E hene, 11.11.2024, 01:05 PM (GMT)

Kulturë

Kadri Tarelli: ‘Përmendore’ për mikun tonë të shtrenjtë Prof. Murat Gecaj

E diele, 27.03.2022, 09:13 PM


“PËRMENDORE” PËR MIKUN TONË TË SHTRENJTË PROF. MURAT GECAJ

Nga Kadri Tarelli

Pikërisht më 23 mars, 2022, në ditëlindjen e prof. Murat Gecaj, në Tiranë u organizua një veprimtari përkujtimore, ku morën pjesë familjarë, miq, shokë, krijues dhe lexues të veprës së mikut tonë të paharruar. Me këtë rast u përurua edhe libri “MIKU YNË I SHTRENJTË, prof. MURAT GECAJ”. Artikuj, esse, vargje poetike, kushtuar prof. Murat Gecaj.

Libri u përgatit nga Viron Kona dhe Sejdo Harka.

Redaktor: Bardhyl Xhama

Recensentë: Xheladin Mjeku dhe Eliverta Kanina, (Eli).

Korrektor gjuhësor: Muhamet Cenko

E thjeshtë gjetja e këtij motivi për t’u mbledhur. Njerëzit e mëdhenj, krijuesit, studiuesit, shkrimtarët e poetët, ku bën pjesë edhe profesori ynë, kanë vetëm ditëlindje.

Që në fillim më duhet të përshëndes dhe të shpreh mirënjohje për dy autorët e këtij libri, Z. Viron Kona dhe Sejdo Harka, të cilët ishin ideatorët dhe nismëtarët për të grumbulluar shkrime e kujtime, kushtuar jetës dhe veprës së profesorit të nderuar.

Të dy autorët, në shenjë modestie, nuk e vunë emrin në ballinë, por u mjaftuan me shënimin: “Kjo përmbledhje shkrimore është përgatitur në respekt dhe nderim të shokut, mikut dhe kolegut tonë të shtrenjtë, prof. Murat Gecaj dhe veprës së tij të madhe publicistike, studimore, arsimore, kulturore e kombëtare. Me bindje, se përmbledhja do të pasurohet vazhdimisht me studime dhe artikuj të tjerë shkrimor”. Kështu ata u mjaftuan me 35 autorë, të cilët hodhën në letër kujtime dhe përjetime, që në ditët e para të ngushëllimit për ndarjen nga jeta të prof. Muratit.

Vetë libri është një “Monografi” nga shumë autorë, pena mjaft të njohura publike, si brenda vendit ashtu edhe nga trojet arbërore, nga Suedia, Norvegjia, Italia, Greqia, SHBA, Britania e Madhe, etj, ku shprehet nderimi dhe adhurimi për “Misionarin” tonë, si njeri fisnik, si mësues, gazetar, veprimtar, krijues dhe studiues i përkushtuar ndaj dijes kulturës dhe çështjes kombëtare.

Pa e tepruar, po përzgjedh pak copëza jete, kujtime, vlerësime, shkrime dhe vargje, ku ndjehet përjetimi i çastit dhe miqësia mes miqsh:

Deivis Agolli (nipi nga vajza): ”Dy fjalë zemre për gjyshin tim të shtrenjtë”. “Për mua dhe motrën time Dorelën, gjyshi ynë ka qenë jo vetëm gjysh i dashur dhe shumë i dhimbshëm, por edhe një mësues e profesor i përkryer….”.

Bardhyl Xhama. “Mësues i merituar” dhe shkrimtar. Tiranë. Në shkrimin “Murat Gecaj nga Tropoja, burim pena, mjaltë goja”, shkruan: “Sa më tepër kalonin ditët, muajt dhe vitet, aq më shumë do ta admiroja si njeri fjalëpakë, por me humor të këndshëm, si njeri të ditur dhe tepër punëtor…..”.

Bashkim Saliasi. Publicist dhe shkrimtar. Në shkrimin “Fjala jote xhevahir”, thur pak vargje: “Hije rëndë si Korabi,/ I qeshur si Valbona,/ xhevahir fjala jote,/ i pavdekshëm në zemrat tona”.

