Mendime » Çeliku
Kalosh Çeliku: Një vit frikë
E merkure, 30.03.2022, 07:25 PM
NJË VIT FRIKË
(Monodramë,
përkushtuar poetit Qerim Arifi me të cilin një vit e ndamë dhomën, në
Prishtinë)
NGA
KALOSH ÇELIKU
Qerim Arifi u
lind në Preshevë, më 22 shkurt 1946. Shkollimin fillor e kreu në Preshevë,
kurse shkollën Normale dhe Fakultetin Filozofik (Dega e gjuhës angleze),
në Universitetin e Prishtinës.
Ka punuar në arsim, por pjesën më të madhe të punës së
vet e ka bërë si gazetar në revistën “Zëri i rinisë” në Prishtinë. Me poezi ka filluar të
merret që nga rinia e hershme. Është marrë edhe me përkthime. Punimet e tij
janë përkthyer edhe në gjuhë të huaja. Është i përfaqësuar në shumë antologji
dhe libra me biografi të shkrimtarëve.
Vdiq në Strugë dhe u varros në Prishtinë në vitin 1990.
Tituj të veprave:
“Kujtime” - 1970
“Nokturno” - 1983
“Mbyllur në urnë” - 1987
“Fatamorganë” - 1984
“Rekuiem për kalanë”- Preshevë, 1988
Përkthime
“Katër kuartetet” e Eliotit
Ngjarja zhvillohet në
një dhomë me libra, në Prishtinë.
Skena
Dhomë me libra. Dy
shtretër hekuri, një tavolinë, një makinë shkrimi, një gramafon dhe disa disqe
të muzikës së vendit dhe asaj botërore. Një shtamë me verë të kuqe dhe dy gota.
Në mure dy-tri piktura dhe një fotografi. Në një qosh edhe një dollap me tesha.
Shkrimtari hyn në dhomë me çantën krahut. E ndez dritën dhe e hedh çantën mbi
tavolinë. Nëpër duar i kalon disa disçe long-plej gramafoni, derisa e gjen atë
të Rolling Stones: ”Enxhi”. E lëshon diskun. Sytë i fërkon me dorë… Kokës i bie
me grushta… E heq setrën e lëkurës dhe e varë në varëse, pas dere. Papritmas i
bien në sy dy gota qelqi në dy xhepat e setres së teksasit të mikut të tij të
ndjerë poet. Shpejt e shpejt e mbyll derën e dollapit. Ashtu i thelluar në
mendime ulet në tavolinën e punës. E merr shtamën me verë të kuqe dhe e mbush
gotën. Pi. E ndez llambën e tavolinës dhe fillon të shkruajë me makinë. Në derë
dëgjohet një trokitje. Heshtje. Përsëri një trokitje. Ngadalë, çohet dhe e hap
derën. papritmas hyn një hije e cila ulet në shtrat. Reflektori ngadalë e
ndriçon fytyrën e hijes - xhenaze).
Njëzet
vjet kaluan për t’u kthyer përsëri në këtë dhomë të errët. Në mesin tuaj plot mëkate…
Mjerim… Bërllok… Asgjë s’paskëshit bërë për kaq vjet. Asgjë. Vetëm se,
paskëshit rënë në gjumë edhe më të thellë. E keni bërë “Shypni” me çifteli. E
keni shaluar “Kalin e Trojës” nëpër “Bit-Pazar”. Populli i vetëm jemi që i
këndojmë besës… Trimërisë… E vrasim armikun nëpër këngë… E këndej shumë pak
kemi besë… Nuk jemi trima… Katër vjet me radhë kemi qenë masha shqiptare…
Kukulla që u janë tërhequr penjtë… Kalorës të arratisur me koka të huaja në
qafë.. Tradhtarë… Puthadorë… Kuislingë… Spiunë… E kemi hëngër njëri-tjetrin. (E merr shtamën, dhe e mbush një gotë me verë
të kuqe.) Gëzuar! (E ngre gotën.)
