Shtesë » Lajme
Ramiz Lushaj: Agim Mehmeti nderohet me Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”
E shtune, 28.08.2021, 02:28 PM
Agim Mehmeti ish- Zv/Ministër i parë i Mbrojtjes i Republikës së Kosovës, nderohet (pas vdekjes) me Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”
Nga
Ramiz LUSHAJ
1.
“Takimi i Plavë-Gucisë,
2021”, (i dyti, pas atij të 1 Gushtit 2019), kësaj here, u mbajt në shtëpinë e
kulturës në Vuthaj, më 1 gusht 2021, i organizuar nga “Gazeta e Alpeve”-në
bashkëpunim/bashkrendim me disa komuna/bashki e shoqata në Mali i Zi, Shqipëri
e Kosovë.
Të pranishmëve nga Rajoni
Ballkanik Shqiptar e Mërgata Shqiptare në Europë e Amerikë, iu uroi
mirëseardhjen me një Fjalë Hapje/Përshendetje zoti Nikollë Camaj- drejtor i
“Gazeta e Alpeve” për Malin e Zi, veprimtar rajonal atdhetar, politik, kulturor
e shoqëror, zyrtar i lartë i komunës së Tuzit (Malësi).
Nderonin me praninë e tyre
lartnore në “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021”; tre këshilltarë të Presidentit të
Republikës së Shqipërisë: ambasador Genc Muçaj, (për Marrëdhëniet
Ndërkombëtare) (njiherit dhe Drejtor i Parë Ekzekutiv i Këshillit të
Ambasadorëve Shqiptarë); ambasador Flamur Gashi (për Çështjet e Rajonit), Tedi
Blushi (për Mediat dhe Zëdhenës i Presidentit); Faik Nika-Kryetar (funksionar)
i Këshillit Kombëtar të Shqiptarëve në Malin e Zi; Isuf Çelaj-deputet i
Kuvendit të ri të Shqipërisë; ambasadori
Mal Berisha-ish-ambasador i Shqipërisë në Mbretërinë e Bashkuar e Irlandë;
personalitete të njohura të botës akademike, të biznesit, humanizmit, kulturës,
si: dr. Ahmet Ulaj nga Tirana, humanist, një ndër themeluesit e aksionerët e
kompanisë elitare “Gener 2” në Shqipëri; Ramiz Tafilaj- botues, humanist,
biznesmen kryesisht në industrinë e naftës e të gazit në Teksas të Amerikës, i
nderuar me Çmim dhe nga Presidenti Amerikan Donald Tramp; Skënder Thaçi në Kosovë, humanist,
veprimtar, biznesmen i turizmit shqiptar, i dekoruar me Urdhrin “Nënë Tereza”
nga Presidenti i Shqipërisë, “Qytetar Nderi” i Pukës; Bruno Selimaj-nga Nju Jorku i Amerikës,
biznesmen filantropist, lobist e kontributor i shquar atdhetar, kryesisht për
Çështjen e Kosovës; Ali
Daci-nga Rozhaja, kryeredaktor i “Gazeta e Alpeve” në Malin e Zi e Sanxhak
(mbajtësi i Fjalës së Mbylljes të Takimit); këngtari kombëtar Arif
Vladi-“Mjeshtër i Madh”; Çel Shaban Çelaj i Vuthajve, biznesmen humanist në Nju
Jork të Amerikës, veprimtar atdhetar e kulturor, kontributor dhe për
vendlindjen e tij; Admir
Mulaj-nga Tirana, themelues i Universitetit Ndërkombëtar të Tiranës; doktorant
e ing.-gjeodet, Rexhep Nikçi i Rugovës-nga Gjermania; Ismet Azizi-kryetar i
Shoqatës “Kosova për Sanxhakun” dhe të tjerë të ftuar nderi.
E para kumtesë e Takimit
ishte: “Familja e Jakup Ferrit- lartësi e pasuri emblematike kombëtare
shqiptare”- referuar nga Esad Gjonbalaj-ish kryetar i Fondacionit Plavë-Guci në
Amerikë, themelues e drejtues i portalit “Plava e Gucia Sot”, veprimtar
atdhetar, kulturor e humanitar. Këngtari kombëtar Arif Vladi- “Mjeshtër i
Madh”, “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut” e përshendeti Takimin me këngën e
mirënjohur “Jakup Ferri me bajrak”.