Eliverta Kanina, (Eli). Mjeke dhe poete. Tiranë. Në shkrimin: “Trupi plaket pa lejen tënde, shpirti plaket kur ti e lejon”, shprehet: “Ai, (prof. Murati) nuk ia lejoi kurrë shpirtit asnjë rrudhë, asnjë thinjë dhe asnjë ofshamë, edhe pse jeta e tij u sfidua gjithë kohën…..”

Ganimete Thaçi. Poete. Tiranë. në shkrimin: “Dritarja e çdo të riu…”, shkruan: “Pa pritur dëgjoj një zë, që brenda meje përcolli ndjesinë e të ndjerit si në shtëpinë time. “-Unë jam Murat Gecaj, vij nga Tropoja. Faleminderit që  ke ardhur për të ndjekur aktivitetin”. Dhe vazhdon: “Askush  më shumë se një arsimtar dhe një artdashës, s’do të ishte kaq afër të rinjve, sa profesori”.

Fatos Çafka, poet, Greqi. Në poezinë: “Murat Mecaj, tropojani”, i kushton këto vargje: “E ku s’të ka vajtur nami,/ E ku ti nuk hodhe dritë,/ Murat Gecaj tropojani,/ edhe natën e bën ditë”.

Ndërsa gazetari Fiqiri Shahinllari, në shkrimin: “Murati na buzëqesh nga parajsa”, thotë: “Megjithëse në moshën që kam, sytë nuk më urdhërohen si dikur, u ula të shkruaj këto radhë, për mikun tim të punës, familjarin, buzagazin dhe të mençmin Murat Gecaj… Ai nuk ishte politikan, por ishte mendimtar, atdhetar, studiues e publicist”.

Ibrahim Hajdarmataj. Publicist dhe shkrimtar, Zogaj-Tropojë, në shkrimin “Murati ishte njeri i surprizave”, kujton disa ndodhi të këndshme: “ - Sot nuk do të pimë kafenë e mëngjesit, - më thotë Murati, dhe vijoi: - A e ke pasaportën me vete?… Bëhu gati se do të nisemi pas dite, për në Preshevë”.

Hysen Ibrahimi. Kryetar i shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi, dërgon: “Telegram ngushëllimi për mikun tim dhe tonin, prof. Murat Gecaj”, ku përmend: “Në 10 numra të librit “Thesari Kombëtar i mërgatës shqiptare në Suedi”, janë botuar 22 shkrime të prof. Murat Gecaj…… Për gjithë këtë kontribut, ne e kemi shpallur “Anëtar nderi të shoqatës së shkrimtarëve dhe artistëve Shqiptarë “Papa Klementi XI. Albani”, në Suedi”.

Ermira R. Jusufi. Poete. Kosovë. Në shkrimin “Dy fjalë dhimbjeje”, thur disa vargje: “Dita nuk e kish asnjë vlerë,/ as stina s’do niste mbarë,/ pa dashurinë vëllazërore,/ të babushit zemërbardhë”.

Foto Toti. Prof. Dr. dhe “Mjeshtër i madh”. Në shkrimin “Kur kujtoj mikun tim të hershëm”, sjell ndërmend: “Murt Gecaj, edhe pse ka më shumë se një vit që është ndarë nga jeta, sa herë që mblidhemi bashkë për kafe, me shokët e përbashkët, na duket sikur e kemi të gjallë në ballë të tavolinës.”.

Fran Nikoll Brozi. (Ushtarak): “Nderim për profesorin”. Shkruan: “Murati ishte njeri me shumë kulturë e dije. Fjalë ëmbël, zemërmirë e punë mbaruar, që i donte njerëzit, vendlindjen, shkollën dhe gazetarinë”.

Fuat Memeli. Publicist. Boston. “Në vend të një buqete me lule”, frymëzohet për këto vargje: “Më del shpesh në fotografi,/ sikur thotë “Aty më keni,/ Për mua po t’ju marrë malli,/ në kujtime do më gjeni”.

Fran Ukcama. Poet. Fier. Thur pak vargje: “Jeta e rruga e tij nuk qe asfalt,/ dimër, verë mbi përvëlim,/ mbi pengesa, brigje të thyeme,/ i përballi me guxim”.