Vallë, si do të hyni në varr me gjithë mëkate në shpinë! Kush do t’ju gjykojë
në natën e parë të varrit?… Kush do t’ju lidhë si qen para dere?… E dini se
deri në fyt jeni me mëkate… E dini, me gjithë këtë barrë në shpinë nuk do t’u
mbajë as Ura e Xhehenemit, që është sa një qime floku… E dini se do t’ju
lëshojë mu në mesin e zjarrit të Xhehenemit… Atëherë, vallë, pse nuk i luteni
Allahut për mëkate?! Apo, mendoni se të njëjtën detyrë do ta ushtroni edhe në
botën tjetër me lule. O Imzot, si na morët në qafë! E keni shaluar “Kalin e
Trojës” me të katra nëpër “Bit-Pazar”… E keni mbushur barkun e tij plot me
“patriotë”… I keni hipur në shpinë me shpatën e Skënderbeut... A, ju kujtohet
edhe kënga e atyre viteve: “Gjithë
shqiptarët janë Mic Sokola”? A ju kujtohet, edhe: kur, mua një ditë ajo
këngë mi ngatrroi trutë në kokë? Shpërtheva. Edhe kryeredaktori im, nëse është
Mic Sokol, atëherë unë nuk jam shqiptar… Ju nuk mund të përmbaheshit, u shkulët
gazi. Ndonjëri edhe më mori inat. Thatë: e paskan lënë të shkretin… Në mes të
ditës fol jerm… Vetmevete… E ne vuajmë për Atdheun… Ne, që ia kemi shtruar me
pije e meze deri në agim… Ne, që me këngë, valle e dyluftime nëpër të katër anët
e botës i dalim zot Atdheut. Ne, që presim të na çlirojnë të tjerët… Dhe, të
vdekurit… Skënderbeu… Bajram Curri… Isë Boletini… Shotë Galica… Kalosh Zajazi…
Sulltanë Qafa… Po. Po, zotëri. Kohërat ndryshuan pas disa viteve. E pamë se të
gjithë nuk ishim Mic Sokola… E pamë se të gjithë nuk ishim në gjendje të
flijohemi për Atdheun… Ikëm kah sytë- këmbët. Vite me radhë ia lëshuam armikut
këto troje. E nesër, me siguri, edhe ne do t’ju lëvdohemi fëmijëve. Natën vonë do
t?iu tregojmë përralla për t’i vënë në gjumë…
Atdheut se si i kemi dalë zot, si jemi rrokur fytas me topin… Këngëtarët
popullorë, se si do të na këndojnë me çifteli… E ne të përgjakur nëpër botë me
nga dy kobure në brez, do të kthehemi t’i rrafshojmë kufijtë… Muret e Berlinit,
që i ndërtuam me dorën tonë nëpër foltore…
O
Imzot, çka do të bëjmë nesër me gjithë këta “patriotë”, kur do t’i kthehen në
gji Atdheut?!… Vuajtjet e tyre me tryezat plot nëpër kafene… Çajtore… Hotele… E
ju, e kaluat edhe një natë. Ndërsa mua,që të nesërmen edhe më me hov m’u shtua
ndjekja… Përgjimet… Presionet në punë… Rrugë… Familje… Linçet intelektuale…
Fizike… Bisedat informative në polici… Gjysmëanalfabetët të gjithë u avancuan
për merita… “Flijime artistike”… Morën banesa… Para… Botuan libra… Udhëtuan
nëpër botë… E unë, ende vazhdoja luftën kundër kalorësve të arratisur dhe
kulturofagëve në një dhomë të errët në periferi të Qytetit. Përnatë e haja nga
pak veten, nga këmbët te koka. Përnatë zgjohesha jerm… Çmendesha… Kacafytesha
me librat… Personazhet e Qytetit tim nëpër kabinete… Kolltukë… Redaksi… Përnatë
m’i lidhnin duart… Këmbët… Përnatë ma varnin zgjedhën në qafë… Zgjedhën, që ju
akoma më detyroni ta mbaj në qafë… Zgjedhën, që unë po u çmenda edhe një herë,
do ta bëj copë-copë. Dhe, ashtu i çmendur do të dal nëpër Qytet, te Kodra e
varreve: o vraponi të vdekur se më mbytën të gjallët!… E kuptove tashti, pse u
ktheva kaq vonë pasmesnate. Malli më mori, o mik. Malli. Erdha ta shoh edhe
dhomën tënde me libra. Muret e saj plot rafte. Fotografinë tënde me mjekër.
Erdha t?i kujtoj vitet e studimeve në Prishtinë,
kur erdhe e më trokite në derë. Vitet, kur më the, se të kishin hedhur në rrugë
si qen: pa para, pa banesë. Në një rrugë të atij Qyteti plot baltë të kuqe, kishin
vënë edhe pritë. Sipas zakonit të “trimave” të kishin porositur edhe një kafe.
