Kulturë » Zhiti
Visar Zhiti: Lule të pranverës së vonë
E diele, 08.05.2022, 03:47 PM
LULE TË PRANVERËS SË
VONË
Nga
Visar Zhiti
Manjola
në rrugën tonë, e askujt dhe e të gjithëve, ka lulëzuar bukur. Na befasoi atë
mëngjes kur degët deri sipër i kishte mbushur plot me lule, i fotografonim,
ashtu të qiellta si me pllanga dielli dhe ia çonim me mesazhe atyre që donim si
kartolina urimi.
Dhe
erdhi shumë shpejt një ditë tjetër kur vendi përreth trungut të pemës të
mbushej plot me lule të rëna poshtê. Dukej sikur mbi bar të kishte bizhu me
vezullime diamantesh…
I
fotografoja prapë me një si trishtim të përndritur dhe pyesja veten: pse ranë
kaq shpejt kêto lule? I rrëzoi era? Ishin më të dobëtat apo aq donin të rrinin
lart? Mos i mërzitën shpejt mendjelehtësitë e shoqeve-lule pranë, narcizizmat e
tyre apo aq lumturi donin, por jo, jo, lulet s’kanë meskinitete si tonat, se
ato dhe duke rënë poshtë në tokë mbase deshën me shpirt të zbukuronin atë copëz
vend që mezi bleroi, i mardhur nga dimri, që nuk i iket, megjithëse e mbylli
sezonin e vet. Sakrifica edhe lulet i bën po aq të lumtura. Duke u dergjur
magjishëm poshtë, donin të dhuronin me petalet e tyre copëza qielli, të ngjyer
me diell për rrugëzën tonë.
Nëse
do të kishte një konkurs ashtu siç ka për poezitë, unë do të vlerësoja me çmim
më të lartë lulet q? janë poshtë, që ranë për ne, që hapat tanë, sa më larg
baltës, të kishin pranë lule, qoftë dhe për pak se asgjë nuk shpërblehet deri
në fund, as e mira dhe as e keqja. Era që do të fryjë, kurrë s’do të bëjë q?
lulet e rëna të ngjiten në degët e tyre, madje do të bien të tjera e të tjera
lule prej andej, por ama ato së bashku vezulluan edhe lart përmes fërgëllimeve,
por dhe poshtë, ku ishte e vështirë.