Emine S. Hoti. Stiliste dhe poete. Norvegji. Në shkrimin “Respekt dhe nderim për mikun tonë të paharruar”. shprehet: “Fakt është se prof. Murati na ka lënë një vepër të gjerë publicistike dhe studimore, e cila lexohet sot me dëshirë, por kam bindjen se do të lexohet edhe në të ardhmen”.

Këze Kozeta Zylo. Shkrimtare, publiciste. New Jork. “Mirësia dhe humanizmi i tij ishin virtyte që do të ngelen gjatë në kujtesë. Një shembull i atij brezi intelektualësh, që punuan me përkushtim dhe sakrifica”.

Nuredin Lushaj. Studiues. Nga poezia “Vatra jonë lindi burra…”, po shkëput disa vargje: “I patër si qelibar,/ Misionar i pashoq,/ i ditur e zemërzjarr,/ rrallë i gjen sot në botë”.

Përparim Hysi. Poet dhe tregimtar. Megjithëse i afërt nga mosha, e thërret “Babush!”. “Sa vështirë që e ndjej veten, kur nis të shkruaj për ty. E di pse? Se të shkruash për jetën e një njeriu, do të thotë ta rindërtosh atë”.

Pierre-Pandeli Simsia. Studiues. New Jork. “Është në nderin dhe kënaqësinë time të isha mik me profesorin. Kultura e tij e lartë, inteligjenca, buzëqeshja, urtësia, ishin veti karakteristike të atij intelektuali, që do na mungojë shumë”.

Pjetër Meta. Madhërisht shkruan: “Dhe një lisi madh i Nikaj-Mërturit, ra….”, duke shtuar: “Prodhimi intelektual i Prof. Muratit ka filluar që në shkollën e mesme dhe ishte i pandërprerë deri në fund të jetës”.

Qatip Mara. Publicist New Jork. Shkrimi: “Nderime kujtimit të ndritur të profesorit”. Sjell mbresa që përjetohen gjatë: “Murat Gecaj ishte i veçantë me plot vlera dhe virtyte. Prezenca e tij në çdo takim të jepte shumë shpresë të kuptoje, se ishte njeri i rrallë”.

Raimonda Moisiu. Publiciste SHBA. Kozeta Zavalani. Publiciste. Tiranë. Në krijimin: “Edhe pas reve të ikjes, hija e malit shquhet!, shkruajnë: “Prof. Murati ishte njeriu modest dhe fisnik i bjeshkëve të Tropojës, që fitoi respektin e inteligjencës dhe qytetarisë shqiptare në të gjitha trojet arbërore”.

Sadulla Zendeli-Daja. Leksikograf. Poet. Suedi. “E njoha prof. Muratin në panairin e librit në Tiranë. M’ u duk sikur njihesha prej kohësh, vlerë kjo e njerëzve të ditur dhe plot kulturë. U bëmë miq….. dhe mbeti për mua ndër miqtë e rrallë”.

Shaban Ali Haxhiaj. Ushtarak. “Gjurmë nëpër udhë”, Ditët dhe vitet të mbetur në kujtesë, shkruan: “Arritjet dhe sukseset e profesorit i kam përjetuar me kënaqësi. Është krenari të kesh pasur një mik dhe shok si Murati”.

Trëndafile Molla (Baja). Poete. Itali. Ne titullin e shkrimit, “Miku i vlerave dhe i letrave shqipe”, shprehet: “Iku prof Murati. Iku lart ne qiell, pa u takuar me ne këtë verë. Nuk doja ta besoja. …..Ti nuk ke vdekur! Ti jeton në kujtimet tona.”.

Vera Istrefaj. Poete. Kukës. Letrarisht gjen titullin “Zemërdiellit”, si grimcë kujtimi për të nderuar Profesorin. “Ishte vërtet zemrdielltë! Një minierë e vërtetë informacioni e mirësie. Ai jeton në çdo arritje të tim biri, jeton në çdo mendim mirënjohës timin”.