E di ti, më the: ne, jemi trima me vëllanë… Njëri-tjetrin… Po të huajit i bëjmë
nder, e mbajmë në shpinë… Nëntë plumba, më the, deshën të m’i numëronin në
ballë… E si i ri, pa krah, larg familjes, m’u dhimbe, ta hapa derën. Vetëm më
vonë, pas disa ditëve, nuk e di pse më hyri frika. Natën vonë rrotullohesha
lëmsh nëpër shtrat. Pas mesnate shihja ëndrra të tmerrshme. Bollën me flokë…
Nusen me dy shami… Zgjohesha jerm… E hapja dritaren, çirresha nëpër natë… E
shaja errësirën… Zogun e keq, që na këndonte mbi çati… Vallë, bashkë me ty
erdhën edhe hijet… Xhindet, që gjithë natën e gjatë më shqepnin qytek. Më
hidhnin dorë më dorë majë çative… Nën rrezet e hënës bënin dasmë… E merrnin
Nusen me dy shami… Atë nusen, që mua natë për natë më dërrmonte qytek… Më
hidhte majë plepave dorë më dorë… Më detyronte të bëj dashuri në sy të
krushqve, në koçi… E unë ikja, ikja sa mundja nëpër natë… Rrëzohesha…
Ngritesha… Turresha me të katra duke bërtitur sa kisha në kokë. Nuk dua të hyj
dhëndërr… Nuk e dua Nusen me dy shami… E dua qiellin… E dua hënën… Yjet, që mbi
kokë më bëjnë dritë… Arushën e Madhe… Pulën me zogj… Kashtën e Kumtrit… Hi-hihiii…
Net pa gjumë… Terr… Ndjekje… Përgjime… Dënime… Varfëri… Djersë.. Ikje…
Provokime… Çmenduri… Vonë, vonë më merrte gjumi me këto marrëzira.
Të
nesërmen zgjohesha me frikë. Gjithë natën e gjatë nga djersët, qull e kisha
bërë shtratin. Gjithë natën e gjatë më kishin rrahur xhindet. Gjithë natën e
gjatë më kishin shëtitur mbi çatitë e pallateve. Një natë më hodhën dorë me
dorë edhe majë plepave, afër Televizionit. E di, nuk do të më besoni, kur do t?ju them se më kanë ulur edhe në sofrën e tyre mbi çatinë e
Radio Prishtinës, afër Filozofikut. E kishin Natën e madhe… Brez për brezi
kërcenin çati më çati. Vetëm kurrë, nuk do të harroj natën kur deshën të më
hedhin nga kati i tetë i Pallatit të Shtypit “Rilindja”. Atë natë e kishin
thirrur edhe Nusen me dy shami. E hiqte vallen me shami të kuqe. Dy xhinde u
binin dajreve. Xhindi plak i përdridhte bythët e nxirrte allti. E xhindet plaka
na hidhnin sheqera të larmë mbi kokë. E martonin me mua Nusen me dy shami. Në
sytë e tyre më detyronin të bënim dashuri. Më kot mundohesha të iki, kërkoja
ndihmë. Më merrej goja. Këmbët më ngatërroheshin dhe rrëzohesha në tokë.
Tatëpjetë shkallëve. Gojën dikush ma mbyllte me dorë. Më kot përpiqesha t’u
shpëtoja duarve të tyre që më kishin kapur si darë. Grushtave, që më shtrydhnin
pa mëshirë natë e ditë. I vogël isha unë të bëj dashuri edhe me Nusen me dy shami.
I vogël. Nuk mundesha ta tradhtoj dashurinë time V.K. kur më mbyllën në urnë.
Shëtitjet me të buzë Liqenit Ohërit. Puthjet e zjarrta nën rrezet e hënës mbi
Poradec. Bisedat e gjata në breg. Lasgushin, që e kishte ndjekur qiellit një
bukuroshe me aeroplan. Poezinë. Vargjet që i shkrujta gjithë natën në spital: “Unë… nuk jam i mbyllur në urnë,/ unë gjendem
në fytin e saj,/ as nuk mund të hyj - as nuk mund të dal.” Frikë e kam
prehrin e Nuses me dy shami… Frikë… Kraharorin e saj të ndezur… Flokët e gjata…
Vithet e hasdisura, që më tmerronin në errësirë…Gjithë natën e gjatë më rrihte
Nusja me dy shami. Gjithë natën e gjatë më detyronte të bëj dashuri, me të në
shtrat. M’i këpuste pullat e këmishës, m’i hudhte nëpër dhomë. M’i shpërthente
pantallonat dhe m’i flukte në fund të shtratit… Brekët… Ma merrte gjuhën në
gojë, fundin e barkut… E unë gjithë natën e gjatë lahesha në djersë. E kisha
frikë. Frikë kisha se do të vdes në gjumë. Xhindet e saj pasi do të ma lanin
xhenazen, do të më ngarkonin në një qerre me dy rrota. Varrin do të ma bënin
mes kontinierëve të bërllokut, mbi kodër. Atje, ku kërkojnë ushqim qentë e
macet endacake. Mes atij bërlloku, kur do t’i fusnin kokat e do të nxirrnin
ndonjë asht timin, do të iknin nga sytë këmbët. O na bëni udhë të ikim për në
Qytet! Eshtrat e këtij të marri na turren përmbrapa këmbëve. Sa munden na
mëshojnë në kokë. Ikni mbyllni portat! Dritaret. Rrezik është eshtrat e këtij
të çmenduri të të hyjnë në oborr… Shtëpi… Dhomë… Shtrat…
Vetëm,
të nesërmen kur zgjohesha e shihja se ende marr frymë. Ende jam gjallë. Po
këtu, sa përfundonte një vuajtje, niste një tjetër edhe më e mundimshme. Tinëz
m’i ndërsenin qentë në rrugë. E ju e dini sa të rrezikshëm janë qentë, kur të
turren pas shpine vetëm për një asht. Më kot mundohesh t’u ikësh, t’u hedhësh
një copë buke… Mishi… Ashti që e kanë lëpirë e ka bërë të veten… I ka tërbuar…
Nuk ke rrugë tjetër përveçse të ikësh, të mbyllesh në dhomën tënde me libra.