E dyta kumtesë e Takimit
ishte: “Rruga Deçan-Plavë, rrugë e zhvillimit e integrimit rajonal Kosovë-Mali
i Zi”- referuar nga Adem Lushaj- kryetar i Shoqatës së Intelektualëve të
Pavarur në Deçan, studiues e publiçist i njohur, autor me disa libra në shqip e
anglisht.
Në “Takimi i Plavë-Gucisë,
2021” u promovua dhe vepra monografike “Skender Imer Thaçi mes
Shqipërisë, Kosovës dhe Malit të Zi”
, një nga librat ma të
mirë të kohëve të fundit. Rreth këtij libri me interes, me plot rrëfime jetësore e ngjarje që i shërbejnë edhe historisë kombëtare, kumtoi autorja e veprës, studiuesja e njohur,
Leonora Laçi nga Qarku i Shkodrës. E veçanta ishte se kumtimi i saj u shoqërua
edhe paraqitje me tekst e figura, me Power-Point, me anë të vidioprojektori
bashkëkohor. Humanisti, veprimtari e biznesmeni i shquar, Skënder Thaçi, shprehu
vlerësime e mirënjohje për autoren e librit, për Plavë-Gucinë dhe Pukën e tij,
si dhe pas Takimit ndau libra me autograf për të pranishmit e atyshëm.
Lahutari e kangtari kombëtar Jonuz Delaj- një ndër kangtarët e Eposit të
Kreshnikëve e një ndër homerët e fundit të Europës së shek. XXI, këndoi kangën
e re me tekstin e tij: “Cuce Avdylja e Geghysenit dhe e Kelmendit.
Ambasadori Mal Berisha, studiues, historian, përkthyes, analist, në
kumtimin e tij ekskluziv, të shoqëruar me foto-fakte në Power-Point, të siguruara dhe nga muze të
Londres, foli për vizitën e britanikes Miss Edit Durham- mike e madhe e
Shqiptarëve, në vitin 1913, në fshatin e madh Vuthaj dhe në qytetin alpin të
Gucisë e disa personazhe të asaj kohe, si dhe përcolli kujtime e vlerësime për
familjet vuthjane në Shqipëri, veçmas për ato Ahmetaj e Ulaj në Mamuras, që
kanë nxjerrë personalitete të penës, penelit, biznesit, humanizmit.
Nga “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021”, i 1 Gushtit 2021, u dhuruan edhe 53 libra për bibliotekën e
Shtëpisë së Kulturës në Vuthaj.
2.
Nga “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021” dhe “Gazeta e Alpeve”, gazetë Rajonale-PanShqiptare-NdërBallkanike
(Shqipëri-Kosovë-Mali i Zi-Sanxhak e Lugina e Preshevës-Maqedoni e Veriut), u ndanë disa çmime e mirënjohje, të cilat i shpalli publikisht
gazetari e studiuesi Ramiz Lushaj nga Shqipëria (Tiranë)- themeluesi, botuesi e
kryeredaktori i kësaj gazete.
Në “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021” u nderua me Çmimin
e Lartë “Ahmet Krasniqi” ish Zv/ministri i parë i Mbrojtjes të Republikës së
Kosovës, Agim Mehmeti nga Gjakova (pas vdekjes, 10 mars 1955-3 gusht 2015), ish-i përndjekur politik nga
regjimi i Jugosllavisë së Titos e Millosheviçit; një nga luftëtarët e prijtarët
strategë e trima të vendosur të Luftës së Kosovës, një nga udhëheqësit popullor
e progresistë të Kohës së Paqes, një njeri i veçantë e me kontribut të veçantë
për vendin e tij.
Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”, drejtori i “Gazeta
e Alpeve për Gjermani, z. Hilmi Gashi, një nga veteranët e Luftës së Kosovës,
një nga ish kuadrot e FARK-ut (M.M.) të Republikës së Kosovës, veprimtar i
njohur atdhetar, politik, kulturor e shoqëror, ia dorëzoi në sallë, në mënyrë
ceremoniale, kolonel
Ahmet Alishanit- ish
shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut gjatë Luftës së Kosovës, një ndër
bashkëluftëtarët e tij.
3.