Vilhelme Vranari-Haxhiraj. (Vivra). Shkrimtare. “Mjeshtre e madhe”. Vlorë. Fitim Haxhiraj. Koreograf. Vlorë. Në shkrimin “Miku i shkrimtarëve, prof. Murt Gecaj”, me dhimbje theksojnë: “Iku njeriu i mirë. Iku fizikisht, por ai ka lënë duart dhe mendjen jashtë. Emër që gjendet dhe do t lexohet nëpër bibliotekat dhe libraritë e vendit”.

Xhelatin Mjeku. Studiues. Shkrimtar. Poet. Prishtinë. i kushton poezinë “Bën ftohtë në Tiranë”. Ja disa vargje: “Sa ftohtë bën, shumë ftohtë bën këtu në Tiranë,/ këtu as dielli nuk e paska fuqinë e tij,/ mes miqsh që më shoqërojnë qëndroj si i dehur,/ shpirti pa ngrohtësinë e fjalës së tij po më ngrin”. Më pas shkruan: “Ditëdhimbja e 16 Korrikut, të vitit 2020, mbetet përgjithmonë dita e lamtumirës për njeriun që e deshëm dhe do ta duam, po aq sa do ta kujtojmë me nderim të lartë, i cili la mbresa të pashlyera në shoqërinë dhe botën intelektuale…, të cilat e rreshtojnë në mesin e intelektualëve të atdheut, krah emrave të dëshmuar të jetës shkencore dhe kulturore”.

Sejdo Harka. Studiues dhe publicist. Tiranë. Krahas shumë krijimeve te tjera, na sjell këtë shkrim, “Murat Gecaj. Një emër i spikatur i gazetarisë, i veprimit dhe krijimtarisë…”. Më tej mediton: “Dhe them me vete: Ç’ rëndësi ka që ai nuk është fizikisht mes nesh?! …. Ai flet edhe me heshtjen e mungesës së tij. Ai rron në kujtesën, imagjinatën dhe botën e gjallë të librave të tij të shumtë, që la pas”.

Viron Kona. Shkrimtar. Studiues, publicist. Sjell një shkrim të veçantë: “Murat Gecaj, shoku ynë i dashur dhe i paharruar. (Bisedë e zgjeruar, dhënë gazetarit Jaho Margjekaj, në Radio Tirana, më: 26 Korrik, 2020. Mes të tjerave thotë: “Miku ynë shumë i dashur është ndarë nga jeta, por ne nuk duam ta besojmë, na duket sikur do na marrë në telefon dhe do të vazhdojë bisedat e lëna përgjysmë…. Më tej shprehet: “Janë rreth 300 portrete, autore femrash, që shkruajnë poezi e prozë, që ai i ka portretizuar në disa libra dhe, siç mendoj unë, meriton me këtë vlerë të madhe, të futet deri edhe në librin “Gines”….”.

Edhe unë Kadri Tarelli, si mik i vjetër, i kam kushtuar “Heroit” tonë, disa shkrime. Po ndaloj në krijimin e hedhur në këtë libër, me titull: “Një vit pa profesorin e nderuar, mikun tonë Murat Gecaj”, ku nënvizova këto pak radhë: “Profesori fizikisht prehet në parajsë, por me veprat që na ka lënë do të jetë kurdoherë mes nesh,….si model dhe udhërrëfyes i përsosur. Ai, në letrat shqipe i ngriti vetes edhe piedestalin edhe monumentin, ndërsa ne më shkrimet tona vetëm e kujtojmë, e përshëndesim, e ledhatojmë, e përkëdhelim dhe e nderojmë në përjetësi”.

Them se paskam pasur të drejtë. Koha e pranoi mendimin tim. Sepse kemi në dorë një libër, që do të jetë në shumë shtëpi, shkolla dhe biblioteka në të gjitha trojet arbërore, madje edhe nëpër botë ku ka shqiptarë. Një “përmendore” që u gdhend nga 35 pena të njohur studiuesish, shkrimtarësh, poetësh, krijuesish dhe lexuesish nga mbarë vendi.

Më pëlqen ta theksoj: Veprimtaria dhe libri, janë homazhi më i bukur që i bëhet njeriut të ditur, gazetarit dhe studiuesit Murat Gecaj, që la pas vlera për gjeneratat që vijnë, duke u kujtuar në përjetësi.

Kadri Tarelli

Mars. 2022.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora