. Drita tregonte se kishte marrë vesh që i fejuari
i saj ishte gëzuar shumë kur ishin fejuar, ndërsa për gëzimin e vet nuk
preferonte të fliste. Për bukurinë e Dritës, atij i kishte folur halla e vet, e
cila ishte e martuar dhe jetonte në fshatin ku kishte lindur e ishte rritur
Drita. Përveç bukurisë që kishte, Drita ishte e fisme e punëtore.
-
Shtëpia ku erdha nuse, ishte shumë e madhe, sidomos kur e krahasoja me shtëpinë
ku isha rritur. Ishte e madhe si ndërtesë. I kishte pesë dhoma në katin e parë
e një divanhane shumë të gjerë në mes të dhomave. Aty kishte vend sa të
duash... Kurse kati përdhes ishte i ndarë me mur në dy pjesë të barabarta. Në
anën e lindjes kishte një ahur të madh ndërsa në anën e perëndimit e kishte
zjarrmishtën, ku gatuheshin të gjitha ushqimet për të gjithë atë familje me
shumë anëtarë. Aty kishte vend gati për të gjithë ... Po, kishte shumë anëtarë të
familjes. Kur erdha nuse e gjeta vjehrrin me të shoqen, pastaj tre kunetërit,
vëllezërit e burrit, që të tretë të martuar dhe fëmijët e tyre... Të
gjithë së bashku ishim më shumë se njëzetë anëtarë të familjes. Mëngjesin,
meshkujt e hanin kush si arrinte, sepse duhej herët të ikte secili në punën e
vet. Menjëherë pas darke, i zoti i shtëpisë – vjehrri im, secilit mashkull që
ishte në moshën madhore, ua caktonte detyrat për ditën e nesërme.
Sapo
meshkujt iknin në punët e tyre ne gratë e shtëpisë bashkë me vjehrrën tonë e
shtronin sofrën dhe uleshim e hanim mëngjesin.Unë, me kunatën e madhe për drekë
ose darkë i shtronim tri sofra, e kur vinin bijat edhe katra, që mbusheshin
plotë.
Oborri
i shtëpisë, kishte një sipërfaqe të gjerë. Ishte i mbushur me shumë mullar sane
e talle për bagëtinë që e kishim, po ishte i thatë. Në tërë atë sipërfaqe shumë
rrallë dukej ndonjë trup peme. Kishte ndonjë shkurre murrizi ose ndonjë therë
kaçeje ose trëndafili të egër, që më shumë shërbenin si gardh për tu mbrojtur
nga shpezët e fqinjëve.
Thoshin,
se aty, pemët nuk i bënë toka! Më duket se edhe hëna i thante ato që ishin të
mbjella në oborrin tonë. Ujë nuk kishim mjaftueshëm! Puset, që i kishim dy, si
për inat, në fillim të verës gati shteronin. Edhe kur ishin të mbushura puset,
uji nuk ishte i pijshëm! Për të pirë ujë, burrat e sillnin ujin nga Tresava.
Ishte një pus i thellë e i gjerë diku në jug të fshatit ku i tërë fshati
furnizohej me ujë të pijshëm.
Pusi
i poshtëm si e quanim, gati as në dimër nuk kishte ujë! Kunatat e mia ishin
mësuar me këtë gjendje... Unë që isha mësuar në oborrin e babës tim, më vinte
shumë rëndë. Isha mësuar në oborrin e babës që ujë kishim nga çdo anë...
Pjesa
e lumit Nerodime që shkonte në drejtim të detit Egje kalonte nëpër oborrin
tonë, e diku aty afër nesh bëhej bashkë me Lepiencin. Ujë për të pirë e edhe
për të ujitë e për të larë, kishim me bollëk. Ujin e pijes, nga pusi e nxirrnim
me tas ... Pusi, nga i cili merrnim ujë për pije, ishte i mbushur plot. Ishte
ujë i kthjelltë si loti dhe kishte një freski të durueshme! E kam fjalën për
pusin te babai im, e përsëriste ajo. Ishte plotë ujë të pijshëm. Uji ishte i
lehtë për pije dhe shumë mirë i ziente gjellët e për mrekulli i lante rrobat.