Veten t’ua dorëzosh personazheve të librave… Territ që të mban në grusht… Ja,
ku e keni. Merreni. Bëni çka të doni me të majë plepave… Lisave… Çative…
Vështirë e pata ta ruaj deri më tani nga qentë. Edhe më vështirë e kam ta
nxjerr në rrugë, mes kalorësve të arratisur mos fshihet ndonjë “patriot?. E hedh gurin dhe e fsheh dorën. Tinëz pas çdo porte m’i
ndërsen qentë me gisht. E ata si besnikë të zotërive të tyre që janë, nuk kanë
mëshirë, të shqyejnë copë-copë. Nuk kërkojnë shumë, vetëm një asht dhe ata e kryejnë
punën. Vetëm kot strukesh mes këtyre grushtave. Edhe këtu të mundon errësira
matanë dritareve. Lehja e qenve nëpër natë… Kënga e Zogut të keq… Dhe çudi, mu
atëherë, kur ngrihesh më këmbë, do të rrëfesh grushta, hapet dera hyn Nusja me
dy shami. Në dorë e ka një shami të kuqe. E mbi kokë një kurorë me lule. Në të
dy anët e brezit ka lidhur edhe nga një shami. E ti e di historinë e shamive…
Shenjat që ua dërgojmë ne të vdekurit, juve të gjallëve. Rrugën tonë që e nisëm
ta vazhdoni nëpër shkretëtirë. Vdekja të mos u gjejë në shtrat. Përndryshe, e
pat puna juaj mes këtij bërlloku. Njeri të gjallë nuk do të ketë t’ju shpjerë
te varrezat, t’jua këndojë tallkinin. E sa për ne të vdekurit, nuk na bëhet
vonë, i kemi shtëpitë. Fare nuk e çajmë kokën për ju që ende nuk u del gjumi.
Dyluftimet e juaja nëpër foltore, që nuk na lënë rehat edhe në varre. E dini
pse them kështu? Jo, ë? Ju na i shitët edhe varret. Nderin që i dolëm zot nëpër
shekuj. Po. Ju na e shitët edhe gjakun… Gratë… Fëmijët… Turp! Ende keni sy e
faqe të vini te ne, në mesin e varrezave. Kokën ta mbuloni me dhé. Dy gurë,
njërin te këmbët, tjetrin te koka… Po, kush do të jetë ai që do t’jua hapë
derën?! Kokëulur t’ua shtrijë dorën. Bukën t’jua shtrojë në sofër… Askush. E
dini pse? Se do t’u dënoj Allahu. Natë e ditë do t?ju djegë me zjarr të Xhehenemit. O shërbëtorët e mi besnikë,
pse nuk e dëgjuat Muhamedin a.s. kur e tha në Kuran: se pa Vatan nuk ka imam!
Pse e shitët Vatanin?! E ndatë me kufij copë-copë. Ja përse do të digjeni në
Xhehenem. Veten do ta lidhni pas dere, si qen. E kuptuat tani se u ka mashtruar
Nusja me dy shami. Tinëz pse ua ka falur nga një buzëqeshje. Dorën, pse ua ka
zgjatur që t’ju shpjerë në mes të luleve. Vetëm ju i dini goditjet e saj në
shtrat. Dashurinë që keni pasur me të deri në kupë të qiellit… Dhembjet…
Piskamën… Fitoret… Mundohesh t’u ikësh përqafimeve të saj plot epshe…
Përkdheljeve… Rrokullisjeve nëpër shtrat… Frymëmarrjeve… Vetëm tash është vonë.
Vonë. Nusja me dy shami u ka në grusht. Në brezin e saj me rreze, fshihet
vdekja. E merr veten, i përvesh duart. Me një të rënë do ta qesësh në tokë.
Njëherë e përgjithmonë do t’u shpëtosh grushtave të saj, që të shtrydhin natë e
ditë si djathin. Po kot. Vdekja gjithmonë të troket në dritare. E dëgjon? (Ngrihet nga shtrati dhe e afron veshin te
xhami.) Kosën e ka në dorë. Kokën e zgjat, lutet t’ia hapim derën, dritaren.
Ankohet se ka të ftohtë. E ka humbur rrugën… Shtëpinë… E ti që je strukur në
mesin e librave, mundohesh ta ngrohësh pak shpirtin. E merr me të mirë… I thua:
prit edhe pak sa të dalë drita!…
Drita
del përsëri të nesërmen. Dielli lind mbi majat e Çelevjollcës. E diku larg
dëgjohet një këngë. Edhe një krismë. Edhe një këngë. Vonë, shumë vonë e merr
veten dhe e hudh edhe njëherë në mesin e librave. Mes atyre faqeve, rreshtave
do të bësh një sy gjumë. Mes atyre faqeve kërkon një ëndërr… Mes atyre faqeve e
gjen një nuse. Mes atyre faqeve rrokesh fytas me vdekjen. E mashtrove kësaj
rradhe, ia mbylle dritaren. Derën, po, ç’dobi? Pas ditës vjen përsëri nata…
Kënga e Zogut të keq mbi çati… Dasma e xhindeve… Trokitjet në dritare…
Buzëqeshjet matanë xhamave… Dashuria nëpër errësirë… Po, deri kur?!…Vitet ikin
njëri pas tjetrit, e ti ende je i mbyllur në dhomë, në mesin e librave. E ke
ngritur lart lapsin në dorë. Mes atyre faqeve e kërkon rrugën… Nusen… Qentë t’i
kanë ndërsyer pas shpine. E shkop nuk ke në dorë. Veten e heq zvarrë mes
librave… Në një faqe të kanë vënë edhe pusi. Nuk e di cila është ajo faqe.
Tekefundit, unë nuk mundem të të jap edhe ndihmë. E di se jam i vdekur qe disa
vjet. E di edhe se kush më vrau-dashuria… Ja, se pse dashuria është e barabartë
me vdekjen. E kuptove tashti pse për çdo natë tek unë vinte Nusja me dy shami…
E kupton tani pse edhe gjithë natën e gjatë bënim dashuri… E prisnim diellin në
shtrat…E di se, të gjitha i ke në kokë… Në zemër… E di se, për çdo natë i
shfleton librat e mi me poezi. E kërkon një varg, vargun që më vrau një ditë me
shi, mbi kodër afër Qytetit. E di se mes atyre vargjeve e kërkon edhe dashurinë
time V.K. Bukurinë me të cilën u mbylla në urnë. Valët e liqenit, që zgjoheshin
në lumin Drini Zi. E mbi urë dy duar, kokë më kokë që zhyteshin e dilnin mbi
ujë. Një barkë që ikte nëpër furtunë. Poradeci që s’ka gjumë. E këtu tashti më
kujtohet edhe një Urë. A të kujtohet takimi i papritur pas disa vjetëve mbi
Urën e Gurit në Shkup? Atëherë, kur unë e hoqa një barrë. Plot pas tre viteve,
unë të kërkoja falje: për plot një vit jete me frikë. E di edhe si erdha deri
te ky zbulim. Unë që plot një vit pata frikë, pas largimit tënd më thirrën për
një bisedë informative në polici… Mik, më beso, më pyetën për ty me cilin fle
mbi libra… Verën, a e pi ende me shtamë… Miqtë me të cilët takohesh në çarshi…
Nusen e cilit e rrokullis në errësirë… Natën, a çmendesh shpesh në shtrat. Mik,
edhe sonte kam frikë…
Nuk
beson?! O Imzot! Hesht! (Jashtë dëgjohen
të lehurat e qenve.) Imzot, lehin qentë!… Vjenë Nusja me dy shami… Unë ika…
Ika… Ikaaa… Shpëtova… Sonte siç duket me ty do të bëj dashuri… (Dritat ndizen në skenë. Vetëton… Shti
rrufeja… Vetëton… Përsëri shti rrufeja… Muzikë e tmerrshme… Ofkëllima nëpër
errësirë… Thirrje…)
Fund
Shkup, 1994