Kolonel Ahmet Alishani- ish
shef i Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut të Kosovës, dhe ish-ushtaraku i
Ministrisë së Mbrojtjes, Hilmi Gashi, ngaqë familjarët e të ndjerit e të
paharruarit Agim Mehmeti-veprimtarit të shquar atdhetar, ushtarak, politik e
shoqëror, nuk munden të ishin të pranishëm atë ditë në “Takimi i Plavë-Gucisë,
2021” në Vuthaj, këta të dy miqë të mirë, kolegë të afërt e bashkëluftëtarë
e bashkëudhëtarë të tij në luftë e në
paqe, e kishin sipërmarrë mision të tyre shpirtëror që këtë dekoratë, këtë
Mirënjohje, këtë Çmim të Lartë, ta dorëzonin sa ma shpejt e në mënyrë
ceremoniale tek familja e vëllezërit e tij.
Në këto
ditë gushti 2021, këta dy nga personalitetet e Luftës së Kosovës, kolonel Ahmet
Alishani dhe ish-ushtaraku Hilmi Gashi, ia dorëzuan në kryeqytetin e Kosovës,
në Prishtinë, Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”, vllaut të Agim Mehmetit, Bajram
Mehmetit, të sapoardhun nga Zvicra për përvjetorin e pestë të vdekjes së vllaut
të tyre.
Bajram Mehmeti është njëri
ndër ushtarakët e lartë të FARK-ut e i Luftës së Kosovës prej fillimeve të saj,
veprimtar atdhetar, kulturor e shoqëror, autor i romanit autobiografik (e me
dokumenta bashkangjitun tij) me titull : «Loja e ndyrë e shërbimit sekret»
(Rrëfime të një ish të burgosuri). ShB «Faik Konica». Prishtinë, 2017. Njiherit
është dhe një nga miqtë e mirë në luftë e në paqe i kolonel Ahmet Alishanit dhe
i Hilmi Gashit nga Drenasi i Kosovës.
Të tre, ish zv/ministri i
Mbrojtjes së Kosovës, Agim Mehmeti (1955-2015), kolonel Ahmet Alishani- shef i
Shtabit të Përgjithshëm të FARK-ut dhe
Hilmi Gashi- një ndër kuadrot e Ministrisë së Mbrojtjes së Kosovës, ishin miq
të mirë, bashkëpunëtorë të afërt, bashkëluftëtarë të vendosur të ish Ministrit
të Mbrojtjes e Komandantit të Përgjithshëm të FARK-ut, kolonel Ahmet Krasniqi-
“Hero i Kosovës” (1948-1998).
E përbashkta dhe e veçanta
për të tre këta veprimtarë të luftës e paqes në Kosovën dardane është fakti se
te tre janë të nderuar me Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”, si Hilmi Gashi (2019),
Ahmet Alishani (2020) dhe Agim Mehmeti (pas vdekjes) më 2021.
Shkrue,
Gusht, 2021
Agim
Mehmeti (1955-2015) Zv/ministri i parë i Mbrojtjes të Republikës së Kosovës, i
dekoruar (pas vdekjes) nga “Takimi i Plavë-Gucisë, 2021”/ “Gazeta e Alpeve”, me
?Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”.
Çmimin e Lartë “Ahmet Krasniqi”, drejtori i
“Gazeta e Alpeve për Gjermani, z. Hilmi Gashi, një nga veteranët e Luftës së
Kosovës, një nga ish kuadrot e FARK-ut (M.M.) të Republikës së Kosovës,
veprimtar i njohur atdhetar, politik, kulturor e shoqëror, ia dorëzoi në sallë,
në mënyrë ceremoniale, kolonel Ahmet Alishanit- ish shef i Shtabit të
Përgjithshëm të FARK-ut gjatë Luftës së Kosovës, një ndër bashkëluftëtarët e
tij.
Z.
Hilmi Gashi pershendet në foltore “Takimin e Plavë-Gucisë, 2021” dhe iu shpreh
mirënjohje për vlerësimin e
personalitetit të shquar Agim Mehmeti, me Cmimin e Lartë “Ahmet
Krasniqi”.
Kolonel
Ahmet Alishani dhe drejtori i “Gazeta e Alpeve” për Gjermani, Hilmi Gashi, duke
i dorëzuar në Prishtinë ?Çmimin e Lartë “Ahmet
Krasniqi” vllaut të Agim Mehmetit,
veprimtarit të njohur Bajram Mehmeti i Gjakovës e Kosovës, i Zvicrës.
Çmimi i Lartë “Ahmet Krasniqi” akorduar Zv/ministrit të parë të Mbrojtjes të
Republikës së Kosovës, Agim Mehmetit (pas vdekjes), veprimtar atdhetar,
ushtarak, politik, kulturor, shoqëror i luftës e paqes në Kosovën dardane