Pi sa të duash, nuk të bënte dëm fare, thoshte xhaxhai im.
Pemë
kishte nga do që silleshe! Nga koha që nisnin të skuqeshin qershitë e deri kur
piqeshin arrat kishte pemë të të gjitha llojeve në oborrin e babës tim!
Dhjetë
vite pas martesës sime, edhe në fshatin ku tani jetoja, me një aksion
vullnetar, e sollën ujësjellësin e fshatit ku ditë e natë rridhnin dymbëdhjetë
kroje po, mua më iku rinia me mungesë të ujit...
Sa
herë, Drita fliste për bashkëshortin e saj, kurrë nuk ia thoshte emrin!
Fati im, thoshte përherë. Shpeshherë fliste me emocione!
-
E pse nuk po ia thua emrin, moj Dritë e mirë? - e pyeta njëherë.
-
Kështu jam mësuar nga fillimi! Jo pse nuk e kam dashtë! Rrallë herë jemi zënë
mes veti. Nuk di, kështu jam mësuar! E kam dashur si diellin! Më shumë e
kemi dashtë njëri tjetrin se jemi zënë!
Një
rast i biri i Dritës, që tani ishte i moshës madhore, e kishte pyetur të ëmën
se a ka ndodhur që ndonjëherë që ata të ziheshin apo të grindeshin.
-
Edhe kur ziheshim apo grindeshim ndonjëherë, or i miri im, ti ishe shkaktari i
asaj grindjeje. Ishe fëmijë i lazdruar. Gjyshi të donte e të përkëdhelte shumë,
pastaj ti në mbrojtjen e gjyshit lazdroheshe... Ke qenë i përkëdheluri i
gjyshit. Dy kunetërit e mëdhenj, dy vjet pas lindjes sate, dolën në
shtëpitë e tyre, e gjyshi mërzitej se iu përgjysmua shtëpia!
Ti
ishe gëzimi i tij i madh...
Ti
ishe gëzimi ynë i parë...
Drita
sikur kishte një peng pse asnjëherë i fejuari nuk i shkroi ndonjë letër edhe
pse, siç thotë ajo, dy vjet ndenji nën unazë. Nuk i shkroi letra as pasi u
martuan e jo rrallë i ndodhte që ai të ishte me punë larg nga shtëpia. Më kot
kishte pritur Drita që ai t’i shkruajë kur kishte qenë në aksionet vullnetare
të rinisë për rindërtimin e vendit, pasi okupatorët ishin tërhequr, por edhe
kur për kohë më të gjatë ishte me punë në Shkup.
-
I fejuari im, asnjëherë para martese, nuk më ka shkruar letër. Edhe pasi u
martuam, ndodhte që shpesh largohej nga shtëpia, e letra kurrë nuk më ka
shkruar! - E po si të më shkruante, e arsyetonte Drita bashkëshortin e vet. Atë
botë, kur ai kishte mbaruar dy klasë si nxënës i dhaskalit, kishte mësuar të
shkruaj në alfabetin cirilik, kurse unë kisha mësuar elifin. Të dy alfabetet
ishin të gjuhëve që nuk kishin asnjë lidhje me gjuhën tonë! As unë se kuptoja
shkrimin që dinte ta shkruaj ai, e as ai nuk e kuptonte shkrimin që kisha
filluar ta mësoja unë!
Burri
i Dritës shkonte, në kryeqytetin e republikës fqinje, në jug të fshatit tonë
për të zënë punë. Qyteti ku shkonte ai nuk ishte shumë larg. Largohej nga
shtëpia, gjithnjë për ta shtuar pasurinë. Kur mbaronin punët e verës dhe i
mbushte koshat me misër kokërr bardhë e hambarët, i kishin dy, plot grurë
kokërr ar, ai ikte shpesh herë, në fillim vjeshte. Bashkë me shokët e vet, për
dy ditë, e kalonin këmbë Kopilaqen dhe ishin në Shkup, në qytetin që për gjysmë
e ndante lumi Vardar.
Ai
kishte qenë edhe një veprimtar i dalluar i rinisë dhe kishte marrë pjesë në
aksionet vullnetare të rinisë që organizoheshin për rindërtimin e vendit pas
përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu ai kishte disa njohuri se si
do të organizohej e çka do të sillte pushteti i ri që ishte vendosur pak para
martesës së tij. Me një rast ai më pat folur diçka për sistemin e ri shtetëror
që po vendosej. Unë tanimë isha i moshës madhore dhe një pasdarke ai më foli
për socializmin. Ai pat thënë se në njërin nga aksionet vullnetare e kishte
pyetur komisarin e aksionit të rinisë se çka do të thotë fjala socializëm, pasi
këtë fjalë komisari e pat përmendur disa herë gjatë fjalimit të tij në ditën e
parë apo të dytë të aksionit. Edhe pse atë pasdarke ishim duke biseduar sy me
sy vetëm ai dhe unë, fliste me zë të ulët dhe mua më dukej sikur kishte një
dozë droje se po i shpëtonte ndonjë fjalë e keqe për sistemin!
Komisari,
duke folur për socializmin, si rend i ri shoqëror që do të ndërtohej, para
aksionistëve ishte munduar që me një shembull edhe ta demonstroj praktikisht se
si do të dukej socializmi. Ai kishte kërkuar nga të gjithë aksionistët që të
hollat që i kishin nëpër xhepa t’i vendosin në një kuti që ai e mbante në dorën
e tij të majtë! Pastaj, të hollat e tubuara i kishte numëruar një për një.
Shumën e të hollave të tubuara e kishte pjesëtuar për numrin e brigadierëve, e
në pjesë të barabarta ua kishte ndarë atyre që po qëndronin në rresht!
-
Në fillim secili do të punojë sipas aftësisë, e secilit do t’i jepet, sipas
punës! Më vonë secili do të punojë sipas mundësisë e do të marrë sipas nevojës!
Kështu do të jetë jeta në sistemin tonë të ri socialist, - kishte folur
udhëheqësi politik i aksionit vullnetar të rinisë. Në sistemin socialist do
të jemi të gjithë të barabartë, - kishte shtuar ai. Kështu do të duket
rendi i ri shoqëror që kemi filluar ta ndërtojmë, - kishte nënvizuar
udhëheqësi politik i aksionit vullnetar të rinisë!
Por
si ishin ndier aksionistët pas demonstrimit praktik të shembullit të
komisarit?! Ata që kishin hedhur pak para në kuti dhe ata që nuk kishin
hedhur fare para, ishin ndarë të kënaqur, ndërsa të tjerët që kishin qenë më
dorëlirë dhe më të çiltër gjatë hedhjes së parave në kuti ishin penduar!
Shumica
e shokëve të aksionit edhe vetë burri i Dritës e kishin kuptuar, pas pak muajsh
se ajo që kishte thënë udhëheqësi politik i aksionit vullnetar të rinisë, nuk
kishte qenë e vërtetë. Një numër i caktuar i brigadierëve të aksionit nuk
kishin qenë vullnetarë bash me dëshirë! Edhe për sistemin e ri të pushtetit,
nënë këmbën e të huajit, nuk ishin as të gëzuar e as të lumtur. Gati, që në
fillim të ndërtimit të atij sistemi i kishin kuptuar hilet...
Nuk
ishte se ndihej mungesë e njerëzve të dijshëm, por forcën e kishte dikush
tjetër...